Gjobat e vëna nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe disa çudi

11 Nëntor 2019, 16:51Blog TEMA

Nga Ilir Beqja 

Në datën 13 shtator 2019, siç ju edhe e dini kam depozituar një nismë ligjore, lidhur me gjobat e vëna nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në periudhën korrik – gusht 2019.

AKU në periudhën korrik – gusht ka vendosur 52 gjoba me vlerë mesatare seicila rreth 15 milionë lekë, subjekeve të cilat nuk ishin të pajisur me një leje të veçantë profesionale për prodhim ushqimesh. Një pjesë e këtyre subjekteve kanë një qarkullim vjetor jo më shumë se 40 apo 50 milionë lekë. Pra i gjobisim me një vlerë sa 1/3 e gjithë xhiros vjetore.

Po AKU, për të njëjtën shkelje ka vendosur nga 4 gjoba çdo muaj të periudhës janar – qershor dhe 3 gjoba në shtator.

Subjektet kishin vite që operonin në treg, mund të kishin qënë në shkelje të ligjit duke mos u pajisur me licensën profesionale prej vitesh, por kishin funksionuar dhe bashkëjetuar me situatën e moszbatimit të ligjit.

Qendrën Kombëtare të Biznesit, vetëm në periudhën korrik – gusht 2019 janë paraqitur 1430 licensa për pajisje me këtë lloj liçense profesionale. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të 2018, janë bërë 10 herë më shumë kërkesa.

Ndërkohë, që brenda periudhës korrik – gusht 2019 rreth 75 % e kërkesave për t’u pajisur me liçensë ishin pranuar.

Nga sa më sipër kam arritur në vlerësimet se :

Shumica dërrmuese e subjekteve prej vitesh nuk e kanë ditur që janë në moszbatim të ligjit

Shumica dërrmuese me të marrë informacion direkt apo indirekt, aplikuan për tu pajisur me licensë dhe e morën licensën

Gjobat janë vendosur në mënyrë disproporcioanle vetëm në periudhën korrik – gusht

Për të zbuluar se subjektet janë në kushtet e moszbatimit të ligjit, nga AKU nuk është e nevojshme të bëhen inspektime, por mund të zbulohet lehtë nga baza e të dënave e Qendrës Kombëtare të Biznesit

AKU në një fazë të parë mund të kishte bërë njoftime paralajmëruese për subjektet që i vlerësonte se ishin në kushtet e moszbatimit të ligjit

Bazuar në sa më sipër kam ndërmarrë nismën ligjore për të faljen e gjobave, sepse jo vetëm i kam gjykuar disproporcionale, por edhe për të evituar kalvarin e subjekteve në hallkat e apelimit administrativ apo të drejtësisë administrative.

Kjo nismë është shoqëruar fillimisht me dy çudi të Kuvendit tonë.

Çudia e parë.

Jam përpjekur si deputet të kërkoj një zgjidhje ligjore për një anomali, sipas mendimit tim, të ndodhur në dëm të një grupi qytetarësh të angazhuar në sipërmarrje që lidhen direkt apo indirekt me ushqimin.

Kërkoj të zgjidh një situatë të ndodhur në dy muaj, ndërkohë vetë Kuvendit i duhen 2 muaj të merret me këtë propozim.

Çudia e dytë.

Komisioni përgjegjës për diskutimin e këtij projektligji është caktuar nga konferenca e kryetarëve, Komisioni i Ekonomisë.

Këto gjoba burojnë nga ligji i Ushqimit. Vetë ligji i Ushqimit në versionin e tij të parë apo edhe kur është amenduar ka patur dhe ka si komision përgjegjës komisionin që merret me çështje të ushqimeve, pra Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.

Konferenca e Kryetarëve nuk e ka gjykuar të arsyeshme ta përcjellë në komisionin përgjegjës për fushën e përgjegjësisë.

Komisioni i Ekonomisë i propozon seancës ta rrëzojë në parim nismën me arsyetimin se është antikushtetues.

Pa dashur të cënoj as njohuritë, as seriozitetin e analizës, as integritetin e asnjë prej kolegëve të mi të komisionit të ekonomisë, a nuk kemi ne në kuvend një komision të caktuar që merret mirefilli me kushtetutën dhe kushtetueshmërinë? Besoj se biem dakort se më së pari për kushtetueshmërinë duhet të shprehet komisioni i ligjeve.

Për mua mbetet e çuditshme që meqë bëhet fjalë për gjoba dhe meqë gjoba ka një vlerë monetare kjo çështje është ekskluzivitet i komisionit të ekonomisë.

Le të kthehemi te thelbi i diskutimeve.

Së pari, dua të falenderoj të gjithë kolegët e komisionit të ekonomisë, pavarësisht se si votuan, për seriozitetin e diksutimit në komision dhe frymën konstruktive të debateve.

Me shumicë votash, komisioni vendosi t’i propozojë seancës ta rrëzojë në parim nismën time.

Me arsyetimin se mosnjohja e ligjit nuk është justifikim për moszbatimin e ligjit.

Dhe, me arsyetimin e cënimit të barazisë.

Për mendimin tim, arsyetimi i cënimit të barazisë nuk qëndron.

Nuk qëndron sepse në çdo rast që bëhet një falje ka një trajtim të pabarabartë. Falja është një akt politik që vishet me një pekt ligjor.

Falje janë bërë herë pas here. Qoftë penale, qoftë administrative.

Amnistitë kanë pabarazi. Dikush është dënuar për një vepër penale, ka kryer të plotë dënimin. Dikush tjetër është dënuar në të njëtën masë për të njëjtën vepër penale, por në një moment amnistie bën dënim më të shkurtër.

Edhe faljet e detyrimeve tatimore. Janë bërë herë pas here. Kush i ka paguar rregulisht detyrimet është në situatë të pabarabartë me dikë tjetër që nuk i ka paguar detyrimet dhe i falen.

Por, unë besoj se çfarë ka ndodhur me sjelljen e AKU-së në muajt korrik – gusht duhet të na bëjë të vetëdijshëm për një aspket shqetësues. Dhe duhet të përpiqemi të ndalojmë të kthehet në dukuri.

Atë të mosveprimit të shtetit për një periudhë të caktuar.

Detyrimi për t’u pajisur me liçensën në fjalë është që prej 2009.

Çfarë kemi bërë ne pas 6 vjetësh që qeverisim?

A ka brenda sferës së sigurisë ushqimore aspkete të tjera të mosveprimit të shtetit?

A kemi një analizë 360 gradë të aspekteve të ndryshme të mosveprimit të shtetit?

Në kushtet e mosveprimit të shtetit për një periudhë të gjatë, për mendimin tim gjoba nuk mund të jetë instrumenti me të cilin shteti zgjedh të rivendosë autoritetin e tij.

Cili është raporti midis moszbatimit të ligjit nga subjektet e ndryshme dhe mosveprimit të shtetit?

A duhet të vendosim një rregull të pashkruar që në rastet e mosveprimit të shtetit të mosndëshkojmë subjektet?

Kolege dhe kolegë,

Ju kërkoj që kur të ftoheni të votoni për nismën që ju propozoj, t’i bëni këtë pyetje vetes dhe pastaj të votoni si  ta gjykoni të arsyeshme.

Për seicilin prej jush që mund të ketë vendosur paraprakisht që të rrëzoni nismën dua t’ju bëj edhe një pyetje tjetër.

Në korrik – gusht 2019 janë gjobitur 52 subjekte.

Në korrik – gusht 2019 kanë aplikuar për t’u pajisur me liçensë 1430 subjekte.

52 të gjobitur nga 1430 të situatë moszbatimi ligji.

Kjo është barazi apo barazi?

Si u zgjodhën këta 52 midis 1430 subjekteve?

Përgjigjuni me vehte këtyre pyetjeve dhe pastaj gykojeni vetë si votoni.

Faleminderit !

2 komente në “Gjobat e vëna nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe disa çudi”

  1. Tutu says:

    Ti je me plehra e Rilindjes… ku te ka ngelur sharra…

  2. tom says:

    Autoriteti antikombetar i ushqimit ka nje kontribut te jashtezakonshem ne bllokimin e prodhimit vendas se eshte struktur e monopolit dhe eshte ne dore te grabitqareve te cilet masakrojne te gjitha bizneset qe nuk ju binden.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje