Krisja e parë ndërmjet themeluesve të PD-së në shkurt të vitit 1991: Nga shkarkimi i Azemit, tek 24 orët e Meksit e pastaj Berisha

12 Dhjetor 2019, 09:30Dossier TEMA

Pjesë nga libri “Pardesytë e Bardha”/ Shkarkimi i Azem Hajdarit nga posti i kryetarit të PD-së. 24 orët e Meksit në krye të partisë. Zgjedhja e Berishës në 14 shkurt si kryetar i përkohshëm i PD. Debatet në aktivin e parë kombëtar të Partisë Demokratike

Në gjysmën e dytë të shkurtit të vitit 1991, ndërsa PD-ja ishte në procesin e saj të organizimit, po shfaqeshin disa probleme të reja mes grupit të themeluesve. Brenda një muaji ishin larguar për shkak të debateve dy anëtarë të komisionit nismëtar, bashkë me tre të tjerë, që largoheshin për arsye personale. Ishte momenti i dytë, kur në PD shfaqej debati.

Sipas dëshmisë së Arben Imamit, ai bashkë me Azem Hajdarin, po shiheshin si krahu radikal brenda PD-së nga pjesa tjetër e kësaj partie. Ata akuzoheshin se po inspironin një reagim të ashpër të studentëve për të acaruar situatën, ndërkohë që PD-ja kishte bërë një marrëveshje me PPSH-në për të mbajtur të qetë situatën, deri në zgjedhjet e para pluraliste. Arben Imami shprehet, se ishin të pashmangshme disa lëvizje që duheshin kryer. Ishte fjala për angazhimin e tyre në grevën e studentëve, e cila kishte nisur me organizimin e protestës së përditshme në sheshin e Qytetit Studenti, për t’u finalizuar pak ditë më pas në grevë urie dhe rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës. Sipas Imamit, bashkë me Hajdarin, ata kishin nxitur dhe mbështetur këtë reagim.

Në këtë situatë, PD-ja kishte vendosur të mblidhte të parin aktiv kombëtar, për të konfirmuar organizimin e ri të partisë. Por situata shumë shpejt agravoi dhe aktivi u përshpejtua, me qëllim që të kryheshin zgjedhjet e para. Në rrethana të caktuara ishte vendosur të shkarkohej nga detyra e kryetarit të komisionit nismëtar të PD-së, Azem Hajdari.

“Vendimi erdhi, sepse kishte dy pikëpamje në parti. Kishte një pikëpamje, që ishte ndoshta më radikale, nuk po të them më e drejtë apo jo, megjithëse besoj se po; kjo përfaqësohej nga Azemi dhe unë (Arben Imami). Kishte dhe një tjetër pikëpamje për qëndrime dhe lëvizje të kujdesshme dhe të moderuara. Shkaku i ballafaqimit që evidentoi këtë ndarje në PD-në e asaj kohe u bë greva e studentëve, që kulmoi me grevën e urisë. Na sulmuan pothuajse të gjithë. Berisha qëndroi në mes. Ishte e vështirë të binin dakord me këtë rrugë. Kjo situatë dhe të tjera që pasuan ato ditë, çuan në zgjedhjet e para brenda PD-së, ato të shkurtit 1991. Ajo krizë u zgjidh me zgjedhje në parti dhe procesi ishte demokratik. U thirr Aktivi dhe pasi u zgjodh kryesia e parë nga ky Aktiv, kryesia zgjodhi kryetarin dhe sekretarin e PD-së.”

(Imami, Arben, intervistë për autoren, korrik 2013)

Detaje të tjera rreth këtij momenti, gjejmë në rrëfimet e Arben Demetit. Ai e lidh të gjithë situatën me protagonizmin e theksuar të Berishës dhe lëvizjet e tij të paracaktuara për të sjellë një situatë të re në aktivin kombëtar të PD-së. Në një artikull të dhjetorit 1994, në gazetën “Aleanca”, ai flet pikërisht për ngjarjen e këtyre ditëve. I pyetur në intervistë për këtë moment, Demeti shprehet, se gjithçka mund të thotë për këtë proces gjendet në këtë artikull, të cilit, ai shprehet se i qëndron rigorozisht edhe sot. Duke sqaruar detajet rreth momentit politik, Demeti shprehet se në atë kohë, në muajt e parë të vitit 1991, Sali Berisha ende nuk ishte aq i fuqishëm në radhët e komisionit nismëtar të PD-së. Në këtë situatë, sipas Demetit, ai ishte investuar shumë fort që të mbështeste Azem Hajdarin, pasi ky i fundit nuk e rrezikonte të ardhmen e Berishës në krye të PD-së.

Por deri sa të vinte ai moment, Hajdari ishte aq i rëndësishëm në zhvillimet e kohës, sa të mund të neutralizonte figura të tjera, të cilat shiheshin potenciale për drejtimin e PD-së.

“Në atë periudhë, drejtimi i përditshëm i Partisë Demokratike realizohej nga tre persona: Azem Hajdari ishte në detyrën e kryetarit të komisionit nismëtar, Arben Imami, në atë kohë shumë i lidhur me Azem Hajdarin ishte në rolin e nënkryetarit të shpallur të komisionit nismëtar të PD-së, Arben Demeti në detyrën e shefit të organizimit të partisë. Ky i fundit qëndronte tërë kohës në selinë e partisë për të realizuar të gjitha lidhjet me degët e partisë në rrethe, mbledhjet, takimet, mitingjet etj. Komisioni nismëtar mblidhej disa herë në javë, por detyrat që kërkonin zgjidhje të shpejtë ishin të shumta, prandaj u vendos në një mbledhje të komisionit nismëtar, ku mungonte atë ditë Berisha, që të ngrihej një grup organizativ drejtimi me katër persona: Azem Hajdari, Arben Imami, Eduard Selami dhe Arben Demeti. Grupi punoi për dy-tre ditë mjaft mirë, deri sa Berisha e “zbuloi”. Plasi sherri, luftë e ashpër për shpërbërjen e grupit. Ai nuk pranonte të mbetej jashtë. Replikat më të ashpra i pati me Eduard Selamin. Berisha me përbuzje e cinizëm këmbëngulte, se Selami ishte zgjedhur vetëm si sekretar i komisionit nismëtar dhe vetëm për të mbajtur protokollin, ndërsa Selami nuk i la kusur duke e quajtur komunist arkaik, me tendenca të theksuara diktatoriale etj. Nuk kishim se ç’të bënim dhe u detyruam të shpërbënim grupin e punës.”

(Demeti, Arben, gazeta “Aleanca”, 12 dhjetor 1994)

Dualiteti Pashko-Berisha, është një element i rëndësishëm i pasqyruar në këtë artikull. Siç dhe konstatohet më lart, në mbledhjen e parë tek shtëpia e Gramoz Pashkos, kur po themelohej PD-ja, Gramoz Pashko ishte evidentuar si figurë e njohur politike në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye, ai ishte zyrtari i parë i PD-së, që u ftua në aktivitete ndërkombëtare si përfaqësues i PD-së. Vizita e tij në Austri e Hungari si dhe takimi atje me Ibrahim Rugovën, një personazh mjaft i rëndësishëm në mbarë shqiptarinë, solli reagimin paradoksal të Berishës. Gramoz Pashko akuzohej, se kishte kryer takime i pamandatuar nga partia me individë të ndryshëm dhe ishte fjala pikërisht për takimin me Ibrahim Rugovën. Një gjyq, siç e quan Demeti, ndaj Pashkos për këtë takim, dëshmon edhe dualitetin e theksuar ndërmjet Pashkos e Berishës në atë kohë.

“Ishte java e dytë e janarit 1991, kur Gramoz Pashko mori një ftesë për një vizitë në Austri. Përpos aspektit privat, ftesa kishte edhe aspektin politik, sepse Pashko ftohej si një nga drejtuesit e PD-së. Personalisht u entuziazmova për dritaren e parë të hapur drejt Evropës. U mblodhëm, diskutuam dhe vendosëm disa piketa, që Gramozi t’i kishte parasysh në biseda. Vizita zgjati më shumë se sa ishte parashikuar. Gramozi vajti edhe në Hungari, takoi disa personalitete, takoi edhe Ibrahim Rugovën. E papritura ndodhi kur ai u kthye në Tiranë. Po atë mbrëmje, në mbledhjen e komisionit nismëtar, Pashkos iu bë një farë “gjyqi”, se kishte kaluar afatin e vizitës, se kishte takuar persona, për të cilët nuk kishte mandat nga partia, etj.

Në vend që të gëzoheshim për rezultatin, merreshim me çikërrima. Në krye të muhabetit ishte padyshim Saliu. Nyja gardiane e mbledhjes u bë çështja, se si do të pasqyrohej në gazetën Rilindja Demokratike takimi midis Pashkos dhe Rugovës. Pothuajse të gjithë ishim të mendimit, që të pasqyrohej si takim i përfaqësuesve të dy partive, PD-së e LDK-së. Saliu dominonte debatin me tezën: ”Jo zotërinj. Ky nuk është një takim zyrtar. Gramozi nuk kishte mandatin e partisë për t’u takuar me Ibrahim Rugovën. Ky mund të paraqitet në gazetë, vetëm si takim privat”. Gramozi i befasuar nga kjo pritje mbajti një qëndrim të qetë dhe të matur: “More Sali, pse e gjykoni kështu këtë punë. Paraqiteni po të doni edhe si takim privat, por mua më duket se nuk shkon. Nuk është as në të mirë e as në nderin e partisë”. Më pas Saliu tha: “Jo zotëri. Ti nuk kishe mandat të takoheshe me Rugovën. Pse e takove atë. Ky mund të pasqyrohet vetëm si takim privat”.

(Demeti, Arben, “Aleanca”, 12 dhjetor 1994)

Kishin kaluar dy muaj prej ditës së themelimit dhe Partia Demokratike kishte themeluar edhe degët e saj në të gjitha rrethet. Ishte parashikuar të mblidhej një forum i kësaj partie për t’u organizuar më mirë deri në ditën e zgjedhjeve të para pluraliste. U vendos mbledhja e aktivit të PD-së, por në këtë aktiv nuk ishte parashikuar të zhvilloheshin zgjedhje brenda partisë. Aktivi ishte vetëm organizativ në funksion të fushatës elektorale, por situata e luftës politike brenda komisionit nismëtar të PD-së kishte avancuar. Brenda këtij forumi të parë ishin përcaktuar qartë grupet kundërshtare. Thyerja e vendimit të komisionit nismëtar, pikërisht nga kryetari i tij Hajdari, do të kthehej në penalizim për këtë të fundit.

“Më dhjetë shkurt 1991, Ramiz Alia kishte kërkuar të takohej me përfaqësues të PD-së. Njoftimin për këtë e solli Sali Berisha, po atë pasdite. U mblodhën ata anëtarë të komisionit nismëtar që gjendeshin aty, në atë moment, për të caktuar tre përfaqësues. Sali Berisha dhe Eduard Selami u zgjodhën me konsensus. Për personin e tretë u zhvillua një debat i fortë. Berisha këmbëngulte që patjetër të caktohej Azem Hajdari. Disa të tjerë ishin kundër. Pas afro një orë e gjysëm debat, me shumicë votash u caktua Preç Zogaj. Kësaj radhe Berishës nuk i eci, por kjo nuk mund të mbetej me kaq. Në momentin e fundit, para se të niseshin për tek Ramiz Alia, Saliu e detyroi Preçin të zbriste nga makina. I urti e “opurtuni” Preç, zbriti duke ia liruar vendin Azemit. Kishim plotësisht të drejtë të revoltoheshim. Përgjegjësia kryesore binte mbi kryetarin Hajdari, sepse ai më shumë se kushdo tjetër kishte detyrë të zbatonte vendimin e komisionit nsimëtar të partisë që ai drejtonte. U mblodhëm përsëri dhe vendosëm të organizonim të nesërmen një mbledhje të posaçme të komisionit nismëtar për Azemin, ku të dilej me propozimin për shkarkimin e tij si kryetar të kandidimit për këtë post të Aleksandër Meksit”.

(Demeti, Arben, gazeta “Aleanca”, 12 dhjetor 1994)

Por Arben Imami shprehet, se ajo mbledhje u organizua nisur nga frymëzimi që lidhej me kundërshtitë që komisioni nismëtar kishte ndaj tij dhe Hajdarit.

 

Shkarkimi i Hajdarit dhe zgjedhja e Aleksandër Meksit në krye të PD-së

Të pranishëm në ato zhvillime, protagonistë të kohës, e vlerësojnë nga këndvështrime të ndryshme, shkarkimin e Azem Hajdarit nga posti i kryetarit të komisionit nismëtar. Arben Imami, i cili në atë kohë ishte më afër se të tjerët me Azem Hajdarin e sheh si një goditje ndaj Hajdarit.

“Hëm… ajo që mund të them është, se u provokua kjo mbledhje në një orar të pazakontë. Kryetar u zgjodh Leka Meksi, gjithnjë kam shkuar mirë me të, nuk kisha asgjë kundër tij. Por nuk ishte çështje personi, ishte një goditje e beftë. Azemi doli, iu thashë lamtumirë e dola edhe unë. Pak a shumë se ne po ikim, ne e bëmë punën tonë, ju vazhdoni dhe urime në rrugën tuaj. Dhe u larguam. Azemi ishte udhëheqësi i lëvizjes, unë isha krucial për themelimin e partisë (në atë çast, kjo dihej më mirë se sot).”

(Imami, Arben, intervistë për autoren korrik 2013)

Ndërsa Eduard Selami e rrëfen kështu situatën kur po planifikohej shkarkimi i Azem Hajdarit:

“Qëllimi ynë ishte që të organizoheshim për të hyrë në zgjedhje sa më të organizuar. E kishim lënë që të zhvillonim disa zgjedhje në shkurt, pra zgjedhje brenda partisë. Pra, ne ishim në një proces rritje, kishin nisur mitingjet por edhe antimitingjet. Aktiviteti politik po rritej dita ditës. Azemi nuk është se kishte ndonjë ambicie të madhe për të qënë kryetar. Ai ishte modest dhe partia drejtohej me kolegjialitet. Në këto kushte, u pa e arsyeshme që të kryenim më shpejt zgjedhje, me qëllim që të forcohej partia. Pra, vendosëm që në krye të komisionit nismëtar të ishte Leka Meksi. Pasi u zgjodh ai, pati një farë pakënaqësie, që gjithsesi nuk kishte të bënte me kundërshtinë ndaj Lekës apo ndonjë individi tjetër, por ishte fjala vetëm për mënyrën e organizimit të partisë”.

(Selami, Eduard, intervistë për autoren, korrik 2013)

Pra, ishte data 11 janar, kur dhe ishte lënë të zhvillohej mbledhja e komisionit nismëtar të PD-së, ku parashihej shkarkimi i Hajdarit nga detyra e kryetarit të komisionit nismëtar. I pranishëm dhe mjaft aktiv në këtë ngjarje, Arben Demeti rrëfen:

“Mbledhja duhej të fillonte në ora 10, por Azemi në shenjë proteste, nuk pranonte të hynte në mbledhje. Ai sorollatej jashtë selisë. Më në fund nga dreka iu mbush mendja. Mbledhja nuk zgjati shumë. U hodhën në votë kandidatura e Azem Hajdarit dhe Aleksandër Meksit. Me shumicë votash fitoi Aleksandër Meksi. Preç Zogaj dhe miku i tij Mitro Çela, votuan pro Hajdarit. Për paradoks edhe Meksi votoi pro Hajdarit, megjithëse e kishte pranuar kandidaturën. Kur ne e pyetëm na tha “Isha afër me Azemin. Kur unë po votoja, ai zgjati kokën për të parë se kujt do t’i hiqja vizë, prandaj ia hoqa vetes”.

(Demeti, Arben, intervistë për autoren, qershor 2013)

Për të njëjtën mbledhje, Imami jep detaje të tjera. Ai flet për lëvizjet që pasuan ikjen e tyre nga mbledhja e komisionit nismëtar ku do të shkarkohej Hajdari.

“Pasi braktisëm mbledhjen, bashkë me Azemin shkuam për drekë në shtëpinë time. Pas pak orësh u shfaqën Leka dhe Edi. Iu thamë, se ishte e turpshme ajo që ndodhi. Na informuan se mbledhja u anulua, duke e konsideruar se nuk ishte zgjedhje e rregullt, se do të vazhdojmë procesin e zgjedhjeve të rregullta, por se ne detyrimisht duhet të ishim aty. Me sa di, një rol pozitiv për të shkuar drejt një zgjidhje ka pasur Saliu. Me sa di dhe me sa më kanë thënë propozimi kishte qenë i Preçit. Kishin vendosur të thërrisnin një aktiv partie dhe me atë aktiv do të shkonim drejt zgjedhjeve të rregullta. Nuk kishim arsye ta kundërshtonim, përkundrazi bëmë përpjekje për të afruar disa personalitete në parti. Faktikisht kryesia u plotësua me njerëz të rinj, pra aktivi shkoi mirë dhe me ato forume kemi bërë zgjedhjet e vitit 1991.”

(Imami, Arben, intervistë për autoren, korrik 2013)

Po cili kishte qenë roli i Berishës në këtë moment ? Sipas Arben Demetit, më 12 shkurt kur po punohej për aktivin, nga mesdita ishte shfaqur Sali Berisha.

“Berisha tha “Dëgjoni këtu. E kam menduar mirë këtë punë. Dje kemi bërë gabim të rëndë, duhet ta kthejmë patjetër mbrapsht. Azemi ka këto e ato merita, duhet ta vlerësojmë etj.” Ne iu përgjigjëm me vendosmëri se këtë problem e kishim mbyllur. Pasi debatuam një copë herë Saliu na befasoi me tezën “Atëherë t’i nënshtrohemi të gjithë votimit. T’i kërkojmë aktivit të votojë për të gjithë ne”. Ne kundërshtuam. Saliu me zë të lartë tha “Pse keni frikë nga vota zotërinj?! Ne jemi të gjithë jolegjitimë, të vetëcaktuar. Vota e aktivit duhet të na legjitimojë, të na japë të drejtën për të drejtuar partinë”. U përpoqëm të sqarojmë, se nuk kishim aspak frikë nga vota, por aktivi ishte thirrur për të tjera probleme dhe nuk duhet të devijonim nga rendi i ditës. Atëherë Saliu dhe Azemi kërcënuan, se do të shtrojnë në aktiv të gjithë problematikën dhe kjo do të sillte një situatë të papëlqyeshme dhe do të ishte shkatërrimtare për PD-në. Hoqëm dorë dhe u arrit kompromisi. Sipas këtij kompromisi, Aleksandër Meksi nuk do të ishte më kryetar i komisionit nismëtar dhe ky ishte qëllimi kryesor i Berishës. Komisioni nismëtar do t’i kërkonte aktivit votëbesimin për të kaluar në komisionin drejtues me 19 persona. Votimi do të ishte i fshehtë, me listë me shumë kandidatura”.

(Demeti, Arben, gazeta “Aleanca”, 13.12. 1994)

Aktivi i parë kombëtar i PD-së

Aktivi kombëtar i Partisë Demokratike u mblodh më 13 shkurt 1991, në sallën e leksioneve të Pallatit të Kulturës. Një ditë më parë, ishte arritur kompromisi. Azem Hajdari konsiderohej i shkarkuar si kryetar i komisionit nismëtar, por kjo nuk do t’i bëhej e ditur aktivit. Aktivi do të procedonte me rendin e ditës së paracaktuar dhe si pikë e fundit do të ishte votëbesimi. Aktivi drejtohej nga Eduard Selami si sekretar i komisionit nismëtar. Ishin zgjedhur 25 kandidatura, ku përfshiheshin të gjithë anëtarët e mbetur të komisionit nismëtar. U përfshinë në listë edhe intelektualë të aktivizuar në lëvizje ato dy muaj.

Ishte vendosur me konsensus që në aktiv të mos debatohej, por Azem Hajdari e nisi pikërisht me debat mbledhjen. Ai foli pas raporteve zyrtare, që mbaheshin nga drejtues të tjerë të komisionit nismëtar.

“U përpoq të krijonte idenë e një grupi personash në komisionin nismëtar, që kërkonin të bënin puç ndaj tij dhe se sipas tij duheshin spastruar nga partia. Ai formuloi akuza të padrejta e fyese për disa anëtarë të komisionit nismëtar. Situata u elektrizua dhe mbledhja devijoi nga rendi i ditës. U hapën probleme e diskutime të ndryshme nga diskutantë të ndryshëm. Saliu u përpoq të qetësonte situatën. Anëtarë të komisionit nismëtar, edhe pse të akuzuar padrejtësisht nuk folën për të mos acaruar situatën. Shumë diskutantë e kritikuan Azemin. Unë, i pezmatuar thellësisht, nuk fola fare. Nga fundi i mbledhjes mori fjalën Abdi Baleta në mbrojtje të Azem Hajdarit: “Kjo situatë sot, kur goditet lideri i lëvizjes studentore Azem Hajdari, më kujton kohën e qeverisë së Nolit, pas revolucionit të Qershorit. Ashtu si qeveria e Nolit, që duke shmangur Bajram Currin, i hoqi armën revolucionit, ashtu PD-ja, duke shmangur Azem Hajdarin, i heq forcën goditëse lëvizjes demokratike. Unë jam kundër dhe duke shprehur edhe mendimin e zotit Gjata, e tërheqim të dy kandidaturën tonë për në komisionin nismëtar të PD-së, duke mos pranuar të jemi as anëtar të PD-së”.

U detyruam të mbyllnim diskutimet për të kaluar në votim për udhëheqjen e re të partisë. Selami prezantonte kandidaturat dhe Hajdari pranë tij, i merrte mikrofonin dhe jepte opinione denigruese për secilën kandidaturë. Kur po bënte të njëjtën gjë për Bardhyl Reson, nuk durova dot, u ngrita dhe bërtita i nxehur: “Mjaft më Azem, mbylle gojën se na mërzite të gjithëve”. Ai nuk foli më deri në fund të mbledhjes. Sali Berisha u ngrit dhe paraqiti kandidaturën e Agron Çikës e Leka Totos, të cilët u shtuan në fund të listës. U votua lista me 25 persona. Në darkë rreth orës 20:00 dolën rezultatet. Nga lista me më shumë se 100 votues, Gramoz Pashko kishte vetëm një votë kundër. Berisha kishte 2 vota kundër, Mitro Çela kishte katër vota kundër, Arben Demeti shtatë vota kundër, Azem Hajdari kishte 42 vota kundër, Bardhyl Reso kishte 49 vota kundër, i cili nuk fitoi dhe këtu u nda pjesa fituese e anëtarëve të komisionit nismëtar.

Në komisionin drejtues hynë emra të rinj si Neritan Ceka, Shahin Kadare, Edmond Trako, Rexhep Uka, Lili Dhamo, Blerim Çela, ndërsa Agron Çika dhe Leka Toto nuk fituan. Ditën tjetër më 14 shkurt selia e PD-së u zhvendos nga vila e avokat Bidoshit në rrugën Asim Vokshi, tek Rruga e Kavajës. Selia e re u inagurua me mbledhjen e parë të Komisionit Drejtues të PD-së. Rendi i ditës ishte zgjedhja e kryetarit dhe sekretarit të tij. Ishte vendosur, që kryetari të ishte në mënyrë simbolike në krye të partisë, por drejtimi do të ishte kolegjial.

(Demeti, Arben, gazeta “Aleanca”, 13.12. 1994)

 

Dita e dytë e aktivit, zgjedhja e Berishës në krye të PD-së

“Nisi kështu mbledhja dhe dikush propozoi Berishën për kryetar. Saliu kundërshtoi, duke ngulmuar për “jo”. Kundërshtimi i tij dukej serioz dhe jo fallco. Disa të tjerë ngulmuan që ai të pranonte të votohej. Më në fund Saliu pranoi. Pas kësaj, Saliu propozoi kandidaturën e Azemit. Ky i fundit nuk foli. Dikush propozoi kandidaturën e Pashkos. Edhe Pashko kundërshtoi, por disa të tjerë ndër ta edhe Berisha ngulmuan, që Pashko ta pranonte kandidaturën dhe në fund ai e pranoi. Unë mora fjalën dhe pas formaliteve kam deklaruar, se nuk isha dakord me kandidaturën e Sali Berishës. Me sa kam parë këta dy muaj mendoj, se ai do ta dëmtojë demokracinë po të zgjidhet kryetar. Ai nuk është për këtë punë. Doktor Berisha kam pasur shumë konsidertaë për ju, por këta dy muaj që po ju njoh nga afër, konsiderta ka filluar të bjerë.

Ju doktor nuk më njihni mirë, por po të më njihnit, do të shqetësoheshit dhe do mendonit seriozisht për këto fjalë që po ju them. Gjithashtu nuk jam dakord me kandidaturën e Pashkos, sepse ai shfaq shenja mendjemadhësie. Për më tepër midis tyre, pra Pashkos e Berishës, vihet re një dualizëm, i cili në të ardhmen mund ta dëmtojë PD-në. Jam për një kandidaturë më të ekulibruar që do të mund të bashkojë dhe të realizojë një drejtim kolektiv të PD-së. Propozoj për kryetar z. Aleksandër Meksi.

Menjëherë pas meje u ngrit Ceka, i cili mbrojti me forcë dhe me ton autoritar kandidaturën e Berishës: “Partia jonë ka nevojë të ketë në krye një figurë të njohur dhe figurë këtu tek ne, është vetëm Sali Berisha. Ai duhet të jetë kryetar”. Pas tij Preç Zogaj, me ton të qetë, por serioz e të vendosur bëri të njëjtën gjë. Këto dy diskutime qenë vendimtare për votimin. U kalua në votim. Komisioni i votimit Arben Imami, Arben Demeti. Rezultati i votimit: Sali Berisha mori 9 vota, që do të thoshte më pak se gjysma e numrit 19 të përbërjes së komisionit drejtues të PD-së. Aleksandër Meksi mori 5 vota, Gramoz Pahsko mori 4 vota dhe Azem Hajdari mori 1 votë. U pa e paarsyeshme të zhvillohej balotazhi, pasi u presupozua vota e Azem Hajdarit në mbështetje të kandidaturës së Berishës. Berisha u zgjodh kryetar, ndërsa sekretar i komisionit drejtues u zgjodh Eduard Selami”.

(Demeti Arben, gazeta “Aleanca”, 13.12. 1994)

Lidhur me debatet dhe zgjedhjet në këtë aktiv, Arben Imami shprehet, se para aktivit ishte krijuar një gjendje e tensionuar, por nuk flet për detaje rreth këtij debati. Ai i qëndron idesë, që këto zhvillime u stimuluan të lidhura me pozicionimin e Hajdarit dhe të tij, si grupi radikal brenda PD-së.

Eduard Selami, nuk mohon debatet, por nuk jep detaje të hollësishme, duke anashkaluar garën e protagonizmit ndërmjet Pashkos e Berishës.

“Debati ishte spontan. Në duhet të sqarojmë, se deri në atë moment ne nuk ishim njerëz të zgjedhur por të vetëzgjedhur. Pra, nuk ishte kryer një proces zgjedhjesh në PD. Pra, ne nuk kishim një mandat të fortë për të përfaqësuar partinë, ndaj dhe nevojitej një proces zgjedhjesh. Ishte e nevojshme që një aktiv i gjerë partie të zgjidhte organet drejtuese dhe kështu u bë. U zgjodh një Komision Drejtues i partisë, kryetari dhe sekretari i përgjithshëm.

Të gjitha këto ishin çështje preferencash. Të gjithë situatën e sqaroi votimi i fshehtë, që u krye në atë aktiv. E kam drejtuar vetë atë mbledhje si sekretar i përgjithshëm dhe jam i sigurt, se janë bërë zgjedhje të drejta, me votim të fshehtë dhe drejtuesit janë zgjedhur në mënyrën më të drejtë.

A ka pasur debate? Po ka pasur. A ka pasur kundërshti? Po ka pasur, është e vërtetë. Ne rrinim rreth 15 ose 16 orë në mbledhje të lodhur e të ngarkuar dhe sigurisht debatet ishin të pashmangshme. Por ju garantoj, se fryma në tërësi ka qënë bashkëpunuese. Nuk kishte një garë midis nesh, pasi të gjithë ishim të interesuar t’i jepnim jetë asaj lëvizje kaq të vonuar për Shqipërinë. Ju garantoj, se fryma ka qenë më shumë bashkëpunuese se sa përpiqen të paraqesin shumë protagonistë të kohës. Unë e mbaj mend se kam qenë aty, të gjithë komunikonim bashkë si bashkëpunëtorë në funksion vetëm të një qëllimi, rritjen dhe konsolidimin e PD-së si një forcë, që duhet të merrte në dorë frerët e vendit për t’i dhënë drejtimin e duhur demokracisë në Shqipëri. Përpjekjet tona kanë të tilla, sa ia kemi dalë, historia do ta thotë. Fërkime ka patur vetëm midis Saliut dhe Gramozit.”

(Selami, Eduard, intervistë për autoren, korrik 2013)

Të tjerë që u përfshinë ato ditë në forumet drejtuese të kësaj partie, nuk kishin patur informacion të qartë më parë, se çfarë ndodhte brenda grupit të themeluesve. Të paktën ata nuk kishin qenë pjesë e mbledhjeve të të vetmit forum të kësaj partie, ku dhe ishin zhvilluar shumë shpesh debate mjaft të ashpra.

Sot pas 23 vitesh, protagonistët e atyre zhvillimeve të vrullshme e analizojnë ndryshe situatën. Mungesa e përvojës politike është elementi bazë, që sipas tyre ka sjellë situata të vështira në organizimin e PD-së dhe në zhvillimet negative që pasuan historinë e saj.

“Personalisht, nuk e kam pasur dhe sot nuk e kam mendimin që po ndahej në atë kohë. Ajo që ne na karakterizonte në atë periudhë ishte koncepti i drejtimit kolegjial deri në momentin e kuvendit, ku do të zgjidheshin drejtuesit me votë. Pavarësisht debateve të shumta që kemi pasur, ndonjëherë edhe paradoksale, ne i kemi quajtur problem të ditës, korrente të jetës së përditshme të aktivitetit shumë të ngjeshur të atyre ditëve. Pra, ne i kemi parë jo si gjëra të organizuara, por si një përpjekje për ta drejtuar korrekt partinë me kolegjialitet. Është fjala për një periudhë të ngjeshur politike, sa kur i mendon, duket se është fjala për vite e jo për aq pak muaj. Kam shkruar në vitin 1994, kur i kisha të freskëta dhe sot kur i shikoj sërish mendoj se ato janë shumë, shumë të sakta. Pra i qëndroj atij shkrimi sërish. Sot kam optikë tjetër, pasi ka kaluar kohë dhe ne jemi me eksperiencë. Një gjë e them me bindje pavarësisht sjelljeve të njërit apo të tjetrit, ishte mungesa e eksperiencës politike problemi ynë. Mungonte përvoja e një shoqërie demokratike, eksperienca për kompromis. Ato ndasi ishin shumë të vogla dhe të papërfillshme, por ishte mungesa e përvojës politike, e cila bëri që të mos mund të zgjidhnim atë debat që lindi asokohe në PD. Janë ato debate, që pengonin ekipin kompakt dhe na çonin në ato ngjarje, që pasuan historinë e partisë pak kohë më vonë”.

(Demeti, Arben, intervistë për autoren, qershor 2013)

Në të njëjtin qëndrim, sot shfaqet edhe Neritan Ceka, kur shprehet se në atë kohë shumë veprime janë bërë në mungesë të theksuar të përvojës politike. Ai veçon, se Berisha ishte më i përgatitur nga pjesa tjetër e PD-së, ndaj dhe ia doli të vihej në krye të saj për ta drejtuar për disa vite. Kur kujton momentin që mbështeti Berishën në aktivin që në të vërtetë i dha Berishës mundësinë për të qenë në krye të PD-së, Ceka thotë, se edhe sot mendon se ka qenë një qëndrim i drejtë, edhe pse historia e raporteve midis Cekës dhe Berishës përgjatë këtyre viteve ka qenë e mbushur plot me konflikte.

10 komente në “Krisja e parë ndërmjet themeluesve të PD-së në shkurt të vitit 1991: Nga shkarkimi i Azemit, tek 24 orët e Meksit e pastaj Berisha”

  1. realisti says:

    Si (ri)lindi Partija……

  2. nora says:

    SHKRUANI ME GERMA TE MEDHA PISLLIQET E KOMUNISTIT BERISHA/

  3. mos e shuaj komentin tim says:

    Te besh historine e PD-se me artikujt e Arben Imamit dhe Arben Demetit, te botuar tek Aleanca, eshte marrezi! Vetem nje gazetare e papergjeshme mund te merrte kete nisme. Arben Imami eshte ai ministri i fondeve apo jo? Eshte edhe ai tipi i krimeve ne jug ne 1997 apo jo? Eshte edhe ai tipi qe Mero na thoshte sesi ka qene minister i cdo qeverie nga 1997 e ketej apo gabohem?
    Kurse Demeti eshte ky tipi qe kaloi 1992-2005 kundra Sales, duke kaluar nga Aleanca tek Partia Republikane, dhe duke qene zv.minister i cdo qeverie, perfshire edhe keto vitet e fundit tek Mjedisi.

    Desh harrova, Eduard Selamin. Ky eshte qe lante makina ne USA per 15 vite rrjesh? Eshte po ky qe iku ne USA se kishte frike nga Berisha e Meksi apo gabohem edhe ketu?

    Nuk quhet liber, quhet pacavure!

    Mero, be nje liber vete, por beje tamam. Intervisto “i pezzi da novanta” jo keta “soldati” qe ka intervistuar kjo zonja.
    Merr ata burrat (jo cunaket) qe krijuan PD-ne, ata qe kane treguar integritet per 23 vite rrjesht, ata qe dolen nga kjo histori e ndyre vete dhe qe nuk erdhen kurre me tek prehri i Sales. Me ata shkruaje historine, jo me Azem, Arben e Eduard.

    P.S Shyqyr qe kjo zonja nuk intervistoi edhe Neritan Ceken se do te kishte qene kulmi.

    1. beso says:

      shume i sakte komenti me siper

  4. Nika says:

    Ka pjese te verteta po ne thelb kjo cupuline kerkone te legjitimoj te pa verteta.

  5. Lelo says:

    Pse se ka kriju “skenderbeu” Sali berishovic pd??
    A keto I dime ne me. Kohe qe thujen ne artikull, po duhet te nenvizohet qe Sala zhduku kartelen qe kish te 17.
    Keto ne ket artikull ti lexojn Ata pak tropojane koktrashe qe akoma kujtojn se berisha solli demokracine, e qe I shkojn mbas avazit filo serbit dhe anti shqiptarit me te madh te Gjith kohrave.

  6. h says:

    Kota tregoi se ishte lufte ndyrësirash për interesa personale.

  7. Agim kanada says:

    Mbledhjet e korbave te popullit shqiptar. Pardesyte e bardha per te mbuluar shpirtin e zi. Zgjedhjet e kriminelave te popullit shqiptar. Politika e shkaterrimit te pasurise te shqiperise.
    Lufta mes hienave se kush do te perfitonte me shume per pushtet. Tradhetia e idealeve te dhjetorit. Planifikimi mes cubash per te eleminuae fizikikisht banden e njeri tjetrit. Kjo eshte historia e PD. Gjithe inteligjenca e atyre viteve e injoroi kete levizje qe ne themel kishte hakmarrjen dhe shkaterrimin e pasurise kombetare. Me kujtohet mitingu I pare I PD ne rreshen ku thirrja ishte te djegim me zjarr e hekur gjithcka qe ka ndertuar komunizmi. Dhe ato thirrje fashiste u vertetuan. Gjithe ndermarrjet, pyjet, institucionet, ndihmat ekonomike u vodhen. Krimi e korrupsioni u ngrit me sistem. Te gjithe inxhinieret e kuadrot qe dolen nga universitete e aaaj kohe u hoqen me parullen e te pasurit babain anetare partie. E njejta lufte klasash por me permasa me te gjera. Keto kriminela me pardesy te bardha vodhen idealet e dhjetorit. Vodhen protestat e studentave dhe mbare popullit
    Vrane enderren per nje shtet jopolitik, human dhe kapitalist ku secili te pasurohej sipas kapaciteteve individuale pa vjedhur e korruptuar. U percudnua vlera e te qenit shqiptar. U derdhen rrugeve te mergimit duke mohuar dhe emrin qe na vuri nena kur lindem. U trajtuan si njerez me bisht, pa dinjitet e pa vlere. Kjo eshte nje tradheti kombetare e ketyre njerezve te serbise qe I shkaktuan deshires te nje populli te vuajtur per nje jete dinjitoze.

  8. shqiponja e zezë says:

    Keqjardhje për idealistët e atershëm ,studentët që rriheshin me shkopa gome nga sampistët që të vini në pushtet horrat dhe kurvat.

  9. is says:

    Shikoni njeriun “SFOND” në foto, si hijenë!
    Me atë buzëqeshje të ndyrë në fytyrë, sikur projektonte fatin e atyre që kishte para syve, por mbi të gjitha të zezën tonë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje