Reforma, drejtësi mbi drejtësinë dhe “çekani” SPAK mbi kokat e të korruptuarve

Reforma në drejtësi erdhi si një rreze shprese në “qiellin e errët” të mbushur me padrejtësi, me emër, firmë dhe vulë, falë çekiçit të drejtësi.

Në mesnatën e 22 korrikut të vitit 2016, deputetët e mazhorancës dhe opozitës të vënë në rresht, tashmë jo nga lideri i tyre partiak respektiv, por nga faktori ndërkombëtar votuan këtë reforma kaq të rëndësishme dhe të nevojshme për shtetin shqiptar.

Reforma në drejtësi u parapri nga debate të forta, për më shumë se një vit dhe u asistua nga ekspertë të Euralius OBDAT dhe Komisioni i Venecias. Miratimi erdhi pas ndërhyrjes dhe ndërmjetësimit të zyrtarëve të lartë BE dhe SHBA.

Ecuria e zbatimit të reformës në drejtësi ka pasur ulje ngritje dhe debate të shumta mes forcave politike përsa i përket adresimit të opinionit publik se “kush ka frikë” nga reforma dhe cila forcë mbështet dhe mban “flamurin” e reformës.

Në këtë histori drejtësie, e vetmja e vërtetë është se të gjitha forcat politike kanë frikë nga një drejtësi e pavarur, pasi ata më mirë se kushdo tjetër i dinë mëkatet që kanë bërë tash e 29 vite “demokraci”.

Nga të gjitha ndryshimet Kushtetuese dhe institucionet e reja që u krijuan, Struktura e Posaçme Antikorupsion (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) si dhe Vetingu janë parë nga publiku si bërthama e reformën në drejtësi.

Kjo për vetë faktin se SPAK-u do të merret me hetimin e zyrtarëve të korruptuar në nivelit e larta, ndërsa Vetingu po nxjerr “loje” prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar.

Kompetencat dhe juridiksioni i SPAK dhe BKH

“Në duart” e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar.

Prokurorët e SPAK mund të hetojnë që nga presidenti, kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të Qeverisë ose jo.

Ligji detyron çdo punonjës të policisë dhe të Drejtorisë Kundër Pastrimit të Parave që për çdo rast të dyshimtë të denoncojnë tek prokurorët e SPAK. Më pas, çështja është në dorë të kësaj prokurorie nëse ka vepër penale apo jo.

Por, veç kësaj, ka raste kur prokurorët e SPAK mund t’u marrin dosjet hetimore prokurorëve të tjerë nëse vërejnë se dosja në fjalë është kompetencë e tyre.

Gjithashtu, prokurorët e SPAK mund të hetojnë kolegët e tyre në rastet e parashikuara nga ligji, si dhe përfaqësojnë akuzën në proceset gjyqësore në gjykatat e posaçme deri në Gjykatën e Lartë, duke mënjanuar Prokurorin e Përgjithshëm.

Vetingu

Deri në fundin e muajit gusht 2019 kanë kaluar procesin e rivlerësimit rreth 189 subjekte, nga të cilat 69 janë vendime shkarkimi dhe 38 janë vendime dorëheqjesh. Statistikisht ky është një rezultat i lartë dhe tregues i thellësisë dhe ashpërsisë së procesit të rivlerësimit.

Kush i nënshtrohet vetingut? Sipas ligjit të vetingut, janë subjekte të rivlerësimit, pra që i nënshtrohen procesit të vetingut, personat e mëposhtëm:

– Të gjithë gjyqtarë, duke përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

– Të gjithë prokurorët duke përfshirë edhe Prokurorin e Përgjithshëm.

– Kryeinspektori si dhe të gjithë inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

– Të gjithë këshilltarët ligjor pranë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ndihmësit ligjorë pranë gjykatave administrative dhe ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë të Përgjithshme.

– Ish-gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet, në rast se paraqesin kërkesë për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit.

Mbi çfarë çështjesh vlerësohen subjektet e mësipërm

Procesi i vetingut bazohet në:

– vlerësimin e pasurisë

– kontrolli i figurës

– vlerësimi i aftësive profesionale

Faktori ndërkombëtar për SPAK dhe BKH

Vonesat për krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorupsion (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë bërë që faktori ndërkombëtar të reagojë ashpër dhe të kërkojë nga institucionet përgjegjëse krijimin sa më shpejt të këtyre dy strukturave kyçe për drejtësinë e re.

Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca theksoi pak ditë më parë  në konferencën e përbashkët të ministrave të Drejtësisë në Ballkan, që u mbajt në Tiranë, se nuk duhet të ketë ngadalësime për krijimin organeve të reja të drejtësisë, siç janë BKH dhe SPAK.

Teksa e cilësoi reformën në drejtësi, si pjesë e historisë moderne të Shqipërisë, Soreca tha se nuk mund të ketë demokraci pa drejtësi që mbron të drejtat e qytetarëve.

“Reformat nuk ndodhin se pse i kërkojmë ne, por reformat kërkohen nga qytetarët. Asnjë ndryshimi themelor nuk ndodh brenda natës, por duhet të filloj diku.

Reformën në drejtësi shumë pak vende e kanë bërë dhe gjyqtarët e korruptuar janë jashtë sistemit të drejtësisë. Reforma në drejtësi, është pjesë e historisë moderne të Shqipërisë.

Ne presim krijimin e BKH dhe SPAK dhe detyra është që mos të këtë ngadalësim në këtë rrugëtim.  Historia e reformës në drejtësia është një histori përkushtimi konsensusi mes palëve politike. Nuk ka demokraci pa drejtësi që mbron të drejtat e qytetarëve”-tha ambasadori i BE në Shqipëri.

Krijimi i SPAK ishte dhe një nga nëntë kushtet që Bundestagu gjerman i vendosi Shqipërisë për dhënien e “PO”-së për hapjen e negociatave me BE.

Në dokumentim e Bundestagut shkruhej qartësisht: – vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK, – rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”.

Ndërkohë sot i dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer theksoi se Shqipëria është në prag të ngritjes së institucioneve të reja, si Prokuroria Speciale Anti-korrupsion (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, detyra e të cilave do të jetë të hetojnë korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e zyrtarëve të lartë.

Zoti Palmer shtoi se ky është fundi i fillimit të pandëshkueshmërisë, siç u vërtetua edhe nga goditja e bosëve dikur të paprekshëm të krimit, si Klement Balili.

“Fakti që më pak se 50% e mbi 160 gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar vetingut kanë arritur ta kalojnë atë është tregues se sa i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar ka qenë sistemi i deritanishëm”- tha zyrtari i lartë amerikan, gjatë një takimi me studentë dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

“Dritë në fund të tunelit”

Por a do të funksionojë kjo drejtësi e re dhe a do të bien çekiçët e tyre mbi “kokat” e grupeve kriminale dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar?

Kontributi dhe aseistenca ndërkombëtare e dhënë pa kursim deri më tani është një pjesë e punës për ngritjen e pallatit të drejtësisë, pasi pesha kryesore do të bie tek individët të cilët do të marrin çelësat e drejtësisë dhe mbi vullnetin e tyre për të luftuar dhe për të mos rënë në grackën e korruptimin nga paraja dhe krimin i organizuar apo pushteti i politikës.

Gjithçka mbetet për tu parë, pasi guri i rëndë i reformës është nisur të shtyhet nga “Sizifi” (ndërkombëtarët) dhe forca e tij mund të shterojë për të arritur majën, nga kanceri i korrupsionit që mund të shfaqet edhe mbi drejtësinë e re.

Ashtu siç thoshte dhe Sokrati duhet që “peshoret” e reja të drejtësisë “Të dëgjojnë me kujdes, të përgjigjen me zgjuarsi, të peshojnë me maturi, dhe të vendosin me paanësi”.

Nga Bekim Skënderi

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *