«Parapatriotizmi ringjallet në kohëra të krizave shoqërore, kryesisht në trajtën e parazitëve që i kapen buxhetit»

Nga Enver Robelli 

«Nëse patriotizmi është dashuri për atdheun, parapatriotizmi është dashuri për pozicionin vetjak në atë atdhe. Patriotizmi mund të jetë i dobishëm në kohërat e krizave shoqërore, kur mund të jetë forcë shtytëse e të gjithë qytetarëve për të qenë më të përgjegjshëm dhe më të vyeshëm. Parapatriotizmi ringjallet në kohëra të krizave shoqërore, kryesisht në trajtën e parazitëve që i kapen buxhetit». Këto fjalë të shkrimtarit boshnjak Selvedin Avdiq më së miri mbase e përshkruajnë moton e këngëve të bendit boshnjak «Dubioza kolektiv». Ky bend u themelua në vitin 2003 dhe tani është ndër më të njohurit në Ballkan. Qëllimi i këngëve të bendit nuk është argëtimi, por aktivizmi politik, nxitja e njerëzve për të menduar për jetën e tyre, kushtet në të cilat jetojnë, nacionalizmin helmues, sepse, siç thotë Selvedin Avdiq, lufta nuk ka mbaruar, vetëm është harxhuar municioni.

Në albumet e tyre anëtarët e «Dubioza kolektiv» qërojnë realitetin e hidhur boshnjak. Politikanë që tërë ditën flasin për ndarje definitive të vendit, ndërsa paralelisht me klanin e tyre familjar kontrollojnë së paku 80 ndërmarrje (kështu është rasti me liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik). Politikanë që tërë ditën flasi për vlera europiane dhe adhurojnë tendencat autoritare në vende të tjera (rasti me Bakir Izetbegoviqin). Jo rastësisht albumi më i ri i «Dubioza kolektiv» quhet #fakenews (nga 28 janari në treg).

Në një intervistë me revistën «Vreme» të Beogradit Vedram Mujagiq, njëri nga anëtarët e bendit, thotë: «Në fillim të viteve ’90 punëtorët dhe fshatarët vendosën kolektivisht se duan ndryshime, sepse na bindën se gjithçka do të jetë bukur dhe larmishëm si në Hollywood. Dhe e fituam Hollywoodin, por vetëm atë pjesën që merret me filma të luftës, e pastaj me filma me gangsterë. Tregu i lirë proletariatin e ka shndërruar në prekariat dhe brenda natës ajo fjalia e famshme ‘nuk mund të më paguajnë aq pak sa mund të punoj unë pak’ u shndërrua në: ‘nuk ka rrogë aq të vogël për të cilën nuk do të punoja’. Bashkë me këtë kemi fituar një klasë të privilegjuar, të paprekshme, e cila përfitoi nga luftërat dhe plaçkitjet gjatë privatizimit dhe e cila sot, sipas nevojave të veta, krijon rregulla të reja të lojës. Tranzicioni te ne ka pasur sukses, por socializmi nuk kaloi në kapitalizëm, ngase tani jemi një hap afër feudalizmit».

Një pjesë të problemit për mungesën e shpirtit kryengritës në Bosnjë anëtarët e bendit «Dubioza kolektiv» e shohin te diaspora, e cila duke dërguar para në atdhe pa dashje e stimulon plogështinë e përgjithshme shoqërore. Në këngën «No Escape from Balkan» Mujagiq me shokë këndojnë këto vargje: «I’m living in diaspora, I’m very proud of my house with the pool, master credit card, thick gold chain hangs around my neck, Mercedes-Benz parked in the back».

Anëtarët e «Dubioza kolektiv» kanë humor. Brano Jakuboviq, një anëtar tjetër i bendit, përshkruan ikjen masive të njerëzve në Gjermani për të gjetur punë: «Para se makinat të marrin përsipër për të kryer punët tona, popujt dhe popullsitë nga Ballkani do të kryejnë të gjitha punët për të cilat Gjermania dhe shtetet e tjera të zhvilluara s’po gjejnë punëtorë. Për këtë arsye e kemi zhvilluar një robot, sepse ekziston një deficit serioz i kuadrove në skenën muzikore. Problemi është se i kemi vendosur tepër memorie dhe na doli tepër i mençur.

Menjëherë e kuptoi se ne si popull jemi hajvan dhe se me neve mund të manipulohet lehtë. Tani roboti po na kërcënon me themelimin e ‘Sindikatës së robotëve, makinave dhe mjeteve ndihmëse elektronike’. Po planifikon të regjistrojë edhe ‘Partinë Demokratike Robotike’ dhe të kandidojë për president. Mos të flasim këtu për atë se çfarë përparësie do të kishte roboti në këto trevat tona kur të fillojë numërimi elektronik i të dhënave».

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *