VIDEO/ Merr fund vuajtja e vogëlushit: Alvini arrin në Itali, përqafim mes lotësh dhe emocionesh me babanë e motrat

Është e vështirë të mos ndjesh asgjë teksa shikon një vogëlush që pas shumë vitesh vuajtje e tmerresh të kaluara në kurriz të tij ka pak paqe e ndjen përqafimet e njerëzve të tij të dashur.

Lot gëzimi në familjen Berisha, Alvini bashkohet me babanë dhe dy motrat në Itali. 11-vjeçari mbërriti nga Bejruti mëngjesin e sotëm në aeroportin e Romës, ku u prit nga babai dhe motrat. Tani sfidë për Shqipërinë mbetet kthimi i fëmijëve të tjerë që gjenden në kamp.

Alvini rikthehet në shtëpi. Merr fund vuajtja dhe ankthi për vogëlushin shqiptar Alvin Berisha, që mëngjesin e sotëm është bashkuar mes lotësh dhe emocionesh me familjen, babanë dhe dy motrat që po e prisnin në aeroportin e Romës. Lutjet e tyre u dëgjuan edhe Alvini është në krahët e tyre. I ati që më në fund pas shumë kërkimesh dhe lutjeve tashmë do ta ketë pranë i puth duart të birit, ndërsa falenderon autoritetet.

11-vjeçari iu dorëzua familjes nga punonjësit e Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe. “Alvin është në Itali! Tani është në krahët e babait dhe motrave së tij! Së shpejti, Presidenti i Kryqit të Kuq do të tregojë detajet e operacionit në një konferencë për shtyp në aeroportin e Fiumiciono” shkruan Kryqi i Kuq Italian.

Në videon e publikuar nga Kryqi i Kuq italian, Alvin shihet në aeroport i ulur pranë motrave, ndërsa babai i puth duart. Motrat shihen të përlotura ndërsa nuk u mjaftojnë duart për ta përkëdhelur vëllain e tyre që nuk e shihnin prej 5 vitesh dhe deri dy ditë më parë nuk e dinin a do ta shihnin më.

Katër ditë më parë u dha lajmi për nxjerrjen nga kampi Al-Hol në Siri të Alvin Berishës. Para dy netësh 11-vjeçari shqiptar u transportua në Damask, ndërsa ditën e djeshme në ambasadën italiane në Liban dhe sot u bashkua me familjen në Romë. Operacioni për shpëtimin e Alvinit  u krye nga Gjysmë Hëna e Kuqe siriane dhe Kryqi i Kuq ndërkombëtar, ndërkohë që kanë qenë në kontakt me autoritet italiane dhe ato shqiptare të niveleve më të larta.

Por si përfundoi Alvin Berisha në kampet siriane?

Historia e tij e trishtë nis që në moshën 6-vjeçare, kur e ëma braktisi familjen dhe e mori me vete në Siri, mes luftës dhe pasigurisë. Tragjedia do të bëhej edhe më e madhe, kur e ëma do të humbiste jetën së bashku me bashkëshortin e saj. Kur Alvini do të mbeste i vetëm, përpjekjet e të atit që të bëheshin edhe më të mëdha, që të mbërrinte në gjurmët e tij. Në emisionin “Le Iene”, babë e bir u takuan mes lotësh.

Por mes dhimbjes së madhe sërish u ndanë, sepse: Alvini nuk mund të nxirrej nga kampi nën pushtetin kurd. Dëshpërimi i babait të Alvinit do të bënte që t’i drejtohej edhe shtetit shqiptar, vetë kryeministrit Edi Rama, duke i rrëfyer vështirësitë e mëdha për të shpëtuar vogëlushin, veçanërisht pas rritjes së tensioneve Siri-Turqi. E ndërsa presioni rritej. Kryeministri Rama u nis drejt Italisë, në një vizitë zyrtare, ku një nga temat që diskutuan Conte-Rama, ishte shpëtimi i jetës së Alvinit, historia e të cilit kishte rrëmbyer zemrat e çdo shqiptari edhe italiani që e kishte parë.

Edhe kështu sot u mundësua që kalvari i vuajtjeve që kaloi Alvin Berisha të marrë fund. Por, plaga nuk mbyllet këtu, sepse mijëra fëmijë të tjerë, nga Lindja e mesme edhe Europa, vazhdojnë që të mbahen peng në kampet e Sirisë. Report Televizion ishte i pari që transmetoi lajmin ekskluziv se Alvini 11-vjeçar ishte nxjerrë nga kampi nën pushtetin kurd.

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “VIDEO/ Merr fund vuajtja e vogëlushit: Alvini arrin në Itali, përqafim mes lotësh dhe emocionesh me babanë e motrat”

  1. Kol says:

    Momemte shum prekese ,uroj qe ta kaloj sa me shpejt traumen e vuajtjeve pa pasoja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *