"Vetëvendosje e Kurtit t’i ndalë militantët që kërcënojnë me internim njerëzish, nëse s'heq dorë nga këto metoda të papranueshme shpejt do t'ia hajë kokën vetes"

9 Tetor 2019, 17:23Rajoni TEMA

Pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës do duhej shpallur zgjedhje edhe në komunat e Prishtinës dhe Kamenicës. Duhet legjitimitet i ri. Jo akrobacione të së kaluarës. Njëkohësisht udhëheqja e VV-së ka obligim t’i ndalë militantët që kërcënojnë me internim njerëzish, sepse nëse VV nuk heq dorë nga këto metoda të papranueshme, ajo shpejt do t’ia ha kokën vetes, më shpejt se që ia dëshirojnë edhe armiqtë më të mëdhenj.

Nga Enver Robelli 

Rrethanat se si ndodhi prishja e Shpend Ahmetit dhe grupit të tij me Albin Kurtin dhe përkrahësit e tij ndoshta do të merren vesh një ditë.

Por largimi i ithtarëve të Ahmetit nga VV duke i mbajtur njëkohësisht mandatet e deputetëve (12 sish!) ka qenë problematik kur ka ndodhur dhe nga perspektiva e sotme rezulton të jetë edhe më problematik. Rrjedhimisht, pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës do duhej shpallur zgjedhje edhe në komunat e Prishtinës dhe Kamenicës. Duhet legjitimitet i ri. Jo akrobacione të së kaluarës.

Dy kryetarët aktualë po mbajnë mandate të fituara me një parti tjetër. Dhe kjo nga pikëpamja demokratiko-politike është fatale.

Shpend Ahmeti dhe ithtarët e tij thanë se mandati nuk është i partisë, sepse e kanë marrë nga populli, nga votuesit. Mirë. E ku ishte populli këtë të diele? Ku ishte që i harroi krejt 12 deputetët e PSD-së, pardon 12 deputetë me etiketë socialdemokrate dhe me mandate të fituara me logon dhe programin e VV-së, për të cilin – këtë duhet pranuar! – edhe grupi i Shpend Ahmetit ka dhënë kontributin e vet?

Këtë kontribut të të ikurve disa në VV nuk e çmojnë se i ka dalldisur e verbuar fakti që partia e tyre doli e para në zgjedhjet e së dielës. Por shpejt vjen testi i realitetit dhe nga premtimet fluturuese mund të mos mbesë gati asgjë. Kërcënimet se do ta internojmë dikë në Suedi apo në Amerikë flasin për një axhamillëk toksik – dhe tipa të tillë duhet t’i ndalë Albin Kurti.

Nuk mund të fshihet ai pas arsyetimit për «lirinë e shprehjes» e broçkulla të tilla. Liri e shprehjes nuk është kërcënimi. Albin Kurti si lideri politik më i votuar duhet të ndërhyjë menjëherë. Sepse po nuk ndërhyri, brigadat për njollosje e kërcënime do të vazhdojnë luftën e tyre aty ku e kanë lënë para disa vitesh.

Ndoshta disa që të dielën pësuan debakël me siglën PSD vërtet kanë qenë të shtyrë të ikin nga VV për shkak se nuk kanë mundur t’i durojnë militantët që shkonin edhe para dyerve të ndonjërit dhe vizatonin në asfalt parullën «tradhtar». Kjo ka qenë e papranueshme dhe nëse VV nuk heq dorë nga këto metoda, shpejt do t’ia ha kokën vetes, më shpejt se që ia dëshirojnë edhe armiqtë më të mëdhenj.

Kosova të dielën votoi për ndryshim të kursit dhe kulturës politike. As nuk votoi për një profet, as për mesia, as për mbinjeri.

Një përkrahës i VV-së kishte shkruar se tani mileti do ta shohë se çka do t’i bëjë Albin Kurti presidentit serb? Kështu flasin militantët e indoktrinuar pa asnjë sens për realitetin. Thua se dialogu është një ndeshje boksi e klubit të Prishtinës kundër ndonjë klubi jugosllav me emrin Radniçki.

1 komente në ““Vetëvendosje e Kurtit t’i ndalë militantët që kërcënojnë me internim njerëzish, nëse s’heq dorë nga këto metoda të papranueshme shpejt do t’ia hajë kokën vetes””

  1. SHKELZENI says:

    ALBIN KURTI KA FITUAR ZGJEDHJET POR JO QEVERINE
    KEMI NJE PUBLICITET MEDIATIK ME TE MADHE SE SA VETE REZULTATI I TIJ 25 %
    C MUNDE TE THUHET PER RAMEN QE FITOJE 49 % ?
    HÉRO I PA ARITSHEM LEGJENDAR CFARE ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje