Kush e ndihmoi tërmetin të vrasë

Nga Endri Shabani

Nëse disa ndërtesa u shembën ndërkohe që godinat ngjitur mbeten të padëmtuara; atëherë shqiptarët nuk i vret tërmeti, por mungesa e sigurisë teknike të shtëpive të tyre.

Nëse këto godina kishin leje ndërtimi nga kryetarë bashkie që morën para nën dorë; atëherë shqiptarët nuk i vret tërmeti, por babëzia e politikanëve.

Nëse modifikimi i këtyre godinave u lejua nga inspektorë të korruptuar të INU-së; atëherë shqiptarët nuk i vret tërmeti, por korrupsioni i bashkisë.

Nëse këto godina që u shembën ishin dëmtuar nga tërmeti i Shtatorit dhe duheshin shpallur si të pabanueshme që para dy muajve nga inspektorët e IKMT-së; atëherë shqiptarët nuk i vret tërmeti, por papërgjegjshmëria e qeverisë.

Po fajësuam tërmetin na mbetet vetëm të gjunjëzohemi përpara fatit dhe t’i lutemi Zotit(apo Tokës)që të mbajë dorën.

Vetëm po identifikuam problemin njerëzor, do mund të gjejmë çfarë duhet të bëjmë për të shpëtuar jetët tona nga tërmeti i radhës.

Fajtorë viktimat?!

Këto ditë kam parë njerëz që fajësojnë viktimat e tërmetit se paskan ndërtuar “vend e pavend”.

Le ta lëmë mënjanë idenë që ndërtimi “vend e pavend” meritoka dënim me vdekje dhe të shtrojmë disa pyetje të tjera:

E para, sipas TCh tërmetet e orës 4 dhe 7 të mëngjesit kanë dëmtuar disa shkolla në Tiranë. Sikur këto tërmete të kishin rënë vetëm disa orë më vonë, shumë fëmijë do ishin plagosur(në mos vrare) në bankat e shkollës.

A kanë faj fëmijët që shkojnë në shkollë?

E dyta, të paktën një nga hotelet që u shemb ishte tepër popullor dhe në “Booking” kishte vlerësim “fabulous” nga vizitorët. Sikur ky tërmet të kishte rënë gjatë sezonit të plazhit shumë turistë shqiptar dhe të huaj do kishin humbur jetën.

A kanë faj turistët që vijnë me pushime në Shqipëri?

E treta, të paktën një prej pallateve që u shemb ishte pallat i ndërtuar para viteve ’90. Sipas banorëve pronarët e kateve të para kishin prishur muret mbajtëse për të bërë lokal.

A kanë faj qytetarët që prej 30 vitesh jetojnë në pallate, të cilët kur nuk janë të modifikuar nuk i lëviz topi?

E katërta, me thonë se një prej pallateve të dëmtuara në Tiranë është në rrugën e Kavajës. Pallati është një gjigant 12 katësh (dyshohet që katër kate i ka shtesë). Kush ka kaluar aty e ka vënë re se ai është rrethuar me shtëpi të vjetra përdhese. Në një situate hipotetike që ky pallat rrëzohet (largqoftë) ai mund të rrezikojë edhe këto shtëpi që janë nën rrezen e tij.

A kanë faj banorët autoktone që jetojnë në shtëpitë që iu kanë lënë trashëgim të parët?

E pesta, jam i bindur që ka shumë njerëz që nga injoranca dhe papergjegjshmëria kanë ndërtuar shtëpi të pasigurta nga pikëpamja teknike. Dhe pasi i kane ndërtuar banojnë aty me familjet e tyre.

Pyetja që kam është: a kanë faj fëmijët e vegjël që jetojnë me prindërit e tyre?

Dhe e fundit. Këto tre dekadat e fundit shumë vetë kanë blerë shtëpi në pallatet e reja (për të cilat mund të mos e kenë paguar ende kredinë). Zgjedhja e tyre mund të ketë qenë e gabuar nga këndvështrimi i një eksperti. Por njerëzit nuk janë ekspertë. Ata besojnë tek shteti, dhe prezumojnë që nëse një pallat ka marrë leje ndërtimi dhe i ka të gjitha certifikatat e nevojshme nga institucionet përkatëse, atëherë ai duhet të jetë i banueshëm.

Qytetari nuk mund të verifikojë profesionalizmin, seriozitetin dhe ndershmërinë e çdo inxhinieri, mjeku, mekaniku, piloti apo shoferi që takon në jetë. Ama secili prej tyre na e ka jetën në dorë. Prandaj shoqëria ndërton institucione dhe ne paguajmë taksa që shteti ta bëjë këtë punë për ne.

A mund t’i vëmë faj njerëzve që mbledhin kursimet e jetës dhe i investojnë duke besuar tek shteti? Unë mendoj që jo.

Faji është vetëm i atij që abuzon jo vetëm me paratë tona, por mbi të gjitha me besimin tonë.

Ata jetojne neper rezorte

Keto dite, shtresa e mesme ia ka mbathur ose jashte Shqiperie ose jashte Tirane.

Kush nuk mundet, ka fjetur ne makine.

Pjesa tjeter, e ka kaluar naten rrugeve duke kerkuar me kot nje fushe pa kulla mbi koke.

Ama, vetem politikanet dhe oligarket nuk shqetesohen per termetet, se ata jetojne neper rezorte maje kodres ku nuk behet shaka me kushtet teknike.

Dhe ne themi pastaj perse nuk e vene ujin ne zjarr keta per sigurine e pallateve qe ndertohen ne kete vend.

Pasojat e abuzimit te tyre, i paguajme vetem ne, se ata e kane zgjidhur hallin e vet.

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Kush e ndihmoi tërmetin të vrasë”

  1. Rama hajduti me i kadh says:

    Bravo!
    Kush ka mend ta lexoje kete!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *