Çoi futbollin shqiptar drejt kolapsit financiar, Duka bën “forum” në Fakultetin e Ekonomisë

Në periudhën ndoshta më të errët të futbollit shqiptar prej shumë dekadash, me klube që penalizohen nga FIFA se nuk shlyejnë detyrime, të tjera që nuk arrijnë të sigurojnë licencë për të marrë pjesë në UEFA apo regjistrohen me “mik” në kampionat edhe pse nuk plotësojnë kriteret financiare, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjen zgjidhjen te… forumet.

Duke injoruar plotësisht kolapsin financiar drejt të cilit ka çuar prodhimin vendas drejt keqmenaxhimit prej shumë vitesh, presidenti i FSHF-së ka menduar se mënyrën se si ai drejton duhet t’ua përçojë edhe brezave të ardhshëm.

Kështu, institucioni i futbollit ka menduar që të nisë një iniciativë që quhet Forume të Futbollit dhe të parën, si për ironi të fatit, e ka zhvilluar me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ndërsa do të vazhdojë të tillë edhe në javët në vijim.

Sigurisht, Duka nuk ka shpjeguar aty se si futbolli shqiptar ka arritur në këtë pikë në vitet e drejtimit të tij. Përkundrazi, ka fajësuar shtetin i cili “nuk ka një institucion të mirëfilltë për zhvillimin e sportit në Shqipëri, apo një strategji të mirëfilltë kombëtare”.

Me sa duket ai harron se pikërisht kjo është arsyeja se pse ekziston FSHF sa i përket futbollit dhe  i delegohet kjo e drejtë në mënyrë që ky institucion të mendojë si ta zhvillojë atë.

Fakti se i gjithë komuniteti i futbollit shqiptar ka kthyer sytë nga shteti dhe politika duke pritur nga ajo shpëtimin, tregon qartësisht se në FSHF, dikush nuk i ka bërë gjërat siç duhet, diçka që Duka duhet t’ua kishte shpjeguar edhe sot studentëve.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *