Von der Leyen: Rruga drejt BE-së për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi të madhe strategjike

Dhënia e një rrugë drejt hyrjes në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është “me rëndësi të madhe strategjike” për bllokun, tha të Premten Ursula von der Leyen.

Komentet e Presidentes së zgjedhur të Komisionit Evropian, e cila iu drejtua gazetarëve në Berlin pas një takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel, ishin një kunjë e pastër ndaj presidentit francez Emmanuel Macron, i cili drejtoi opozitën ndaj vendimit për të filluar negociatat e zgjerimit muajin e kaluar .

“Unë besoj fuqimisht se është me rëndësi të madhe strategjike për ne që të kemi lidhje sa më të afërta të jetë e mundur të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian,” tha von der Leyen.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur aty ku u kemi kërkuar të arrijnë,” vazhdoi ajo, ndërsa theksoi se do të kërkojë mjete alternative për të forcuar lidhjet me dy vendet.

“Për sa kohë që nuk është e mundur të hapen bisedimet e pranimit … Unë do të investoj gjithë energjinë time në zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do t’i lidhin gjithnjë e më shumë këto vende me ne përmes bashkëpunimit të ngushtë”, tha ajo, duke shtuar se: “Nëse nuk e bëjmë këtë, të tjerët do të mbushin boshllëkun, dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë”.

Duke folur në krah të von der Leyen-it, Merkel tha se ajo e konsideron “jashtëzakonisht të rëndësishme, për interesat strategjike evropiane, që këto vende të mos humbasin shpresën në perspektivën e pranimit.” Kjo ështe gjithashtu “shumë e lidhur” me çështjen e migracionit, shtoi kancelarja, duke aluduar mbi faktin se shumë refugjatë kanë hyrë në BE vitet e kaluara përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor.

Duke trajtuar temën e migracionit, von der Leyen tha se ajo synon të paraqesë në tremujorin e dytë të vitit të ardhshëm Paktin e ri të Migracionit mbi Azilin, të cilin ajo e kishte njoftuar në fjalimin e saj të parë para Parlamentit Evropian në korrik.

“Qëllimi ynë duhet të jetë … të jemi një rol model në këtë botë për mënyrën sesi migrimi mund të menaxhohet në mënyrë të qëndrueshme, me një qasje humane, por edhe në mënyrë efektive. Dhe unë jam plotësisht e bindur se Bashkimi Evropian mund ta bëjë këtë,” tha ajo.

Merkel tha se Gjermania ishte në favor të planeve të migracionit të von der Leyen, të cilat nuk janë specifikuar akoma më tej: “Sigurisht, do të japim mbështetjen tonë pozitive për propozimet e reja, mendoj.”

Politico– Përgatiti në shqip për TemA, Kebriona Veliaj

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Von der Leyen: Rruga drejt BE-së për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi të madhe strategjike”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *