Rada: Te “Refleksione”-t, Edi Rama më ka quajtur “bohem”, por ka dhe bohemë të shtirur që s’janë artistë që hiqen si të tillë, duke hedhur ca shalla të gjatë dhe pardesy deri në fund të këmbëve

Memorie.al. sjell dëshminë e rrallë të skulptorit të njohur, Agim Rada, në emisionin e njohur RREFIM në Tv Scan, lidhur me miqësinë e hershme me mikun dhe kolegun e tij, Kristaq Rama, për të cilin flet me simpati dhe e kundërta për të birin, Edin, që dikur e mbante afër… “Asgjë nuk i dua, vetëm të në lejë të punojmë të qetë”, shprehet skulptori rebel për kryeministrin aktual që dikur e kishte idhull Radën dhe në librin e tij “Refleksione”, ka shkruar gjatë për të….?!

Para pak kohësh në emisionin e njohur RREFIM në Tv Scan, emision që ka për autor gazetarin Dashnor Kaloçi dhe moderatore Albana Shehu Qirjako, ka qenë i ftuar skulptori i njohur, Agim Rada, i cili është dhe autori i bustit të Mit’hat Frashërit që u vendos në kodrat e liqenit të Tiranës me ceremoni zyrtare dhe që pati një reagim të ashpër nga segmente të majta, etj.

Veç të tjerash në rrëfimin e tij në Tv Scan, zoti Rada ka bërë dhe një histori të shkurtër të historisë së tij familjare dhe personale, duke u ndalur edhe në raportet dhe marrëdhëniet që ai ka pasur me mikun e kolegun e tij, skulptorin Kritaq Rama, si dhe të birin e tij, Edin, i cili në vitet ’80-të e ka pasur si idhull Radën dhe në librin e tij “Refleksione” ka shkruar gjatë dhe për të. Por kjo gjë nuk e ka mikluar aspak Radën, i cili në këtë emision pasi ka treguar rreth miqësisë që ai ka pasur me Edin deri në vitin 1990, është shprehur se që nga ajo kohë e deri më sot, pra plot 30 vjet me rradhë ai nuk e ka takuar fare dhe as nuk ka pirë qoftë dhe një kafe me kryeministrin e sotëm. Për më shumë rreth kësaj, por dhe ngjarje e histori të tjera nga jeta e tij, na njeh intervista që po publikojmë në këtë shkrim e realizuar nga moderatorja, Albana Shehu.

(vijon nga numri i kaluar)

Rada, edhe Edi shumë i dobët këtu…?!

Po shumë i dobët, është dhe mosha…por janë dhe disa foto të tjera që ua kam dhënë dhe nuk e di a i ka regjia…ku kam dalë me profesor Kristaqin, me Perikli Çulin etj, Se çështë e vërteta, unë shumë foto i kam grisur, pasi më vinte turp se brezi që do vinte t’i shifte ato foto si “Mathauzen”,…

Nuk ju pëlqente vetja…?!

Jooo, dhe më e bukura është se na mbanin për simpatik në atë kohë dhe unë habitem kur i shikoj sot…

Ju disa herë keni përmëndur profesor Kristaqin dhe keni krijuar me të një lidhje shumë të fortë pasi erdhët në Tiranë sërish dhe 9 keni ruajtur këto lidhje deri sa ai ndërroi jetë.

Kristaqi ka qenë njeri i mirë ka qenë tip i dashur me të gjithë. Unë nuk e harroj këtë, ka qenë njëherë kur kishte 50 vjetorin e tij dhe më tha mua: “Gimo, kam fol dhe me Netën dhe nuk do ftojmë asnjeri. Do e bëj me nënën time me Netën dhe dy djemtë e mij. Por ti do vish më tha, rastësisht sikur po kërkon një gjë dhe unë do të ftoj brenda si me zor”. Dhe unë se harroj, se nuk ishim mësuar ne të hanim dhe të pinim ashtu. Neta e Kristaqit kishte shumë dorë në guzhinë, i vinte dorësh çdo lloj gatimi dhe unë nuk i kisha parë ndonjëherë ato lloj gatimesh dhe pijesh. Mbeta i mahnitur.

U kënaqët nga pritja…?

Shiko si është puna. Dhe ato nuk është se ishin kushedi. Këtu në Shqipëri ndodhi një fenomen i tillë, ku ato donin të ishin aristokracia e komunizmit se sa ishin në të vërtetë. Se fundja fundi ai oficeri po themi merrte një mijë lek më shumë se unë, kishte dhe ndonjë privilegj më të vogël, por dhe ai atë televizorin bardh e zi e merrte….

Kanë jetuar të gjithë njëlloj…?

Po të gjithë njëlloj, këta që thashë vetëm se i shërbenin më shumë atij regjimidhe ishin krenarë për të, por në rrafsh horizontal ne ishim të gjithë brenda burgut, pra të gjithë të mjerë. Se mua më kujtohet se edhe kur i çoja një pako djathë unë Kristqit, (se punonte vëllai im shofer në Tregti), ai gëzohej, se prapë dhe ata me tollona ishin. Pavarsisht se ai rrinte me Nexhmijen dhe udhëheqësit e tjerë, ai ishte me tollon te lagjia e vet. Kështu që aty aty ishim, përveç atyre 20-30 familjeve sa ishin aty te Blloku.

Megjithatë ju morrët pjesë në 50 vjetorin e tij?

Poo e kisha për nder, dhe se harroj unë atë

Gjatë marrëdhënieve të punës, ai merrnit shpesh mendim…?

Po, unë thashë se punoja me të, punonim bashkë. Unë pija shumë, çështë e vërteta kam pas pi shumë dhe ai më fliste shumë: “Gimi, po ti je skulptor i mirë, pse pi, pse harxhon kohën rrugëve, pse kshtu, pse ashtu”. Pra na fliste shpesh herë dhe na tërhiqte vëmëndjen për kto vese që kisha unë….

Kur iu përkushtoheshit punës vërtetë…?

Shiko, të them të drejtën, unë pija dhe pija dhe pija aq shumë sa që erdhi një kohë që e lashë dhe skulpturën. Ishte një fatkeqësi që mua nuk më falet. Pothuaj për 15 vjet unë nuk preka punë me dorë!

U shkëputët…?

U shkëputa totalisht dhe arrita në një momentqë kush më përmëndëte artin dhe më thoshte: O Gimi pse nuk punon, unë nxehesha dhe irritohesha e i thoja, ejjj ik. Shumë keq, pasi pija të çon në degradim total. Kur e shikoj vetën nga lart…por tani jam rikthyer me vitalitet me energji dhe them: O zot më fal ca ditë që unë t’i bëj ato ëndrrat e mija realitet.

Gimo, unë nuk e di, por ju kanë vlerësuar në atë kohë shokët dhe miqtë tuaj, jo vetëm për antikonformizmin tuaj, por njeri i batutës, njeri që….

Shiko ky vënd ishte tragjikomik, d.m.th. sa tragjike ishte kjo situate, aq dhe komik bëheshin këta udhëheqësit. Mendo ça situate ishte këtu kur thoshte burri i shtetit se: patatja është dhe bukë edhe gjëllë, pra e kuptoni ça situate. Ishte tragjedi se ky vënd ra në dorë të disa injorantëve dhe ishte komedi se injoranti prodhon budallallëqë pafund…

Po vazhdoj atje ku citova pak më lart, ju jeni përmëndur në faqet e një libri, i shkruar nga kryeministri aktual…

Po Edi Rama…

Unë do të lexoj disa nga vargjet që janë shkruar pikërisht për ju.

“Kur kapërceva pragun e Institutit të Arteve në vitin 1982, ndjehej menjëherë se nuk ishte më ajo shkolla e tmerreve të gjysmës së dytë të viteve ’70-të. Kishte filluar një farë ç’ngrirjeje, e cila pas vdekjes së gjeneralit Enver Hoxha, u bë edhe më e ndjeshme. Megjithatë mbeti një shkollë dogmash dhe marrëzirash të përditëshme, ku refuzimi mbas çdo lloj shprehje subjektive ishte në rendin e ditës. Po të mos kisha takuar para pak kohësh Gim Radën, skulptorin bohem të rrugëve të Tiranës, ndoshta do t’i kisha humbur vitet e para të shkollës, duke u munduar të pajtoja adhurimin tim të pafre për profetët e ndaluar të avangardës historike të shekullit tone, me bindjet e mija, gjer aty thellësisht komuniste, dhe për më tepër, kushedi se kur do ta kisha shijuar magjinë e vagabondimit nëpër natë. Por që fati nuk më la që të mundohesha gjatë, për të pajtuar dy gjëra që s’kishte gjasë të pajtoheshin dot, e më shtyu drejt atyre pellgjeve plot alkol e dritëhënë në kopshtin gjithë lagështirë të Bar Sahati-t, ku bohemi projektonte dhe përmbyste të vërtetat e ditës, duke rrokullyer dopjet e fërrnetit e rakisë të dëllinjës”.

Ju ka cilësuar bohem…?

Po, unë vazhdoj të jem i tillë, po bohemët zakonisht vishen me lecka, por ka dhe bohemë të shtirur që nuk janë artistë, por hiqen si artistë. Dhe po t’i shikosh lukun e kanë si artistë të mëdhenj, seç hedhin disa shalla, seç bëjnë disa pardesy të gjata, bëjnë kështu përgjithësisht për t’u dukur, por bohemi është në shpirt, nuk është nga pamja e jashtëme. Unë jam nga ata që e kam pas dhe e kam kurajon për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, pasi mendoj se kjo jetë, ky segment drite që na është dhënë, ta shpërdorosh, ta kalosh për keq, lake, servil, etj. Unë thashë, se çdo kush mund të mendoj se unë jam një mik i vjetër me kryeministrin, aspak. Unë thjesht kam një rrogë, kam një punë, e cila është brenda zanatit tim, te ajo studio unë mendoj se sa të kem frymë të krijoj për vëndin tim, do punoj.

Unë ju thashë se atë klerikun e Shkodrës, unë e fala, ja dhashë pa asnjë lek, dhe nuk kam përfitu kurrë nga këto njohje, nga këto mundësira, kurrë kurrë. Vetëm një gjë i kam kërkuar kryeministrit: të më lejë të punoj për vëndin tim, të më lejë të qetë. Deri tani unë po punoj. Unë kështu them, o zot me jep shëndet dhe fuqi të punoj. Jo shëndet të vegjetoj, por shëndet të punoj për të realizuar ëndrrat e mija.

Studio e punë sime, është Meka ime. Shumë vetë bën vaki që më shikojnë shtrembër dhe mendojnë për mua se pse ky njeri nuk është as me PD-në, as me PS-në, as me LSI-në, me kë është ky?! Sepse kanë qejf që njeriu duhet të jetë me një parti, të futet patjetër në një llogore. Sepse po u fute në një llogore, i ke siguruar gjërat. Unë ju thashë se duke pas mik kryeministra e kshtu, unë jam larguar totalisht prej tyre. Aqsa mund të them se bën vaki se kam dhe 30 vjet pa u taku dhe pa pi kafe me kryeministrin e sotëm. Qysh se ai i hyri asaj rruge, nuk kam lidhje fare, është zgjedhja e tij, unë kam zgjedhjen time. Unë bëj më të mirën për vetën time dhe uroj që edhe ai të bëj më të mirën për këtë vënd, siç dëshiroj të bëj më të mirën në mënyrën time.

Gimo keni ndonjë plan të afërt…?

Unë kam shumë plane, se skulptura nuk është si piktura, skulptura do fizik. Ato monumente që patë aty janë nga 5-6 metra dhe unë hipi dhe zbres prej aty disa herë në ditë nëpër skela dhe ajo gjë do fizik. Unë jam njëlloj si një punëtor ndërtimi, i zhytur në allçi kokë e këmbë. Do desha të më jepte zoti fuqi që të vazhdoj të punoj për të përmbushjur punët dhe ëndrrat e mija.

Dhe ne ju urojmë sa më shumë suksese.

Faleminderit dhe ju që ma krijuat këtë mundësi të shprehesha këtë në studion tuaj.

Memorie.al

1 komente në “Rada: Te “Refleksione”-t, Edi Rama më ka quajtur “bohem”, por ka dhe bohemë të shtirur që s’janë artistë që hiqen si të tillë, duke hedhur ca shalla të gjatë dhe pardesy deri në fund të këmbëve”

  1. Lasgushi says:

    Përsa i përket talentit dhe realizimeve të arira në art,o Mikelanxhelo (Rada) rot më rotë je me talentin dhe aritjet e Edin Ramës.Po të jetë për Kryeministër Ai Rama e meriton në fushën e të llapurit,me të vërtet është kryeministër dhe ti mos u bëj xheloz.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *