Botën nuk e lëvizim dot, të paktën të ndryshojmë veten

 

Ilir Yzeiri

Fitorja e Albin Kurtit në Kosovë ka nxitur reagime të ndryshme dhe, më së shumti, entuziaste. Kurti ka shumë vjet që në skenën politike të Kosovës dhe në hapësirën shqiptare është shfaqur si politikan me artikulime të qarta që ka bërë kauzë të vetën integritetin moral, duke e barazuar rolin e politikanit me atë të një qytetari të ndershëm që nuk vjedh, nuk mashtron dhe nuk tradhton bindjet e veta. Këtë ligjërim dhe këtë narrativë të tijën disa e kanë përqasur me frymëzimin e tij nacional romantik e komunist disa herë, disa të tjerë e kanë parë si tipar të karakterit të tij që, më së shumti, është formuar në qëndresën ndaj agresorëve serbë që kishin pushtuar Kosovën.

Albin Kurti është shfaqur, po ashtu, edhe si një politikan me profil kombëtarist dhe nuk ka ngurruar të pranojë gjithmonë dhe të shpallë madje në program se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është ideali i tij më i lartë. Kjo është pak a shumë fotografia e këtij politikani i cili në krye të VV-së fitoi zgjedhjet e parakohshme politike dhe rrjedhimisht do të jetë kryeministër i saj me koalicionin që kanë shpallur përpara zgjedhjeve.

Po çfarë do të ndodhë më pas?

Realiteti, në fakt, është pak ndryshe dhe politikanët tanë, qoftë ata në Shqipëri, por edhe ata në Kosovë, jo gjithmonë e mbajnë në vështrim se globalizmi, pjesëmarrja në aleanca të mëdha dhe aspirata për t’u bashkuar në organizime, gjithashtu globale, ka krijuar pak mundësi që, në rrafshin gjeopolitik, fituesit e zgjedhjeve të realizojnë pikë për pikë programin e tyre. Siç vë në dukje një analizë që do të botohet në numrin e ardhshëm të gazetës “Lë monde doplomatique” në shqip, bota po bëhet tripolare. Pra, SHBA-ja BE-ja dhe Rusi-Kinë nga ana tjetër. Në këtë kryqëzim ne, shqiptarët, kemi realizuar aspiratën tonë shekullore dhe, më së fundi, u përkasim dy poleve të zonës euroatlantike. Që nga ky moment, ne duhet ta harrojmë në një farë të shkuarën tonë dhe të përpiqemi t’i arrijmë objektivat duke përshtatur politikën tonë me atë të partnerëve euroatlantikë. Albin Kurti ka thënë diku se në dialogun me Kosvën ne jemi tema, nuk jemi palë. Kjo është shumë e vërtetë dhe këtej e tutje ne do të na duhet të shohim, gjithashtu, Albin Kurtin që këtë argument do ta ndërtojë me një narrativë moderne.

Sa i takon politikës së brendshme dhe ekonomisë, unë uroj që Kurti t’u përmbahet parimeve me të cilat ka ndërtuar profilin e vet si politikan i pakompromentueshëm. Vetëm druaj se Albin Kurti, ashtu si një pjesë e madhe e opinionit shqiptar, është mbërthyer keq nga sindroma e atij që sheh çdo kapitalist, pra çdo sipërmarrës apo investitor si oligark, si hajdut, si njeri që po plaçkit Kosovën apo Shqipërinë. Qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë është urgjente që të ndërtohet një klimë tjetër për biznesin dhe biznesmenët apo sipërmarrësit. Në qoftë se ndaj tyre do të mbahet ai qëndrim që mbanin dikur komunistët dhe sot vanitozët e studiueve televizive apo mjeranët mendorë në krye të PD-së shqiptare, atëhere asgjë nuk do të ndryshojë. Një politikan si Albin Kurti që po hyn në lojën e vështirë të qeverisjes ka vetëm një shans që të ruajë integritetin e tij. Ky shans është transparenca. Ai duhet ta ketë të qartë se të qeverisësh do të thotë të kesh një projekt dhe një buxhet. Buxheti mbushet nga taksat dhe nga donatorët. Nëse ata që paguajnë taksat dhe këtu kuptohet se është fjala për taksapaguesit e mëdhenj, ndjehen të kërcënuar dhe të shpërfillur nga qeveria, atëhere buxheti tkurret. Në qoftë se me retorikën e vjetër krijon përplasje edhe me partnerët strategjikë, atëhere edhe donatorët dhe bankat të kthejnë kurrizin. Kështu qeverisja nuk është thjesht një realizim i programit politik që shpalos në zgjedhje, është një gjë shumë më e vështirë. Ajo që mbetet është vetëm ndershmëria intelektuale dhe komunikimi i sinqertë me publikun. Deria tani politika shqiptare, në të dyja anët e kufirit, ka vuajtur jo pse nuk ka realizuar programin politik, por sepse nuk është shfaqur si shërbyese modeste e atij që e ka zgjedhur. Për fat të keq, ne kemi krijuar modelin e politikanit që sapo zgjidhet në krye të shtetit, projektohet në opinion si njeriu që vjedh, që rregullon me fonde njerëzit e tij dhe që nuk merret me punët e vërteta të shtetit. Kjo narrativë fyese nuk është karakteristikë vetëm për ne. Në të gjitha vendet demokratike debati politik është i ndezuar. Mjaft të shohim çfarë ndodh me aleatin tonë më të madh strategjik, SHBA-në dhe do të bindemi për këtë. Vetëm se ka një ndryshim. Në të gjitha këto vende gjithmonë diskutohet dhe debatohet mbi ato që ndodhin dhe jo mbi perceptimet dhe emocionet e njërit grup apo tjetrit dhe në lojë futen gjithmonë institucionet. Ndërsa, ne, sharjen, fyerjen dhe shkatërrimin e figurës së tjetrit të ndryshëm nga ne, e kemi kthyer në sport kolektiv dhe kemi vite e vite që jemi hedhur të gjithë kundër të gjithëve, aq sa po krijojmë, siç thotë një koleg europian, veteranët e urrejtjes dhe të hedhjes së baltës. Në kët pikë, Albin Kurti mund të na sjellë një model të ri politikani. Ai duhet t’i tregojë me transparencë opinionit të vendit të tij se çfarë është në gjendje të bëjë dhe çfarë nuk është në gjendje ta bëjë, se çfarë varet nga vullneti i tij dhe çfarë jo. Dhe nëse e sheh se realizimi i projektit të tij politik është i pamundur, le të japë dorëheqjen duke vendosur një standard tjetër në kulturën e poltikës shqiptare. Sepse, siç thotë përsëri një koleg tjetër europian, nuk mjafton që ta qortojmë botën, duhet edhe ta ndryshojmë atë. Nëse nuk e ndryshon dot, pasi e ke qortuar për vite me radhë, është mirë të tërhiqesh

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *