Hysen Tabaku: Debati i babait tim, Ramazanit me Enverin në hotel “Dajti”, që solli burgosjen e tij

17 Shtator 2019, 08:55Politika TEMA

Ekskluzive / Historia tragjike e familjes së Ramazan Tabakut, tregtarit të madh tiranas që financoi luftën partizane në Pezë dhe pas përplasjes me Enver Hoxhën, si deputet e kryetar i Komitetit të Grumbullimeve, u dënua me 25 vite burg me Grupin e Deputetëve. Si u goditën pa mëshirë të gjithë pjesëtarët e familjes së tij, arratisjen e dy djemve nga Shqipëria, vdekja tragjike e nënës në internim në fshatin Baldushk ku nuk kishte se kush ta varroste dhe peripecitë e pafund të familjes që vuajti plot 109 vite burg e internim…

Nga Dashnor Kaloçi

81-vjeçari Hysen Tabaku, apo Ceni, siç njihet ndryshe nga familjarët dhe të gjithë miqtë e tij, me shtetësi amerikane, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1975, rrëfen për herë të parë për “Memory” historinë e tij dhe të familjes që nga burgosja e babait dhe nënës, torturat ndaj tyre deri sa treguan floririn, internimin e familjes dhe vuajtjet e tyre në fshatin Baldushk të Tiranës, vdekjen e prindërve dhe varrosjen e tyre në mënyrë tragjike në oborrin e shtëpisë, arratisjen e së motrës në Jugosllavi në vitin 1956, arratisjen e vetë Cenit në vitin 1975, pasi kishte bërë burgun e parë. Pasojat që ranë mbi bashkëshorten dhe dy djemtë që la në Tiranë, arratisjen e të vëllait, Engjellit, një vit më pas, arratisjen e vëllait tjetër, Yllit nga burgu i Fushë-Krujës dhe 28 vitet e tij të burgut deri te jeta e Cenit në SHBA, ku e ndihmoi për t’u stabilizuar ish-shoku i tij i ngushtë, Xhevdet Mustafa. Si u njoh ai me vajzën e re shqiptare, Gerta Qosja, me familje të arratisur nga liqeni i Shkodrës kur ajo nuk ishte më shumë se 3 vjeçe? Këto dhe të tjera histori tragjike dhe rrënqethëse do t’i ndiqni me poshtë në këtë intervistë të gjatë, që Cen Tabaku jep ekskluzivisht për lexuesit e Memorie.al.

Zoti Hysen, cila është origjina dhe e kaluara e familjes suaj dhe përse babai juaj, Ramazan Tabaku, i cili pas vitit 1944 mori një post të rëndësishëm në qeverinë e Enver Hoxhës, si ministër i Grumbullimeve, u godit nga regjimi komunist?

Origjina e hershme e familjes sonë është nga Tirana, por ne kemi banuar shumë kohë në Durrës, pasi kemi qenë familje tregtarësh. Në vitin 1939, kur u bë pushtimi italian i Shqipërisë, babai im, Ramazani, përkrahu forcat që akoma nuk ishin komuniste, por ishin forcat antifashiste çlirimtare kundër okupatorit. Babai im ka qenë një nga themeluesit e çetës së Pezës dhe i kishte miq të ngushtë krerët drejtues të saj, pasi Myslym Peza kishte qethur flokët e vëllait tim, e kishim kumbar. Kajo Karafili, (atentator dhe Hero i Popullit) gjatë kohës që ishte me Çetën e Pezës, u strehua disa kohë te shtëpia jonë, se u plagos nga duart. Babai në atë kohë e ka ngritur Pezën nga fuqia ekonomike e financiare, sepse ishte një idealist dhe patriot, që e donte shumë Shqipërinë. Në ato vite babai kishte një miqësi të ngushtë edhe me Shefqet Bejën, një patriot i madh, antifashist i bindur, i cili po ashtu si babai ynë, ka pas dhënë një kontribut të madh në financimin e çetës së Pezës dhe gjithë lëvizjes antifashiste në atë krahinë. Por të ndalem te babai im, Ramazani, i cili kishte shumë pasuri dhe në të njëjtën kohë bënte shumë propagandë për të fuqizuar forcat partizane. Kur ka qenë babai im në mal, ka qenë në të njëjtën kohë dhe bashkë me Rrahman Perllakun, Spiro Moisiun e Omer Nishanin. Kur erdhi çlirimi, babai kishte fuqi dhe mjaft kredibilitet në udhëheqjen e vendit të asaj kohe, kjo deri në vitin 1946. Në 1946-ën u bë reforma agrare e babai u dëshpërua shumë se pak para saj, ne na morën pasuritë, apo më saktë, na i shtetëzuan. Ne kemi shumë pasuri në rrethin e Durrësit, si në plazh, në një fshat që quhet Shkallnur, etj. dhe reforma na i mori të gjitha. Më 11 janar të vitit 1946, në një mbrëmje që bënë në hotel “Dajti”, babai bëri debat me Enver Hoxhën. Ndër të tjera gjatë asaj bisede, Enveri i thotë: “Ramazan, tani do të kemi shumë punë, se e formuam Republikën Popullore të Shqipërisë…”. Ndërsa babai i përgjigjet “Enver, atë punë mbaje për vete…, se unë nuk kam për të punuar më…”. Enveri i thotë: “Ti duhet të bësh diçka, se je vëlla dëshmori…”! (Në fakt, në familjen e babait tonë kemi një dëshmor, Abdulla Tabaku, por ai në nuk është vëllai i babait tonë. Për faktin se babai e ka rritur atë, e dinin të gjithë se e kishte si vëlla, por në fakt e kishte djalë xhaxhai. Abdullai pati një fat tragjik, pasi u kap nga gjermanët duke çuar municion në çetën e Pezës, u internua në Mat’hauzen, ku dhe vdiq nga torturat.

Të ndalemi te biseda e babait tuaj me Enver Hoxhën, ç’ndodhi më pas?
Pas bisedës me Enverin, babai ankohet te Myslym Peza duke i thënë se i është shtetëzuar toka dhe pasuria, por Myslymi nuk i jep asnjë shpresë se mund ta ndihmonte.

Pra, në një farë mënyre babai juaj nuk u pajtua me politikat e regjimit komunist të sapoardhur në fuqi asokohe, apo siç thuhej ndryshe, me Pushtetin Popullor…?

Jo vetëm që nuk u pajtua, por më keq, u zhgënjye shumë. Babait i ngeli hatri, (siç më ka treguar vetë kur kam folur me të vite më vonë), sepse nuk i donte jugosllavët dhe adaptimin e politikave ekonomike tonat me sistemin e tyre. Babai njihte mirë sistemin kapitalist perëndimor, pasi kishte bërë tregti me Italinë. Por mes popullit e udhëheqjes, asokohe ishte ndezur një zjarr dashurie, që babai nuk e konceptonte dhe nuk e suportonte dot. Unë kam qenë i vogël asokohe, por e mbaj mend kur turmat e njerëzve bërtisnin rrugëve të qyteteve në gjuhën serbo-kroate me parullën “Vëllazëri, unitet”. Babai përveçse ishte deputet, e kishin venë në një funksion, si biçim ministri i Grumbullimeve, por pa portofol. Në vitin 1947, babain e arrestojnë me të ashtuquajturin Grupi i Deputetëve, i cili kryesohej nga Shefqet Beja. Pas një periudhe të gjatë hetuesie tepër të vështirë, doli në gjyq me Grupin e Deputetëve dhe fillimisht e dënuan me pushkatim, por më pas ia falën jetën meqë ishte vëlla dëshmori dhe e dënuan me 25 vite burg. (Fotoja e babait tonë, Ramazan Tabakut në gjyq, ndodhet edhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë, te “Pavioni i Genocidit Komunist”).

Tek arrestimi dhe më pas dënimi i babait tuaj, a ka pasur ndikim debati që bëri ai me Enverin?

Patjetër, pasi nuk mund të arrestohej një deputet dhe një anëtar i kabinetit qeveritar të kryesuar nga Enver Hoxha pa aprovimin dhe miratimin e tij.

Sa vite burg bëri babai?

Babai bëri plot 15 vite e 7 muaj dhe u lirua në vitin 1962, kur sapo regjimi komunist i Enver Hoxhës ishte prishur me Bashkimin Sovjetik dhe Tirana zyrtare ishte në një gjendje depresioni politik, pasi nuk po dinte se nga të orientohej. Dhe në këtë situatë u bënë disa falje dhe u liruan shumë të burgosur politikë, ku një prej tyre ishte dhe babai ynë. Gjatë vuajtjes së dënimit, unë kam pasur rastin të isha për shumë vite në burg, në një kamp pune me babanë, Ramazanin, në fushën e aviacionit të Rinasit, e cila është ndërtuar pothuajse e gjitha me djersën, kontributin e gjakun e të burgosurve politikë. Por po kthehem edhe një herë te viti 1947 kur u dënua babai, pasi inati i Enver Hoxhës nuk mbaroi vetëm me arrestimin e Ramazanit. Ndërkohë që babai ishte arrestuar dhe ndodhej në hetuesi, na arrestuan edhe nënën tonë, Sabrijen, të cilën e mbajtën plot nëntë muaj në hetuesi duke e torturuar që të tregonte se ku e kishim floririn e familjes sonë. Pas nëntë muajsh tortura, nëna nuk rezistoi dot më dhe i tregoi vendin ku ishte fshehur floriri i familjes dhe pasi erdhën dhe na e morën, vetëm atëherë na e liruan nënën nga burgu. Desha të shtoj se kur arrestuan nënën, na kanë arrestuar edhe ne të gjithë fëmijët e tyre; katër motra dhe tre vëllezër (Vera, Nevrezi, Dhurata, Drita, Hyseni, Engjëlli, Ylli) dhe na kanë mbajtur për shumë kohë të izoluar në hetuesi dhe burg. Motra, Nevrezi ka bërë katër vite burg dhe Dhurata dy. Edhe ne vëllezërit e tjerë u dënuam më pas me burgime dhe internime dhe po t’i mbledhësh të gjitha, në total ne si familje kemi bërë plot 109 vite burg dhe internim.

Mbasi u lirua nga burgu, si vijoi jeta e babait tuaj, Ramazanit? 

Babai u lirua në vitin 1962 pasi mbaroi 15 vite e 7 muaj burg dhe ndenji disa vjet te shtëpia që ishte si bodrum ku flinim ne. Vite më vonë, pasi isha arratisur nga Shqipëria unë dhe vëllai tjetër, Engjëlli, nënën, motrat e babain i hoqën nga Tirana dhe i internuan duke i çuar në fshatin Baldushk. Aty dhe vdiq babai në vitin 1982, pasi ishte i sëmurë nga vitet e gjata të burgut. Vdekja është vdekje dhe kur vjen nga Zoti nuk ke ç’i bën, por varrimi i babait tonë ka qenë një tjetër gjë mjaft tragjike dhe një moment tepër i dhimbshëm për këdo që mund ta dëgjojë, e jo më për familjen tonë. Pa e tepruar mund t’ju them se varrimi i tij ishte ndoshta edhe më i rëndë se vetë vdekja.

Në ç’kuptim…?!

Po kur vdiq babai aty në internim në fshatin Baldushk, në shtëpi ndodhej vetëm nëna, Sabrija dhe dy motrat, Nevrezi dhe Dhurata, pasi ne vëllezërit ishim të arratisur (unë me Engjëllin) dhe vëllai tjetër, Ylli, ishte në burg. Nëna ishte e sëmurë rëndë dhe nuk ishte në gjendje të lëvizte dot, ndërsa dy motrat e dobëta nga shëndeti nuk kishin fuqi që ta varrosnin babain. Pasi hapën një gropë, kërkuan se mos gjenin ndonjë dërrasë, por nuk kishin asgjë. Më pas me shumë mundime e kanë tërhequr babain zvarrë për këmbësh, derisa e kanë çuar tek gropa në cep të oborrit që do ishte dhe varri i tij.

A kërkuan ndihmë ato?

Siç më kanë treguar motrat vite më vonë, ato iu drejtuan për ndihmë një fshatari që po kalonte rastësisht aty pranë, pasi nuk bëhej fjalë që ato t’i shkonin ndokujt në shtëpi, qoftë edhe për ketë rast që po flasim, pasi nuk donin të dëmtonin njeri. Por dhe ai fshatari nuk erdhi, sepse ne ishim familje e deklasuar dhe ai në mos e ka ditur, e ka nënkuptuar, pasi nuk ishte normale që një të vdekur e përcillnin për në varr vetëm dy vajzat e tij dhe aq më pak në cep të oborrit të shtëpisë. Por duhet të kuptoni dhe të vëmë ngjarjen në kontekstin e kohës që ka ndodhur dhe kjo gjë asokohe si të thuash ishte e pranueshme për atë që i binte fatkeqësia. Regjimi komunist kishte detyruar që shqiptari-shqiptarin dhe vëllai-vëllain ta shihte me sy të keq. Po të kishe biografinë e keqe, njerëzit të largoheshin sikur të kishe murtajën. Kështu ka ndodhur dhe me familjen tonë.

Po kur vdiq nëna juaj?

Këtë desha t’ju them, se edhe kur vdiq nëna, Sabrija, me po të njëjtin ritual u varros. Dy motrat dhe mbesa e tërhoqën për këmbësh dhe e varrosën aty afër babait.

Po njerëzit tuaj të afërm nuk u lajmëruan as për vdekjen babait dhe as për vdekjen e nënës suaj?

Po, po u lajmëruan dhe lajmi shkoi edhe në Tiranë që ka vdekur, por nga fisi asnjë nuk shkoi ta varroste, me përjashtim të familjes së motrës, Verës. Pra, kishim mbetur vetëm. Ne si familje kishim arritur në atë pikë kritike, saqë ishim nën presion të vazhdueshëm të diktaturës së proletariatit, apo më saktë të Sigurimit të Shtetit që na ndiqte dhe na survejonte kudo. Por ka një ligj që studiohet në lëndën e Fizikës, që gjen zbatim edhe tek njerëzit. Që do të thotë ‘se kur diçka shtypet, ajo ka gjithmonë tendencë të ngrihet’. Kështu ka ndodhur edhe me një pjesë të atyre familjeve shqiptare që janë shtypur nga regjimi komunist, të cilët në një farë mënyre ose kanë reaguar në heshtje, ose kanë menduar dhe janë munduar që të largohen nga Shqipëria. Disa, ndonëse jo shumë, ia arritën të arratiseshin nga Shqipëria, e disa përfunduan prapë pas telave të burgut. Unë pata tendencën që të ngrihesha dhe pasi dola jashtë telave të burgut, më pas dola dhe jashtë atij burgu të madh pa tela që i thonin Shqipëri.(Memorie.al)

(VIJON)

10 komente në “Hysen Tabaku: Debati i babait tim, Ramazanit me Enverin në hotel “Dajti”, që solli burgosjen e tij”

  1. TinTin says:

    Po Po cfare debati e paska bere lecke Xhaxhin,ky thote I ati i urrente yugosllavet po keta si fis nje yugosllavi tek sllavet shkonin.mos te kete njeri dyshim se me ato kohe,nuk mund te kishte Tabaket me gjysmen e durresit dhe te Tiranes dhe te tjeret te ngordhnin per buke,Edhe sot sikur te perseritet ajo reforme do te kete mbeshtetje se 10% kane pasurine e kombit te tjeret 90% I bien dumbekut bosh.Fale dhierokracise sllave dhe kapitalizmit alla turka nga xhaxhi salihi qe siper fat edhe ky si xhaxhi enveri eshte kelysh I Sllaveve dhe Pensionist I UDBse si xhaxhi elez pirdheraj nje tjeter kelysh serb.

  2. nacionalisti says:

    Rahmet paste im gjysh tregonte nje histori nga vitet e luftes qe kishte ndodh ne mehallen tone.
    Komunistet mblidhnin ndihma dhe nje dite qelloi qe i kerkuan ndihme nje burri aty ne lagje.
    – Na ndihmo me ndonje lek per luften, se po vijne ilviate (engjejt), i thone komunistet ketij burrit.
    – Dakort ju ndihmoj, – i thote burri, – po ku jane, se nuk po i shoh?
    – Jane ne pyll, – i pergjigjen komunistat, – se ketu eshte gjermani.
    – Ne pyll ?!, – thote i habitur burri, – degjo mor cun, ne pyll rrijne SHEJTONT, jo ENGJEJT, si po thu ti. ENGJEJT RRINE NE QYTET.

    Kshu dhe kjo histori
    Respekt per vuajtet

  3. Buda says:

    Kemi nje Akademi te Studimeve Albanologjike me Prof. Dr. qe marrin 1000-1500 Euro rroge dhe honorare ne muaj. Konkretisht, per perudhen 1944-1948, eshte nje Prof. Dr. Hamit Kaba qe ka tere jeten ne Instititin e Historse dhe nuk ka shkruar nje studim dinjitoz per “Gjyqin e Deputeteve,”:-ngjarja kulmore qe zhduku sistemin demokratik ne Shqiperi dhe mbetet nje ngjarje kyc ne Historine e Shqiperise (1939-1990).
    Permenda Hamitin, per te theksuar se studimet historike nuk mund te behen nga gazetaret, shkrimtaret, poetet, mjeket, gjeologet, si dhe nga personalitete te fushave te tjera, por behen vetem nga historianet profesioniste. Historia e vertete shkencore eshte po aq ekzakte sa edhe matematika e fizika, kimia apo inxhinjeria.

  4. Taraboshi says:

    Po shtohet edhe nje i persekutuar. Edhe sa vite duhet te plotesohet lista me te persekutuar.

    1. NK says:

      TARABOSH, sa vjecarë je ti?
      Të bëhet kriterizimi, ose gradacioni i llojeve të persekutimit, po të ishe mbi 6-7 vjec e gjer në varr, ishe pjesë e persekutimit masiv, mos u habit e mos u bë cinik. I mjerë populli i përvuajtur shqiptar – hiq kastën gjakpirëse enveriste.

  5. Durimi says:

    Deri kur do vazhdoni te genjeni dhe i intervistuari dhe ky dashnori genjeshtrave?! Vete ajo e rrembimit zvarre te babait te vdekur dhe me vone nenes te vdekur e ben gjithe biseden te genjeshter. Qe ka te verteta ka, por fajin nuk e tregojne dhe kush ka faj dhe denohet, pavaresisht sistemit: demokraci proletare apo demokraci borgjeze. Behuni seroze se ju qeshin!

  6. NK says:

    OR PERËNDI!

    SI NUK U MËSHIROVE TI NGA KËTO MAKABRA CMENDURIE PEDERISTE – ENVERISTE!

  7. demo says:

    Te gjithe keto qe kane ndihmuar partizant,kane ndihmuar shejtant.

  8. qozim mulletja says:

    ndihmonin me 5 leke partine dhe me 5000 bashkepuntoret e pushtuesit…keta jane patriotet Tabaku

  9. Illyrian says:

    Sakt!!! Edhe fillojnë ankohen se kanë vuajtur nga rregjimi diktatorial. Regjim për të cilin ndihmuan të vinte në pushtet.
    Si mund të futen këta njerëz në të njëjtën “radhë” me ata që ishin kundër komunizmit që në fillim?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje