Kokaina në banesën e Bledar Toçit, flet nëna e tij: Është e të atit, e përdorte për dhimbje koke

17 Tetor 2019, 20:20Kronika TEMA

Nëna e Bledar Toçit rrëfen në një intervistë për Top Channel prapaskenat e ngjarjes që tronditi një javë më parë Kavajën; kontrollin policor, dozat e kokainës që u gjendën në apartament dhe marrëdhënien e të birit me viktimën dhe Marsidën që u shndërrua në protagoniste të një ngjarjeje ende me shumë pikëpyetje. Disa prej të cilave i ngre dhe vetë Fatbardha Toçi, dy djemtë e së cilës janë nën arrest.

“Po të ishin në grup, në lidhje, si do të jetonim në këtë shtëpi 50 m2? Ai ka qenë në shtëpi me qera në Tiranë 10 vjet dhe erdhi këtu se nuk i dilte. Gruaja i iku në Itali me djalin se ka prindërit dhe Bledari do të ikte, po po priste të bënte dokumentacionin. Është thënë se është në atë punë prej xhaxhait të vet deputet, po Bledari është i përgatitur me 3 fakultete. Bledari është pa shtëpi. Jeton këtu me ne. Ka punuar te Presidenti, në Gardë… Nëse do të merrej me këto që thuhet si do të merrej në ato pozicione pune?!”,- shprehet Fatbardha.

Si nënë, ajo ka frikë se e gjithë “zhurma” mbi Bledarin dhe rolin e tij në ngjarje mund të ndikojë për keq në shëndetin e të birit.

“Them se mund të kalojë në depresion me këto që po i vejnë. Nuk na lejojnë ta takojmë përditë po të dhënat i kemi marrë nga mjeku që është më mirë. Tani e kanë dërguar në QSUT te Spitali i Burgut, ndërsa djali i vogël është në Peqin. As me të nuk kemi folur”, shprehet nëna e Bledarit.

Jehonën e gjerë dhe debatet e shumta që zgjoi ngjarja e trajtuar fillimisht si një krim pasioni e më pas si vepër e një grupi të strukturuar kriminal, Fatbardha e lidh me një sulm politik ndaj të birit si pjesë e strukturës shtetërore, ndërsa  foton e Bledarit me viktimën e konsideron një montazh, një manipulim mediatik, pasi ata, sipas saj, nuk e njihnin njëri-tjetrin.

“Si nënë nuk e besoj që kjo të jetë e vërtetë, them se u bë kaq mediatike për arsye politike. Meqë ka detyrën si person publik i shtetit. Këtu sulmohen gjithmonë ata që janë në punë dhe jo ata që rrinë nëpër rrugë. Nuk e besoj që Bledari të ketë foto me viktimën. Është një montazh, një bashkim fotosh për të bërë lidhjen mes tyre. Ai ka qenë person i dënuar”, thotë ajo.

Lidhur me gjetjen e dozave të kokainës në apartamentin e tyre, ajo i qëndron deklaratës së bërë nga avokati i djemve se ato përdoreshin nga bashkëshorti për arsye shëndetësore.

“Në shtëpi u gjendën 7 doza të vogla që i përdor burri im si qetësues për dhembjen e kokës. Ai i ka siguruar vetë ato diku në Laprakë. Tani vonë i ka filluar se nuk po i duronte dot dhembjet e kokës. Ka pësuar një aksident të rëndë dhe e ka jetë të dytë këtë”, tregon Fatbardha.

Që nga dita kur ndodhi ngjarja Fatbardha nuk ka dalë më nga shtëpia. Ndjehet nën presion ndaj i bën thirrje medias të presin përfundimin e hetimeve, para se të aludojnë dhe të përflasin familjen e saj.

Me lot në sy, ajo ngre pyetjen pse policia nuk e kapi më parë viktimën, një person problematik dhe në kërkim, po lejoi që të ndodhte ngjarja e rëndë, teksa shpreh bindjen se i biri e kreu vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes.

“Dihet kush është ai që u vra. Le ta merrte policia në dorë. Pse e la atë?! Pse e akuzojnë Bledarin pse e vrave?! Po vetëmbrojtje është. Kushdo që ka përballë një që do ta gjuajë si do të reagojë?! Do të mbrosh veten përballë një krimineli. … Ne nuk e kemi pasur e as do ta kemi këtë traditë të vrasjes. Ishte aksidentale. Ai u mbrojt”, shprehet nëna e policit.

1 komente në “Kokaina në banesën e Bledar Toçit, flet nëna e tij: Është e të atit, e përdorte për dhimbje koke”

  1. Fortunato says:

    Sa per rastin e vetmbrojtjes e Bledarit, nenes jap shume te drejte Kushdo qofte si ne momentin e Bledarit te njejten reagim do te bente Ku eshte pare dhe degjuar aq me teper ne Shqiperi qe personi te vjen drejte me bresheri plumbash per te marre jeten dhe mbrojtesi ne fjale nuk duhet te reagoje Kjo ndodhi duhet te mbyllet me denimin maksimal te zonjes x qe me lojen e saj te rrezikshme per interesat dhe qellimet e saja solli kete tragjedi Ligjet kundra ketyre femrave imorale duhet te jene te ashpra sepse ne Shqiperi po bien shpesh shume viktima te ksaj lloji trgjedie me keto mostra k….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje