Jari tregon rreziqet reale të destabilizimit të Shqipërisë

1 Tetor 2019, 20:36Antena TEMA

Pasi u njoh me dokumentin e Ministrisë së Mbrojtjes për rrezikun e sigurisë kombëtare nga lajmet e rreme dhe rreziqet e tjera në vend, Jari, si ish- ushtarak, vendosi të bëjë publike idetë e tij rreth këtij dokumenti, dhe pse duhet të hidhet poshtë ai:

“Të dashur demokratë,

Jari ju sqaron!

Kam parë se Ministria e Mbrojtjes ka bërë publik një dokument rreth sigurisë kombëtare, që është i përciptë dhe nuk merret me thelbin e problemeve.

Për këtë, mendoj se presidenti duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe duhet të parashtrojë tre rreziqet reale të sigurisë kombëtare.

E para, Këshilli i Sigurisë Kombëtare të marrë në shqyrtim rastin e Qim Pekës dhe të fuqisë që ai ka për të mobilizuar popullin dhe ta konsiderojë atë aset kombëtar, pasi sa herë do të na duhet të ngrejmë njerëzit në luftë, kemi një njeri që u thotë dilni nga shtëpia.

Rasti i lajmit të tij për tërmetin, e provoi qartë këtë.

Presidenti Meta duhet ta vlerësojë atë si një aset për sigurinë kombëtare dhe duhet ta mbrojë shteti.

Së dyti, Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhet të marrë parasysh letrën e Lulit drejtuar bankave, pasi nëse nuk reflektojnë, kjo gjë rrezikon të prekë sigurinë kombëtare, pasi do të falimentojnë bankat dhe njerëzit do dalin në rrugë me parrullën “Duam lekët tona”.

Për këtë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhet të vendosë një rregull, që çdo biznesmen që fiton një tender apo koncesion, a PPP, duhet të shkojë të paguajë një taksë te PD, me qëllim që të ruhet stabiliteti politico- financiar i opozitës, që ndikon dhe në stabilitetin e Shqipërisë.

Së treti, të mos hapen lajme të rreme sikur Komisioni i Venecias ka thënë se duhet shkarkuar Ilir Meta.

Nëse kjo fushatë vazhdon, ashtu siç ka thënë dhe zëdhënësi i presidentit, këtu do të ketë tërmete të mëdha politike, që do të jenë mbi 9 ballë dhe do të shkatërrojnë Shqipërinë.

Për këtë duhet ndaluar kjo propagandë sa më parë dhe duhen ndëshkuar ata që përhapin opinione të tilla.

Për mua këto janë tre reziqet e mëdha që mund të prekin sigurinë kombëtare, jo ato që shkruan Ministria e Mbrojtjes.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje