Investimet rrisin shpresat për rilindjen e turizmit në liqenin e Shkodrës

16 Shtator 2019, 20:18Turizëm TEMA

Një ndër projektet e qeverisë shqiptare në kuadër të programit të Rilindjes Urbane – i cili akoma nuk ka përfunduar, është ristrukturimi i sheshit të Shirokës, një lagje e vjetër e qytetit që shtrihet buzë liqenit të Shkodrës.

Nga Anila Dushi

Shiroka në çdo kohë ka tërhequr vizitorë, kryesisht ditorë; në mënyrë të veçantë qytetarët shkodranë që me biçikleta ose me motobarkën që funksiononte fundjavave deri në vitin 1979 shkonin për të bërë plazh gjatë verës dhe për të shijuar peizazhin që krijohej nga liqeni në një krah dhe mali i Taraboshit në krahun tjetër.

Ky ish- fshat turistik me klimë të butë është i vendosur vetëm 4 kilometra larg qytetit të Shkodrës dhe tashmë është kthyer në një lagje të saj. Kolapsi i rendit dhe ligjit gjatë periudhës së tranzicionit në demokraci në vitet 90’, solli në Shirokë ndërtime kaotike dhe degradim mjedisor që ndikuan negativisht dhe në numrat e vizitorëve.

Megjithatë, banorët e Shirokës shpresojnë që fshati do ta përmbysë trendin negativ, falë një investimi mulitimilionësh të qeverisë shqiptare që ka për qëllim t’i japë një fytyrë të re infrastrukturës së tij.

Rikonstruksioni i sheshit te Shirokës përfshin një sipërfaqe prej rreth 20 mijë metrash katrorë dhe parashikon restaurimin e fasadave, ndërtimin e çative te reja, parkingut publik, shtrimin e sheshit me pllaka guri mozaik, ndriçimin publik dhe punime gjelbërimi. Inxhinierët që udhëheqin projektin bëjnë të ditur se deri tani janë kryer rreth 42 për qind të punimeve dhe projekti që zbatohet nga Fondit Shqiptar të Zhvillimit kap vlerën e 309 milionë lekëve (2.6 milionë euro).

Shumë nga lokalet që kanë qenë në breg të liqenit janë prishur, në kuadër të projektit për sheshin dhe janë zhvendosur në anën tjetër të rrugës. Komuniteti i zonës shprehet njëzëri se i gjithë bregu i liqenit  – në të gjithë vijën e tij, duhet të jetë i lirë nga çdo ndërtim që i kishte zënë frymën.

Banorë të Shirokës, por dhe qytetarët që e frekuentojnë këtë lagje turistike të Shkodrës, shprehen se projekti i rehabilitimit të sheshit është i mirëpritur dhe besojnë se do të ketë një ndikim pozitiv në zonë, duke ia shtuar vlerat urbanistike dhe duke normalizuar ndërhyrjen urbane në raport me natyrën. Përmirësimi i infrastrukturës pritet të rrisë numrin e vizitorëve dhe punësimin në sektorin e turizmit.

Megjithatë, vendasit shpresojnë që investimet mos të kufizohen në këtë projekt të vetëm, pasi ata nënvizojnë se është e domosdoshme që ndërhyrja të shtrihet jo vetëm tek sheshi por në të gjithë gjatësinë e bregut të liqenit, përfshirë dhe lagjen Zogaj  – një tjetër aset turistik në bregun e liqenit të Shkodrës.

Gjergj Pavaci, banor i vjetër i Shirokës dhe inxhinier në pension shprehet për BIRN se ky investim ndikon për mirë, pasi punëson njerëz, por mbi të gjitha largon ato ndërtime të padenja dhe kaotike që pengonin soditjen pa pengesa të liqenit të Shkodrës, duke ndikuar jo vetëm në një paraqitje jo të mirë por dhe në ndotjen e tij.

“Në rast se do realizohen ato që përfshin projekti, kemi një sistemim perfekt të territorit, ku do ketë vend për makina, soditjen e natyrës, stola,” shpjegoi Pavaci.

“Komuniteti këtu nuk ka qenë asnjëherë kundër ndërtimeve, pasi ato shihen si mundësi punësimi e zhvillimi, por ndërtimet kaotike e prishën pa asnjë plan, e dëmtuan mjedisin – si në drejtim të ndotjes ashtu dhe në anën vizuale të paraqitjes,” shtoi ai, duke nënvizuar se si banor i kësaj lagjeje “më pëlqen që bregu i liqenit të jetë i lirë për t’u shijuar”.

Një ndikim pozitiv në rritjen e vizitorëve në këtë zonë ka pasur dhe rikonstruksioni i rrugës që e lidh me qytetin e Shkodrës – me ndriçim, parmakë e trotuare – duke rritur frekuentimin në çdo ditë e orë apo stinë të vitit. Jo vetëm shkodranët, por dhe qytetarë nga zona të ndryshme të vendit, apo turistë të huaj kanë filluar ta listojnë Shirokën mes destinacioneve të preferuara.

Në këtë drejtim, jo vetëm për komunitetin e kësaj zone, por dhe për të tjerë që zgjedhin të vijnë këtu për të kaluar qoftë dhe disa orë çlodhje dhe qetësi në gjirin e natyrës, rehabilitim i sheshit shihet si diçka pozitive.

Arbeni, një qytetar shkodran shprehet se çdo fundjavë vjen me gruan dhe dy djemtë në Shirokë për të kaluar disa orë larg zhurmës.

”Vijmë me biçikleta sepse e shohim si një mënyrë më të shëndetshme dhe na jep më shumë kënaqësi e relaks kur e shohim liqenin drejtpërdrejt, ndërsa kur bie shi vijmë me makinë,” tha ai. “Këtë verë ka qenë disi më e vështirë pasi në sheshin kryesor punohej ,por megjithatë shpresoj që dalë diçka e bukur që do ia shtojë vlerat kësaj zone,” shtoi Arbeni.

Armandi, një tjetër shkodran që frekuenton Shirokën shprehet se projekti i rehabilitimit urban duhet të vazhdojë me zgjerimin e rrugës së Zogajt – ku aktualisht me vështirësi kalojnë dy mjete, dhe sistemin e bregut të liqenit dhe në atë pjesë të tij.

Mark Tomaj nga Shkodra tregon se çdo pasdite me motorin e tij të vogël shkon në Shirokë për t’u qetësuar, çlodhur dhe shmangur zhurmat e qytetit ndërsa shton se investimi që po bëhet tek sheshi do ndikojë për mirë, duke shtuar stola dhe ambiente pushimi.

Inxhinieri Mark Pavaci tha se qetësia e bregut të liqenit të Shkodrës zor se mund të gjendet diku tjetër.

“Edhe pse kam dy djemtë mjekë jashtë vendit, bashkë me gruan që e kam nga Korça kemi vendosur ta kalojmë jetën këtu,” përfundoi ai.

1 komente në “Investimet rrisin shpresat për rilindjen e turizmit në liqenin e Shkodrës”

  1. ali peza says:

    Pershendetje Inxhinier i talentuar Shirokas Gjergj Pavaci!.Shiroka eshte nje minjere ari per shkodranet.Ajo eshte ngjitur me qytetin dhe i dhuron atij nje klime te veçante qe zor se gjendet tjeter si kjo.Nuk po permend pasurine faunistik dhe ate floristike qe eshte me e zhvilluara dhe pjese e koridorit te Adriatikut per emigrimet vjetore europiane te faunes.Punimet qe kane filluar dhe qe do vijojne aty do ta bejne Shiroken nje xhevahir te Shkodrej dhe te shkodraneve e me gjere.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje