“Më i shtrenjtë, më i lirë”: Sa kushton një reklamë në televizionet shqiptare?

 

Beteja për më shumë audiencë është gjatë gjithë kohës aktive mes televizioneve, duke e përkthyer shumicën e saj në më shumë të ardhura nga reklamat e biznesit.

Ky i fundit në varësi të fushatës, mesazhit që do të transmetojë dhe llojit të produktit, zgjedh edhe fashën më të përshtatshme orare të reklamës. Tradicionalisht, prime-time paguhet më shtrenjtë, ashtu sikurse fakti që emisione të veçantë me popullaritet të lartë kanë tarifa “më të kripura” për hapësirën televizive në dispozicion.

Por cila është hapësira më e shtrenjtë dhe më e lirë brenda secilit televizion kryesor në vend? Monitor ka bërë një krahasim të tarifave të reklamave të televizioneve kryesore në vend, bazuar në tarifat e tyre zyrtare. Për një spot 30 sekonda, bizneset paguajnë maksimumin prej 262,500 lekësh, ose rreth 2,100 euro në ndërprerjet e programit argëtues “Portokalli” që është dhe më i shtrenjti nga emisionet televizive.

Më pas renditen “Shiko kush luan” dhe “Hells Kitchen” po në Top Channel, me rreth 1,900 euro secila për 30 sekonda. Listën e vazhdon “Dancing with thw stars”, që transmetohet nga Vizion Plus, me rreth 1,800 euro për 30 sekonda. Më pas vijojnë emisionet e Tv Klan, “Dance With Me”, “Në kurthin e Piter Pan”, “Opinioni” i të enjtes, me rreth 1,650 euro secila për një transmetim që zgjat 30 sekonda.

Top Channel

Në Top Channel, rekordin e tarifës më të lartë të reklamimit e mban “Portokalli”, ku për çdo sekondë para programit paguhet 4,410 lekë, ndërsa për ndërprerjet paguhet 8,750 lekë për sekondë. Pas tij vjen “Hell’s Kitchen” dhe “Shiko kush luan” me 4,000 lekë /sekondë para nisjes së programit dhe 7,800 lekë/sekondë në ndërprerjen gjatë transmetimit. Hapësira më e lirë brenda Top Channel është programi “Pop Culture” me një tarifë 650 lekë/sekondë para transmetimit dhe 700 lekë/sekondë gjatë transmetimit.

Tv Klan

Referuar çmimeve zyrtare të Televizionit KLAN rezulton që “Opinion”, “Në kurthin e Piter Pan” dhe “Dance with me” të kenë edhe tarifën më të lartë për reklamat ku përpara transmetimit, çdo sekondë paguhet me 3,400 lekë dhe në ndërprerjet gjatë transmetimit 6,750 lekë. Programi më i lirë është “Aldo Morning Show” me një tarifë 550 lekë/sekondë para transmetimit dhe 950 lekë/sekondë gjatë transmetimit.

Vizion Plus

Në Vizion Plus, programi me tarifën më të lartë për reklamat është “Dancing with the stars” me 7,700 lekë/sekonda për ndërprerjet gjatë transmetimit dhe pas tij vjen “Al Pazar” me 3000 lekë/sekondë para transmetimit dhe 6,600 lekë/sekondë në ndërprerjet e transmetimit. Më pas vijnë dy programe të tjera “Nga e para” dhe “Treshat”, me tarifën 3,000 lekë/sekondë para transmetimit dhe 6,000 lekë/sekondë gjatë transmetimit. Programi me tarifën më të ulët është “Dita nis në ‘7 pa 5’” me një tarifë 300 lekë/sekondë para transmetimit dhe 600 lekë sekondë gjatë transmetimit të emisionit.

Politika

Emisionet politike zënë pjesën më të madhe të mbrëmjes për dy televizionet kryesore në vend, Top Channel dhe Tv Klan. “Opinion”, emisioni që synon në çdo moment që të ngjallë debat, në mënyrë që të mbajë lart grafikun e audiencës, është në çdo ditë të javës nga e hëna deri të mërkurën në orën 22.00 dhe të enjten nga ora 21.00. Opinion është dhe programi më i shtrenjtë politik. Një reklamë në ndërprerje emisioni nga e hëna në të mërkurën kushton 5,400 lekë për sekondë dhe të enjten tarifa rritet në 6,750 lek ëpër sekondë.

Në emisionin tjetër politik, “Open”, që transmetohet të hënë dhe të enjte në Top Channel, një sekondë kushton 4,375 lekë në ndërprerjet e të hënës, ndërsa të enjten çmimi i afrohet konkurrentit të Klan, duke arritur në 6,250 lekë për sekondë. (monitor)

1 komente në ““Më i shtrenjtë, më i lirë”: Sa kushton një reklamë në televizionet shqiptare?”

  1. Xhaxhi says:

    Me 2100 euro bën spam në Facebook lehtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *