FOTOT: Vajzat nga Mirdita që na bëjnë thirrje të “kthehemi tek nëna”

Nga Entela Resuli

Joana dhe Arilda janë dy vajza nga Mirdita që kanë vendosur të rikthejnë veshjet tradicionale të trevës së tyre, por të modernizuara.

Joana Kaçori  është arkitekte dhe punon pranë Institutit të Ndërtimit.

Arilda Lleshi  është diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Lituani, ka punuar një vit në Kanada dhe prej disa muajsh jeton në Tiranë.

Të dyja i bashkon një miqësi familjare, por edhe idetë e përbashkëta për një projekt që ka të bëj me veshjet dhe traditën. Ato janë shumë të lidhura pas familjes, historisë dhe trashëgimisë.

Prej më shumë se një viti ato i janë futur një rruge të vështirë, të bukur, por edhe që i bënë krenare në të njëjtën kohë; krijimin e një firme veshjesh, që mbështetet te tradita dhe që e kanë quajtur “Amargi”.

Teksa shohim krijimet e tyre duket sikur i futemi një udhëtimi drejt së bukurës, “Amargi” i qëndron besnike rrënjëve. Vetë fjala “Amargi” përkthehet nga gjuha e lashtë sumeriane si “rikthim tek nëna”. Eksplorimi i trashëgimisë etnografike kërkon të rizgjojë një pasuri popullore që do të shuhet me gjeneratën e gjyshërve tanë. Baza e veshjeve është copa e prodhuar në mënyrë artizanale me tezgjah, një zgjedhje e qëllimshme kjo, në mbështetje të ekonomisë vendase, fuqizimit ekonomik të femrave, dhe krijimit të një firme të bazuar mbi parimet e qëndrueshmërisë.

“Rikthim tek nëna”

Joana dhe Arilda na tregojnë se gjyshet e tyre vishen ende me veshje popullore të zonës së Mirditës.

Ishte një ngacmim i rastësishëm, por ndoshta i fjetur prej kohësh tek to që i bëri të mendojnë për një linjë veshjesh shqiptare, që ka në bazë traditën.

Kështu, një vit më parë lindi “Amargi”,  ose “Rikthim tek nëna”.

Ky është edhe qëllimi i mirditoreve, të rikthehen në traditë. Të rikthehen te vatra e tyre, e cila shijon dhe është më e bukura në botë, për këdo.

“Më kot lodhemi duke kërkuar dhe duke u frymëzuar nga veshje që vijnë nga jashtë. Ne kemi një pasuri të madhe siç është etnografia jonë. Kur isha më e vogël dhe shihja gjyshen që vishej me veshjen e saj tradicionale mendoja: a sikur këmisha e saj të ishte më e ngushtë, do e përdorja për në shkollë…” – tregon Arilda e cila kujdeset për ta sjell “Amargin”  tek njerëzit duke e afruar dhe duke e bërë atë më shumë të njohur për publikun e gjerë.

Ndërsa Joana është ajo që ideon veshjet. Ajo që kujdeset që asgjë të mos humbas nga tradita, por gjithçka të kthehet nga një formë, në një tjetër.

Arkitektja na tregon se nuk ka patur ndonjëherë ndonjë lidhje të drejtpërdrejt me modën.

“Unë, duke qenë se kam studiuar arkitekturë, jam e vëmendshme ndaj linjave të drejta, gjeometrike dhe minimaliste. Këto kanë qenë fokusi im dhe pak a shumë shprehin pjesën kreative timen. Lidhja me arkitekturën duket se më ka çuar edhe drejt kësaj rruge dhe ndihem mirë”- shprehet Joana, e cila i shikon me shumë dashuri krijimet e saj.

Darkave, ajo futet në dhomën e punës dhe krijon, krijon duke u bazuar mbi traditën e Mirditës. Veshjet që vajzat sjellin janë elegante, janë për një përdorim të përditshëm nga njerëz të cilët e pëlqejnë këtë stil.

Sfilata

Vajzat që kanë krijuar Amargin nuk e kishin menduar që një vit pas lindjes së biznesit të tyre do të vinin  me një sfilatë. Por duket se nevoja për ta prezantuar për një publik më të gjerë dhe për t’i prekur nga afër copat e tyre të pambukta i bëri që këtë fundvit të tregojnë nëpërmjet një sfilatë punën e tyre të deritanishme.

Në datën 12 Dhjetor në kryeqytet organizohet një fashion show  ku do të paraqiten të gjitha krijimet e frymëzuara nga tradita, por të sjella me një frymë moderne, të veshjeve tradicionale shqiptare. Këtë herë Joana dhe Arilda janë ndalur në vendlindjen e tyre, Mirditë, ku gjejmë elementin e kryqit, të qemerit .

Ky organizim nuk do të ishte i mundur pa ndihmë. Sfilata e Amargi-it po mbështetet nga Ëomen Founders Network Albania, një komunitet vajzash e grash sipërmarrëse, të cilat vullnetarisht po mbështesin vajzat në një sërë mënyrash, duke nisur që nga koordinimi i sfilatës, PR-i, regjistrimi dhe montazhi i sfilatës me kamera, si dhe mbështetje logjistike

Koleksioni vjetor kalon në këtë krahinë në kërkim të formave, ngjyrave dhe motiveve të heshtura në muze.

“Kemi qëndruar te kjo lloj cope dhe të ngjyra e bardhë, si fillim për të patur një lloj konsistence.  E bardha është ngjyra bazë e veshjeve mirditore popullore. Është e realizuar me tezgjah. Kemi bashkëpunuar me një qendër artizanale në Lezhë drejtuar nga Tereze Gega dhe e marrim atje.  Copa është 100 për qind pambuk dhe është e rehatshme”- shpjegon Joana.

Për to nuk ka qenë e vështirë për të ardhur deri këtu pasi idetë i kanë patur të qarta qysh në fillim.

“Ne që në fillim e kishim idenë për të krijuar veshje moderne, bazuar të tradicionalja për të qenë praktike dhe të përdorshme edhe për ditët e sotme. Theksimi i belit dhe i formave trupore të femrës është pika jonë e fortë”- shtonë Arilda duke theksuar se  “Unë personalisht e shikoj çdo gjë në një kontekst historik. Kam vënë re se sidomos këto vitet e tranzicionit e kemi humbur busullën dhe gjithmonë kërkojmë diçka nga jashtë, ndërkohë kemi një gjë të rëndësishme tonën që po e humbim. Etnografia është një nga ato”.

Joana  thotë se në vazhdim do të krijoji mbi veshjet tradicionale të zonave të tjera të Shqipërisë.

“Zonat e Mirditës është një ndër zonat e fundit që e ka ruajtur veshjen tradicionale. Gjyshet tona i përdorin ende këto veshje dhe për ne është më e prekshme.  Por në vazhdim nuk do qëndrojmë vetëm te zona e Mirditës por do të lëvizim edhe në zonat e tjera”.

Joana dhe Arilda ende nuk janë tunduar nga largimet masive të të rinjve jashtë vendit, ato kanë vendosur t’i qëndrojnë besnike jo vetëm traditës por edhe vendit të tyre. Të paktën deri më tani ato mendojnë të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. (dita)

3 komente në “FOTOT: Vajzat nga Mirdita që na bëjnë thirrje të “kthehemi tek nëna””

  1. Dash says:

    Komplimenti! Ju lumte vajza qe na kujtoni qe ne kete vend nuk ka vetem djaj qe dine vetem te shajne nga mengjezi ne darke..

  2. Mirditorja says:

    Brravo te dyja vajzave nga mirdita per shkollen qe kane bere . Kjo ne foto simpatike me trup te bukur ,por kjo nuk eshte veshja tradicjonale mirditore .Mami kesaj vajze kurr nuk eshte veshur keshtu. Suksese vajza ne shkolle e ne pune.

  3. Markus says:

    Urime- e lexova i impresionuar idene e rikthimit tek tradita e veshjeve popullore- Mirdita, Zadrima dhe Malesia e Madhe kane etongrafi mahnitese-lexoni librat qe kane shkruar
    udhetaret e huaj per veshjet e ketyre krahinave, te gjithe flasin me admirim,qe nga Eduart Shnajder e deri te vizitoret e sotem…Vajza, punoni me vetebesim,mos u impresiononi lehte prej gabel-lleqeve qe shpesh quhen Mode… Pergezime, dhe i shkoni projektit tuaj deri ne fund!

Lini një Përgjigje te Mirditorja Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *