INTERVISTA/ Rrëfehet Visar Zhiti: Të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut, ja zhgënjimi për tre dekadat e demokracisë

9 Tetor 2019, 10:18Kulturë TEMA

Në serinë e intervistave dhe eseve mbi Tranzicionin 30-vjeçar të Shqipërisë, kjo intervistë që shkrimtari dhe poeti i njohur Visar Zhiti ka dhënë për bota.al, është nga ato që nuk duhet humbur. 

Me forcën e fjalës, që ia pasuron mesazhin si rrallëkujt tjetër, Visar Zhiti flet për shembjen e Murit të Berlinit, që ai e imagjinonte me tulla – njësoj si tullat që prodhonte me duart e tij “në qytetin e vogël të Lushnjës” pas daljes nga burgu komunist – por që kur e pa nga pranë, zbuloi një Mur të ndërtuar me blloqe të mëdha betoni, gri e zymtë në anën e Lindjes, dhe shumëngjyrësh në anën e Perëndimit.

“Sa për rrugëtimin e Shqipërisë pas vitit 1990”, thotë poeti, “këto tre dekada na kanë treguar se e mira dhe e keqja në tranzicionin shqiptar janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, si vëllezërit siamezë…

Z. Zhiti, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

…ndante dhe njeriun nga njeriu, do të shtoja, madje dhe secilin sikur e ndante më dysh nga vetvetja, nga ëndrra, nga e ardhmja.

Ai Mur, duke ndarë vetë botën, ndërhynte mizorisht në gjithë jetën njerëzore dhe u bë dhe shenjues i vendeve dhe sistemeve të tyre, se ç’ishin ato: totalitare nga njëra anë e Murit dhe demokraci nga ana tjetër e tij, ku drejtuesit ishin diktatorët nga brenda Murit dhe liderë të zgjedhur nga ana jashtë, vetë popullin e mbyllur, i zbulonte shtresëzimet: ata lart që e kishin dashur dhe urdhëruar të bëhej Muri dhe milionat e milionat që punonin si nën hijen e tij të zymtë dhe ata, të dënuarit që, si të thuash, ishin nën atë Mur.

Ku isha unë, kur e rrëzuan Murin e kobshëm? Në atdhe, në një qytet të vogël, Lushnjë, kisha dy vjet që kisha dalë nga burgu politik, i lirë pa liri, punëtor krahu në fabrikën e tullave, me turne. Pra, merresha me tullat, që bëhen mure shtëpish dhe shtëpi vetë s’kisha. Atëhere kisha ndjesira të forta për diktaturën deri dhe metafizike, më dukej si një përbindësh dhe makineri makabre njëkohësisht, me shtyllën kurrizore si ai Mur, me tela me gjëmba përsipër, që ndërkaq vëzhgonte vëngër gjithçka pa e ditur nga ç’sy pa fund a valë dhe të përfshinte, kudo që të ishe, të bënte pjesë të kthetrave të veta ose të shtypte me to.

Që shëmbën Murin e Berlinit, e dëgjova si lajm të huaj, por s’m’u duk dhe aq i huaj, sikur ia ndjeva rrapëllimën, s’ka gjë se larg, por më dha drithma dhe mbeta shtang për një çast me tullat si luspa të rënda përbindëshi në duart e mia të vrara.

Po muret përreth nesh a do të binin?

A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë,  pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Patjetër që po. Ai ishte dhe mur politik, ishte bërë mur-simbol i luftës së ftohtë, i ndarjes në dy botë të botës, si dhe i luftës së klasave brenda në çdo vend të njërës nga botët, atje ku ishim dhe ne, dhe lufta e klasave është luftë civile në kohë paqeje, kam thënë, pra, ai ishte muri i urrejtjes së madhe, të universalizuar, gjarpëronte jo vetëm nëpër Berlin, vazhdonte gjithandej në perandorinë komuniste, në muret shtetërore të të gjitha ngrehinave, të pallateve të kongreseve dhe të vendimeve të tyre, të reparteve ushtarake, vazhdonte te telat me gjëmba të burgjeve, të kufirit mes shteteve, madje fillimisht dhe vetë Muri i Berlinit ishte realisht prej telash me gjëmba, futej në mendësi, në universitete, në romane, në Realizmin Socialist, vinte që nga doktrina marksiste-leniste dhe s’dukej ku mbaronte, sa thellë, deri dhe në ndërgjegje. Dhe i padukshëm ishte më i rrezikshëm dhe më fatal se atje ku përshfaqej i fortë, si te Muret e Kremlinit apo tek muri i ushtarëve që rrethonin “Bllokun” e sundimtarëve në Tiranë, në Komitetin Qendror të Partisë, etj, etj.

Rënia e Murit shenjoi fillimin e rrokullimës së shpejtë të perandorisë komuniste dhe të diktaturave të saj, pra dhe të vendit tonë, edhe pse i fundit, që ishte dhe më i vetmuari, më i vetëmbylluri, më i varfëri dhe më i vrazhdi…

Rënia dha guximin e ngritjes. Ra Muri i Berlinit dhe shqiptarët thyen murin e ambasadave e u futën turma nëpër to, çanë kufirin, telat me gjëmba, që t’i iknin diktaturës e të shkelnin Europën. U ngritëm në protesta dhe… dhe vazhdimi dihet, nisën ndryshimet e mëdha, të detyruara.

Ndodhi vërtet mrekullia, ra regjimi, që unë dhe shumë si unë, ndoshta gati të gjithë shqiptarët, ia kishim dashur rënien, e ndillnim, por nuk besonim se do të ndodhte në kohën tonë, edhe pse ne ishim pa kohë. Na dukej e pamundur rënia, të paktën “hë për hë”, dhe kjo “hë për hë“ do të thoshte gjithë jeta.

Ne pra, jetuam, si të thuash, fillimin e të ardhmes. Ky ishte fat.

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Ju vetë keni patur një rol të rëndësishëm në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit.  Sot, kur ktheni kokën pas si e shikoni këtë rrugëtim?

Një rrugëtim i vështirë dhe sublim, të gjithë bashkë, ata që e bënë diktaturën dhe ata që e pësuan atë, madje dhe me paqe të ashpër, me historinë e afërt, që s’donin të largohej, të përzier me të ardhmen që e pengonin të afrohej, pas linim Murin e rrëzuar të Berlinit dhe përpara përplaseshim me Mure të padukshme si të Berlinit, sikur ai hakërronte përbindshmërisht.

Do të ishte shumë më vështirë të rrëzoje muret e padukshëm. Si thotë poeti gjerman (Lindor), Bertold Brehti, në një poezi: lufta mbaroi, ruhuni nga paqja.

Kritikat do të ishin të domosdoshme. Aq më mirë që kishte. Po ndërroheshin sistemet. Dhe të mendosh që diktaturat komuniste ishin vendosur me luftë, me revolucione dhe gjakderdhje të madhe dhe po iknin jo ashtu siç erdhën, kjo ishte një arritje e historisë, një hop i madh njerëzor.

Ju më thoni se kam patur një rol të rëndësishëm në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit.  (?!)… S’e di, roli im ndoshta ka qenë aq sa juaji në diktaturë. Ja, u bashkuam të gjithë, me të pakënaqurit bashkë, u shkrimë… Dola në protesta dhe shkruajta. U bëra gazetar i gazetës së parë opozitare në vend, solla dhe unë nga zëri i mbytur i të persekutuarve, tregova për burgjet, persekutimet, për klithmat dhe qëndresën, dëshirat dhe ëndrrat, kritikova dhe unë si qytetar, si në të gjithë Lindjen, i nisur nga dashuria, jo nga urrejtja. Të bëhej më e mira!

Solla dhe lutje të Nënë Terezës, i ngazëlluar që Shenjtja jonë u lejua të vijë dhe vetë në atdhe. Në fakt po shkonim ne drejt saj. Tempujt e fesë ishin (ri)hapur.

Punova në diplomaci. Po i tregohej dhe botës kështu se Shqipëria po ndryshonte. Nga ne, ish të burgosurit politikë, bënë dhe ministra, edhe mua, bënë dhe kryetar parlamenti, thashë “bënë” dhe jo “bëmë”. Ishim shumë që vinim nga burgjet dhe internimet, na dhanë shtëpi, punë dhe mundësi shkollimi, dëmshpërblimin me hope dhe me debate, se kështu do të rëndohej taksapaguesi shqiptar. Por të burgosurit me mijëra kanë punuar, – dhe nuk u është paguar puna kurrë, – në miniera e kanë tharë këneta, kanë hapur themele e ndërtuar uzina, taraca, pallate, aeroporte, stadiume, etj, i kanë dhënë shumë e më shumë atdheut se i kanë marrë. Dhe mbi të gjitha i kanë dhënë aspiratat e sotme, ideale dhe ëndrra, vuajtjen e shndërruar në vlera. Ne sollëm dhe “letërsinë tjetër”, atë që kishte munguar. Shqipëria sot jeton, në fakt duhej të jetonte, në realitetin që deshën të burgosurit politikë e të internuarit e shumtë, që u vranë e u martirizuan.

Jemi në fakt dhe dëshmi të gjalla të “Murit të shëmbur të Berlinit”, por ne shpesh e më shpesh mbetemi sërish brenda “mureve të padukshëm”, në braktisje harresë dhe varfëri.

Duhej vuajtja jonë, domethënia jonë, simbolika, vizionet për një Shqipëri të lirë, demokratike, por ne jo dhe aq. Fryma jonë pothuajse mungoi në këtë rrugëtim, gjithnjë e më pak, tani ndoshta fare. Ky është paradoksi dhe njëri nga zhgënjimet themelore. Mosdashja e nismëtarëve, shpërngulja e zanafillës.

Tranzicioni u bë më i lodhshëm, jo vetëm i vështirë, zhgënime pati, edhe mashtrime e të gjitha vazhdojnë ende. Po të kishim rol të rëndësishëm në rrugëtimin politik të Shqipërisë unë,/ata si unë, punët do të kishin shkuar më mirë. Përgjegjësia është gjetiu…

Megjithatë është më i durueshëm kaosi i lirisë, se sa liria në pranga apo koha çnjerëzore. Zbulojmë dhe vetveten kolektive kështu.

Gjithsesi Shqipëria është më mirë nga ç’ishte.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Shumëçka ia ka kaluar dhe imagjinatës, do të thosha. Për mirë dhe për keq. Për keq, vetëm po të krahësohet me atë që do të donim të ishim.

Shqipëria u hap, pranoi pluralizmin dhe demokracinë, pa burgje politike, të drejtat e njeriut dhe ekonominë e lirë të tregut dhe të gjitha liritë, që po i mësonim. Por po përsëris dhe ato që themi rëndom: nuk u dënua diktatori i madh e diktatorët e vegjël me gjyq moral të paktën, me ligj, pra vetë diktatura, por u dënua me slogane dhe entuziazëm efemer. Aq sa na duket se ajo, diktatura, thjesht u shpërbë siç do të donte.

Kishim imagjinuar të kundërtën. Drejtësi dhe paqe. Po flas si para 2 apo 3 dekadave. Mungoi drejtësia e re, e pavarur, pasojat e së cilës po vuhen dhe tani.

Të gjithë shqiptarët u bënë pronarë, të paktën të shtëpive të tyre. Dolën kapitalistët e rinj. Prona, tokat dhe pasuritë e patundshme sipër saj, dhe u keqpërdorën në tërësinë e tyre. U shkatërruan fabrika e uzina e taraca dhe ç’u takonte pronarëve të dikurshëm a trashëgimtarëve të tyre u është kthyer me vështirësi dhe me pjesë, ndërsa më lehtësisht u bënë pronarët e rinj, të tjerët, tashmë dhe oligarkë duke u ngritur kështu mure tjetërsoj, nga ata të padukshmit…

I kthehem persekutimit, nuk dolën persekutorët duke munguar ndjesa dhe falja dhe dhëmbja dhe dhe kështu muri moral mes tyre dhe të persekutuarve mbeti i padukshëm, pa hakmarrje, ndërsa realizimi më i lartë i dëmshpërblimit për të gjithë do të ishte një Shqipëri normale, demokratike dhe me prosperitet.

Etj, etj.

Ka liri dhe shpërdorim të saj. Të lirë të bëjmë çdo gjë, edhe të ikim apo dhe të çmendemi.

E di që në demokraci prirja është të shohësh ato që s’janë bërë, e kundërta e diktaturës që të detyron të shohësh ç’është bërë, edhe vepra të mëdha, por me një popull të varfër dhe të pa lirë, për të mos thënë me skllevër modernë.

Shqipëria ka bërë përpara, ka shëmbur mure, njerëzit ekonomikisht janë më mirë në përgjithësi, ku po polarizohet pasurimi, pa shtresë të mesme të ndjeshme, pa shoqëri civile të fortë, etj, megjithatë është vend në NATO ashtu siç ne deshëm dhe pret të futet në Bashkimin Europian.

Këtë s’e kisha imagjinuar, që s’ishim në Europë dhe që Europa të mos na rrinte aq afër sa do të donim.

Politika u liberalizua. Ka arritje dhe në planin ndërkombëtar me lidership që dhe ka shkëlqyer. Por nuk kishim imagjinuar që politika të përditësohej herë pas here e shpesh kështu duke rënë në interesa vetanake, mediokre, grindavece, e shpëlarë, që do të kishim dhe politikanë pa ideale, nën nivelin e mesatares së popullit, të kapur dhe nga krimi, etj, etj.

Deshëm zgjedhje të lira dhe të tilla janë, të lira dhe në shit-blerje, që dhe Presidenti i Republikës të mund të zgjidhej nga populli dhe nuk e kisha imagjinuar kurrë që në demokraci një ish oficer i rëndomtë i ushtrisë së diktaturës të caktohej si president. Një rënie kjo e pamerituar, ndëshkim i Shqipërisë.

Ka dhe rënie të seriozitetit të edukimit masiv, të atij universitar, fjala është për cilësinë, por ka shkollim të nivelit bashkëkohor në veçanti, me mundësitë dhe nëpër botë, shpresë për të bërë më të mirën gjithë të rinjtë së bashku.

Besoja për një prani të ndjeshme të diasporës tonë në jetën e vendit dhe jo një emigracion tonin kaq të begatë dhe dëshpërues.

Shqipëria është Perëndim, kështu dhe donim. Ashtu si dhe me Europën e Bashkuar, adhurimi dhe aleanca me SHBA është historike, e ëndërruar, vendimtare, me të ardhme dhe do të donim që politika dhe diplomacia e vendit tonë të ishin më produktive, të kultivuara, me një program mbarëkombëtar, me strategji të tillë.

Populli e di që marrëdhëniet me SHBA janë jetike, shpëtimtare, edhe qeveritë tona të bëjnë çmosin që ato të forcohen vazhdimisht, të bëhen të shumanëshme, që Shqipëria të arrijë sa më shpejt ku e imagjononim 2 apo 3 dekada më parë.

Pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?

Dhe përgjigjia ime dua të jetë po aq e drejpërdrejtë: e mira dhe e keqja në tranzicionin shqiptar, sipas meje, janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën si vëllezërit siamezë.

E kam thënë dhe herë tjetër, ne na u desh të ndërtojmë demokracinë me kundërshtarët e demokracisë, krahas të keqes kjo ka dhe të mirën e saj, ne po ndërtojmë kapitalizmin me armiqtë e kapitalit, të pronës private, të dikurshmit natyrisht, si të thuash me ata që bënin socializmin real ose me bijtë e tyre dhe kjo ka të keqen e saj, që është dhe e mira, pra “kundërshtarët u bënë me ne”. Që armiqtë t’i kthesh në vëllezër, është biblike. E kundërta që po ndodh, që vëllezërit kthehen në armiq e vrasin njëri-tjetrin për pronën, është punë e djallit. Lidhjet me djallin kanë mbetur ende të forta.

Nuk na duhet një demokraci pa virtyte, thoshte Shën Gjon Pali II, ai që punoi aq shumë dhe për rrëzimin e Murit të Berlinit, Papa i parë që vizitoi Shqipërinë.

Pamjaftueshmëria si virtyte e drejtësisë, e dhimbjes, e të bërit mirë, e dashurisë, e pendimit, e faljes, e së bukurës, etj, është keq.  Kthimi te virtytet, te ato e te të tjera, te dëshirat për dije e punë, për t’iu gjendur tjetrit, atdheut,  ëshë mirë dhe duhet patjetër që t’u kthehemi më me frymëzim, duke shëmbur çdo mur pengues, që fitoret e demokracisë shqiptare të mos jenë dhe fataliteti i kësaj demokracie. Jo më fitore në humbje dhe as humbje në fitore!

93 %  e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonëm, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve?

Ndoshta dhe i prekëm disi më lart, janë disa nga çështjet e tranzicionologjisë, besoj. Jemi një popull i traumartirizuar, (m’u desh ta krijoj këtë fjalë për të dhënë bashkë traumën dhe martirizimin), dolëm nga terri dhe barbaria më e madhe në Europë, më të varfërit dhe më të gënjyerit.

3-4 shqiptarëve së bashku u takonte nga një bunker që tani nuk duhen për asgjë, ndërsa shumica e familjeve shqiptare jetonte në apartamente të ngushta, madje dhe dy dhe tre kurora në në shtëpi. Jetonim si në rrethim dhe prisnim armikun që s’vinte e s’vinte.

Drejtuesit në shumicë, pa dashjen e tyre, tani kanë në mendësi atavizma nga sistemi i dikurshëm socialist, nga ato praktika, qëndrime e interesa, ndërkohë janë në një proces të ri, ku nuk mungon përkushtimi, fantazia dhe shkenca si dhe interesi vetanak ndaj sistemit të tanishëm kapitalist dhe prapë, pa dashjen e tyre, kështu më duket, është arritur një kapitalizëm parak, i egër si për të na thënë se ja, kjo është ajo që deshët, duke u mbajtur gjallë ndërkohë dhe nostalgjia e dëmshme për sistemin e kaluar, në përpjekjet vetanake të gjithsecilit për t’u pasuruar sa më shpejt, por jo me mundësitë e atyre që dalin në krye të vendit, ku korrupsioni është tronditës.

Populli ynë dëshiron shumë e vepron pak, ka dhe egon e mirë, por jo ndërgjegjësimin dhe kulturën e bashkësisë, e kolektivitetit, i tmerruar nga kolektivizimet në diktaturë.

E do dhe e pret integrimin në BE. Me padurim. Meqënëse ai vonon, prandaj dhe ikin për andej. Është klasa politike që s’ia ka dalë të gjejë rrugën më të shkurtër për atje, për të mos thënë se ndonjëherë i intereson dhe status-quoja. Nuk janë plotësuar kushtet, një pjesë të cilave dëmtojnë interesat e vetë klasës politike, korrupsioni alarmant, papunësia e ndjeshme, paaftësia drejtuese, zhvillimi i pa planifikuar, importi më i madh se eksporti, infrastruktura e prapambetur, çinteresimi flagrant për kulturën, etj, etj.

Si faktor i parë është që ne jemi vonë për tek vetja… Dhe “Treni i integrimit” nuk pret. Dhe vetë BE nuk ka unitetin e duhur dhe një venitje të dëshirës për zgjerim, pa zemërgjerësinë dhe kujtesën e duhur, se Shqipëria me Skënderbeun në krye u bë mur mbrojtës për Europën 500 vjet më parë, u vranë dhe u dogjën shqiptarët dhe ballkanasit, pa pati një lulëzim në bregun tjetër, një Rilindje Europiane, Da Vinç e Mikelanxhelo e Makiavel. Duket si legjendë, kur e themi, por është histori dhe borxh. E meritojmë Europën dhe na meriton Europa me pak punë të përbashkët që Shqipëria të mos presë “ende tek porta”.- siç thoni ju. Pra, pas mureve të padukshëm… 

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?

Nuk është ngritur ende në atë lartësi, por klasa politike ka ngritur lart një tjetër mur të padukshëm përreth vetes, duke iu larguar realitetit të popullit të vet dhe Europës ngjitur.

Dhe Muri, e përsëris, është dhe politikë. Ndërkaq ka një gjithëpërfshirje në një si “sindromë muri”, që një pjesë e duan ta kenë, i mbron në vetëveçimin e tyre dhe të tjerët që nuk duan mure, t’i rrëzojnë kudo, edhe atje ku janë mure mbrojtëse.

Nga kjo sindromë nuk mund të dilet kollaj. As unë nuk rri dot pa treguar një poezi timen, pa poezi nuk ka Europë, e kam shkruar në Gjermani në 1993, është në librin tim, “Mbjellja e vetëtimave”, që u botua një vit më pas në Shkup, duke rrëzuar kështu mure të tjerë rreth vetes. Po e sjell dhe si tregues dhe dëshmi të njeriut që u dënua për poezi nga Muri dhe del nga dënimi dhe shkruan pranë atij Muri të rënë. Në Europë.

NJË COPË GUR NGA MURI I BERLINIT

                                    Urrej të ndjek si dhe të prij.

                                                      Fridrih Niçe

Mos harro

të më sjellësh një copë të vogël guri

nga muri i shëmbur i Berlinit, miku im i huaj!

Kur ta mbaj në duar, e di, do të dridhen

kufijtë e përgjakur, burgjet, selitë e tiranëve

                 do të ndiejnë gërryerje dhe

        do të duan të bien si në një mallkim.

Gurët në veshka do t’i shkaktojnë kriza të tjera shtetit.

Do të ndjehen keq piramidat, do të lëvizë shkretëtira

                                               valë-valë e zemërimit,

Muri i vjetër kinez –

       si një rresht pleqsh të lagur në azilin e historisë.

Oh, sa frikë kanë tani nga ky gur i pakët, i dhuruar,

që unë e kam lënë mbi tryezën e punës. E prek

 si një plagë të përtharë dhe menjëherë lëvizin

të vrarët nën dhé, ata që deshën  të kapërcejnë muret,

                                         telat me gjemba, vdekjen…

Dhe gurët e varreve pendohen.

 

Dhe do të desha të shtoj dhe këto vargje:

 

– Ku e gjete, nga ç’planet erdhi ky gur? –

                                                   do t’më pyeste im bir.

                  – Nga një planet i rënë, – do t’i thosha, teksa shihja flatrat

 që po rriteshin mbi supet e tij..

Dhe vërtet kam një copëz guri nga Muri i Berlinit në shtëpi, ma dha një mik gjerman, ia kërkova, e dua, i thashë, ç’të jetë, tullë, shkëmb, ndërsa ai më kërkoi diçka nga shtatorja, dhe ajo e rrëzuar, e Enverit. S’kisha bronz të thyer, vetëm ca mermer nga piedestali, e ndava.

Të rrezikshme ato janë kur i mban në kokë. Shkëmbime të tilla në natyrë, kaq emocionuese, më janë dukur si paraprirje të marrëdhënieve të vendit tim me Europën.

Pastaj e pashë dhe unë Murin në Berlin, pjesë të tij në tre vende të ndryshme, në Berlin së pari, ku e kishin lënë ndoku, ku nuk pengonte rrugën, për kujtesën. Ai s’ishte prej tullash siç e kisha menduar, por bashkime masivësh të larta betoni. Pra tullat, me të cilat kisha punuar dikur, nuk shërbenin për mure kësisoj. Vura re se në faqen Lindore Muri ishte tejet i shkretë, gri e zbrazët, kurse nga faqja Perëndimore ishte plot me grafite, vizatime ngjyra-ngjyra, fjalë, profile, puthje, etj. Dhe e kujtova se në anën Lindore nuk lejohej të afroheshe, të qëllonte me automatik menjëherë ushtari si në kufi, të vriste për tentativë arratisjeje. Oh, sa shumë janë vrarë e janë zvarritur kufoma të përgjakura!

Po kështu ishin dhe ato pjesë autentike të Murit të Berlinit, që i shpërngulën duke kaluar oqeanin në Uashington, i pashë në një muze të tij dhe kështu është dhe në Tiranë ajo copëz Muri, e vendosur në hyrje të “Bllokut”, megjithëse në faqen që i takonte Lindjes, dikush ka hedhur ngjyra.

Tani që nga kjo copëz Muri në Tiranë dhe deri në Berlin dhe më tej, në Uashington, politika shqiptare has në mure të padukshëm, pengues si të mbetura që para viteve ’90, që s’dihet me sa shpirt e zell u vërvitet për t’i shëmbur. Duhet.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.

S’ka si të jetë ndryshe, dhe ligji tek ne është si demokracia që kemi, mes mureve të padukshëm. Nëse ndërruan Kushtetuta dhe Legjislacioni, Kodi Penal, etj, gjyqtarët, prokurorë e hetues, etj, ishin po ata të diktaturës, një pjesë e të cilëve kaluan në avokatë, që dikur nuk lejohej dhe kështu nga dënuesit tanë u kthyen në mbrojtësit tanë, të mësuar që drejtësia të ishte pronë e shtetit dhe e sundimtarëve, prandaj dhe më shumë është vepruar ne gjyqësor sipas urdhërave nga lart dhe interesave partiake dhe jo sipas ligjit, i pamjaftueshëm dhe ky.

Ligji është dhe moral, ndërgjegje dhe përgjegjësi, mbrojtje e lirisë dhe e pronës.

Me urgjencë do të duhet një ligj që njerëzit e ligjit të jenë vetëm të ligjit.

Drejtësia është dhe panteon i popullit. Ende s’është ngritur si i tillë.

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Herë-herë mendoj se njerëzit ngulmojnë të jenë më shumë të së tashmes dhe të vetes së tyre se sa të së ardhmes dhe të vendit. Është arritur shumë ndërkaq, ndryshime europianizuese, por e them me keqardhje se ka që duan të punojnë pak dhe të kenë shumë e më shumë sot, tani, në çast, pa mund e sakrifica e djersë të ndershme, ja, si ata në krye, thonë.

S’e di se sa me këmbë në tokë jemi bërë. Mua më duket se ka dhe një si çartallosje donkishoteske, ballkanike, ndërsa bota vetë sot përballet me vetveten, me një shoqëri likuide, pa formë e shumëformëshe. Që ne në pjesën tonë e turbullojmë më shumë ujin…

Që të flas për të ardhmen, më mirë të marr në ndihmë një nga zërat e së ardhmes, atë që kisha më afër. Më ka goditur ç’shkruante një student i filozofisë, im bir, në një universitet jashtë, në Perëndim, e kam nënvizuar:

I- “A është vërtet vendi im i gatshëm për atë çka aspiron dhe a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicjes dhe të veprimit të duhur apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?”   

Pra, mund t’i kemi këmbët në tokë, por kryet në re. Ndërkohë dhe jam dëshpëruar, por kam marrë dhe  kurajo e shpresë. Të rinjtë po dinë të na shohin, po dinë të na gjykojnë dhe do të dinë të veprojnë.

Gjenerata ime, unë/ne kemi menduar me teprí se do të vinte bota, Europa, Amerika që do të na shëmbte muret, të dukshëm dhe të padukshëm, e do të na e përparonte Shqipërinë, por mbi të gjitha do të duhej puna jonë, vullneti dhe mënçuria, etj, dhe kur s’ja kemi dalë e jemi ndjerë të penguar, është dëshiruar ikja, të vemi ne te përparimi i botës, në Europë, Amerikë, por ai studenti, brezi i tij, më kanë mrekulluar kur kam zbuluar se po duan ata që ta mëkëmbin Shqipërinë, ta bëjnë si do të donim, duke marrë dije nëpër botë, në universitet më të mira në Europë e SHBA, që me t’u kthyer, t’i përvishen punës për të shembur muret tona e të ndërtojnë të ardhmen.

II. Po vazhdoj të shfletoj librin “Për atë që dua(m)”, të tim biri, Atjonit, dhe ja, një nënvizim tjetër: Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë… Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë…

Kryengritje morale? Sa bukur! Sa e rëndësishme! Sa e duhur. Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël.

III- Të rinjtë po i kërkojnë rrugët vetë. Po më shtohej besimi: …shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne. Dhe kredoja: TË BËSH TË KTHEHEN GJËRAT NË SHËRBIM TË LUMTURISË SË NJERIUT.

Ndërkaq mua më ndodhi tragjedia, M’u ndie sikur betonet e Murit të Berlinit e zunë nën vete të ardhmen. Duke parë gjithë këto realitete tronditëse, mos vallë ka dhe tragjizëm në demokracinë shqiptare?

Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?

Duket larg për mua. Nuk shikoj dot. Vetëm të klith mundem… E di se do të jemi më larg se “1984” e George Orëell-it edhe 65 vjet të tjera. Me shumë mure të tjerë të padukshëm të rrëzuar ose duke u rrëzuar. Meritë absolute e logjikës së jetës kjo. Lutem për sa më pak viktima, për më shumë jetë e mirëqenie.

Jo se nuk kam merak, frikë dhe ankth. Të shëmbim mure dhe të ndërtojmë ura, thotë dhe papa Françesku, kurse Presidenti Donald Trump tha së fundmi se e ardhmja nuk u takon globalistëve, por patriotëve.

Globalizimi nuk duhet të jetë humbje e identiteteve, por bashkësi e tyre. Besoj se dhe ne nuk do kemi humbur edhe më. Më shumë se sa Atdhe do të doja të jetë Birdhe. Një Shqipëri më moderne, më humane, më me shpirt, kulturë dhe art, që, shpresoj, do ta ketë zbutur dhe arkitekturën e saj të çartur të qyteteve, si grafik i mendjeve tona, me blunë e qiell-detit tonë dhe të blertën e pyjeve dhe ëndrrave tona, euroatlantike patjetër, por sipas 2049 dhe më e rëndësishme mbetet porosia, që uroj të jetë profeci: “të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut”.(bota.al)

3 komente në “INTERVISTA/ Rrëfehet Visar Zhiti: Të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut, ja zhgënjimi për tre dekadat e demokracisë”

  1. Cifuti x says:

    Nuk kemi nevoj per romanca romantike romancjeresh te shekullit xax.
    Na duhet liri drejtsi prosperitet lumturi optimizem,gjera qe mungojn.
    Na duhet nder dinjitet…

    Se na myten kurvat bythqimt kriminelt mashtrusat..
    Sa per shpin.ka flejt posht ure ky n at koh qe prodhonte tulla?
    S ma ha mendja.
    Sot vdesin t pastreht nga t ftofti.
    Dikur s kishte t pastreh.
    T fuste shteti n streh.
    Po ky i perdredh fjalet si kurva bythet si ismail kadari vargjet..si dantella arixhofkash..

  2. eh, ç'tu theme says:

    Visari diku aty larte permendi dhe demshperblimin qe u kane dhe ne para qeverite e pas 1990-es, se ka punuar dhe s’eshte paguar! Visar! Ti dhe shoket e tu bete burg se u denuat per “fajet” qe kishit bere dhe kishit shkelur ligjet e shtetit, pavaresisht se çfare lloj shteti ishte komunist apo kapitalist. Po shkele ligjin, kudo denohesh, por pas permbysjes se atij sistemi, ju moret leke me thase ne miljona dhe ndertuat jeten tuaj duke nxjerre dhe kollen e burgut, ndersa une qe punova nje jete perjashta (lexo jo ne burg) ngela pa buke me gjithe femijet ne qeverine tuaj, pa shkele ligjet ne komunizem dhe as ne kapitalizme. Ngela i shushatur rrugeve se ne rruge me hodhi qeveria “demokratike” dhe mora femijet nen sqetull dhe ika rruge pa rruge deri edhe ne sakrifica qe mund te kisha humbur fare jeten si e humben nje pjese e mire e shqiptareve. Pra ju u futet ne burg dhe dolet e akoma degjojme kemboret tuaja qe dhe zute vendet e moret parate, ndersa une sot po zbardhem rrugeve te botes duke mos pase as oksigjenin timin e jo me prone e para ne vendin e stergjysherve te mi. Lexoj çdo dite ne gazeten onlinje dokumenta qe vjedh nga arshivat Dashnor Kaloshi dhe u merr parate i transformon si i do qejfi dhe ç’te theme: megjithate , te pakten heshteni se jeni bere te padururuar megjithe ato qe keni bere keto 28 vjet, me gjithe ato qe keni marre, nuk e di nga taksat apo kushedi se ku i gjene qeveria qe ua jep (pune e papunuar). Besoj se duhet te kete pak para dhe nga djersa ime qe kam punuar, e patjeter qe ka. Nuk me ngelet gje tjeter se boten sot e kane ne dore ata qe moren mundin e te tjereve dhe e ben kapital pêr vete ashtu si moret ju parate e taksapaguesve. S’ke ç’i ben: mos i kundershto te keqes me force se te perlajne. Kjo eshte koha qe prute, gjoja ju apo qe deshruat gjoja ju.

  3. Pokeristi says:

    Z.Zhiti !
    Njeriu e percepton te shkuaren te tanishmen dhe te ardhmen sipes indiviaulitetit te vet.
    Kur ky perceptim rezonon me ato te te tjereve,mund te themi se ay qe e shpreh me ze a me shkrim eshte me afer te vertetes,se shume shurdhememecer a te verber,qe tundin koken ne shenje pohimi a mohimi.
    Te lumte pena.Mbetesh aset i kombit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje