FMN: Shqipëria e 102-a në botë për të ardhurat për frymë në 2019

11 Nëntor 2019, 08:39Ekonomia TEMA

Edhe gati 3 dekada pas kalimit në ekonominë e tregut, shqiptarët, që jetojnë në një vend të bekuar nga zoti, me bukuri të shumta e pasuri natyrore, vijojnë të jenë ndër më të varfërit e Europës. Statistikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të përditësuara në “Pasqyrën Ekonomike Globale tetor 2019” tregojnë se të ardhurat për frymë të pritshme të shqiptarëve ishin 5,732 dollarë për vitin 2019, duke na pozicionuar në vendin e 102 në botë nga 192 shtete gjithsej, në nivele të ngjashme me Irakun, Paraguajin, Libanin, Libinë etj.

Në Europë jemi ndër vendet me të ardhurat për frymë më të ulëtat dhe na e kalojnë në renditje vetëm Kosova (4,442 dollarë për frymë, në vend të 111) dhe shtete të ish Bashkimit Sovjetik  si Ukrania (vendi 125),  Moldavia (128).

Nga vendet e rajonit, më të pasur janë fqinjët e Malit të Zi, me të ardhura për frymë prej 8,703 dollarë, ose 62% më të larta se të shqiptarëve (vendi 72). Më pas vjen Serbia, në vend të 87 me 7,398 dollarë për frymë, Maqedonia e Veritu (6,096 dollarë në vend të 95), Bosnja (vendi 97).

Të dhënat e FMN-së referojnë se edhe një dekadë më parë, Shqipëria ishte e pandryshuar në vend të 102, në një tregues që rritja ekonomike e vendit nuk ka arritur të jetë më e lartë se e fqinjëve, apo se ajo nuk ka prodhuar mirëqenie për qytetarët e saj (sipas të ashtuquajturit proces i koncergjencës, vendet me të ardhura më të ulëta duhet të rriten më shpejt, në mënyrë që të kapin mesataren e Bashkimit Europian).

Sot, vendet e Bashkimit Europian kanë të ardhura mesatare për frymë në vit prej 35.8 mijë dollarë, ose gati 7 herë më të larta sesa të shqiptarëve, sipas shifrave të FMN.

Në botë, kryeson Luksemburgu (113 mijë dollarë), kryesisht për shkak të pasurisë së të huajve, e ndjekur nga Zvicra (83,717 USD), Macao SAR (81,152 USD), Norvegjia (77,975 USD), Irlanda (77,771 USD), Katari (69,688 USD), Islanda (67,037 USD), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (65,112 USD), Singapori (63,987 USD).

Institucionet ndërkombëtare ulën parashikimin për rritjen ekonomike

Shpresat për të pasur më shumë të ardhura janë zbehur, pasi të gjitha institucionet ndërkombëtare kanë ulur parashikimet për rritjen ekonomike të vendit në 2019-n.

FMN pret që vendi të rritet mesatarisht me 3%, sipas Pasqyrës Ekonomike Globale të tetorit, nga 3.7% që ishte pritshmëria në prill.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që Shqipëria të rritet me 2.8 % këtë vit, duke e rishikuar me ulje prej 1.1 pikë përqindje në krahasim me raportin e muajit maj. Banka Botërore e pret zgjerimin e ekonomisë në 2.9% për këtë vit. /monitor

1 komente në “FMN: Shqipëria e 102-a në botë për të ardhurat për frymë në 2019”

  1. Olimpia says:

    PPB reale nuk matet me vleren e vetem shifrave te te ardhurave por edhe me fuqine blerese te ketyre shifrave.Ne te gjithe stastistikat shkencore pasqyrohen shifrat e kombinuara me fuqine blerese.Kina per shembull ne baze te fuqise blerese rezulton me 18000 dollare per fryme dhe ne 2030 parashikohet 30000 dollare per fryme.Ne 40 vite Kina e ka rritur te ardhuren per fryme mbi 40 here..pra ka realizuar mrekulline ekonomike me te madhe qe ka njohur historia njerezore per mnje popullsi 1 miliardi e 400 milione banore.Ceshtje tjeter eshte edhe perqindja e punes dhe te ardhurave jo legale ne raport me ate legale.Mjafton te besh nje vezhgim te thjeshte per menyren e jeteses,shpenzimet dhe banesat e shqiptareve dhe duket qarte se te ardhurat reale Jane shume me te larga se ato te deklaruara.Shqiperia eshte vendi tipik ku shumica preferojne pagesa jashte sistemit ligjor ,pa menduar per pensionin.E bukura eshte se shume persona qe Jane paguar ne menyre te tille ankohen per pensione e uleta.Pra kane pranuar pagesen jashte sistemt ,natyrisht edhe nen presionin e punedhenesve,por ne vend qe nje pjese e ketyre te ardhurave ta ruanin per pleqeri,i kane shpenzuar te gjithe dhe perfundimi eshte nje pension i ulet,por edhe pa kursime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje