REPORTAZHI/ Rikthim në Kosovë: Serbët që u rikthyen në qytetin e tyre të lindjes

14 Janar 2020, 12:06Rajoni TEMA
REPORTAZHI/ Rikthim në Kosovë: Serbët që u rikthyen në

Vetëm një numër i vogël serbësh janë rikthyer për të jetuar në Prizren, Kosovë, pasi u larguan që aty pas luftës së viteve 1999, por teksa kërcënimi për një dhunë të mundshme nuk ekziston më, të rikthyerit aty janë përballur me vështirësi të mëdha ekonomike.

Nga Daniel Petrick

Kur Ljubisa Jevtiç udhëton nga Serbia për në shtëpinë e tij në Prizren të Kosovës, ai duhet të bindë njerëzit se qyteti është një vend i sigurt për të si serb.

“Kur them se po shkoj në Prizren, ata më thonë mirupafshim sikur s’do ta shohim më kurrë njëri-tjetrin, sikur nuk do të kthehem më kurrë”, tha Jevtiç.

Jevtiç mendon se kjo frikë e përhapur mbahet gjallë nga mediat serbe.

“Është një psikozë që u ka mbetur disa njerëzve që nga viti 1999”, tha ai. “Shtypi u mbush kokën njerëzve me gjëra të tilla duke thënë se Kosova është një vend i tillë dhe pasta njerëzit kanë frikë të vijnë. Kam qenë me qindra herë në Prizren dhe, deri më tani, nuk kam pasur kurrë ndonjë lloj problemi!”

Por në të kaluarën e afërt, Prizreni nuk ka qenë gjithmonë një vend pa probleme për serbët. Nga një popullsi prej rreth 10,000 serbësh që ky qytet kishte para luftës, Jevtiç është një nga vetëm rreth 20 të tillë që u kthyen pas konfliktit për të jetuar sot në qytet.

Në të gjithë ish-Jugosllavinë, programet për të ndihmuar kthimet për pakicat e zhvendosura nga lufta kanë pasur pak sukses. Rasti i serbëve të Prizrenit tregon pengesat me të cilat përballen këto programe.

Në Prizren, edhe me investimet masive dhe donacionet për strehim nga komuniteti ndërkombëtar, bashkëpunimi nga ana e komunës dhe një qytet i njohur për larminë dhe kulturën trigjuhëshe (turke, shqipe dhe serbe/boshnjake), ekonomia e dështuar e Kosovës i pengon serbët që të kthehen aty.

Gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, Ushtria Jugosllave dhe forcat paraushtarake serbe dëbuan me dhunë mbi 800,000 shqiptarë të Kosovës drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë fqinje dhe vranë më shumë se 10,000 të tjerë. Pas përfundimit të luftës, kur forcat jugosllave u tërhoqën, civilët serbë u larguan nga Kosova, nga frika e sulmeve hakmarrëse.

Pothuajse çdo serb që ishte ende në Prizren në fund të luftës u evakuua në një kolonë të organizuar me nxitim në qershor 1999.

Fred Cocozzelli, profesor i asociuar në Universitetin St John’s në Nju Jork, mbërriti në Prizren atë verë për të punuar për një OJQ humanitare ndërkombëtare dhe ishte dëshmitar i asaj që ndodhi më pas.

Pjesa më e madhe e Potkaljajas, lagja e vjetër serbe përgjatë kodrës në qendër të qytetit, u plaçkit dhe u dogj totalisht. Në pasigurinë dhe kaosin që pasoi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, një qasje tepër e kujdesshme nga trupat gjermane nga forcat e KFOR në Kosovë nuk arriti të parandalonte dot dhunën kundër serbëve dhe romëve lokalë.

“Pothuajse çdo natë një shtëpi tjetër në anën e kodrës do të digjej”, tha Cocozzelli.

Në mars 2004, dhuna kundër serbëve shpërtheu përsëri në të gjithë Kosovën. Në Prizren, sipas një raporti të Human Rights Watch, të gjitha shtëpitë serbe të mbetura në Potkaljaja, përfshirë disa që ishin rindërtuar së fundmi pas sulmeve të vitit 1999, u dogjën.

Protestuesit gjithashtu dogjën Bogoslovijan, një seminar ortodoks serb në qendër të qytetit dhe një sërë kishash, disa prej të cilave që datonin që nga shekulli i XIV. Të 36 serbët e rikthyer në Prizren që nga lufta mbetën pa shtëpi. Një burrë serb u gjet i djegur për vdekje në rrënoja dhe shumë të tjerë u dhunuan rëndë, duke përfshirë edhe prindërit e Ljubisa Jevtiç.

Pas dhunës, prindërit e tij u strehuan në kazermat e trupave gjermane të KFOR-it përpara se Jevtiç t’i sillte ata në Kraljevo në Serbi, ku babai i tij vdiq një vit më vonë për shkak të pasojave të lëndimeve që mori. Nëna e tij mbeti e traumatizuar dhe vdiq disa vjet më vonë, duke mos e marrë kurrë veten nga tronditja.

“Lëndohem shumë kur flas për fatin që ata patën”, tha Jevtiç. “Kur babai im vendosi të kthehej në Prizren pas luftës, ai më tha: ‘Atje i mbijetova Luftës së Dytë Botërore. Nuk kemi asnjë send tjetër dhe ky është gjithashtu edhe vendi ynë.’”

“Koha ka treguar se mund të jetojmë së bashku”

Slavisa Cvetkoviç, një nga serbët e pakët të rikthyer në Prizren, në studion e tij. Foto: Daniel Petrick

Dhuna nuk ka qenë gjithmonë pjesë e historisë së Prizrenit. Jevtiç beson se ajo është një anomali historike në një qytet që ka qenë prej kohësh një simbol multietniciteti dhe multilingualizmi.

“Shikoni! Në një rreze prej 200 metrash keni Xhaminë Sinan Pasha, Kishën Ortodokse Serbe të Shën Gjergjit dhe Katedralen Katolike”, tha ai. “Serbët e vjetër të Prizrenit flisnin turqisht më mirë sesa serbisht. Koha ka treguar se ne mund të jetojmë të gjithë së bashku.”

Në dasmën e tij, gjysma e të ftuarve ishin serbë, ndërsa pjesa tjetër ishin shqiptarë dhe turq. “Të gjithë bashkë kënduam këngë serbe, shqiptare dhe turke”, tha ai. “Mendoj se ishim të gjithë të lumtur.”

Vlade, i cili u kthye në Prizren në vitin 2015 me nënën e tij, kujton se si babai i tij fliste në mënyrë të përsosur turqisht. Shqiptarët dhe turqit, tha ai, “të flisnin në serbisht dhe ti u përgjigjeshe në turqisht. Ky ishte mirëkuptim, respekt.”

Suncica Cvetkoviç, e cila së bashku me burrin e saj Slavisën ishte një nga të kthyerit e parë, ishte në një grup popullor serb në Prizren për 35 vjet me radhë dhe kujton me dashuri që merrte pjesë në eventet popullore shqiptare, turke dhe rome në qytet.

“Të gjithë në këto katër grupe merrnin pjesë në eventet e njëri-tjetrit”, tha ajo. “Muajin e kaluar fola me një grua shqiptare që jeton në Prishtinë dhe e cila kërcente në ato grupe. Po kujtonim kohët para luftës, kur dilnim të gjithë bashkë dhe ishim akoma të reja.”

Ata mësonin këngët dhe gjuhët e njëri-tjetrit, në shkollë dhe në rrugë. Pasi kaloi vite në Itali pas luftës, shqipja e Cvetkoviçit është e çalë, por ajo tregoi me gisht Slavisën në anën tjetër të dhomës dhe tha: “Por ai flet si shqip ashtu edhe turqisht.”

Ajo bëri një pauzë para se të shtonte: “Ishte vërtet vëllazëri dhe unitet”, duke iu referuar një slogani të kohës së Titos që promovonte harmoninë ndëretnike në Jugosllavi.

“Mirëpritja në Prizren na inkurajoi”

Ljubisa Jevtiç (në qendër) në një dyqan akulloresh në Prizren. Foto: Daniel Petrick

Shtëpitë e djegura të Potkaljajas mbetën për vite me radhë si kujtesë e dhunës së vitit 2004, duke qëndruar bosh, të shkatërruara dhe me pamje nga Prizreni deri në vitin 2011, kur qeveria britanike dhe Këshilli Danez i Refugjatëve, me ndihmën e shoqatës Sveti Spas, një organizatë serbe për njerëzit e zhvendosur nga Kosova, filluan të rindërtojnë lagjen.

Ata arritën të shpërngulnin serbët si Jevtiçi. “Ne duhej të tregonim se ishim pronarë të pronës që para kohës së luftës, se atje kishte qenë një shtëpi dhe të gjithë ata që u rikthyen, i rindërtuan shtëpitë e tyre”, tha ai.

Pas një procesi të gjatë takimesh me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe zyrtarë të komunës, disa serbë vendosën të rikthehen, pasi iu garantua se nuk do të rrezikohej aspak siguria e tyre personale.

Kur Jevtiç po përgatitej të transferohej në shtëpinë e rindërtuar të familjes së tij rreth vitit 2015, fqinji i tij i ri, një shqiptar, e mirëpriti atë dhe u betua se do të garantonte personalisht sigurinë e tij. “Kjo lloj mirëseardhje na inkurajoi vërtet. Kjo tregoi se mund të ekzistojnë ende marrëdhënie të mira”, tha ai. Edhe pse ditët e para ekzistonte frika, Jevtiç nuk ka pasur ndonjë incident të shëmtuar që kur është rikthyer.

Të rikthyerit serbë filluan të kthehen në Prizren rreth vitit 2012 në një proces që është ende në vazhdim. Dhjetëra shtëpi serbe të rindërtuara të ndërtuara nga komuniteti ndërkombëtar tashmë ndodhen përgjatë kodrës së Potkaljajas, të dizajnuara në një stil piktoresk tradicional. Por shumica e këtyre shtëpive, të ndërtuara për të lehtësuar rikthimin e serbëve në qytet, janë bosh pjesën më të madhe të vitit ose janë shitur ose dhënë me qira për jo-serbët lokalë.

Sipas Cvetkoviç, numri 20 i serbëve të rikthyer nuk ofron shumë optimizëm. “Njerëzit vijnë këtu për një muaj a diçka e tillë gjatë verës”, tha ajo. “Po njerëzit që janë vazhdimisht këtu? Ata që jetojnë këtu gjithë vitin njësoj si ne?”

Ajo përmendi rreth dhjetë të rikthyer në lagje dhe e pyeti burrin e saj Slavisën: “Kush është tjetër?” Ai kërciti gjuhën dhe tundi kokën.

Papunësia e madhe dhe ekonomia e dobët kudo në Kosovë është një shqetësim kryesor për serbët që mendojnë rikthimin. “Pas rindërtimit të shtëpive, me çfarë do të jetosh? Në fund të fundit, duhet të ushqehesh. Nuk të duhet thjesht vetëm një çati mbi kokë”, tha Jevtiç.

Cvetkoviç shprehu shqetësime të ngjashme: “Të gjitha këto mure, këto shtëpi të ndërtuara nga donacionet, nuk duan të thonë asgjë, sepse nuk mund të ushqehesh me mure.” Kur ajo dhe Slavisa u kthyen në fillim, ata u përballën me një varfëri ekstreme dhe shpesh kanë vuajtur edhe nga uria.

“Nuk menduam kurrë se u larguam”

Vëllai i Vlades, Bane, u përball me të njëjtat gjëra kur do të vendoste nëse do t’i bashkohej apo jo vëllait dhe nënës së tij. Perspektivat e dobëta për punësim dhe dëshira për të mos u mbështetur në donacione ishin vendimtare.

“Nëse vijmë këtu, do të na duhet diçka me të cilën të jetojmë. Ne nuk jemi bagëti që presin të na japin diçka për të ngrënë”, tha Bane. “Duhet të marrim pjesë në shoqëri, në punë”.

Vlade, i cili është përpjekur të gjejë një punë që kur është rikthyer, shtoi se të rikthyerit shqetësohen për mungesën e arsimit në gjuhën serbe. “Ata e pyetën Banen, përfshirë gruan dhe fëmijët e tij të vegjël, nëse donin të ktheheshin, dhe Bane tha: ‘Pa prisni pak. Fëmijët e mi janë në shkollë. A ka në Prizren ndonjë vend ku mund t’i regjistroj që shkollën ta bëjnë në gjuhën e tyre? Jo, nuk ka”, tha Bane. Ai vendosi të qëndrojë në Serbi, edhe pse e viziton shpesh Prizrenin.

Për Ljubisën, një rikthim i vërtetë do të nënkuptonte që familje të tëra të mund të kthehen, se në komunitet ka fëmijë serbë dhe se ata mund të shkojnë në shkolla në gjuhën serbe. Tani për tani, shumica e të rikthyerve nuk jetojnë plotësisht në qytet, ose janë pensionistë që mbështeten në pensionet e shtetit serb.

Pavarësisht situatës së vështirë ekonomike, vetmia e të qenit një përfaqësues i vogël i një komuniteti dikur të begatë dhe kujtimeve traumatike, këta të rikthyer tërhiqen përsëri në Prizren nga një dashuri e thellë për bukurinë e qytetit, nostalgjinë për periudhën e paraluftës dhe nga një ndjesi se pavarësisht të gjithave ata janë prizrenas.

Prizreni është thjesht vendi ku Ljubisa ka rrënjët e tij. “Nëse një pemë rritet për 40 vjet në një vend dhe ti e rimbjell atë përsëri në Beograd, ajo s’do të mund të rritet dot më shumë, apo jo?” tha ai për vendimin e tij për t’u rikthyer.

Ai gjithashtu theksoi keqtrajtimin dhe paragjykimin me të cilin serbët e Kosovës përballen në Serbi. “Ata qeshin me dialektin tonë”, tha ai, “por unë u them se mamaja ime kështu më ka mësuar të flas. Askush s’mund të më thotë të flas ndryshe.”

Ai shpesh pyet veten nëse serbët e Kosovës kanë po aq të përbashkëta me qytetarët shqiptarë dhe turq të Kosovës sa kanë edhe me serbët e Serbisë.

Kur Vlade flet për Prizrenin, ai tingëllon si çdo banor tjetër me rrënjë të thella në qytet. Ai shqetësohet për vendet e punës dhe ekonominë dhe se si ndikon rritja e qytetit dhe ndërtimet e shumta në shpirtin e qytetit. Dhe mos e pyesni atë për “rikthimin” e tij në Prizren.

“Ne jemi një familje që nuk kemi menduar kurrë se u rikthyem, sepse nuk mendojmë kurrë se jemi larguar”, tha ai. Edhe pse ai ka qenë larg Prizrenit për gati 16 vjet pasi u largua në vitin 1999, ai shpjegoi: “Ne e bartim Prizrenin me vete kudo që shkojmë.”

“Koha i ka shkatërruar gjërat”

Lagja Potkaljaja e Prizrenit, ku jeton Ljubisa Jevtiç. Foto: Daniel Petrick

Këta serbë të rikthyer që s’e kanë mbushur ende moshën e pensionit po përballen me një situatë të vështirë ekonomike. Slavisa Cvetkoviç punon si argjendar, një tregti për të cilën Prizreni është i famshëm, dhe shet çfarë punimesh filigrani që mundet. Ndërsa Suncica Cvetkoviç dy vitet e fundit ka punuar në kuzhinën e një restoranti në qendër të qytetit bashkë me kolegë të tjerë shqiptarë.

Ljubisa po përpiqet t’i kthejë shtëpitë e shumta serbe të ndërtuara rishtazi, por bosh, në Potkaljaja në një rrjet bujtinash të cilat mund t’i shërbejnë turizmit në rritje të Prizrenit dhe ndoshta mund të bindë një nga djemtë e tij që të kthehet për të ndihmuar në drejtimin e tyre.

Edhe po ia dalin të ecin përpara, ata janë pesimistë rreth perspektivave për një proces të madh rikthimi. Shumë njerëz kanë vdekur nga pleqëria ose kanë sistemuar gjetkë. Ata që u larguan kur ishin të rinj nuk kanë kujtime për kulturën e vjetër urbane të multilingualizmit dhe jetesës së bashkuar dhe kështu që s’kanë ndonjë arsye për të qenë nostalgjikë.

“Kanë kaluar njëzet vjet”, tha Ljubisa, “Unë personalisht mendoj se koha i ka shkatërruar gjërat. Mund të tregojmë përralla për rikthimin, por realiteti është  se nuk ka asnjë lloj rikthimi.”

Ndërsa një rikthim domethënës i serbëve është ndoshta i pagjasë, tensionet kanë vazhduar të qetësohen, duke lejuar rivendosjen e institucioneve ortodokse serbe dhe një shtim të vizitorëve serbë, me ose pa lidhje me Prizrenin, të cilët vijnë dhe vizitojnë monumentet e vjetra serbe të qytetit.’

Kisha e Shën Gjergjit dhe Bogoslovija në qendër të qytetit tani zhvillojnë rregullisht evente që tërheqin vizitorë nga Serbia dhe nga enklavat e afërta serbe të Novakut, Strpces dhe Velika Hocës.

Cvetkoviç ka vërejtur një rritje të pranimit të serbëve dhe gjuhës serbe që kur ajo dhe Slavisa u transferuan përsëri në qytet. Shumë njerëz nga komunitetet boshnjake dhe gorane të qytetit, gjuha e të cilëve ngatërrohet lehtësisht me dialektin lokal serb dhe që kishin frikë se mos i marrin për serbë gjatë dhunës pas luftës, konfirmojnë vëzhgimin e Cvetkoviçit.

Ljubisa që atëherë është miqësuar me fqinjin e tij shqiptar i cili e mirëpriti atë përsëri në qytet. Ata madje kanë udhëtuar së bashku në Serbi.

Fqinji, i cili punon në qendër të qytetit dhe kërkoi të mbetej anonim, tha se ai nuk ka hezituar kurrë të udhëtojë në Serbi sepse e di që ai s’ka paragjykim për serbët dhe shtoi se do të mirëpriste me kënaqësi në Prizren çdo serb, të rikthyer ose të tjerë, të cilët ndihen njësoj ndaj shqiptarëve.

Ndërsa ai fliste, një prift ortodoks serb po kalonte aty pranë duke shkuar nga Bogoslovija për në Kishën e Shën Gjergjit, së bashku me gjashtë fëmijë të vendosur në radhë, duke biseduar në gjuhën serbe. Dukej sikur askush nuk i vuri re fare. Ishte një ditë normale në Prizren.(birn)

5 komente në “REPORTAZHI/ Rikthim në Kosovë: Serbët që u rikthyen në qytetin e tyre të lindjes”

  1. pjeter says:

    SHQIPTARET E KOSOVES NUK KANE KAFSHE TE EGRA SI SERBET, DINE TE TI NDAJNE NGA ATA QE KAN LYER DUART ME GJAK DHE ATA JO.

  2. Raif Fetiu says:

    Shume i paske vajtuar kriminelet serb qe vran e pren dhjetra mija civil,gra ,pleqe e femije.Etem femij kan vrar e masakrue mbi 1500.Kane larguar me dhune nga trojet e veta afer nje miljon kosovare dhe u kane djeg shtepit e bizneset.Fort merak ishit kane ne serb he serbet ua prefshin kryrt ju qe botoni gjera te tilla.

  3. Doktor Mortja says:

    Kjo eshte kaptina e shqiptarit, nuk ka mbush najhere!
    A jane kthy shqiptaret ne Nish, etj etj, po ne Filat apo Gumenice apo Filat?!
    I pjekin per se gjalli!
    Edhe kafshet nuk perzihen me njeri tjetrin!
    Kurse pulat kuq e zi mendojne te bejne stan me hienat serbe.
    Serbe, ruse e greke nuk kane kisha, ato i kane si piramida kufitare,per te justifiku pastrimin etnik te rradhes!

  4. Tetovari says:

    Ai kojshia itij që ësht anonim le tehipet ele te zdripet, të paret tan kan thën sllavi imir ësht kur esht ivdekur, e ky gazetar leshi le tshkon bashk me ta nkar pate.

  5. luzi says:

    Para disa vitesh kame pare nje emision ne DRS (tv shtetror zviceran).Nje grupe prej disa serbesh te prire nga Gezim Gjoka (nuk ja harroj emrin )dhe perballe disa shqiptare.Dhenderi serbe i cale me dy shkopi diku mbi 40 vjete pasi u njoftuan me shqiptaret ,nusja shqiptare del pak perpara dhe dhenderi serb me nje perkthyes e pyet per emrin.Ajo i thot Dria pasi perkthyesi bisedon me serbin,ai ja kthen,prej tash do qufesh Sveta.E pyet per fene,prej tash do jeshe ortodokse serbe dhe e shtin te beje kryqin. Pastaj serbi vazhdon,kur te vshe te une do mesojsh dhe do flasish serbisht dhe vetem serbisht .A je dakot po ja kthen vajza.I afrohet serbi dhe e puthe.Shqiptaret i duartrokasin.Komentatori i DRS ne fund e perfundon me fjalen unglaublich aber wahr (e pabesueshme por e vertete).Ne maqedoni para disa muajsh gaztari shqiptar i TVM vizion disa nga keto nuset e martuara per maqedon dhe detyrohet biseden ta zhvilloj ne maqedonisht pasi keto nuk donin te flasin shqipe.Keto jane fqinjet tone,per greket te mos flasim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje