Negociatat, Palmer: Vendimi i Këshillit Europian ishte zhgënjyes, shpresojmë që t’i rikthehen çështjes në samitin e Zagrebit dhe të arrijnë konsensus

8 Nëntor 2019, 14:10Politika TEMA

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, përfaqësuesi special amerikan për Ballkanin Perëndimor deklaroi se pamundësia e Këshillit Europian për të gjetur konsensus për të filluar bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte zhgënjyese.

Teksa mbajti fjalën në forumin ekonomik në Davos, Palmer deklaroi se SHBA shpreson që Këshilli i Europës t’i rikthehet çështjes në Mbledhjen e liderëve në maj, në Zagreb, dhe të arrijë konsensusin e duhur e të nisë procesin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke dërguar sinjalin e rëndësishëm në rajon.

Gjithashtu Palmer ka vlerësuar nismën e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor për mini-shengenin, ndërsa ka shtuar se në këtë projekt ka vend edhe për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjen. Ai tha se SHBA po avancon drejt Ballkanit Perëndimor, ndërsa Bashkimi Europian konsiderohet deri në një farë niveli nga rajoni si duke u larguar.

“SHBA-të vazhdojnë të jenë të angazhuar në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor që ka qënë themeli për angazhimin amerikan në rajon për më shumë se 20 vite.

Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Kjo është edhe arsyeja pse pamundësia e Këshillit Europian për të gjetur konsensus dhe të fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte kaq zhgënjyese.

Kjo nuk është fjala e fundit. Shpresojmë që Këshilli i Europës t’i rikthehet cështjes në Mbledhjen e liderëve në maj, në Zagreb, të arrijë konsensusin e duhur dhe të nisë atë proces aq të rëndësishëm duke dërguar sinjalin e rëndësishëm në rajon.

Ndërkohë, ndërsa SHBA avancon drejt Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian konsiderohet deri në një farë niveli nga rajoni si duke u larguar, rajoni vetë po zhvillohet.

Angazhimi i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të promovojnë bashkëpunimin përmes së ashtu-quajturës nisma e mini-Schengenit është shpresëdhënës, është një tregues që liderat në rajon po marrin përgjegjësi për fatin e tyre, po marrin në dorë të ardhmen e vet.

Arkitektura e kësaj nisme ka një skaj të hapur, ka vend për Malin e Zi, Bosnie dhe Hercegovinën, Kosovën. Nisma është premtuese, ka mbështetjen tonë dhe angazhimin tonë për të bashkëpunuar me liderët e Ballkanit Perëndimor për ta çuar përpara. Shumë faleminderit.”- tha Palmer. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje