Si të luajmë bukur lojën e jetës

Nga Silvana Rusi

Titulli i radhës në kolanën e Botimeve Akropoli i Ri na jep një këndvështrim të ri mbi qasjen që duhet të kemi ndaj gjithçkaje që na rrethon.

Historikisht, që prej fillimit të ekzistencës së tij, njeriu ka pyetur veten dhe ka ndërmarrë procese hetimi mbi natyrën përreth, fenomenet e vazhdueshme dhe ato të rrallat.

Në kërkimin e tij, ai herë i ka gjetur përgjigjet e herë jo dhe vazhdon ende të kërkojë. Këtu, autorja na ndihmon duke na edukuar me frymën që na mungon sa herë që ngecemi në vëzhgimet e natyrës dhe atij që kemi quajtur “realitet“.

Përmes këtij libri, arrijmë të kuptojmë se nuk ekziston asgjë e shkëputur në natyrë, gjithçka është e ndërlidhur përmes ligjesh harmonike në bazë të të cilave funksionon universi.

Delia Steiberg Guzman na instrukton hapa të cilat secili prej nesh mund t’i përdorë në jetën e tij të përditshme që të kuptojë se gjithçka që na rrethon ka jetën, nevojat dhe dëshirat e veta dhe kombinimi i të gjitha këtyre me njëra – tjetrën në një rrjetë të madhe ekzistencash të shumëllojshme krijon Majan, Iluzionin e madh në të cilën kalon çdo ditë e jona e tanishme.

Teksa ditët tona zhyten në Maja, po e njëjta gjë ndodh edhe me vetëdijen tonë dhe ne kapemi tepër pas sipërfaqësores, pas asaj që duket.

Në fakt, sikurse na udhëzon edhe autorja, e gjitha është një lojë e këndshme dhe si të tillë duhet ta trajtojmë, duke mos harruar kurrë se natyra dhe jeta, me gjithçka që përmbajnë dhe sjellin në rrymën e rrugëtimit tonë janë aleatet tona dashamirëse të cilat, ashtu si edhe një lojë, na i maskojnë dhe fshehin thesaret vetëm e vetëm sepse të shkuarit në kërkim të tyre është ajo që na zgjon vetëdijen dhe na bën të marrim mësime hap pas hapi.

Ajo na mëson të kemi një qasje tjetër ndaj jetës dhe vdekjes, gurëve, bimëve dhe kafshëve, na paraqet anë të dashurisë, edukimit, politikës, artit dhe fesë të cilat na humbasin nga fokusi në jetën e përditshme ndërkohë që harrohemi pas vogëlsirave.

Duke na bërë të kuptojmë se e gjitha është thjesht një vello e këndshme që mbulon esencën, përmes këtij libri Delia Steinberg Guzman zgjon te ne mirënjohjen ndaj Majas dhe esencës që i krijoi atë dhe na ndihmon të shikojmë përtej së sotmes dhe së nesërmes drejt një tabloje më të gjerë shumëngjyrëshe, pa të cilën jeta jonë nuk do të ishte kaq e bukur.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *