Albin Kurti dhe 3/4 e kosovarëve që nuk e votuan

Nga Bashkim Kopliku

Shpresoj të ketë ngjasim mes Kosovës dhe Gjermanisë: baza e ngjasimit, koalicioni schwartz-rot (e zeza me të kuqen), i së djathtës me të majtën, në Gjermani. Atje është Merkel e CDU/CSU, e djathta, në koalicion me Olaf Scholz i SPD, e majta. Merkel ka shumicën në koalicion.

Në Gjermani ka ecur shumë mirë, sepse Merkel ka arrirur të jetë Kancelarja e shumicës së gjermanëve.

Uroj të ecë mirë dhe koalicioni që shpresohet se do të krijohet në Kosovë, mes së majtës, LVV-së së Albin Kurtit, dhe së djathtës, LDK-së së Vjosa Osmanit.

Nuk kam asnjë merak me Vjosën, e shkolluar në Amerikë, qartë e deklaruar për ekonominë e tregut, si e gjithë  BE dhe ShBA… Por ajo nuk do të jetë dot kryeministrja, për më pak se 1 pikë përqindjeje të votave….

Kam merak, e shumë bile, me Albinin. Uroj të ndryshojë 180 gradë në disa qëndrimen që kam dëgjuar nga ai,  e që më kanë kujtuar herë “Revolucionin kulturor kinez” te rreth vitit 1967, të Mao Ce Dunit, e herë “Mekanizmin e Ri Ekonomik shqiptar” të rreth vitit 1986 të Ramiz Alisë.

Konkretisht:

Disa deklarata kundër personaliteve shqiptare apo kosovare etj., të Albinit, më kanë kujtuar Gardistët e Kuqë të Revolucionit Kulturor Kinez, që desh rrënuan tërësisht Kinën në vitet 1967-68 …, që e shpëtoi veç kalimi në ekonominë e tregut të lirë…, jo vetëm si ekonomi!

Apo etatizmi i Albinit, që konstatova në shpalosjen e programit elektoral, pjesa për ekonominë… Më kujtoi atë të Ramiz Alisë, me mekanizmin e ri ekonomik, që ishte ai që solli bllokimin total e përfundimtar të ekonomisë në Shqipëri, me “80%-shat” e me mos sigurimin dot as të tallonit (racionimi i ushqimeve), një dështim i plotë. Albini premtonte, para pakë ditësh, se do të ringjallë ndërmarrjet e falimentuara jugosllave, që mos t’i privatizojnë mafja: tamam komunizëm antikapitalist.

Nejse, tani kryesorja është se Albini më duket i ndershëm, e ndershmëria e tij uroj të prevalojë ndaj indoktrinimit të tij, e të ndryshojë sa më shpejt në të mirë të Kosovës, pra duke respektuar e dëgjuar edhe mendimet e kundërta me të, të së paku 3/4 të kosovarëve që nuk votuan për të!

REMOTE_ADDR:[]

5 komente në “Albin Kurti dhe 3/4 e kosovarëve që nuk e votuan”

  1. Kris says:

    Po cfare eshte kjo pune te dashur shqiptare! E votuan me shume dhe le t’i japim shansin te udheheqe edhe kunder korrupsionit! Ne jemi kunder te gjitheve pasi zgjidhet! E kam njohur Albinin ne Aeroportin JFK! Njeri i forte dhe i mprehte pak impulsiv por qe te krijonte respekt, ne kundershtim me trupin e tij,te linte pershtypjen e te paepurit! Lerini njerezit e zgjedhur pa i paragjykuar! Nuk mjafton ,qe tjetra mjaft qe ka studiuar jashte, eshte me e mire se Albini! Atyre te dyve sa ju eshte rasti te behen udheheqes se egzekutivit Kosovar! Urojini ata te dashur shqiptare dhe suksese ne punen e tyre!

  2. Dyrrahu says:

    3/4 e atyre qe votuan e jo e gjithe kosovareve.
    200.000 vota te marra nga Albini, sipas llogarise se Lulit, jane 15% e kosovareve e kane votuar Albinin.
    Albini fitoj me 15% te mundesise dhe te gjithe e pranuan fitoren. Ne Shqiperi nuk ka ndodhur keshtu dhe dem qe ka opozite te tille Shqiperia.

  3. mik says:

    Artikull shkruesit nuk i pelqen Albin Kurti, dhe i jep nje furce boje hiri!! Loje statistikash.
    Kurti fitoj votat me ndershmerine me te madhe, dhe pike. Ne fund te fundit populli i vet ja dha besimin.

  4. Konica USA says:

    Edhe un kam menduar mire per Albinin deri ne momentin qe i vajti Sali Kriminelit ne zyre muajin Shkurt ku deklaroj pranveren arabe,pra do rrezonte qeverite ne Tirane dhe Prishtine, pra mbeshteti protestat e dhunshme te opozites shqiptare,Ju lutem, mos kini asnje iluzion, ky Albini per pushtet eshte gati si Saliu ti veri zjarrin Kosoves, sic ja ka vene disa here.

  5. pyetje says:

    Pse o Bashkim djali vazhdon akoma pas qerres se prishur te Rames?
    Sipas teje, kush e pengon zhvillimin e Shqiperise dhe te Kosoves?
    Ekonomia e tregut apo hajdutlleku, krimi dhe mungesa e ligjit?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *