OSBE, një organizatë e vështirë dhe një presidencë po aq e vështirë shqiptare

Nga Zef Mazi

Kryesia e Radhës e OSBE-së në vitin 2020 është një nga ngjarjet më të mëdha në fushën politiko-diplomatike që i është besuar Shqiperisë pas mbarimit të Luftës të Dytë Botërore. Ky besim u dha megjithëse vendi ynë ndodhej para një krize tjetër politike, si shumë të tjera në këto 3 dekada. Kriza filloi një muaj pasi vendi ynë u be anetar i Trojkës së OSBE, që përbëhet nga kryetari i radhës aktual, nga kryesia që do të vijë pas një viti dhe nga ajo që sapo ka mbaruar. Vendi ynë do jetë anëtar i Trojkës në vitin 2021.

Të flasësh në hollësi për KSBE/OSBE-në, historinë e krijimit të saj, të inisiatorëve të këtij krijimi dhe arsyeve përse u ndërmor ai hap, do të duhen shume faqe gazete, ndoshta një libër. Shënoj vetëm se ish-Bashkimi Sovjetik, përmes Molotovit, ishte inisiatori për arsye që dihen, përmes një letre që ai i dërgoi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, i propozimit për krijimin e një organizate evropiane të sigurimit. Ajo filloi si konferencë (KSBE) që bënte mbledhje me tema të ndryshme në vende të ndryshme, në kohë të ndryshme, dhe u shndërrua në organizatë (OSBE) në Samitin e Budapestit në vitin 1994. (Autori ka qenë drejtues i delegacionit shqiptar në mbledhjen përgatitore të Samitit në Budapest). Po evitoj të analizoj edhe si e përse filloi dërgimi i misioneve në terren prej OSBE-së. Po prek vetem disa pika që ka rëndësi të njihen nga kryesia e radhes, sepse ajo do të drejtojë OSBE-në.

OSBE është një organizatë e vështirë, thellësisht politike. Ajo operon në ambjent tepër të ngarkuar politikisht. Aty trajtohen një sërë çështjesh rreth të cilave qëndrimet e shteteve pjesëmarrëse janë mjaft konfliktuale, deri dhe totalisht kundërshtuese, si situata në Ukrainë, konflikti në Nagorno-Karabah, Transdniestria, të drejtat e njeriut, çështje politiko-ushtarake, misionet në terren, si në Ukraine, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, çështjet ekonomike, partnerët e Mesdheut, të Lindjes së Largme, etj.

Sot operojnë 16 misione dhe zyra të OSBE-së në vende të ndryshme. “Misionet e OSBE-së dërgohen për të ndihmuar, për të monitoruar, ato janë të nevojshme, etj.,“  degjohet të thuhet shpesh. Ato kanë dhënë dhe japin një lloj ndihme në disa drejtime. Siç ka një fillim, kjo ndihmë duhet të ketë edhe një mbarim. Pavarësisht si justifikohen misionet, fakt është se aty ku ka misione situatat nuk janë pozitive, ato vende kanë probleme. Prania e OSBE-së me misione apo zyra është si ajo “drita e kuqe“ që tregon se këtu ka diçka të ndezur, me defekt.

Mandatet e misioneve janë formuluar në mënyrë të tillë për të qenë sa të jetë e mundur si një “xhaketë e gjërë“. Kësisoj ato mund të përdoren lirisht për “sa më shumë çështje“ nga OSBE, domethënë nga shtetet me zë të fortë në të, si edhe nga shtete të veçanta të akredituara në vendet ku operojnë misionet. “Menuja“ e mandatit përmban një listë të gjatë çështjesh që, në shumë raste, sa vjen e zgjatet, sepse e lejon mandati, “xhaketa e gjërë“.

Vetë OSBE nuk ka kapacitetet dhe ekspertizën për t’i zbatuar të gjitha pikat e këtyre mandateve. Ajo mbeshtetet tek vendet pjesëmarrëse që kanë mundësi dhe interesa dhe që ofrojnë anetarë për misionet, si staf i kontraktuar nga OSBE-ja, ose të “sekonduar” (rasti ku vendi përkatës merr persipër shpenzimet/rrogën për personin që dërgon në mision OSBE-ja,  dhe ku Sekretariati kontribuon me shpenzimet ditore).

Interesi i këtyre vendeve, kombinuar edhe me interesin e atyre që janë punësuar/futur në staf, bën shpesh të thuhet “ka ende shumë punë për të bërë, mandati nuk është plotësuar ende, bile duhen shtuar edhe disa çështje të tjera, etj.“. Duket banale por kështu është. Kësisoj  mandati bëhet i stërzgjatur, stafi vazhdon punën e trajtimin, puna në një numër aspektesh bëhet gjithnjë e me qesharake, kontributi le për të dëshiruar, etj.

Kurse vendet e mençura dinë çfarë bëjnë. Ato veprojne ndryshe me këto mandate. Sa herë dhe për çdo fushë ku vendi ecën perpara, ato luftojnë dhe e heqin çështjen nga mandati dhe nuk pranojnë presionet që ajo që hiqet, të zëvëndësohet me një çështje tjetër. Kështu, ato vende heqin çfarë është për t’u hequr dhe shkurtojnë buxhetet. Për pasojë edhe prezencën e organizatës në vendin përkatës. Për shembull, Kroacia, një vend mik, komshi dhe mjaft bashkëpunues e ndihmues, ka pasur mision të OSBE-së për vite. Me punën dhe këmbënguljen e Kroacisë, pavaresisht presioneve, mandati i këtij misioni erdhi gradualisht duke u tkurrur deri sa ai u mbyll. Vetëm atëhere Kroacia u tha se ishte gati dhe u mor vendimi të pranohej në BE (pasi u zgjidh edhe ngërçi me Slloveninë dhe u ra dakord nga Spanja dhe Polonia për një çështje tjetër). Eshtë interesant të dihet se në asnjë vend të BE-se nuk ka missione të OSBE-së, ato nuk lejohet të dërgohen atje edhe pse në disa vende do të ishte plotësisht i justifikuar dërgimi i një misioni, qoftë edhe fakt-mbledhës.

Ndërkohe, Prezanca e OSBE-së në vendin tonë ka një mandat që është rishikuar e ndryshuar, sa ishte e mundur, në vitin 2003, por që vazhdon të operojë me të edhe sot. Vallë vendi nuk ka bërë përpara në asnjë fushë në 16 vjet?! Nga referimet e kryetarit të Pranisë të OSBE-së në vendin tonë nuk mund të mos mendoj: të jetë e vërtetë kjo? Vërtetë e beson ky zotëri atë që thotë, me seriozitet e ka? Vërtetë ai dhe Prezenca kanë këto aftësi të mëdha të drejtojnë një vend të tërë? Kur qënkan kaq të zotët, përse nuk thirren të kontribuojnë në vendet e tyre?! Duhet të dihet mirë edhe se OSBE-ja nuk emëron ”ambasadorë“ në asnjë mision në terren. Ajo nuk e ka këtë tagër. OSBE thjesht cakton/dërgon Kryetar misioni, zyre apo prezence. OSBE është vetëm organizatë rajonale në kuadër të Kapitullit 7 të OKB-së, dhe NUK ka personalitet juridik!

Eksperienca e shumë kryetarëve të Prezences deri tani ka treguar se kur mbarojnë mandatin ata nxirren në pension, ose i jepet një pune diku në një qoshe (qoftë edhe ambasador) deri sa të mbushin moshën e pensionit. Por në asnjë rast, deri tani, atyre nuk u është besuar të drejtojnë një ministri, lere pastaj një vend të tërë, siç ndodh tek ne!

Shqipëria do të marrë së afërmi Presidencën e OSBE. Kryesia jone e Radhes, Kryetari i Radhes, do të duhet të merret direkt me të gjitha misionet në terren, të dijë mirë zhvillimet e tyre, ngërçet aktuale e pozicionet e shteteve, dhe të japë udhëzime e drejtim politik për të gjitha këto probleme. Kriza të tilla, si ajo në Ukrainë, Nagorno-Karanbah, Gjeorgji, Transdniestra, etj., janë tepër të komplikuara. Ato nuk ka qenë e mundur të zgjidhen deri tani nga vendet e mëdha e të fuqishme! Si e me çfarë do të kontribuojë Kryetari yne i Radhes në shtensionimin apo zgjidhjen e këtyre krizave, siç thotë ai vetë, duke ”qenë aktiv“, kjo mbetet për t’u parë! Çfare do të thotë ”me qenë aktiv“?!

I njeh Kryetari yne i Radhes mandatet e këtyre misioneve, pikat kyçe të tyre, zbatimin e tyre, qëndrimet e shteteve rreth tyre, etj.? Sot bëhen një numër mbledhjesh çdo jave në OSBE në Vjenë. Për t‘i drejtuar ato mirë duhet përvojë e gjate diplomatike, duhet kompetence e madhe në organizata ndërkombëtare. Kryesia do të drejtojë dhe japë orientim politik në të gjitha këto mbledhje, por edhe tek misionet. Shtoj se në vitin 2020 do të zgjidhen edhe katër drejtues të institucioneve të OSBE-se; do të zëvëndesohen ose riemerohen, mos gaboj, 8 nga 16 kryetarët e misioneve në terren. Në vitin e kryesisë tonë të radhës do të diskutohet dhe miratohet edhe buxheti i organizatës. Puna e Kryesisë kulmon me mbledhjen e Ministrave të Jashtëm në vendin e Kryesise, nga fundi i vitit të kryesisë.

Kryesia e Radhës e një organizate si OSBE-ia nuk është as lojë volejbolli, as basketbolli. Kryetari i Radhës, Ministri i Jashtem ose ndihmësit e tij, do kenë vështirësi të mëdha në kryerjen e këtij roli nëse ai nuk merret tepër seriozisht. Ministri i Punëve të Jashtme është vetem Kryetar i Radhes, jo ”president i OSBE-se“, sepse OSBE-ja nuk ka president. Ai që ”ngarkohet me detyrën e ministrit“ nuk mund të jetë i ngarkuar përherë dhe për çdo aspekt, ai nuk mund të jetë Kryetar i Radhës. Praktikat diplomatike të njohura ndërkombëtarisht dhe konventat përkatese bëjnë të qartë për sa kohë dhe për çfarë çështjesh specifike, të përcaktuara qartë, mund të jetë një ”i ngarkuar“. Kryeministri/ ministri ynë i jashtëm nuk i ditka këto! Përdorimi i kësaj terminologjie tregon sa bosh tingëllon ena.

Duket se deri tani nuk po kuptohet drejt rëndësia, vështirësitë dhe kompleksiteti i punëve politike, diplomatike dhe drejtuese të Kryesisë të Radhës. Në Vjenë ka filluar të dëgjohet shqetësimi se cili do të jetë kryetar i radhes në vitin 2020, cilin numër telefoni të Kryetarit të Radhës do t‘u japë Shqiperia Ministrave të Jashtëm të 57 vendeve pjesëmarrëse në OSBE?! Ky shqetesim mendoj se mund të jetë ngritur edhe në Tiranë nga vizitorë të ndryshëm të nivelit të lartë.

Këto vite, si në Trojkë, ashtu edhe në Kryesinë e Radhës, kërkohet impenjim maksimal politik, eksperiencë dhe kompetencë të madhe diplomatike, administrative dhe financiare. Po ashtu, qëndrimet e shteteve, dinamikat politike dhe veçanërisht puna drejtuese në diplomacinë shumëpalëshe në një organizatë kaq komplekse sa OSBE-ja, kërkojnë kompetencë të lartë profesionale.

Misioni i Përhershem në Vjenë, me moshë mesatare të re, me eksperienca të vogla, ose pa të tilla fare, në diplomaci në përgjithësi, dhe në atë shumëpalëshe në veçanti, kam frikë se do hasë vështirësi të mëdha. Sa me lehtë e përciptas të shihet dhe justitikohet kjo punë, aq më shumë vështirësi e të papritura mund të dalin përballë.

Të papriturat duket se kanë filluar: një zëvëndës-titullare e Misionit, e re ne moshe dhe pa përvojë diplomatike, u ”parashutua“ në këtë post në Mision para disa muajsh nga një organizatë ku ishte konsultente. Nuk dihet si dhe përse u bë kjo zgjedhje! Pak ditë më parë mësohet se ajo u largua papritur nga Misioni, pavarësisht se ishte prezantuar si zëvëndëse tek Misionet e tjera. Vetëm një shembull, por që tregon, flet qartë.

Çështjet përballë Kryesisë janë mjaft serioze, por duket se merren me shumë (mendje)lehtësi, aspekte që janë mjaft të komplikuara dhe me histori të gjatë. I duhet venë gishti kokës, duhet thelluar mirë, duhen kuptuar dhe lexuar drejt situatat, nuk duhen dëgjuar fjalët e bukura dhe siperfaqësore. Duhet bërë ç’është e mundur që të njihen vështirësitë reale, duhen të dëgjohen ekspertët kompetentë, me përvoje dhe te merren masat sa ka ende tre muaj para fillimit të kryesisë, për të rergulluar cfarë mund të rregullohet.

Kryesia nuk është çështje individësh, cilëtdo qofshin ata. Ajo është problem madhor kombëtar, sepse kryesia i besohet vendit! Ajo ose kryhet me dinjitet dhe sukses, si i ka hije çdo impenjimi të tillë, ose vendit mund t’i vihet një njollë që do ta shoqëroje gjatë. Kjo duhet evituar me çdo kusht. Nesër mund të jetë tepër vonë!

(Zef Mazi, diplomat karriere, për shumë vite shef-misioni/ambasador i RSH në OSBE, ka shërbyer në Sekretariatin e OSBE-së; per shume vite ai ka qenë Asistent Special i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore për Strategjinë.)

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “OSBE, një organizatë e vështirë dhe një presidencë po aq e vështirë shqiptare”

  1. Jimi says:

    Ka nje paradoks!? Shqiperia nuk eshte e denje te futet ne Europe, por qenka e denje per te dretuar OSBE-ne ne 2020-en!? Rrefuzojeni kete pafytyresi europiane!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *