“Nusja dhe shtetrrethimi”, regjisori Mitro: Partia na urdhëroi të xhironim një mbyllje tjetër për filmin

21 Shtator 2019, 09:46Kulturë TEMA

Ajo njihet ndryshe edhe si vajza që qëndiste muret. E portretizuar nga aktorja Rajmonda Bulku, heroina Liri Gego është pikërisht vajza që u arratis nga shtetrrethimi gjerman në qytet e veshur si nuse.

Për skenaristen e këtij filmi, shkrimtaren Elena Kadare ishte një histori vërtet frymëzuese, të cilën fillimisht e shkroi si pjesë të një libri me tregime dhe më pas pati rastin ta përshtaste për film, nën drejtimin e regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Sot, mbi 40 vjet më vonë, pikërisht kjo histori dhe imazhi i vajzës që qëndiste muret, mishëruar nga Rajmonda Bulku kthehen dhe njëherë në vëmendje të publikut, jo vetëm atij shqiptar, por edhe ndërkombëtar.

Një foto nga shesh-xhirimi i filmit “Nusja dhe Shtetrrethimi” është përzgjedhur nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Austri, “Viennale” për të ilustruar kategorinë “retrospektivë” – “O PARTIGIANO!” – Pan-European Partisan Film, që do të mbahet në Vjenë nga 25 tetori deri në 4 dhjetor të këtij viti, ndërkohë që filmi edhe do të shfaqet në këtë kategori përkrah dhjetëra filmave të tjerë nga e gjithë bota me temë Luftën e Dytë Botërore.

Por si lindi ideja dhe si u krijua ky film?! Vlen për t’u shënuar se ajo çfarë e bën të veçantë këtë film përtej ideologjisë dhe historisë që përcjell janë imazhet dhe mënyra e realizimit kinematografik. Krijimi i atmosferës së filmit përmes detajeve të veçanta është një prej gjërave që vlen të përmenden. Improvizimi i detajeve, duke dalë ndonjëherë edhe jashtë skenarit janë të tilla që i sjellin vlerë filmit nga pikëpamja e imazhit.

Një tjetër e veçantë është se filmi ka jo një, por dy regjisorë ndërsa përkushtimi i të gjithë ekipit duket se ka qenë tepër serioz.

PUNA ME AKTORËT

Personazhi kryesor në film dhe që mban gjithë peshën e ngjarjes është një vajzë, Shpresa, e interpretuar nga Rajmonda Bulku. Një nga aktorët më interesantë në film sipas regjisorit Mitro dhe Bardhyl Martinianit është padyshim aktori Llazi Serbo.

Ndërsa përzgjedhja e Kastriot Çaushit do të shënonte për këtë të fundit rolin e parë në një film, ndërkohë që edhe aktorja Rajmonda Bulku ishte një ‘zbulim’ i regjisorit Kristaq Mitro.

Por pavarësisht punës paraprake, filmi nuk mund të ishte i realizuar pa kaluar kontrollin e partisë, e cila kishte fuqinë edhe ta ndryshonte. Pas vërejtjeve të Partisë, filmi do të ndryshonte krejtësisht fundin e tij, duke bërë që të xhirohej një skenë krejtësisht e re për ta mbyllur.

Ngjan se kudo në botë po bëhet rivlerësimi dhe rishfaqja e filmave me temë nga Lufta e Dytë Botërore, ndoshta edhe për shkak të ringjalljes së lëvizjeve nacionaliste dhe ekstremiste në vende të ndryshme. Por ndërkohë, një tjetër debat është ngritur në lidhje me atë se çfarë përfaqësojnë këta filma, të cilët për disa nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe nuk i përgjigjen realitetit për të cilin flasin, ndaj dhe venë në pikëpyetje shfaqjen e tyre.

Filmat e krijuar gjatë periudhës së realizmit socialist, për më tepër filmat partizanë me temë nga Lufta janë të lidhur ngushtësisht me ideologjinë e kohës dhe pushtetit. Por, pavarësisht indoktrinimit, një pjesë e këtyre filmave, të cilët evokojnë periudhën dhe ndërtojnë historinë e rezistencës së armatosur mbartin në vetvete të dhëna dhe detaje interesante me vlerë, që lidhen në disa raste me mënyrën e realizimit të tyre nga pikëpamja kinematografike dhe krijuese, por edhe për shkak të një lloj dëshmie sociologjike apo historike të periudhës ku i vendosin ngjarjet apo u krijuan, e cila vazhdon të ngjallë nostalgji te publiku.

Përgatiti: Blerina Goce-TemA TV

1 komente në ““Nusja dhe shtetrrethimi”, regjisori Mitro: Partia na urdhëroi të xhironim një mbyllje tjetër për filmin”

  1. pak ekuiliber says:

    Tani jeni te lire, Kristaq , nuk u detyron partia qe s’do ti, por ajo qe ti ke perzemer, prandaj forca nen udheheqjen e partise! E pse behi banale duke shkelur mbi veten tuaj pêr ate pune te bukur qe keni bere?! Kujto, mendo se sot rrojne akoma dhe s’kane vdekur ata qe kane jetuar kohen dhe s’jane te gjithe ne nje mendje me ata qe u ka fluturuar. Me vone megjithe Tufen, Celon e kompani, pasi te jete zhdukur ky brez , edhe po nuk ishe vete ler amanetet qe te kane ngele peng qe ti marrin ata qe s’kane jetuar. Shumica e ish artisteve jane bere banale dhe eshte per tu çuditur se kane lene vepra te mrekullueshme nga koha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje