Qeveria ngrin në TV rrugën Milot-Balldre, por koncesionari thotë se nuk di gjë dhe po vazhdon punën

7 Dhjetor 2019, 17:56Politika TEMA

Zëvendëskryeministri Erion Braçe sugjeroi se një nga kontratat më kontroverse koncesionare të qeverisë së tij, ajo për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren “nuk bëhet”, duke shprehur skepticizëm për një kontratë që shumë e kanë parë me dyshime. Sipas Braçes, qeveria e ka bërë të ditur këtë që para një muaji “kur i pa se kompania nuk i përgjigjet dot kontratës”. Braçe nuk bëri të ditur se kur e si qeveria “e ka bërë të ditur” para një muaji që kjo kontratë “nuk bëhet”.

Por Ndue Kola, drejtor i kompanisë ANK që ka fituar koncesionin, i tha BIRN se ai ishte informuar mbi deklaratën e Braçes vetëm të shtunën në mëngjes dhe se ai ishte duke vijuar punën normalisht për zbatimin e saj.

“Unë jam duke aplikuar për kredi. Kontrata ka hyrë në fuqi më 4 tetor dhe unë kam afat deri në 4 tetorin e ardhshëm për fillimin e zbatimit,” tha Kola në një bisedë telefonike.

Braçe, i cili gjendej në emisionin Prokokacija në një kohë që qeveria është nën presion për të anuluar disa nga projektet më të debatueshme të qeverisë Rama për të zhvendosur fondet në ndihmë të familjeve të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve me SMS të BIRN nëse komentet e tij ishin një opinion, d.m.th., ai mendon se kontrata nuk do të realizohet, apo ishin një fakt i llojit “qeveria ka vendosur të tërhiqet prej saj”.

Koncesioni në fjalë synon të ndërtojë një autostradë me distancë 17 kilometra e cila lidh kryqëzimin e Milotit me fshatin Balldre në veri të Lezhës dhe ka një kosto prej afro 32 miliardë lekësh. Koncesioni është fituar nga dy kompani vendëse, të cilat hodhën fillimisht një propozim të pakërkuar dhe më pas dolën fituese të tenderit ku nuk kishte garë të mirëfilltë.

Pasi tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të shumta, qeveria u përball me kërkesën e anulimit të së paku një pjese të këtyre kontratave koncesionare për zhvendosjen e fondeve të tyre në ndihmë të familjeve dhe bizneseve të goditura nga tërmeti.

Pak ditë më parë, Partia Demokratike në opozitë iu bashkua thirrjeve për anulimin e kontratave koncesionare në kushtet e katastrofës natyrore por kryeministri Edi Rama deklaroi se ai nuk ka ndër mend të heqë dorë prej tyre.

Sipas Ramës, koncesionet si ai i kontrollit shëndetësor apo i seteve kirurgjikale janë shumë të mira dhe nuk duhet të hiqen. Rama vetë nuk ka folur mbi propozimin për anulimin e së paku dy kontratave koncesionare të cilat nuk kanë nisur ende zbatimin: segmenti Milot-Balldre dhe ai Orikum-Dukat.

Vetë Braçe në Provokacia ndërsa shprehu opinionin e tij personal “kundër koncesioneve në tërësi” u  përpoq të mbronte koncesionet e dhëna nga qeveria “Rama” ndërsa sulmoi si të këqija koncesionet e dhëna nga qeveria “Berisha” deri në vitin 2009 apo nga qeveria “Berisha-Meta” deri në vitin 2013.

6 komente në “Qeveria ngrin në TV rrugën Milot-Balldre, por koncesionari thotë se nuk di gjë dhe po vazhdon punën”

  1. Turizem says:

    Qeveria ka thjesht deshire te bej rruge, por te besh autostrada nuk eshte njelloj sikur po ben rrugica lagjesh.
    Pra, duhet te sigurohet se kush kompani do ndertoj, çfare eksperience ka per te tilla punime, kush jane bankat qe e mbulojne me kredi, etj. Deri tani eshte turp per çdo qeveri qe e kane lene Shqiperine pa infrastrukture.

    1. Helio says:

      Eshte loje e rames per te hequr vemendjen nga ky koncesion! Medemek nuk do u beka prandaj mos u merrni me te.
      Nderkohe do behet qe cke me te se keta hajdutet i kane marre leket per ate pune. Shiheni si ngerdheshet rama neper ekrane kur vjene fjala te ppp-te, vetem genjeshtra qe si ha me njeri thote; normal mbron leket e veta.

  2. BE says:

    Si shpjegohet qe cdo projekt infrastrukturor po deshton …?
    Lexova ne nje shkrim qe projekti Milot-Balldren u bllokua dhe ne nje tjeter lexoj qe administratori i kesaj kompanie po pret kredi nga bankat !!
    Po zyrtaret e ministrise perkatese , a nuk i verifikuan te ardhurat financiare te kompanise ??
    Jo vetem per kete rast, por edhe per disa te tjera, duhet te nderhyje prokuroria dhe te dale pergjegjesia e paleve

    1. Adi says:

      Po ka akoma ndonje idiot qe beson ke ppp e ndyra te kesaj qeverie?! Fatmiresisht jane aq te paafte dhe makute sa edhe kur vjedhin ngaterrohen me kembet e vete

    2. Ana says:

      Ore kaqol, te ndertosh rruge nuk do te thote te kesh paret e tua. Te gjitha kompanite ne bote me huara punojne. E rendesishme eshte te dish si te organizosh punen dhe te respektosh detyrimet kontraktore.

  3. 17nentori says:

    Turp jane shume gjera qe sjane bere… por nese je qeveri dhe e ke vene firmen ne kontrate atehere mos dil ne televizor dhe te deklarosh… qe do ta prishesh!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje