ANALIZA: Tri monedhat e rimëkëmbjes pas tërmetit

3 Dhjetor 2019, 10:13Ekonomia TEMA

Nga Irena Beqiraj

Me tespie shfaqej kryeministri në një foto që është shpërndarë nëpër rrjetet sociale. Me ngarkesën që i ka rënë mbi supe, çdo gjë që mund ta qetësonte, do të ishte e pranueshme. Qeveria që drejton është përpara një sfide të jashtëzakonshme menaxhimi. Qëllimi bazë është rindërtimi në një kohë të shkurtër i banesave apo fasiliteteve publike të prishura, të cilat janë ndërtuar apo krijuar gjatë disa dekadave.

Nga ky qëllim jo aq i thjeshtë zhvillohet një sfidë e dytë: dilema e zgjedhjes midis shpejtësisë ose zgjidhjeve të shpejta dhe synimit për të marrë vendime të mirëmenduara, për të siguruar një rimëkëmbje optimale dhe afatgjatë për zonat e prekura nga tërmeti. Gjatë adresimit të këtyre dy sfidave lind një sfidë e tretë: nevoja për të pasur fondet e mjaftueshme, informacionin e duhur dhe kohën e nevojshme, ose ndryshe “tri monedhat” e rimëkëmbjes pas katastrofës.

Thënë këtë, çelësat e suksesit për të menaxhuar kriza të tilla (përtej qetësisë së përkohshme të arritur nga përdorimi i tespieve), janë mjeshtëria në menaxhimin e fondeve, menaxhimin e informacionit dhe të kohës.

Me synimin për të mobilizuar sa më shumë fonde për rindërtimin, është e domosdoshme organizimi sa më shpejt të jetë e mundur e Konferencës së Donatorëve si dhe krijimi i Fondit Shqiptar të Rindërtimit, i cili duhet të përfaqësojë një partneritet afatgjatë midis qeverisë, komunitetit vendës dhe atij ndërkombëtar. Në Konferencën e Donatorëve, qeveria duhet të ketë bërë detyrat e shtëpisë, duke prezantuar shtyllat bazë të strategjisë që do të ndjekë për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e zonave të prekura nga tërmeti.

Megjithëse, ka një skepticizëm deri diku të merituar mbi kapacitetet e qeverisë për të menaxhuar me transparencë dhe eficencë fondet e rindërtimit, ky fond do të duhet të kryesohet nga qeveria, pasi është qeveria akseleratori i planit të zhvillimit të zonave të prekura. Qeveria shqiptare ka në duart e saj një mundësi të artë të rivendosë besimin e humbur, duke instaluar standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të menaxhimit financiar, të prokurimit, të zbutjes së varfërisë, si dhe të qëndrueshmërisë mjedisore.

Që të rifitojë besimi i humbur, i cili është katalizatori bazë i thithjes së fondeve nga donatorët institucionalë apo dhe individualë brenda dhe jashtë vendit, fondi edhe pse duhet të kryesohet nga qeveria, duhet të ketë një strukturë drejtimi që bazohet në parimet bazë të qeverisjes së mirë.

Komiteti i Drejtimit dhe Komiteti i Mbikëqyrjes duhet të kenë në përbërjen e tyre anëtarë të shoqërisë civile, të sektorit privat, të diasporës dhe partnerëve të zhvillimit. Anëtarët duhet të jenë të pajisur me njohuri të thella financiare ligjore dhe projektuese. Anëtarët nuk duhet të vijnë kurrsesi nga “klubi të fansave të kryeministrit”, të cilët komandohen po aq lehtësisht sa tespiet në kohën e meditimit. Vetëm kështu qeveria do të ketë mundësi të promovojë një proces rindërtimi transparent dhe të përgjegjshëm.

Bordi drejtues i fondit duhet të ketë në përbërje një përfaqësues të qeverisë, një përfaqësues nga secili donator që jep kontribut mbi një nivel të caktuar minimal; si dhe nga një përfaqësues nga secili entitet partner (IBRD, IFC apo Banka Botërore etj).

Po me kaq rëndësi është Komiteti i Mbikëqyrjes, i cili duhet të ketë në përbërje një përfaqësues të organizatave ndërkombëtare joqeveritare; një përfaqësues nga sektori privat; një përfaqësues nga Diaspora Shqiptare; një përfaqësues nga partnerët e tjerë të zhvillimit; një përfaqësues nga shoqëria civile si dhe një përfaqësues të qeverisjes vendore nga zonat e prekura.

Ky fond jo vetëm mund të përmbushë nevojat strategjike të rimëkëmbjes, duke siguruar burime financimi fleksibël efikase dhe me kosto të ulët, por mund të shërbejë si burim i qenësishëm i rritjes ekonomike.

Monedha e dytë bazë për një rimëkëmbje efikase konsiston në mbledhjen, integrimin dhe shpërndarjen e informacionit në mënyrë efektive, duke përmirësuar vendimmarrjet dhe veprimet e të gjithë aktorëve, të cilët do të përfshihen në procesin e rimëkëmbjes. Informacioni i shpërndarë nga mbledhjet e gjata ku mbahen minuta dhe humbasin orë nuk i shërbejnë informimit.

P.sh në Victoria, Australi, pas zjarreve të vitit 2009, drejtuesit punuan me komunitetet e prekura, duke formuar më shumë se 30 komitete lokale të rimëkëmbjes, të cilat jo vetëm mblidhnin dhe përpunonin informacionin në terren, por ishin pjesë aktive në hartimin e planit të rimëkëmbjes së komunitetit, duke identifikuar përparësitë dhe projektet e domosdoshme lokale.

Marrja, sinteza dhe shpërndarja e informacionit bazë për dëmtimet, aktivitetet e rindërtimit, popullsinë e prekur, çështjet sociale dhe ekonomike dhe treguesit e ndryshëm të rimëkëmbjes është një funksion kritik, i cili duhet të përmbushet me rigorozitet nga qeveria, sa më larg propagandës. Qeveria duhet të përpilojë raporte të rregullta të ecurisë dhe monitorimit të treguesve e rimëkëmbjes. Informacioni i shpeshtë nga burime të besueshme do të ndihmojë që të gjithë aktorët të kuptojnë mjedisin aktual të rimëkëmbjes dhe gjithashtu mund të ndihmojnë në zvogëlimin e përhapjes së thashethemeve dhe disinformatave.

Monedha e tretë është tirani kohë, e cila edhe kur ke para dhe informacion është vështirë të balancohet. Qeveria sot përballet me shumë se kurrë me dilemën e zgjidhjeve të shpejta dhe vendimeve të mirëmenduara, të cilat duan kohë.

Shpejtësia nuk duhet të prevalojë mbi cilësinë e vendimeve të marra.

Një parullë e zakonshme e përdorur në programet e rimëkëmbjes është “Ndërto më mirë”. P. sh. Slogani i Autoritetit të Rimëkëmbjes Luiziana ishte “Më i sigurt, më i fortë, më i zgjuar”.

Për të shpejtuar rindërtimin, duhet parë mundësia për të thjeshtuar proceset normale burokratike të marrjes së vendimeve, veçanërisht në lidhje me projektimet dhe lejet e ndërtimit, pa kompromentuar cilësinë. Për shkak se procesi i rindërtimit përfshin aktorë të ndryshëm ngritja e një Agjencie të posaçme për Rimëkëmbjen mund të jetë një hap i dobishëm për të lehtësuar dhe koordinuar punën e institucioneve të linjës. Qeveria do të duhet të vazhdojë punën normale të përditshme, kështu që mund të konsiderojë mundësinë e krijimit të Agjencisë së Rindërtimit, e cila do të ekzekutonte projektet, programet, planet e rimëkëmbjes dhe do të koordinonte aktivitetet e lidhura me rimëkëmbjen me agjencitë e shumta qeveritare. Shembuj të tillë përfshijnë Agjencinë Kombëtare të Rindërtimit të Japonisë, e themeluar pas tërmetit dhe tsunamit të vitit 2011 ose Autoriteti i Rimëkëmbjes së Tërmetit në Canterbury të Zelandës së Re, krijuar pas sekuencës së tërmetit 2010 dhe 2011 në Christchurch apo Selia e Përgjithshme e Kinës për ndihmën e tërmetit pas katastrofës së vitit 2008 në Wenchuan.

Sado e fortë, e dhimbshme, e lodhshme është një fatkeqësi, është eksperienca nga e cila mund të mësojmë më shumë dhe duhet të shërbejë një gur themeli drejt progresit. Asgjë më shumë se një fatkeqësi nuk prezanton para çdo qenieje njerëzore, familje, komb, apo shtet nevojën për ndryshim. Asgjë më shumë se një fatkeqësi nuk mund ta shtyjë shoqërinë drejt përmirësimit.

13 komente në “ANALIZA: Tri monedhat e rimëkëmbjes pas tërmetit”

  1. bes says:

    Ekselent Irena!
    Bravo, shkurt dhe qarte. nje model efikas menaxhimi dhe organizimi!

    1. Zigurr Qarri says:

      Mos e degjoni kete, kjo eshte kokra e hajdutes. Te na thote pak se si e ndertoi kompleksin me banesa te kopshti botanic, sa vodhi te dogana, sa vodhi te financat dhe sa vjedh sot me OJF

    2. Zefi says:

      Nuk i duhen profesioniste si Irena ketij kryeministri,por njerez qe rrine koke ulur para tij!

  2. gajur begu says:

    Shumë mirë thua moj zonjë që i permend she-
    mbujt nga disa shtete por së pari çoje mendjen se
    ata nuk janë shqiptarë!A nuk e pe se çfar torture i
    bënin kryeministrit,thuase KM është magjistari i
    OZ-it! Shqiptarët janë nënëq.m milet,hypse të
    vrava zhdryp se të vrava!.

  3. Soc.jo rilindas says:

    Bravo nje analize dhe sygjerime qe ti kete parasysh qeveria me te gjithe ata qe menaxhojne kete situate te veshtire.Respekte dhe nje here te lumte se po nderon familjen dhe prejardhjen si e bija e Mynyr Rapo Celos.

  4. H says:

    Një kryeministër me dëshirë dhe vullnet pozitiv , nuk mund të bëjë asgjë kur është i rrethuar nga hajdutë të regjur dhe korruptuar. Krahasimi empirik dhe teorik me kombe të tjerë është fare i kotë dhe pavend.

    1. Komentuesi says:

      Dakord jam me shkrimin e kesaj zonje,por ate se qeveria ka humbur besimin nuk jame dakord.Qeveria dhe Edi Ramen personalisht,e shohim perdite mes hallexhinjeve duke i degjuar me shume durim,ku disa injorant e koke trash, nuk din te sillen e te bisedojne qetesisht.Termetin nuk jua solli qeveria dhe Edi Rama,ai eshte nje fatkeqesi natyrore.Disa injorant i kerkojne sot patjeter shtepit e tyre qe jua prishi termeti,sikur kryeministri i ka ne xhepin e tij.Nuk marin parasysh qe ç’do gje do kohen e vete.Me tre problemet qe ngre zonja Irena jame dakord se ato jane te domosdoshme.

  5. Vik says:

    Pershendetje te dashur bashkombes,uroj sherim te shpejt te shpirtave te lenduar.Sherimi ekonomik pa iluzone te rreme kerkon kohe,ndershmeri dhe profesonizem,uroj qe ti gjejme sa me shpejt.Por ,,, me vjen keq ta them por shenja e pare,rikthimi i kastes se” betonit” me Dakon ne krye e shoh si nje augurzi.Shpresoj qe njerzit e qytetit tim te kundershtojne kete zgjedhje makabre.

  6. Komentuesi says:

    Dakord jam me shkrimin e kesaj zonje,por ate se qeveria ka humbur besimin nuk jame dakord.Qeveria dhe Edi Ramen personalisht,e shohim perdite mes hallexhinjeve duke i degjuar me shume durim,ku disa injorant e koke trash, nuk din te sillen e te bisedojne qetesisht.Termetin nuk jua solli qeveria dhe Edi Rama,ai eshte nje fatkeqesi natyrore.Disa injorant i kerkojne sot patjeter shtepit e tyre qe jua prishi termeti,sikur kryeministri i ka ne xhepin e tij.Nuk marin parasysh qe ç’do gje do kohen e vete.Me tre problemet qe ngre zonja Irena jame dakord se ato jane te domosdoshme.

  7. Program Stereotipizomi says:

    Në thelb zonja e ka trajtuar mirë temën edhe pse me duket si ndonjë leksion i një pedagogu me emrin Beshir Ciceri.. mbi Financat..
    Zonja po trajton një program ekonomik nga pikëpamja e tespiheve..
    Edhe pse ka te drejtë por duhet të marri ne konsideratë se shteti i Edit nqs do te quhet i tillë nuk eshtë më i mirë se i Saliut apo i Nanos apo Ilirit dmth është njëlloj që kjo zonja ti thotë një studenti që bravo ke bërë përmirësime nga 2 ke shku tek 4.
    Kështu që e thënë shqip shteti i Edit sot është me brekë nëpër këmbë Irena..
    Por vallë gjithe këtë analizë OK nga pikpamja Financiare ekonomike mos e ke me shumë mllef se nuk je me zv ministre finance..
    Me mirë për ty.. por do ishte më mirë të merresh me lapsin sesa me tespihet..
    Rama aq di, aq bën shyqyr që nuk po ha farra ..

    1. Artan says:

      Pupu cfare ideshe boshe. Kjo varesia ndaj qeverise dhe institucioneve shteterore eshte nje droge e vertete. Te gjithe propozojne shtrese burokratike mbi shtrese burokratike. Cmenduri.

      Po sikur parate e mbledhura tu jepen viktimave cash, dhe kaq. Viktimat e termetit ti marrin e te bejne cte duan me to. Te rrine me qera blejne shtepi tjeter etj. Pa burokrate pa parazite pa shtresa aparatcikesh te bezdisur. Qeveria te pastroje vendin dhe te kontrolloje territorin duke dhene leje ndertimi sa me shume brenda rregullave.

  8. D. says:

    Respekt per Z. Kryeminister , por nje i vetem nuk mund ti beje te tera. Bahkia, uebanistika e saj (e cila eshte e vetmja qe jep Leje Ndertimi ose Leje Prishjeje), ose Ministria qe duhet te kishte gati planet dhe te parashikoonte pasojat nga legalizimet e ndertimeve pa projekt e te pa kontrolluara, nuk po bejne asgje.

  9. ppa says:

    E ndrite sa ishe vete ne pune; ordinere ate kohe kur shfaqeshe ne TV; ketu ke ndryshuar disi, leksioni nuk eshte i keq, por edhe nje gjimnazist duke bere kerkime ne google, e pergatit nje platforme te tille; Si merite per kete shkrim, duket se ke menduar te veteofrohesh per te sherbyer ne Bord; ndoshta ne partine e Dades, A.Malaj e te tjere qe po presin me luge ne brez; nuk i duhesh askujt, edhe shoqerise civile, sepse vuan nga sindrome – ishit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje