Gentiana Sula: Çfarë bie në sy nga dosjet e klerit dhe baraka e Koliqit

6 Nëntor 2019, 10:17Kulturë TEMA

Nga veçoritë e dosjeve të klerit te një ftesë e hapur për historianët, kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit rrëfen në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” punën e bërë për hedhjen dritë mbi jetën dhe veprimtaritë e klerit katolik. Puna për kërkimin e eshtrave të të pushkatuarve, shënjimi i vendeve të kujtesës, Gentiana Sula flet edhe për projektet mbi të cilat po punohet si ai i përkthyesve e shkrimtarëve në kushtet e internimit e burgimit.

-Me 5 nëntor shënohet 3-vjetori i Lumturimit të 38 martirëve të Kishës, të dënuar, pushkatuar ose vdekur nën tortura gjatë komunizmit. Sa prej dosjeve të tyre janë zbardhur nga studiuesit?
Mes dosjeve të rëndësishme që ka hapur Autoriteti që me krijimin e tij janë ato të besimit, pjesë e të cilave janë dosjet e klerit të martirizuar, përndjekur, keqtrajtuar e dënuar. “Feja është opium për popullin” ishte një nga shprehjet më të përdorura të propagandës së regjimit komunist, të trembur nga përfaqësuesit e klerit dhe ndikimi i tyre në popull e shoqëri. Thelbi ideologjik i kohës trumbetonte lumturinë e popullit jo përmes besimit në fe, duke iu shmangur kësisoj besimit, identitetit përmes besimit dhe qëndrueshmërisë së njeriut të lidhur me Zotin. Goditjet u përshkallëzuan, aq sa u arrit që në vitin 1967 Shqipëria të shpallej vendi i parë ateist në botë, duke guxuar ku të tjerët nuk kishin mundur dhe synuar çrrënjosjen e fesë nga jeta e përditshme, zakonet, festat, e folmja e po ashtu, dënimin e personaliteteve të fesë dhe largimin e tyre nga funksionet publike e ritualet e përditshme. Neni 37 i Kushtetutës shkruante “Shteti nuk njeh asnje fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste, për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”. Në këtë terren veproi Sigurimi dhe mbi këtë bazë ligjore u motivuan dënimet shumëvjeçare, martirizimi, denigrimi i klerikëve e familjarëve të tyre, veprës së tyre të deriatëhershme dhe kontributi i tyre në jetën e shqiptarëve.

AIDSSH ka identifikuar deri tani mbi bazë kërkese, dokumente të natyrave të ndryshme sa i takon përndjekjes së klerit katolik në Shqipëri: dosje drejtimi mbi aktivitetin e klerit katolik, fashikuj disavolumësh me relacione për zbulimin e veprimtarisë së ish-klerit katolik; dosje të klerikëve të ndryshëm të përndjekur nga regjimi, si Dom Llazër Shantoja, Anton Harapi, Mark Harapi, Marie Tuci, Shtjefën Kurti, etj. Materiali është voluminoz. Deri tani, 15 dosje janë hapur dhe vënë në dispozicion të studiuesve mbi bazë kërkese, ku shumë prej tyre janë trajtuar në mënyrë të thelluar në konferencat shkencore të mbajtura nga Autoriteti dhe institucionet homologe, të cilat mund të lexohen në faqen zyrtare të AIDSSH. Studiues e gazetarë të tjerë kanë bërë kërkesë për zbardhjen e dosjeve të klerit ortodoks, atij bektashi e mysliman.

Puna e Autoritetit për vënien në dispozicion të materialeve mbi përndjekjen e klerit është e vazhdueshme. Siç e thashë më parë, dosjet janë deklasifikuar mbi bazë kërkese dhe është e pritshme që në arkivat e Autoritetit të ketë më shumë materiale mbi martirët e dënuar e jo vetëm, të cilët do të deklasifikohen e hapen për të interesuarit, duke ndihmuar shkrimin e një narrative të plotë mbi të shkuarën, përtej asaj që për vite me radhë ishte e ngarkuar me tone armiqësore.

– Është dashur një hulumtim pothuaj 10-vjeçar nga Kisha Katolike në Shqipëri për të arritur dokumentimin dhe vërtetimin e 38 emrave. Shumë të tjerë nuk u përfshinë në listë sepse nuk kishte dokumente për ta. Si kryetare e Autoritetit, me ç’vështirësi përballeni sa i takon dokumenteve të rasteve të përndjekjeve e dënimeve?
Vështirësitë janë të shumta. Autoriteti është krijuar si institucion i pavarur në vitin 2017, dhe ushtron funksionet e veta në mbështetje të ligjit 45/2015. Në këtë kuadër, është bërë një punë e madhe për mbledhjen e grumbullimin e materialeve, në një arkiv të vetëm të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit. Aktualisht, institucioni trajton materiale arkivore që mbahen në dy vendruajtje, pranë SHISH dhe IPQP. Edhe fizikisht, kjo e rrit kohën e trajtimit të informacionit dhe vënies së dosjeve në dispozicion. Materiali i identifikuar deklasifikohet, kalon për digjitalizim, në proceset e mbrojtjes së të dhënave personale dhe i jepet studiuesit apo të interesuarve të tjerë, në përputhje me ligjin 45/2015. Për zbardhjen e së shkuarës dhe nxitjen e dialogut shoqëror, duke përfshirë edukimin qytetar, AIDSSH ka nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi me institucione universitare, akademike e të kujtesës, bashkërendimi i punës me të cilët ndihmon në ridimensionimin e figurës së viktimave dhe të përndjekurve. E gjithë kjo është sipërmarrje e madhe që kërkon ndërveprimin e disa aktorëve për të pastruar baltën që është hedhur mbi personalitetet, për t’i trajtuar ata në mënyrë profesionale dhe për t’u njohur kontributin në shoqëri e t’i bërë të prekshëm për të rinjtë. Aktualisht, AIDSSH është në fillim të kësaj pune.

– Çfarë karakteristikash të përbashkëta kanë dosjet, përndjekjet dhe dënimet ndaj klerit katolik?
Në dosjet e përndjekjes së klerit katolik, gjuha e përdorur ka të njëjtën frymë, nga fillimi në fund. Elementi “reaksionar”, (antikomunist), gjendet i shënjestruar me tri fjalë që përdoren dendur: zbulim, evidentim, goditje. Listat emërore të zgjeruara të klerikëve janë strukturuar sipas llojit të përndjekjes, vuajtjes së dënimit, apo ekzekutimit, po ashtu, është bërë një analizë e imët e të gjithë veprimtarisë “reaksionare”. Në mënyrë skematike, në dokumente janë paraqitur ndarjet organizative, me bazë juridike, administrative apo territoriale të klerit. Po ashtu, ka ilustrime të shumta me foto të jetës kishtare; statistika të rezultateve të punës operative mbi përndjekjen e klerit, sipas periudhave të ndryshme dhe të dhëna e masa operative kundrejt organizmave të ndryshëm fetarë. Dosjet janë voluminoze dhe gjej rastin t’i ftoj studiuesit e të interesuarit të aplikojnë pranë AIDSSH për njohje me përmbajtjen e tyre. Ato janë deklasifikuar tashmë, në mijëra faqe dhe mund të vihen në dispozicion të studiuesve. Figurat e klerikëve duhen ridimensionuar, trajtuar në detaj, zbuluar dhe rrëfyer jashtë narrativës tradicionale që i shihte si “reaksionarë” e agjentë. Autoriteti është i hapur për të ndihmuar të gjithë të interesuarit në këtë nismë të zbardhjes dhe rindërtimit të profileve të tyre të plota, pas trajtimit edhe të materialeve që makineria e shtypjes prodhoi për ta.

– Disa prej tyre janë ende të pagjetur, pasi trupat e tyre nuk dihet ku prehen. Meqë AIDSSH po bashkëpunon me ICMP, çfarë po bëhet për gjetjen e eshtrave?

AIDSSH është një ndër institucionet që bashkë me Institutin për Integrimin e të Përndjekurve politikë dhe ICMP në Shqipëri luan rolin e vet në qartësimin e fatit të të zhdukurve. Aktualisht, në faqen zyrtare të AIDSSH gjenden dy aplikacionet që lidhen me të zhdukurit, të cilët i ndihmojnë familjarët të raportojnë të dhënat e tyre në një bazë të centralizuar të dhënash. Deri tani, nga raportimet në të tre institucionet e sipërpërmenduar, janë regjistruar 630 raportime dhe 37 vendvarrime të pretenduara nga familjarët. Puna po vazhdon e ne urojmë që institucionet të bashkërendojnë veprimet për t’u kthyer dinjitetin viktimave e familjeve të tyre. Në këtë kuadër, AIDSSH ndihmon në sigurimin e informacionit të kërkuar, ndërkohë që institucionet shqiptare ligjzbatuese, me ekspertizën e ICMP-së, do të avancojnë kërkimet për gjetjen e eshtrave dhe zhvarrimin e të humburve.
Nga ana tjetër, Autoriteti, në bashkëpunim me IIPP dhe ICMP në Shqipëri, i mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer po punon për një ekspozitë për të zhdukurit, ku trajtohen profile të të humburve në diktaturë, mes tyre, edhe priftërinjtë e martirizuar. Është i njohur tashmë, nga përpjekjet e palodhura të familjarëve, kërkimi i eshtrave të Dom Shtjefën Kurtit dhe zbërthimi hap pas hapi i fatit të tij, deri te ndjesa e persekutorëve ndaj klerikut të nderuar.

– A keni pasur bashkëpunim me Kishën në Shqipëri? Po me familjarë të meshtarëve?

Në punën e deritanishme, Autoriteti e ka ftuar Kishën Katolike të jetë pjesë e nismave të ndërmarra prej tij për zbardhjen e së shkuarës, si në rastin e organizimeve të këtij viti në Lushnjë, Dinjiteti përballë totalitarizmit, ku një pjesë e të internuarve ishin priftërinj katolikë, mes të cilëve, Imzot Mikel Koliqi, Dom Nikollë Mazreku e të tjerë. Në përpjekje për identifikimin e vendeve të kujtesës dhe shenjimin e tyre, AIDSSH ka bërë një punë të madhe këtë vit, duke shkuar fshat më fshat të ish-ndërmarrjes “28 nëntori”, për të dokumentuar nga ana vizive gjendjen e sotme të ndërtesave ku jetuan dhe u strehuan të internuarit. Mes tyre, në Gjazë, ende sot mbetet e paprekur zyra e operativit të zonës, e cila ishte përballë shtëpisë barakë ku jetoi Mikel Koliqi, tashmë e banuar nga fshatarë të zonës. Mikel Koliqi doli me pranga nga zyra e operativit, në moshën 75-vjeçare, pas internimeve të përsëritura, me akuzën e dëgjimit të Radio Romës. Autoriteti ka punuar ngushtësisht me pushtetin lokal dhe ka finalizuar propozimin që ajo rrugë në Gjazë të marrë emrin e Mikel Koliqit. Ndërkohë, kemi një bashkëpunim të hapur me Kishën Katolike me të cilën urojmë të bëjmë punë të mira. Përfaqësues të saj ishin në organizimet përkujtimore të gushtit në Tepelenë, ku qenë të pranishëm shumë të mbijetuar të Mirditës. Po kështu, Autoriteti ka bashkëpunim aktiv me bashkësitë e tjera fetare, myslimanët, bektashinjtë, ortodoksët, dosjet e të cilëve janë deklasifikuar sipas kërkesës dhe u janë vënë në dispozicion studiuesve të interesuar.

– A keni hasur vështirësi me identifikimin e vendvarrimeve? Cilat janë vështirësitë kryesore?

Me identifikimin e vendvarrimeve janë marrë kryesisht IIPP dhe ICMP. Autoriteti ka ofruar kontributin e vet në mundësimin e informacionit për të zhdukurit, kur ky ekziston, pikërisht për zbardhjen e sa më shumë pikëpyetjeve të lidhura me ekzekutimin. Në shumë raste, ky informacion nuk gjendet në dosjet që administronte Sigurimi i Shtetit; kjo është vështirësia më e madhe, sigurimi i informacionit sa më të plotë për familjarët e viktimave.

– Disa prej meshtarëve kanë qenë në burgje ose në internim. A ka shënjime të vendeve të kujtesës?

Një pjesë e mirë e priftërinjve katolikë u dënuan me burgim ose internim. Me nismën e fundit për dokumentimin e vendeve të vuajtjes së dënimit apo ndëshkimit në zonën e Lushnjës, një ekip i Autoritetit dokumentoi në mënyrë vizive gjendjen e sotme të shtëpive apo banesave të të internuarve, në 11 fshatra të Lushnjës. Mes tyre janë ruajtur ende sot shtëpitë e beqarëve, apo lagjet e beqarëve, ku zakonisht jetonin priftërinjtë e ndëshkuar e të tjerë. Nisma është në fillimet e saj. Urojmë që në bashkëpunim me familjet, pushtetin lokal e grupet e interesit të arrijmë të shënjojmë sa më shumë vende të vuajtjes së dënimit e t’i bëjmë ato të vizitueshme për të rinjtë, që ta njohin të shkuarën e të jenë të informuar për historinë e vendit ku jetojnë.

– Shumë prej klerikëve kanë qenë studiues, përkthyes, muzikantë. Në gjykimin tuaj sa njihen veprat e tyre dhe ç’thuhet në dosje për pasuritë e tyre intelektuale?

Veprat e klerikëve nuk njihen ende në mënyrë shteruese. Besoj se duhen ende kohë e punë studimore për të bërë një paraqitje të plotë të veprimtarisë së tyre në të mirë të letërsisë, folklorit, artit e dijes. Në dosjet e Sigurimit trajtohet mënyra e përndjekjes, mungon njohja e përmasës njerëzore dhe artistike të tyre, sepse e tillë ishte qasja. Autoriteti po punon për një projekt të zgjeruar të përkthyesve e shkrimtarëve në kushtet e internimit e burgimit, i cili urojmë të hedhë dritë në punën kolosale të mendjeve të ndritura, punë që ende sot nuk është vlerësuar sa duhet.(GSH.al)

7 komente në “Gentiana Sula: Çfarë bie në sy nga dosjet e klerit dhe baraka e Koliqit”

  1. Neutrali says:

    Po e mori pushkën kundër nazifashistëve ndomjë nga këta martirët e tu, moj zonjë, siç e mori papa Vojtila?

    1. Eri says:

      Kur e paske pare papa vojtilen te luftoje kunder nazizmit ti mo? Ne cilen brigade partizane ka bere pjese ai?Do ta kishte bere ndonje foto te pakten!.

  2. lisi says:

    I pari eksponent intelektual i klerit katolik qe Fishta.Thone se ka vlera madhore letrare. Ndoshta.Por eshte po ky Fishtuc qe e para-qe Anetar I Akademise Fashiste te Italise. E dyta -qe po ky Fishte qe kur u pushtua atdheu yne nga italianet diten e pushtimit gjemoi me gezim “ERDHEN PELLUMBAT E KRISHTIT!” Dhe kapaku florinjte qe kur deklaroi me terbim”LE TA DIJE GJITHE BOTA MBARE/ SE GJERGJ FISHTA S’ASHT MA SHQIPTAR” Tani llogarisni sa te pa fajshem qene kelyshet e tjere pas tij! Kuptohet te njejtin vleresim ndaj dhe per kleriket e feve te tjera me ndonje perjashtim te rralle Nuk thote kot p[opulli yne-HOJ,HOJ,TE GJITHE NJESOJ!

    1. Shkodrani1 says:

      Lisi,
      Fishta ka edhe nje merite tjeter, ishte anetar I delegacionit qe I dorzune Viktor Emanuelit kunoren e Skenderbeut r bashke me te ishin edhe te tjere te “pafajshem” pjesetar te klerit !

    2. Pali says:

      Ti qenke Doç Kamunisti 1% ke te drejt
      Fishta vertet e ka thën ate per Fashistet

  3. Skrapari says:

    Po qe feja eshte opium ne mendjen e njeriut,eshte e vertet.Ja shiko talibanet mysliman apo dhe mendje pjerdhurit ortodoks.

  4. Lasgushi says:

    Si të shkojnë bizneset,zonja lëkurë portokalli?Si është Edi?
    Lexoji mirë dosjet,se mos vallë ke klerikë katolikë që bazuar në rrëfimet e besimtarëve kanë spiunuar në Gestapo,të rinjtë shkodranë për veprime atdhetare,mbi këtë bazë janë pushkatuar.
    Shiko mirë moj bibë se mos gjen ndonjë vërtetim në gjuhën gjermane,për shpërblimin e ndonjë prifti,për këtë lloj spiunimi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje