Vrasja e Santiago Malkos, arrestohet “gabeli” i klanit “Duka” Elvis Gaçaj

Policia e Durrësit ka arrestuar një natë më parë, pak pas mesnate, ka arrestuar Elvis Gaçajn, person i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos në kryeqytet.

Ai fillimisht i ka bërë rezistencë Policisë duke i ikur disa postblloqeve. Në momentin e arrestimit ai ka qenë edhe i armatosur me një armë pa leje.

Emri i tij nuk është i panjohur për autoritetet. Gaçaj është cilësuar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë. Në prill të vitit 2018 ai bashkë me persona të tjerë u arrestuan në afërsi të shkollës “Partizani” në Tiranë.

Policia në atë kohë tha se ata po  bëheshin gati të kryenin një atentat, pasi u kapën me një pistoletë pa leje. Por nuk dihet se si ata kanë arritur t’i shpëtojnë drejtësisë.

Ai ishte një prej tetë personave të shpallur në kërkim për këtë vrasje dhe dyshohet se ka qenë tepër aktiv në vrasjen e ish-efektivit të Policisë Malko.

Në burg për këtë vrasje vazhdon të mbetet Blendi Teta, për të cilin Prokuroria ka kërkuar ndryshimin e akuzës nga “pengim i zbardhjes së të vërtetës” në “përfshirje në vrasje”. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, Policia bën me dije se së bashku me Gaçajn është arrestuar edhe një person tjetër, shtetasi me iniciale K.D, me precedentë të mëparshëm penalë.

Forcat blu kanë rënë në gjurmët e të ndaluarëve, pasi ka marrë informacionin se këta persona lëviznin me armë zjarri pa leje, që shërbeu për nisjen e një operacioni të koduar “Taulantia”.

Gaçaj dhe i arrestuari tjetër, kanë refuzuar të ndalojnë në postbllokun e ngritur nga Policia, duke mos pranuar që t’iu nënshtroheshin kontrolleve. Personi që shoqëronte Gaçajn, ka hedhur armën e zjarrit, një pistoletë CZ Ceke, dhe ka tentuar që të largohet. Pasi janë arrestuar, atyre iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pa leje, fishekë dhe makina tip “BMW”.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri pa leje.

Gjatë operacionti policor të koduar “Taulantia”, Policia kap dhe arreston dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje.

Njëri prej tyre, i cili kishte dhe armë zjarri me vete ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariati i Policisë Durrës, në vijim të planit për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga Strukturat Policore se dy shtetas lëviznin me një automjet me armë zjarri me vete kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Taulantia”.

Shërbimet e Policisë në rrugën “Taulantia” kanë bërë të mundur identifikimin e mjetit që lëviznin presonat e dyshuar, automjet i cili kryente manovra të dyshimta në rrugë.

Duke marrë parasysh informacionin e marrë se në këtë mjet mund të kishte persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Policia ka ngritur një perimetër të gjërë rrethimi për kapjen e tyre.

Drejtuesi i automjetit sapo ka parë Policinë është larguar me shpejtësi së bashku me pasagjerin dhe gjatë largimit pasagjeri, i cili ishte dhe me masë sigurie “Arrest në shtëpi” ka hedhur në rrugë një armë zjarri pistolete me fishekë.

Policia ka bërë të mundur bllokimin, neutralizimin dhe kapjen në flagrancë të shtetasve E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe K. D., 34 vjeç, banues në Durrës. Shtetasi E.G., pasagjer në mjet është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë për veprat penale kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu ka qenë në masë sigurie ” Arrest në shtëpi” për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Ndaj tij janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Shtetasi K. D. është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe armëmbajtje pa leje. Ndaj tij janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale “Moskallëzimi i krimit “dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë CZ çeke, dy krehëra me 26 fishekë kalibër 9 mm dhe automjeti tip BMW. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

Kush është Elvis Gaçaj?

Gaçaj rezulton person me precedentë penalë, pasi është përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale. Në Prill të këtij viti, ai është arrestuar së bashku me Leonard Dukën në Tiranë, ndërsa armën e hodhën nga ballkoni i banesës sapo konstatuan policinë.

Në vitin 2015, Gaçaj ka qenë objektiv i një atentati te “Lulishtja 1 Maji”, në kryeqytet, ku u vranë dy persona, ndërsa ai mbeti i plagosur. Në këtë atentat, mbetën të vdekur gabimisht shtetasit Aurora Oskain dhe Kevin Rugova, ndërsa shpëtoi shoqja e Aurorës, Eda Gjura.

Sipas autorëve, shkaku i konfliktit mes tyre ishte sepse disa muaj para ngjarjes, i arrestuari në aksionin e sotëm, Elvi Gaçaj, u kishte propozuar që të punonin për të për të shpërndarë drogë, hashash, në zonën e Tiranës së Re dhe kompleksin sportiv “Dinamo”.

Gjithashtu, 44-vjeçari akuzohet dhe si personi që dispononte dhe financonte parcelat me hashash në zonën e Shëngjergjit. Elvis Gaçaj, 44 vjeç, brenda viteve 2013-2015 u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Në atentatin e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu. Gaçaj akuzohet se ka kryer një vrasje në vitin 1992 dhe një plagosje në vitin 2008.

1 komente në “Vrasja e Santiago Malkos, arrestohet “gabeli” i klanit “Duka” Elvis Gaçaj”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *