Arta Vorpsi, një betim larg Gjykatës Kushtetuese

Kontestimi i presidentit Ilir Meta ndaj procedurës së KED dhe refuzimi i tij për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese brenda afatit 30-ditor fut në lojë mekanizmin zhbllokues që shpall kandidaten Arta Vorpsi si të emëruar. Megjithatë, për të filluar punën asaj i duhet të betohet para presidentit.

Nga Aleksandra Bogdani

Presidenti Ilir Meta refuzoi të enjten të zgjedhë anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese brenda afatit 30-ditor, duke i hapur rrugën mekanizmit zhbllokues që i jep automatikisht mandatin Arta Vorpsit  –e renditur e para nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Përmes një letre të publikuar të enjten, Presidenti argumentoi se Kushtetuta nuk e lejon të emërojë anëtarin e dytë pa zgjedhur Kuvendi të parin dhe fajësoi Këshillin e Emërimit në Drejtësi për mosrespektimin e radhës në përcjelljen e listave të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.

Meta sqaroi se KED i kishte dërguar të dyja listat e kandidatëve në Presidencë më 8 tetor, ndërkohë që dy listat e tjera ia kishte dërguar Kuvendit më 14 tetor. Për rrjedhojë, afati 30 ditor për Presidentin mbaron të enjten më 7 nëntor, ndërsa për Kuvendin më 13 nëntor.

“Ndjekja e procesit nga Presidenti i Republikës sipas propozimit të KED do të përbënte një shkelje të hapur të nenit 179, pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës… Kjo çështje nuk do të kishte lindur, nëse Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do t’u ishte përmbajtur parashikimeve kushtetuese…,” deklaroi Meta, duke shtuar se kishte vendosur “pezullimin e shqyrtimit të kandidaturave”, derisa Kuvendi të bënte zgjedhjen e vet.

Në pikën 2 të nenit 179, Kushtetuta parashikon radhën e zëvendësimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese –ku anëtari i parë emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti nga Kuvendi dhe i treti nga Gjykata e Lartë.

Kushtetuta dhe ligji organik për Gjykatën Kushtetuese nuk parashikojnë megjithatë “një procedurë pezullimi” dhe u jep institucioneve të emërtesës vetëm 30 ditë kohë për të zgjedhur mes tre kandidatëve të parë në listë.

Kushtetuta ka parashikuar gjithashtu mekanizëm zhbllokues nëse Presidenti, Kuvendi  dhe më vonë Gjykata e Lartë nuk e zgjedhin gjyqtarin brenda 30 ditësh, duke e konsideruar kandidatin e parë të renditur nga KED të emëruar.

Kandidatja e renditur e para nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është Arta Vorpsi. Megjithatë, për të filluar detyrën në Gjykatën Kushtetuese asaj i duhet të betohet para Presidentit të Republikës, një ceremonial që në kushtet e kontestimit të procedurës nuk dihet se si do të ndodhë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u mblodh të enjten për të diskutuar mbi qëndrimin e Presidentit, por nuk i komentoi pretendimet e tij në një njoftim për shtyp të shpërndarë pas mbledhjes.

Gjykata Kushtetuese duhet të ketë 9 anëtarë, nga të cilët tre zgjidhen nga Presidenti i Republikës, 3 nga Kuvendi i Shqipërisë dhe tre të tjerët nga Gjykata e Lartë.

Aurela Anastasi- eksperte e së drejtës kushtetuese dhe një nga autoret e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 i tha BIRN se vendosja e radhës ka pasur si qëllim që institucionet të mos përplasen në zgjedhjen e anëtarëve të rinj si dhe asnjëri prej tyre të mos zgjedhë ose emërojë më shumë se tre anëtarë.

“Këtij qëllimi i shërben radha e përcaktuar në Kushtetutë, e cila duhet të respektohet edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në çdo rast,” tha Anastasi për BIRN.

Anastasi kujton se zgjedhjet apo emërimet e tanishme nuk po bëhen në një situatë normale, ndaj është e rëndësishme që çdo institucion të ndjekë procedurat e përcaktuara në mënyrë efikase në Kushtetutë dhe në ligjin organik.

“Sidoqoftë, mendoj se nuk kishte asnjë pengesë që kjo radhë të respektohej midis institucionit të Presidentit të Republikës dhe institucionit të Kuvendit. Ndryshe paraqitet situata për Gjykatën e Lartë,” shtoi ajo.

Anastasi shpjegoi se në kushtet kur Gjykata e Lartë nuk funksionon, nuk ka asnjë pengesë që dy institucionet e tjera- Presidenca dhe Kuvendi të procedojnë me emërimit në bazë të Kushtetutës dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese.

“E rëndësishme është që asnjeri prej tyre të mos emërojë anëtarë të tjerë jashtë kompetencës së tyre, të cilat duhet të zgjidhen nga Gjyqësori dhe duhet të mbeten vende bosh për më tej,” shpjegoi Anastasi për BIRN.

“Ky është interesi më i madh Kushtetues. Në këtë mënyrë, unë mendoj se qëllimi i kushtetutëbërësit në dispozitat e fundit të Kushtetutës është plotësisht i përmbushur, pavarësisht nga ndryshimi në radhë që vjen për shkak të situatës faktike,” përfundoi Anastasi.

REMOTE_ADDR:[]

4 komente në “Arta Vorpsi, një betim larg Gjykatës Kushtetuese”

  1. Buda says:

    Arta te betohet perpara Kuvendit te Shqiperise dhe te filloje punen.
    Ne trekendeshin e pushtetit republikan, sic eshte Shqiperia, bejne pjese :
    Kuvendi i Shqiperise, Kryeministri i Shqiperise dhe Kryetari i Gjykates se Larte (Supreme Court)
    Posti i Presidentit ka mbetur si apandesit, me kushtetuten e re duhet te hiqet.
    Ndersa rrugaci Ilir Meta duhet te shkarkohet urgjentisht nga organi qe e ka emeruar!

  2. Dani says:

    I uroj suksese por me kte fytyr qe paska kjo nuk na entuziazmon fare , ishalla nuk ka dhe zemren si fytyra , si tha ai plaku ne gos te kavajes kur po i prezantonin kryetarin e ri te kopratives , i tha kryetarit : po pate zemeren siç ke surratin na more me qaf na dogje fshatin.

    1. Cna gjeti says:

      Bo bo qenke tipik kavajs,ju nuk leni njeri pa pergojuar,mjer ai qe bien ne gojen tuaj Sodoma fshatrat e kavajes

  3. Dar-dan says:

    O Dan, me komentin tënd më nxite të të them: Të kripsha mendjen!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *