Kukësi thyen Tiranën dhe i bashkohet në krye të tabelës

21 Shtator 2019, 21:00Sport TEMA

Kryendeshja e javës së pestë të Kategorisë Superiore, mes Kukësit dhe Tiranës, e zhvilluar në “Elbasan Arena”, shkoi për verilindorët, që arritën të imponohen me rezultatin 2-0, duke shënuar nga një gol për çdo pjesë.

Të dy trajnerët kishin kryer ndryshime në formacionin e titullarëve, ndërsa sfida në Elbasan ishte me një ritëm mjaft të lartë dhe shumë e luftuar nga futbollistët e të dy skuadrave, që shihen si favorite për titullin kampion.

Sfida u zhbllokua në minutën e 17’, kur Kristal Abazaj bëri mjaft mirë në krahun e majtë të sulmit dhe kaloi pengesën Vangjeli, ndërsa më pas gjuajti saktë dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së gardianit Edvan Bakaj.

Tirana tentoi të reagojë, por mbrojtja e Kukësit dhe portieri Xhika ishin gjithmonë në lartësinë e detyrës, ndërsa vetë verilindorët i shkuan pranë disa herë golit të dytë, por 45 minutat e para nuk pati më ndryshim rezultati.

Në minutat e para të pjesës së dytë Kukësi shënoi edhe golin e dytë, pas një aksioni të Gavazajt, që u fut në zonë dhe shërbeu mjaft bukur për sulmuesin kryesor Shkurtaj, i cili me kokë, nga fare pranë portës, nuk mund të gabonte dhe shtyu sferën në rrjetë.

Ky gol bëri që trajneri Mema të ndërhyjë dhe të shkundë skuadrën, duke kryer edhe zëvendësime për të freskuar ekipin, por bardheblutë vuanin të krijonin rrezikshmëri në sulm dhe Kukësi vazhdonte të tentonte zbritjet e shpejta në kundërsulm.

Ishte minuta e 82-të, kur Cobinnah u shërbye saktë në zonë dhe nga fare pranë portës, arriti të shtyjë topin në rrjetë, duke rihapur takimin dhe duke bërë mjaft emocionuese minutat e mbetura të takimit.

Loja zhvillohet në gjysmëfushën e Kukësit deri në fund, me Tiranën që kërkonte me çdo kusht golin e barazimit, ndërsa nuk mungojnë mundësitë e tensioni, por vërshëllima finale e arbitrit Eldorian Hamiti lë në fuqi rezultatin 2-1 për Kukësin.

Verilindorët i shkaktojnë kështu Tiranës humbjen e parë në kampionat dhe me 3-pikëshin e marrë u bashkohen bardhebluve në krye të tabelës së renditjes, me 10 pikë të grumbulluara pas 5 javëve.

Pas dy humbjeve radhazi, Skënderbeu u rikthye te suksesi, duke mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Teutën në Korçë, falë një goli të shënuar nga sulmuesi Krasniqi në pjesën e parë të takimit.

Në stadiumin “Skënderbeu” u zhvillua një ndeshje interesante, ku durrsakët e Shkëmbit ishin favoritë për të marrë tre pikët, por në fund festuan djemtë e Ilir Dajës, që shkuan në kuotën e 9 pikëve, pas 5 javëve të para dhe parakaluan Teutën në renditje.

Zhgënjen sërish ndërkohë Partizani, që nuk arriti të rikthehet te fitorja në sfidën që luajti në stadiumin “Selman Stërmasi” përballë të rikthyerve rishtazi në Superiore, Bylisit.

Sfida në kryeqytet nisi me dridhjen e frikshme të shkaktuar nga tërmeti i frikshëm që goditi sot vendin, ndërsa pak minuta më vonë të kuqtë u detyruan të bëjnë edhe një ndërrim te detyruar, me Telushin që i la vendin brazilianit Willian Cordeiro.

Megjithatë kampionët në fuqi nuk arritën të bëjnë diferencën, pasi sfida ishte e balancuar, me ballshiotët që ishin rreshtuar mirë mbrapa he kundërsulmonin vazhdimisht rrezikshëm.

Në minutën e 73-të Partizani kaloi në avantazh pas një aksioni me Lorenc Trashin protagonist, që hodhi topin në zonë, aty ku Peposhi devijoi në mënyrë të pafat në portën e mbrojtur nga Hidi.

Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë dhe se “të kuqtë” do të merrnin 3 pikët, ishte futbollisti Ntephe i Bylisit, që u harrua nga mbrojtja e Partizanit dhe befasoi duke gjetur golin e barazimit në minutat shtesë, duke u dhuruar një pikë me mjaft vlerë ballshiotëve.

Në orën 19:00 vëmendja do të spostohet në “Elbasan Arena” ku do të luhet edhe kryendeshja e javës Kukësi-Tirana.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje