Drejtori i DASH paralajmëron Bashën dhe Kryemadhin: Tërhiquni nga rruga pa krye që po rrezikon progresin e vendit, urgjent dialog

18 Tetor 2019, 09:31Politika TEMA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dje një ultimatum të prerë opozitës që të ulet në tryezën e dialogut me socialistët. Deklarata ka ardhur nga drejtori për Ballkanin në DASH, David Kostelancik, gjatë një forumi të mbajtur në Beograd.

Ai ka qenë i prerë në deklaratën e tij, duke u shprehur qartë se edhe gjatë vizitës në Tiranë pak kohë më parë, ua ka bërë të qartë partive opozitare, se nuk ka rrugë tjetër veç dialogut. Ndërkohë pas takimit me të, Basha ka filluar të tërhiqet dhe çdo ditë që kalon ai jep sinjale dialogu.

Kostelancik e ka bërë të qartë se gjithçka duhet të nisë nga reforma zgjedhore. Sipas tij, opozita i ka hyrë një rruge që pengon progresin e vendit.

“Shkurtimisht mbi Shqipërinë. Ka një sërë çështjesh atje. Në Shqipëri ka shumë zhvillime që po ndodhin. Ne jemi të pakënaqur nga rruga pa krye që po rrezikon të pengojë progresin e këtij shteti. U kemi kërkuar të gjitha partive politike që të përfshihen në dialog.

Opozita, që tashmë e ka lënë Parlamentin, e ka një karrige të sigurt në tryezën për reformën zgjedhore. Gjatë vizitës time në Tiranë dhe liderëve të opozitës në Uashington, u kemi kërkuar atyre që të ulen në tryezë për të negociuar me mirëbesim në mënyrë që të arrihet përparimi i duhur”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, në fjalën e tij ai ka vlerësuar edhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke shtuar se këto të fundit i kanë dhënë shumë pikë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.

“Bie dakord me vlerësimin e Komisionit Europian. Dy shtetet kanë ndërmarrë reforma të mira dhe të domosdoshme për forcim të shtetit të së drejtës. Vendet kanë bërë progres dhe reforma domethënëse. Marrëveshja e Prespës është një shembull shumë i mirë”, tha drejtori i Ballkanit në DASH, David Kostelancik.

SHBA ka shprehur mbështetjen e plotë sa i përket Shqipërisë dhe rrugën për në Bashkimin Europian. “SHBA mbështet fort procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ne biem plotësisht dakord me vlerësimin e Komisionit Europian se të dy vendet kanë bërë progres në reforma domethënëse. Marrëveshja e Prespës është një shembull shumë i mirë”, ka deklaruar Kostelancik.

Ndër të tjera drejtori i Ballkanit në DASH David Kostelancik, ka folur edhe për procesin e integrimit në BE, duke u solidarizuar Shqipërinë, pasi e cilëson se kjo e fundit i ka përmbushur detyrimet për të hapur negociatat. Ai tha se vendi ynë ka hedhur themele solide për të vazhduar reformat e tyre për hapjen e kapitujve kryesorë. Ai kërkoi që të nisin goditjet ndaj korrupsionit.

“Ne mendojmë se këto vende kanë hedhur themele solide për të vazhduar reformat e tyre për hapjen e kapitujve kryesore. Pa marrë parasysh vendimin që do merret këtë javë ne do të vazhdojmë të nxisim Shkupin dhe Tiranën që të ecin përpara me reformat që forcojnë shtetin e së drejtës, për të luftuar korrupsionin dhe çimentojnë qeverisjen demokratike.

Do të konkludoja duke thënë se këto kanë qenë hapa vërtet kurajoze që janë ndërmarrë nga të dy vendet, veçanërisht nga Maqedonia e Veriut. Ne shpresojmë që Bashkimi Europian do të bëjë një lëvizje drejt këtyre vendeve ashtu siç kanë bërë ato duke ecur drejt Bashkimit Europian”, tha ai.

Ndërkohë që më herët edhe Mathew Palmer, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor ka bërë thirrje që opozita dhe mazhoranca të ulen në tryezën e dialogut. Palmer ka kërkuar që palët të angazhohen në një dialog konstruktiv në lidhje me reformën zgjedhore.

Ne do të donim që ngërçi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike“, ka thënë Palmer.

1 komente në “Drejtori i DASH paralajmëron Bashën dhe Kryemadhin: Tërhiquni nga rruga pa krye që po rrezikon progresin e vendit, urgjent dialog”

  1. Zigur Qarri says:

    Te ulen ne tryezë me drogaxhiun skizofren Edvin Escobar D’Rama ,qe tallet me Shtetin,ligjet dhe shqiptaret?!
    Per Edvin Escobar D’Ramen,karrikja elektrike eshte pak.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje