Kriza e emigrantëve: Italia lejon zbarkimin e eksodit në portin e saj

14 Shtator 2019, 16:00Bota TEMA

Italia pranoi të lejojë anijen e shpëtimit “Ocean Viking” të zbarkojë 82 emigrantë në portin e Lampeduzës. Megjithatë, autoritetet italiane kërkojnë garancë që këta emigrantë të mos kenë Italinë si destinacionin e tyre të fundit, por të shpërndahen në vende tjera evropiane.

Ministri i ri i jashtëm italian dhe udhëheqësi i subjektit politik “Lëvizja Pesë Yjet”, Luigi Di Maio, theksoi se Italia ofroi ambient zbarkimi për anijen shpëtuese “Ocean Viking” vetëm pasi Evropa pranoi të marrë emigrantët afrikanë që ndodhen në anije.

“Është e qartë se edhe në të kaluarën, me qeveritë e mëhershme, qëllimi ynë ishte të sigurojmë që emigrantët që vijnë në Itali të shpërndahen në vende të tjera të Evropës. Tani është krijuar mekanizmi dhe kjo na mundëson të sigurohemi që kur një i huaj mbërrin në Itali me anije, të mund të dërgohet në vende evropiane”, tha ministri i jashtëm italian, Luigi Di Maio.

Anija shpëtuese “Ocean Viking” ishte në misionin e saj të dytë dhe po endej për dy javë mes Maltës dhe Italisë, duke kërkuar një port për të zbarkuar emigrantët.

Organizata “Mjekët Pa Kufij” e cila e drejton anijen bashkë me organizatën “SOS Mediterranee”, thanë se grupi i emigrantëve përbëhet nga 58 burra, 6 gra dhe 18 fëmijë.

Në misionin e saj të parë “Ocean Viking” shpëtoi 365 emigrantë.

Burime diplomatike thanë së fundmi se Italia është duke u munduar të krijojë një formë automatike të shpërndarjes së emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe, drejt vendeve evropiane.

Sipas shtypit në Itali, Franca dhe Gjermania i dhanë dritën e gjelbër sistemit të ri, sistem ky që do ta përfshinte edhe Luksemburgun, Maltën, Portugalinë, Rumaninë dhe Spanjën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje