E pakënaqur me vendin e dytë, Arta Marku paralajmëron ankim ndaj KLP-së

19 Nëntor 2019, 18:20Kronika TEMA

Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku i kërkoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë pikët e vendosura nga secili anëtar, duke paralajmëruar një ankim të mundshëm në gjykatë. Sipas KLP-së, kjo do të sillte zvarritje të procesit.

Nga Edmond Hoxhaj

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku paralajmëroi të martën një ankim të mundshëm ndaj vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që e rendit atë të dytën në garën për Prokurorin e Përgjithshëm.

Përmes një kërkese për informacion drejtuar KLP-së, Marku kërkoi që t’i viheshin në dispozicion pikët e vendosura nga secili anëtar si dhe metodologjinë përkatëse të vlerësimit, ndonëse kjo e fundit është e publikuar në faqen e Këshillit.

“Me qëllim që të vlerësoj të drejtën time për të ushtruar ankim kundër vendimit të Këshillit, kërkoj të më vihet në dispozicion pikëzimi i detajuar i secilit anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë me analizën dhe metodologjinë përkatëse të vlerësimit të ndjekur nga secili anëtar,” shkruan Marku në kërkesën drejtuar KLP-së.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë publikoi më 14 nëntor listën e kandidatëve si dhe pikët përkatëse, ku i pari renditej prokurori Olsian Çela, e dyta Arta Marku dhe e treta Fatjona Memçaj. Ndonëse vendimi u publikua në të njëjtën ditë në faqen e Këshillit, Marku pretendon në letrën dërguar KLP-së se është njohur me të në datën 18 nëntor-ditën kur vendimi i ka mbërritur me postë.

E pyetur nga BIRN mbi afatet, zëdhënësja e KLP-së, Carmen Gjani tha është e drejta e kandidates Marku që të njihet me dokumentacionin e kërkuar dhe shtoi se informacioni do t’i vihet në dispozicion të mërkurën më 20 nëntor – i cili është edhe afati i fundit për kryerjen e ankimit në Gjykatën Administrative.

Gjani shtoi se vendimi u është dërguar zyrtarisht kandidatëve të premten më datë 15 nëntor dhe ka mbërritur ditën e djeshme, për shkak të dy ditëve të pushimit të fundjavës.

KLP sqaroi gjithashtu nëpërmjet zëdhënëses se nëse Marku apo ndonjë kandidat tjetër do të kryente ankim, kjo do të sillte edhe zvarritje të procesit, pasi lista nuk mund t’i dërgohet Kuvendit për votim derisa të jetë shprehur Gjykata Administrative.

E pyetur nga BIRN mbi kohën e ankimit, zëdhënësja e kryeprokurores aktuale, Matilda Terpollari tha se afatet nisin me njoftimin zyrtar.

“Afati i ankimit fillon nga momenti që vendimi i njoftohet zyrtarisht kandidatit dhe jo kur publikohet në faqen zyrtare të KLP,” tha Terpollari.

Anëtarët e KLP-së votuan për secilin prej tre kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm: Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Markun, prokuroren e Apelit, Fatjona Memçaj dhe prokurorin e Krimeve të Rënda, Olsian Çela. Secili prej 11 anëtarëve të KLP mund të vlerësonte çdo kandiat maksimalisht deri në 50 pikë.

Në përfundim të procesit të pikëzimit dhe votimit rezultoi që prokurori Olsian Çela ishte renditur i pari me 459 pikë nga 550 të mundshme, Arta Marku me 406 pikë dhe prokurorja Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i KLP, Gent Ibrahimi tha se kandidatët kishin tre ditë për të ankimuar vendimin, por shtoi se shpresonte që të mos kishte ankim. Ai po ashtu la të kuptohej se Kuvendi do duhej të ndiqte rekomandimin e KLP-së, që është shprehur qartazi në favor të Çelës.

Vendimi i KLP-së do t’i kalojë Kuvendit, i cili duhet të zgjedhë një nga tre kandidatët me 84 vota. Prokurori i ri i Përgjithshëm do të ketë kompetenca të kufizuara në kuadër të ndryshimeve ligjore, por zgjedhja e tij konsiderohet gjerësisht si një test për reformën në drejtësi.

5 komente në “E pakënaqur me vendin e dytë, Arta Marku paralajmëron ankim ndaj KLP-së”

  1. kafe e hidhur says:

    eh pushteti eshte i embel..nuk hiqet dore kollaj::))

  2. Illyria-Shqiperia says:

    Epo ku u be kjo shtrema. Keta te hipin ne qafe. Ajo bente gem mek ne klp.

  3. Hops hopa says:

    Eh, kultura e shkret! Sa romane ka lexuar kjo? Nuk e kupton qe I mungon qytetaria.

  4. Kuq e zi says:

    Pse ben si viktime moj xhan?
    Ti do jesh kryeprokurore edhe sikur te vendosin ne vend te trete duke pasur parasysh sa fort e ke sulmuar qeverine me gjithe ato skandale
    Pra kot i ben keta manovra apo ka turp qeveria te zgjedhe te tretin dhe po shtron rrugen qe te jesh e para?
    As mos e rruj fare presidenti zgjodhi te katertin dhe spati turp dhe ketu i jap te drejte atij qe donte te conte njeriun e vet sepse ps do bej njelloj me ty
    Urime per postin !!!

  5. Po moj po says:

    Kur shikon vartesin e saj qe paraqet nje vizion per prokurorine ndersa kjo flet vetem per ceshtje te dites, kupton se nuk meriton me shume se punonjese e thjeshte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje