Bazat e tensionit mes kurdëve dhe Turqisë në Siri

8 Tetor 2019, 16:37Bota TEMA

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se njësitë ushtarake amerikane në Sirinë verilindore do të largohen nga Siria e veriut, ndërkohë që ushtria turke përgatitet për një sulm në zonë. Vëzhgues të zhvillimeve politike në rajon si dhe figura politike në Shtetet e Bashkuara kanë ngritur alarmin se ky veprim do të linte pa mbrojtje kurdët e Sirisë. Të ndjekim një material të Agjencisë së lajmeve Associated Press, që ofron një historik të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes forcave amerikane dhe njësive luftarake kurde në Sirinë e veriut.

Kurdët ishin që në fillim të përfshirë në konfliktin sirian. Njësitë YPG luftuan për kontrollin e zonave kurde ndërsa vendi u zhyt në kaos. Deri në dhjetor të 2012-tës, forcat kurde kishin marrë territore të rëndësishme dhe arritën një marrëveshje armëpushimi me Ushtrinë e Lirë Siriane për qytetin Ras al Ayn. Vetëm dy vite më vonë, luftëtarët kurdë ishin në krye të mbrojtjes së qytetit Kobani nga terroristët e Shtetit Islamik. Shumë kurdë të Turqisë kërkuan të hynin në Siri për të mundur ISIS-in në qytetin Kobani, por forcat turke nuk i lejuan.

Forcat kurde fituan rrjedhimisht betejën ndaj ISIS-it, me mbështetjen e sulmeve ajrore amerikane.

Njësitë YPG dhe Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, u shndërruan në aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara.

Por, luftimet në Siri janë një shqetësim serioz për Turqinë, jo vetëm për shkak të ISIS-it, por edhe për shkak të këtyre dy organizatave kurde. Turqia i shikon si kërcënim kurdët, pas dekadash të tëra konflikti për autonominë kurde në Turqi. Turqia i konsideron njësitë YPG grup terrorist me lidhje me rebelët kurdë brenda Turqisë. Ushtria turke ndërtoi një mur kufitar për të ndalur operacionet e grupeve paraushtarake kurde. Presidenti turk Erdogan ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se do të fillojë sulme ushtarake ndaj njësive YPG në Siri.

“Do ta pastrojmë të gjithë kufirin tonë nga terroristët. Nuk do të lejojmë ngritjen e celulave terroriste pranë kufijve tanë”, deklaroi zoti Erdogan gjatë një tubimi në dhjetor 2017.

Betejat mes forcave kurde dhe turke vazhduan. Në janar 2018, YPG-ja publikoi pamje të municioneve të kapura nga forcat turke në zonën Afrin të Sirisë. Forcat turke dhe luftëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane filluan një ofensivë ndaj zonave të kontrolluara nga kurdët.

Njësitë YPG mbajnë qindra ekstremistë të ISIS-it të kapur rob dhe kanë paralajmëruar për rrezikun e arratisjes së tyre. Ndër ta gjenden edhe luftëtarë të huaj të ardhur nga Evropa, të cilët nuk pranohen të riatdhesohen në vendet e tyre.

Në dhjetor 2018, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të fillonte tërheqjen e forcave amerikane nga Siria, duke sjellë menjëherë shqetësimin e shprehur nga njësitë YPG. Tashmë Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se njësitë ushtarake amerikane në Sirinë verilindore do të lëvizin, për të lejuar një sulm të pritshëm të ushtrisë turke. Turqia pati kërcënuar prej muajsh se do të godiste ushtarakisht për të larguar luftëtarët kurdë të Sirisë nga zonat kufitare. Parlamenti turk pritet gjithashtu të zgjasë me një vit mandatin që i lejon ushtrisë turke të ndërhyjë në Irak dhe Siri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje