Standardi Europian i Evitës tërheq investitorin prestigjioz global

10 Dhjetor 2019, 10:52Shëndeti TEMA
Standardi Europian i Evitës tërheq investitorin prestigjioz global

Në vijim të përfundimit të transaksionit të kalimit të kuotave të shoqërise Diavita sh.p.k, kompani e formuar nga partneriteti Evita – Spitali Amerikan për ofrimin e shërbimit të hemodializës në Shqipëri, kompania prestigjioze ndërkombëtare e kujdesit renal Diaverum shprehet e kënaqur me cilësinë dhe standardin Europian të gjetur pranë kësaj kompanie.

Evita dhe Spitali Amerikan, pas shpalljes fitues të koncesionit “Për ofrimin e shërbimit të hemodializës” në 2015-ën, krijuan kompaninë bijë “DiaVita” sh.p.k., e cila ka ndërtuar qendra të Hemodializës pranë vendbanimeve të pacientëve, si dhe ka rekrutuar e trajnuar stafin mjekësor për këtë shërbim. Falë DiaVita, sot marrin shërbim pranë këtyre qendrave mbi 380 pacientë, të cilët përbëjnë rreth 30% të totalit të pacientëve në vend.

Kompania Diaverum zhvilloi disa vizita inspektuese në qendrat e hemodializës Diavita, duke vlerësuar infrastrukturën bashkëkohore, stafin e kualifikuar, profesionalizmin në menaxhimin e situatave dhe përzgjedhjen e produkteve të cilësisë së lartë. Pas konstatimit të një standarti investimi e cilësie shërbimi të niveleve europiane dhe botërore, gjigandi i kësaj fushe përfundoi blerjen e kuotave të kompanisë Diavita më 04 Tetor 2019.

Bëhet fjalë për 5 nga 14 qendra hemodialize ekzistuese në total në Shqipëri të cilat do t’i shtohen strukturës ndërkombëtare të Diaverum International AB, i cili sot numëron 11.000 punonjës, 36.000 pacientë dhe mbi 360 klinika dialize në mbarë botën.

Drejtori Ekzekutiv i Diaverum, Dimitris Moulavasilis, u shpreh për këtë bashkëpunim:

“Jam shumë i lumtur të shpall hyrjen tonë në tregun shqiptar. Kjo reflekton strategjinë tonë për tu zgjeruar në tregje të reja dhe për të siguruar përmirësimin e jetesës nëpërmjet shërbimit të kujdesit renal për pacientët të cilët i nënshtrohen dializës kudo në botë. Ne shpresojmë të implementojmë misionin tonë për përmirësimin e pacientëve shqiptarë, nëpërmjet kujdesit renal dhe shërbimeve të reja, siç është kujdesi parandalues dhe programet edukative.”

Pesë qendrat e dializës, për të cilat u krye transaksioni, janë të lokalizuara në Korçë, Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Elbasan. Në këto qendra, tashmë i ofrohet shërbim rreth 380 pacientëve, nga një staf prej 120 profesionistësh.

“Ndihemi të kënaqur për blerjen e “DiaVita” shpk dhe hyrjen në tregun shqiptar. Shqipëria është një treg atraktiv, ku ne presim të rritemi edhe më shumë në vitet në vijim. Jemi gati të bashkëpunojmë nga afër me stafin profesionist të Diavitës dhe t’i mirëpresim ata në familjen e madhe Diaverum” – shtoi Boris Zjacic, Drejtori i Tregjeve dhe Operacioneve pranë Diaverum.

Diaverum është ndër kompanitë më të mëdha globalisht për përkujdesin renal, me qendër në Suedi dhe prezencë në 20 shtete të ndryshme në botë. Përgjatë viteve të fundit kjo kompani ka hyrë edhe në tregun e Maqedonisë së Veriut. Vizioni i Diaverum është rritja e kompanisë në të gjithë territorin e rajonit të Ballkanit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje