Këndesi i Sali Shijakut

16 Shtator 2019, 09:37Kulturë TEMA

Nga Çapajev Gjokutaj

 

Kompozimi me këndesin, që mban në sqep një zvarranik, zë vend periferik në krijimtarinë e begatë të Sali Shijakut. Nuk është mbase as më i godituri ndër kompozimet e tij me gjela. Megjithatë, hyn në veprat që gjeneron një shtjellë meditimesh, të lidhura sa me tablonë, imazhet dhe metaforikën e saj, aq edhe me kontekstin kulturor.

Në krijimtarinë e vonë mjeshtri u është kthyer e rikthyer këndesëve për të na sjellur disa vepra mbresëlenëse. Kujtojmë p.sh. kompozimin me dy koka gjeli në pozicion kacafytjeje. Ndeshja e të kuqes së lafshës me të verdhën e mullarit thekson dramacitetin, kurse sfondi në të kaltër me mullarë dhe hije nate, vendosur në thellësi, krijon ndjenjën e paqes dhe qetësisë, aq e natyrshme dhe gati e përjetshme në peisazhet fshatarake, duke nisur që nga Hesiodi e Virgjili.

Edhe më mbresëlenëse ngjan tabloja ku dy këndesë kacafyten në sfondin e imazheve rustike, riprodhuar pa përdorur thellësinë, me një frymë të theksuar naive e fëmijërore. Po të gjykosh nga puplat që pluskojnë në ajër, dueli ngjan të jetë i rreptë, por kompozimi përcjell një atmosferë gazmore, sa përmes lojës së ngjyrave të çelura aq edhe nëpërmjet ritmit të gjallë e lodrues, që krijojnë linjat e hedhura shkujdesshëm.

Në fakt shumicën e kompozimeve me këndesë mjeshtri i strukturon mbi bazën e këtij kontrasti. Shpendët, të egërsuar dhe disi të fryrë e të kapardisur, përleshen me njeri – tjetrin, por kompozimet nuk përcjellin tension dhe egërsi, përkundrazi janë plot ritme, forma e ngjyra të gëzuara. Më njerën anë përleshje, në tjetrën gëzim e hare; në pamje të parë luftë, në thelb gazmend.

Kontrasti ‘përleshje – hare’ shërben si strukturë bazike në të gjitha kompozimet e këtij motivi, por prapëseprapë mbetet në plan të dytë: humori ngjan se buron më shumë nga një qasje e gëzuar dhe e çiltër e krijuesit, plot lehtësi dhe, në pamje të parë, edhe shkujdesje.

Ndryshe ndodh në kompozimin ku këndesi shfaqet me zvarranik në sqep. Këtu nuk kemi betejë, por paradë; nuk kemi shenja dyluftimi, qoftë edhe në pamje të parë, por solemnitetin që shoqëron rëndom shpalljen e fitores, ngadhënjimin mbi kundërshtarin.

 

Gjithsesi, të bie në sy edhe ndonjë element që të bën të mëdyshesh e të pyesësh veten: kemi të bëjmë me solemnitet legjitim e të justifikuar apo me krekosje a, larg qoftë, autolëvdatë e vetëmburrje?

Hapi marcial i këndezit, koka e ngritur lart dhe sidomos gjoksi i nxjerrë përpara, jo me harkimin e butë që zakonisht krijojnë pendët, por me një përthyerje këndore; të gjitha këto të sjellin ndër mend krekosjen, fjalë që zakonisht fjalorët e shpjegojnë ‘nxjerr gjoksin përpara dhe ngre kokën lart’ dhe pastaj përmendin gjelin a kacagjelin.

Ngasja për të gjetur kapardisje tek ‘Këndesi me zvarranik’ duket se ushqehet edhe dy nga burime jashtëtekstore. Në gjuhën dhe kulturën popullore këndesi më së shumti bashkëshoqërohet nga konotacione që përcjellin kapardisje, fryrje, mbitheksim të vetes, mburrje etj., gjë që gjen mishërim edhe në faktin që si kuptim i dytë i kësaj fjale në ‘Fjalorin e shqipes së sotme’ shënohet: ‘ai që shet mend, njeri mendjemadh që ngrefoset e kapardiset’. Ashtu si fjala ‘lepur’ përdoret për të shenuar një njeri frikacak, si fjala ‘dhelpër’ për njeri dinak, si gomar për budalla etj. edhe fjala ‘këndes’ përdoret për të shenuar një njeri që mbahet me të madh.

Duket se ky kuptim i figurshëm i ka rrënjët tek fryrja e puplave dhe mbase edhe tek lëvizja karakteristike dhe disi vallëzuese apo tek dëshira e këndesit për të demonstruar pushtet e sundim mbi pulat e tufës. Nuk është e rastit që ngrefosjen dhe të kapardisjen e kanë si kuptim të dytë të gjitha sinonimet e fjalës ‘këndes’ në shqip si ‘kokosh’, ‘gjel’, ‘kaposh’ etj.

Prirja për ta përcjellë këndesin me konotacione shpotitëse shfaqet kaq e fortë në kulturën tonë popullore saqë gati-gati eklipson simbolika të tjera, qendrore në shumë kultura, si: lajmëtar i dritës, përzenës i shpirtrave të ligj, kasnec i lindjes së shpresës, mishërim guximi, elegance etj. Këto simbolika edhe kur kanë qarkulluar në traditen tonë gojore janë kufizuar në struktura narrative dhe nuk kanë arritur të hyjnë tek frazeologitë dhe, aq më pak, tek përbërësit kuptimorë të fjalës.

Burimi i dytë jashtëtekstor, që të nxit të pikasësh konotacione shpotitëse është i natyrēs anekdotike. Pa shumë sforco këndesin e këtij kompozimi mund ta përqasësh me figurën klasike të gjahtarit që ka dëshirë të tregojë prenë dhe të zmadhojë sadokudo bëmat gjatë gjuetisë, duke ngjallur tek të pranishmit humor dhe shpoti, gjithsesi të lehtë e gazmore.

Prirja për lidhje metaforike mes ‘Këndesit me zvarranik’ dhe gjahtarit autolëvdues bëhet më legjitime nga një tipar i hasur dendur në krijimtarinë e Sali Shijakut. Vojo Kushi është edhe djaloshi mbi tank edhe zikzaku i një rrufeje, Mic Sokoli është edhe heroi që i ve gjoksin topit edhe një shpend që ka hapur krahët dhe synon qiellin, Muji është edhe portret epik malësori edhe mal, siluetat e nuseve janë edhe vello edhe mullarë, kodrat e pikturuara në dy dimensione janë edhe peisazh rustik edhe dekoracion qilimash shumëngjyrësh etj. etj.

Parë mes kësaj morie kalimesh metaforike edhe këndesi ynë bëhet më lehtë gjahtar që mburret me prenë e vet, paçka se ky kalim ka njëfarë ndryshimi: nuk është aq viziv sa ideor, më shumë sesa nga loja e imazheve realizohet nga bashkëshoqërime idesh.

Lexuar kështu kompozimi ‘Këndesi me zvarranik’ përmban tonet gazmore të kompozimeve me ndeshje gjelash, vetëm se këtu humori nuk është thjesht gjendje e gëzuar, e lehtë dhe e qendrueshme emocionale, por përfton edhe një qasje të lehtë shpotitëse, nota të mirëfillta komike.

Nëse si shikues ke prirjen të kërkosh jo thjesht qasje metaforike vizive të mjeshtrit, por edhe një lloj alegorie, atëhere pas këndesit me zvarranik mund të projektosh njeriun që ia ka ënda të duket e të mbahet me të madh.

Dhe po guxove edhe ca në këtë çapitje, duke i ikur imazhit dhe duke u thelluar te kontekste psikologjike e biografike, mund ta shohësh këndesin si vetëshpotitje, si autoironi e lehtë që karakterizon përgjithësisht njerëzit e moshës së tretë, kur kujtojnë ëndërrat dhe pretendimet e rinisë që thuajse gjithnjë mbeten eterike, larg realizimeve.

Siç është theksuar më se një herë, krijimtaria e vonë e Sali Shijakut shquan për tone të gëzuara, të çelura e për qasje spontane, që përcjellin humor të mirë dhe optimizëm. Është thënë se kjo shënon një ikje nga tonet epiko-heroike që e kanë karakterizuar krijimtarinë e tij në periudhën e mesmoshës, tone që jo rrallë kanë ardhur nga trysni të jashtme, më shumë nga norma të metodës krijuese sesa nga pëlqimet individuale të mjeshtrit, prirjet e tij të natyrshme.

Si shumica e interpretimeve edhe ky përmban vetëm një pjesë të së vërtetës dhe nuk ngjan të jetë shterues. Qasjet e shkujdesura, gazmore e spontane, shoqëruar hera-herës nga një humor i lehtë e dashamirës, kanë qenë dhe mbeten brenda natyrës krijuese të mjeshtrit. Piktori Ksenofon Dilo, që e ka njohur qysh në bankat e shkollës së mesme, thotë se humori dhe optimizmi kanë qenë pjesë e natyrshme e Sali Shijakut si njeri gjatë gjithë jetës. Me sa duket, tani në moshën e tretë e kanë gjetur më lehtë rrugën për të ardhur më shpesh e mbase më natyrshëm edhe në krijimtari.

Lidhet kjo sa me lirinë krijuese të kohës, aq edhe me moshën. Të moshuarit kanë një prirje të brendshme për të bërë humor. Jo thjesht pse përvoja, pësimet e mësimet i shtyjnë të jenë më realistë e më esëll për jetën dhe limitet e saj, por edhe se humori u shërben si mekanizëm vetëmbrojtës që lehtëson komunikimin me të tjerët, zbut e kthen në shaka zhgënjmet që burojnë nga firot ëndërr – zhgjendër, krijon një gjendje të pëlqyeshme shpirtërore për të përballuar hallet e moshës.

Interpretimet mund të jenë të shumta, por një gjë duket e padyshimtë. Humori dhe optimizmi, që vijnë e kulmojnë sidomos në krijimtarinë e vonë të Sali Shijakut, janë dëshmi vitaliteti e vlage rinore, tipare të një shpirti të pasur, por edhe të një personaliteti të fuqishëm krijues, që shkrin e bën një, njeriun me artistin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje