Laviret mos i kërkoni mes hallexheshave

17 Tetor 2019, 10:35Blog TEMA

Nga Çapajev Gjokutaj

Dje dita dhe një pjesë e natës më ikën rrugëve, një sebep në Vlorë, ndaj afërmesnate, në pritje të gjumit klikova nja dy media online të merrja vesh lajmet.

‘Ekzekutoi dy prostituta, u arratis nga burgu italian’, thoshte titulli i njerit. I hedh një sy dhe marr vesh se dy vajzat fatkeqe po bëjnë gati dy vjet që hanë dhé, po lajmi i kujton vetëm si prostituta.

Mendja e lodhur gjen sebep të arratiset dhe kujtoj gjetjen e një sociolinguisti: pothuajse të gjitha gjuhët kanë një mori sinonimesh për femrat e përdala, por fare pak për meshkujt kuvarë.

E njëjta gjë ndodh edhe me shqipen, them. Besnikëria në lidhjet burrë – grua është normë morale për të dyja gjinitë. Por ligjërimi diskriminon dukshëm gratë dhe vajzat. Për burrin përdor 3-4 emra me ngarkesë negative, të tipit: pusht, kurvar, gruar e ndonjë tjetër.

Për gruan ka një lumë syresh si: kurvë, putanë e prostitutë; e përdalë e bishtdredhur; buçe, dosë, xhadë e zuskë; kuçkë, lavire, breklëshuar, shkërdhatë etj. etj.

Ngjan se, si shoqëri kemi patur frikë se po të qenë vetëm dy a tre fjalë përkeqësuese do të humbisnin ngarkesën e do të topiteshin.

Vështirë të thuash pse, kur është fjala për marrdhënie jashtë një lidhjeje, gratë pandehen më të gatshme se burrat. Mund të jetë e kundërta, se dhe mentaliteti priret të mbyllë një sy për burrat.

Atëhere pse nxitojmë që të demonizojmë gratë e të lemë në hije burrat?

Mbase kjo është dëshmi se patriarkati e ka sanksionuar këtë normë favorizuese për burrat, nga që janë më të pushtetshëm e më të zotë.

Mbase dëshmon se gruaja shihej thjesht si mall e fabrikë fëmijsh që pa besnikërinë dhe ndershmërinë zhvleftësohej, madje bëhej edhe e rrezikshme.

Por mbase ka dëshmuar e dëshmon se, prej natyre, një pjesë e burrave priren të jenë të dobët, dyshues, frikacakë e gjithë komplekse.

Në këto rrethana kemi krijuar një varg të pasur sinonimesh për gruan jdhe i përdorim jo thjesht si fjalë, por si set thikash që duhen mbajtur kurdoherë të mprehura, kurdoherë në gadishmëri.

Bëj t’i ikij meditimit e të kthehem te leximi. Tre katër tituj pas lajmit të parë has një tjetër, po me prostitutë, por kësaj here të gjallë.

Agjenti i një emisioni informativ duke bërë pazar me një vajzë që urdhërohet nga një tutor, merr vesh se kjo s’është veçse 16 vjeç, ka lindur një fëmijë dhe me paret që nxjerr ndihmon edhe familjen. I bie t’i ketë hyrë kësaj rruge minimumi kur ishte 14 vjeç.

Vetëm halle të mëdha dhe ca batakçinj e të pashpirt mund të detyrojnë një kërthi akoma buzëqumësht të shesë trupin, të tjetersojë ndjenjat dhe ta përmbytë jetën e vet intime me vulgaritet e shitjes së mishit të bardhë.

Por opinioni s’e ka për gjë që edhe kësaj të gjore t’i ngjisë damkën e prostitutës dhe ta shpotisë e lanisë në thikat e sinonimeve lavire, shkerdhatë etj. etj.

Është e vërtetë, rreth e rrotull kemi shumë vajza që shesin trupin, por kemi akoma më shumë njerëz që bëjnë tregti e s’pyesin për ndjenja, dinjitet e ideale. Dhe s’dihet cila palë prostituon me të vërtetë. Gjithsesi mos u lodhni t’i gjeni prostitutat tek hallexheshat që detyrohen të shesin trupin.

Bëj një tjetër përpjekje t’i iki meditimit dhe të përqendrohem tek leximi. Pa kaluar 5 – 6 minuta has një lajm tjetër, që kullon sensacion dhe perversitet.

Gjykata e Lezhës ka dënuar një të moshuar, 75 vjeçar se ka abuzuar me një vajzë të sëmurë mendore. Lajmi shton se familja e vajzës është në hall të madh, të tri vajzat e shtëpisë, të gjitha me probleme të shëndetit mendor, tani janë rritur dhe herë pas here abuzohen seksualisht. Madje kanë vuajtur edhe raste shtatzanie.

Ndjej krupë e ngjthje mishi dhe kujtohem se leximi i këtyre deli lajmeve ka bërë të kundërtën, gjumi është arratisur. Gjete me se të përgjumesh, i hakrrehem vetes dhe sakaq nis e vras mendjen pse në lajmet që i percillen pérditë publikut ka aq shumë vrasje, vjedhje, abuzime seksuale, perversitete e lapërdhi.

Nga që i kemi me shumicë apo nga që gjenden lehtë, shprehin një gjendje të rënduar sociale apo dembelllëk gazetarësh e papergjegjshmëri redaksish?

U ikij këtyre hamendjeve si dora thëngjillit se në të kundërt do ta gdhij. S’di sa kohë kalon dhe në gjumë më del e sëmura mendore. Bën të vëjë në gji foshnjën po ngerdheshet dhe e le mbi stolin e lulishtes për ta mbajtur larg jargëve të të moshuarit.

Hap sytë, ndjej neveri deri te flokët dhe thonjtë dhe them me vete se përreth kemi shumë të lojtur dhe akoma më shumë të papergjegjshëm e abuzues. Bëni mirë që edhe këta të mos i kërkoni mes të sëmurëve mendorë

4 komente në “Laviret mos i kërkoni mes hallexheshave”

  1. Neutrino says:

    I nderuar Çapajev (emër i kthyer edhe në gjuhën shqipe, ndoshta duke filluar nga vitet e dashurisë me Bashkimin Sovjetik, në një simbol të një djali trim, të shkathët, azgan, etj. sipas bëmave të heroit rus Çapajevit).
    Tema që ti kap është nga pikat më delikate të shoqërisë shqiptare. Thembra e Akilit e një shoqërie të emancipuar. Revolucioni pa kokë e pa ideale i të ashtuquajturës demokraci pas vitit 1990, përzjeu si një garuzhde e madhe kazanin shekullor moral të shqiptarëve dhe nxorri nga fundi i tij llumin më të paimagjinueshëm për një komb që me shekuj jetonte midisi ideologjive dhe moralit të importuar nga kultura të ndryshme që tashmë dihen.
    Problemi më i madh dhe që kërkon një angazhim rrënjësor të shoqërisë, është roli i vetë gruas në këtë xhungël morali apo më mirë në këtë shkretëtirë sipas filmave “Mad Max”. Janë vetë gratë shqiptare që nuk arritën të krijojnë vizionin e tyre për rolin që duhet të kishin në këtë shoqëri ku nuk vendoste më ideologjia e importuar komuniste. Instikti i mbijetesës i viteve 90-të ndoshta mund ta justifikojë çoroditjen dhe luftën për egzistencë duke përdorur të gjitha mjetet. Por tani, pas 30 vjetësh, kur të gjithë shqiptaret e shqiptarët e panë dhe e preken botën rreth tyre, nuk ka justifikim që niveli i diskutimeve vazhdon të jetë ai i mejhaneve. Një rol absolut vendimtar kanë gratë e përfshira në politikë. Ato kanë në dorë të ndryshojë ligje, të orientojnë politikën e shtetit, të ngrenë zërin në emër të vajzave dhe grave. Por, fatkeqësisht, janë pikërisht shumica e politikaneve shqiptare, ato që kanë dhënë kontributin e tyre tejet negativ dhe desktruktiv në shkërmoqjen edhe të atyre pak vlerave që e dallojnë një grua të civilizuar nga skllavet. Mënyra e tyre e jetesës, shëmbulli i tyre personal dhe manipulimi kriminal i kauzës së femrës shqiptare janë njolla më e pashlyeshme për shoqërinë tonë për të paktën edhe nja 50 – 100 vjet. Dhe e fundit. Roli i nënës. Gruaja si bashkëshorte dhe nënë ka çelësin e edukimit të shoqërisë. Por fatkeqësisht, si edhe në shumë fusha të tjera në Shqipëri jetohet me parimin e një proverbi afrikan “Gabimet janë si majat e maleve. Ne tregojmë me gisht majën e malit të tjetrit, hipur mbi majën e malit tonë”

  2. Durresi says:

    Hahahahahahaha… Sa medioker eshte kur kurvat duan te dukin si te mençura dhe te bejn moral. Moral qe pse te thyesh kastravec dite e nate nuk eshte qef dhe nje zgjedhje por eshte nje “Hall”. E si k’shu moj kurve me rrota! E pse femrat nga per shembull Bosnia, Maqedonia, Mali i Zi apo dhe Serbia e mos te themi femra Gjermane apo Franceze shkojn e pastrojn banjo neper Hotele dhe prostituta e kurva nuk behen kurre. Kurse nje pjese jo e vogel e femrave Shqipetare behen kurva dhe prostituta edhe kur kane mundesi te pastrojn banjo sepse k’to lloj femrash, per te ardhur keq, jane dhi te zgjebosura me bishtin perpjet. Pse? Sepse duan te duken sikur gjoja ia kane arritur qellimit. Po si! Duke shitur gjene me te shtrenjte qe ka nje femer. Nderin. Pamvarsisht se jane nena me femije, vajza te pjekura, apo dhe inteligjense pa pike turpi behen prostituta dhe kurva. Per fat te mire, shumica e femrave Shqipetare jane heroina te verteta te shoqerise dhe families Shqipetare dhe jo mendje lehta pa fije morali e principi si ajo pakice qe eshte jo e vogel ne popullin Shqipetare ne Shqiperi dhe ne bote. Zhgenjimi me i madh eshte se nuk jane vetem faktoret socio-economik qe i shtyjn ate pakice te femrave Shqipetare te behen kurva dhe prostituta. Por se ju pelqen. Kurse ky artikulli do te mbuloi m*tin me sh*rr. Kurvat dhe prostitutat jane kurva dhe prostituta dhe jo engjellesha.

  3. FLUTURA says:

    Shume shume bukur!
    Burrat jane pergjegjesit ne cdo rast. Nga ana tjeter gjykohet me shume gruaja, per faktin se ajo duhet te luaj rolin primordial, qe natyra ja ka caktuar. Gruaja eshte nena e familjes dhe e shoqerise. Po u shthur ajo njesoj si burri botes i vjen fundi, sic ne fakt po duket. Une jam nje cike me te vjetren….

  4. FLUTURA says:

    Gruaja gjykohet shume, sepse ajo eshte nena e femijes, e zonja e shtepise dhe e shoqerise…po u shthur ajo botes i vjen fundi…sic ne fakt po i vjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje