Dosja: Kush janë “Mjekrroshat” nga veriu që ekzekutuan politikanin serb

Vrasja e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviç mund të jetë kryer nga një grup i kriminal që vepron në veriun e Mitrovicës dhe që quhen “Mjekrroshat”. Të gjithë këta dyshohet se marrin urdhra nga “peshku i madh”, Milan Radojçiç. Gazeta Express ka siguruar aktakuzën për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviç. Sipas fazës së hetimeve dhe grumbullimit të provave, dilet në përfundim se vrasja e Ivanoviç u krye për motive politike dhe se ai u ekzekutua nga grupi kriminal i organizuar dhe udhëhequr nga Milan Radoiçiç i cili tashmë prej kohësh ka vepruar me grupin e tij dhe pjesëtarët e grupeve të tjera si grupi “Bradonjat” (mjekrroshat) të ardhur kryesisht nga qyteti i Quprisë në Serbi, pjesëtarët e këtij grupi ishin marrë edhe me sigurinë fizike të Milan Radoiçiçit.

Një grup prej disa personash, të quajtur “mjekrroshat”, të cilët prej disa vitesh veprojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, janë shndërruar në sinonim të kërcënimeve, shantazheve, zhvatjes, frikësimeve e kushtëzimeve për qytetarët e komunave me shumicë serbe që gjenden në pjesën veriore të vendit. Të gjithë pjesëtarët e këtij grupi dyshohet të jenë serb dhe veprojnë me direktivat e “peshkut” të madh, Milan Radojiçiç. Ky i fundit është duke u kërkuar nga ana e institucione të hetuesisë kosovare si i dyshuar në përfshirjen e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviçit.

Gazeta Express ka arritur ta sigurojë aktakuzën e përpiluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës e cila më 2 dhjetor të këtij viti e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, departamentin special.

Në këtë aktakuzë 48-faqëshe jepen detaje të frikshme rreth gjithë rastit të vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviç, i cili u gjuajt për vdekje në mëngjesin e 16 janarit të vitit 2018 para selisë së partisë së tij. Janë më shumë se 25 dëshmitarë e qindra prova të tjera të cilat janë marrë parasysh si pjesë e hetimeve nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Por, përveç këtyre dëshmitarëve, në aktakuzë flitet edhe për dëshmitë e 4 dëshmitarëve të mbrojtur. Dëshmitari anonim A1, dëshmitari anonim D, dëshmitari anonim B1, si dhe dëshmitari anonim B3.

Njëri nga këta dëshmitarë në deklaratën e tij para hetuesisë kishte deklaruar se vetura me xhama të zi, e cila sipas tij kishte qenë e njëjta veturë që kishte qëndruar 3 ditë para vrasjes së Oliver Ivanoviqit, afër vendit ku është gjetur e djegur kjo veturë e dyshuar.

Ai deklaron se një natë para ngjarjes, në vendin ku ishte vrarë Ivanoviqi, kishte vërejtur tre persona, dy me uniformë të policisë së Kosovës dhe një person prapa me rroba civile.

Sipas dëshmitarit, personi i cili kishte qenë me rroba civile (shtatlartë, tullac, në krah kishte pasur një çantë krahu, dhe një tatuazh në dorën e majtë, kishte dalë nga vetura e policisë dhe në gjuhën serbe kishte folur me zë të lartë me zyrtarët e policisë.

Në një dëshmi tjetër të dëshmitarit anonim, ai ka deklaruar se Milan Mihajloviq e kishte kërcënuar atë se do ta vrasë në momentin kur e kishte pyetur se nëse ka lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Mos u bë i marrë, mos më lidh mu me këtë punë”, “Mos i përmend këto gjëra, se për këto shkon edhe koka, sepse pas këtyre gjërave qëndrojnë forcat më të fuqishme shtetërore”, citon t’i ketë dhënë Mihajlovici, dëshmitarit të mbrojtur. Ai ka deklaruar se Mihajlovici, për çdo ditë kishte qenë në kontakt me Milan Rajdojçiqin.

Ai ka deklaruar se dyshon që Oliver Ivanoviqin mund ta ketë vrarë i njëjti person i cili e ka vrarë edhe Ivica Rajçiqin. Dëshmitari anonim, tutje ka deklaruar se Milan Radojçiqin e përkrahin ‘grupi i mjekrroshave’ dhe se prej tij frikësohen të gjithë eprorët e policisë në rajonin e Mitrovicës së veriut.

Ndërkohë dëshmitari i mbrojtur po ashtu ka deklarua se zyrtarë e operativës Regjionale në Veri, togeri Zhelko Bojiqi dhe Milan Ristoviqi, veprojnë në direktivat e BIA-së (shërbimi sekret serb), si dhe janë marrë vesh që të mbulojnë provat materiale lidhur me vrasjen, e posaçërisht video-incizimet e kamerave të sigurisë, jo vetëm nga vendi i ngjarjes por edhe në pjesët e tjera të qytetit ku kishte lëvizur vetura e dyshuar ‘Opel Astra’ përmes së cilës veturë edhe është kryer vrasja.

Ato kamera të sigurisë sipas dëshmitarit i ka vendosur Serbia, si dhe janë mbikëqyrur nga Milan Radoiciqi. Ndërkohë vetura që u përdor për vrasjen e Ivanoviqit, ‘Opel Astra’, dyshohet se ka hyrë në Kosovës përmes drejtimit nga Bllaca, porta 13. Vrasjen e ish-politikanit serb, sipas dëshmitarëve anonim, e kanë kryer grupi kriminal të quajtur “Mjekrrat” si dhe sipas tyre të gjithë e dinë se nga kush udhëhiqet ky grup.

Por në thuajse të gjitha dëshmitë e këtyre dëshmitarëve, të gjithë ë kanë përmendur Milan Radoiciqin. Sipas tyre ai ka ndikim në çdo gjë që zhvillohet në veriun e Mitrovicës, “madje edhe në ajrin që e thithin të gjithë në atë pjesë”. (citohet aktakuza).

Ivanoviqi e kishte ditur se do të vritej: Për rrezikun i kishte njoftuar institucionet

E për të gjitha kërcënimet, ish-politikani serb, Oliver Ivanoviq i kishte njoftuar institucionet e hetuesisë përfshirë edhe vet palën serbe, në këtë mes edhe presidentin e Serbisë si dhe shërbimin e BIA-s. Madje këtë e kishte paralajmëruar vet ai, përmes një sms-i që e kishte shkëmbyer me një person.

“Do të përkrahim sigurisht, vetëm përpara atëherë ruaje familjen dhe veten sa mundesh”. Këtë mesazh, Ivanoviq e mori seriozisht, pasi paralajmëroi se do t’i njoftonte organet e hetuesisë.

“Nesër do ta thërras prokurorin që ta fillojë hetimet”, kishe shkruar Ivanoviq.

Por para se ta ndërmerre këtë veprim, politikani serb, u godit për vdekje me gjashtë plumba para selisë së partisë së tij më 16 janar të vitit që e lamë pas.

“Ivanoviq kishte thënë se ai dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, janë të rrezikuar nga Milan Radojqiq dhe grupi i tij dhe se ai gjithmonë është frikësuar se do të vritet nga Radojqiqi dhe grupi i tij”, thuhet në deklaratën e një dëshmitari.

Më tej në deklaratat e tjera, theksohet se në asnjë mënyrë shqiptarët nuk kanë mundur që ta kryejnë këtë vrasje. “Prapa saj qëndrojnë serbët dhe strukturat kriminale që veprojnë në veriun e Kosovës, Radojqiq, Rakiq dhe Bojiq”, thuhet tutje në dëshminë e një dëshmitareje e cila i është bashkangjitur aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në përfundimin e aktakuzës, Prokuroria Kosovës, thekson se gjatë fazës së hetimeve dhe grumbullimit të provave, vihet në përfundim se vrasja e Oliver Ivanoviqit mund të jetë kryer për motive politike dhe se është kryer nga grupi kriminal i organizuar dhe udhëhequr nga Milan Radoiqiqi i cili tash e një kohë kishte vepruar me grupin e tij si dhe pjesëtarët e grupeve të tjera si grupi “bradonjat” (mjekrroshat) të ardhur kryesisht nga qyteti i Quprisë Serbi, pjesëtarët e këtij grupi ishin marrë edhe me sigurinë fizike të Milan Radoiqiqit.

E megjithëkëtë, deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka arritur t’i identifikojë vrasësit e mundshëm të Ivanoviq. Ndërkohë, urdhër arrest ndërkombëtarë Prokuroria tashmë ka shpallur edhe për katër persona të tjerë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rastin e vrasjes së Olivber Ivanoviqit. Ata besohet se gjenden në Serbi.

Prokuroria Speciale gjithashtu ka shpallur urdhër arrest ndërkombëtar për Milan Radojiqiq dhe Zvonko Vesenlinoviq. Këta të dy sipas prokurorisë cilësohen si udhëheqës të grupit të cilët janë përfshirë në rastin e vrasjes së politikanit serb. Oliver Ivanoviq. Urdhër arrest vendor, Prokuroria Speciale ka shpallur ndaj Zhelko Bojiq, zyrtar policor në veri të Mitrovicës dhe Milan Mihajloviq i njohur si “Popi”.(Express)

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *