ANALIZA: SHBA "luftë" për gazin në Ballkan

22 Janar 2020, 17:12Rajoni TEMA

Europa dhe Ballkani janë shndërruar kohët  e fundit në fushë-betejën e “luftës për gaz” midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Moska ka ndërmarrë dy projekte të mëdha për furnizimin me gaz të Gjermanisë dhe Turqisë, për t’u shpërndarë më pas në të gjithë Europën, por këto plane kanë alarmuar SHBA-në. Edhe pse Shteteve të Bashkuara janë një lojtar kryesor në tregjet botërore të naftës dhe gazit, në Europë gati gjysma e tregut të gazit kontrollohet nga Rusia.

Planet e Moskës për ndërtimin e gazsjellësve të rinj prekin në mënyrë të drejtëpërdrejët edhe Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë pasi “Turk-Stream”, tubacioni që lidh Rusinë me Turqinë ka të ngjarë të bashkohet me Tubacioni Trans-Adriatik (TAP). Në këto kushte, SHBA-ja është hedhur në mbrojtje të interesave të saja strategjike e energjike në Ballkan dhe Europë duke vendosur sanksione.  Në momenti  që flasim në Europë po ndërtohen tre gazsjellës të përmasave të mëdha, “East-Med”, i cili përfshin Qipron, Greqinë, Egjiptin dhe Izraelin, “Turk-Stream” dhe “Nord-Stream 2”, i cili lidh Gjermaninë dhe Rusinë.

Por SHBA-ja ka kundërshtuar fuqishëm dy projektet e fundit, me argumentin se cënojnë interesat e Uashingtonit në Europë.

Në Shqipëri

Projekti më i  rëndësishëm energjetik për SHBA-në në Shqipëri dhe mbarë rajonin është Korridorin Jugor i Gazit(SGC). Ai filloi si një iniciativë e Komisionit Evropian për furnizimin me gaz natyror nga rajoni Kaspik dhe Lindja e Mesme. SGC përbëhet nga tre tubacione të ndara: Gazsjellësi i Kaukazit Jugor, Gazsjellësi Trans-Anatolian dhe Tubacioni Trans-Adriatik, i cili kalon edhe në vendin tonë. TAP përfshin Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë.

Në një rezolutë të miratuar një dhjetor, Kongresi Amerikan promovon  Korridorin Jugor të Gazit dhe i bën thirrje qeverive europiane që të qëndrojnë larg “Turk-Stream dhe “Nord Stream 2”, i cili lidh Gjermaninë dhe Rusinë. Rezoluta i bënte thirrje vendeve evropiane të siguronin energji përmes burimeve të ndryshme të gazit siç është Korridori Jugor i Gazit, i cili sipas SHBA-së mund të furnizojë më gaz të gjithë Europën Jugore dhe Qendrore.

Në këtë rezolutë Kongresi Amerikan i kërkonte presidentit Trump vendosjen e sanksioneve në lidhje me Nord Stream 2, duke e cilësuar këtë projekt si një hap prapa për sigurinë energjetike europiane dhe interesat e Shteteve të Bashkuara.

“ Ne i bëjmë thirrje qeverive europiane që të refuzojnë projektin Nord Stream 2”, thuhej në rezolutë.

Një tjetër gazsjellës që ka mbështetjen e SHBA-së në Ballkan është edhe tubacioni Jon-Adriatik, i cili pritët të nisë nga puna vitin e ardhshëm dhe kalon po ashtu në territorin shqiptar.

Tani për tani Shqipëria, Bosnja, Kroacia he Mali i Zi ranë dakort të përfundojnë modelin paraprak të tubacionit Jon-Adriatik (IAP) deri në shtator të vitit të ardhshëm.

“Projekti aktualisht po ecën siç ishte planifikuar dhe ne jemi të kënaqur jo vetëm me dinamikën e aktiviteteve të deritanishme, të cilat janë rezultat i angazhimit për projektin e të gjitha vendeve përmes të cilave kalon IAP, “thanë në dhjetor burime nga ministria malazeze e ekonomisë për mediat në Podgoricë.

Katër kompani, “Montenegro”, “Albgaz”, “BH-Gas”dhe kroatja “Plinacro” ranë dakord në shtator për ngritjen e një ndërmarrje të përbashkët për ndërtimin e tubacionit, në të cilën të gjitha kompanitë do të mbajnë aksione të barabarta.

IAP është planifikuar të transportojë gaz natyror nga Fieri, përmes Malit të Zi dhe Bosnje, për në Split në Kroaci. Tubacioni është 516 kilometra i gjatë dhe kapaciteti i tij vjetor do të ishte 5 miliardë metra kub.

Në Fier, IAP do të lidhej me tubacionin Trans Adriatik (TAP), duke e bërë vendin tonë një faktor të rëndësishëm energjetik në të gjithë Ballkanin.

“Shqipëria ka mbështetjen e pakushtëzuar të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndërtimin e tubacionit Jon-Adriatik (IAP)”, deklaroi dy vite më parë ish-ministri i Energjisë i Shqipërisë Damian Gjiknuri në një takim rajonal për projektin IAP të mbajtur në Tiranë.

Por edhe pse mbështet të dy këta gazsjellës, SHBA-ja ka bllokuar në të kaluarën ndërtimin e tubacioneve të gazit që lidhin Ballkanin me Rusinë.

Në fakt ndërhyrja  më e madhe e SHBA-së për projektet energjetike në Ballkanin Perëndimor erdhi me ndërtimin e Gazsjellësit Jugor, i cili do të transportonte gaz natyror nga Rusia përmes Detit të Zi në Serbisë, Bullgari, Hungari dhe Slloveni dhe më tej në Austri. Presioni i SHBA-së ndaj Bullgarisë dhe Serbisë ishte i jashtëzakonshëm, sidomos pas krizës së Krimesë, duke i kërkuar të gjitha vendeve të evropian të tërhiqeshin.

Bullgaria pezulloi në vitin 2014 të gjitha ndërtimet e Gazesjellësit të Jugut pas kërkesa të SHBA-së se ky projekt do të forconte kontrollin e Rusisë në furnizimet me energji të Europës. Kryeministri i atëheshëm Plamen Oresharski njoftoi pezullimin e projektit pas takimit me katër senatorë amerikanë.

Në Mesdhe

Dy aleanca energjetike janë duke u përplasur vazhdimisht në Europën Juglindore dhe Mesdheun Lindor. Të dyja këto aleanca planifikojnë projekte të mëdha konkurruese në vlerë prej miliarda dollarësh. Dhe ajo që do të ketë sukses do të krijojë hartën rajonale të energjisë për të ardhmen.

Në njërën anë qëndron aleanca energjetike ruso-turke, e cila kërkon të forcojë eksportet e gazit natyror të Rusisë përmes tubacioneve të reja, ndërkohë që Turqia fuqizon ndikimin e saj mbi Europën.

Në anën tjetër qëndrojnë Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Egjipti, Qipro dhe Greqia dhe gazsjellësi “East-Med”.

Të dy aleancat po pretendojnë të shesin gaz natyror në tregun europian, njëra përmes gazsjellësit “Turkish-Stream” dhe tjetra përmes “East-Med”.

“I gjithë rajoni ynë ka qënë dëshmitar i një gare të çmendur gjatë dy viteve të fundit, e cila do të përcaktojë se kush do të jetë furnizuesi kryesor i Europës,” thotë Ioannis Desypris,  drejtorn i “Mytilineos Group”, prodhuesi kryesor i energjisë në Greqi. Ndërtimi i këtij gazsjellësi me një gjatësi rreth 2200 kilometra është një projekt i hershëm i lobuar fort sidomos nga SHBA, por edhe i mbështetur nga Italia. Projekti ambicioz do të ndërtohet për të transportuar gaz natyror nga Mesdheu Lindor përmes Qipros dhe Greqisë, dhe prej andej në Europë.

SHBA ka qenë mbështetës i tubacionit “EastMed” që nga fillimi. Frank Fannon, Ndihmës Sekretari i Byrosë së Burimeve të Energjisë në Departamentin e Shtetit të SHBA, ishte i pranishëm në takimin mes Qipros, Izraelit, Egjiptit dhe Greqisë Athinë në gusht kur të tre vendet dhe SHBA ranë dakord të ndërtojnë tubacionin nënujor.

“SHBA duartroket bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Greqisë, Qipros dhe Izraelit në zhvillimin e burimeve të energjisë në Mesdheun Lindor,” tha Fannon.

Ky tubacion është një nxitje e madhe për Greqinë dhe Qipron, si në nivelin politik, ashtu edhe në atë ushtarak, pasi Athina dhe Jeruzalemi, të cilat kanë forca të mëdha ushtarake, do të jenë gjithashtu përgjegjës për sigurinë e Med East, edhe gjatë ndërtimit të saj dhe më vonë gjatë funksionimit të tij. Katër vendet e konsiderojnë me rëndësi gjeo-strategjike këtë gazsjellës, edhe si kundërpërgjigje ndaj Turqisë dhe “aleancës” së saj me Rusinë dhe Iranin. Por, projekti gëzon edhe mbështetjen e vendeve të tjera të Bashkimit Europian dhe që nuk dëshirojnë që tregu europian të lihet në duart e pasigurisë së gazsjellësave rusë që kalojnë përmes Turqisë dhe Ukrainës.

Kundër “Turk-Stream” dhe “Nord-Stream2”

Gazjesjellësi TurkStream dhe ekuivalenti i saj verior, “Nord Stream 2”, janë dy “asat nën mëngë” për Moskën sepse i mundësojnë të anashkalojë Ukrainën si një kanal për futjen e gazin rus në Europë.

Nuk është për t’u habitur përse Uashingtoni ka kundërshtuar fuqimisht të dyja këto projekte. Rusia tashmë kontrollon rreth 40 për qind të tregut të gazit të Bashkimit Europian, sipas Eurostat, dhe TurkStream dhe Nord Stream 2 janë krijuar për të forcuar dhe ndoshta zgjeruar këtë ndikim.

“TurkStream”, gazsjellës misterioz që po ndërtohet mbi rezervat e gazit në Rusi, për të furnizuar me energji Turqinë, Europën Juglindore, ka tërhequr vëmendjen e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka dalë kundër këtij projekti. Uashingtoni deklaroi të mërkurën se ishte kundër gazsjellësit që është përfolur se mund të bashkohet me TAP, duke sjellë gazin rus në Europë përmes Detit të Zi.

“TurkStream” është marrë përsipër nga kompania “Gazprom” dhe do të përbëhet nga dy tubacione paralele që kalojnë përmes Detit të Zi. Ato u futën në det në bregun rus të Anapasit dhe dolën në bregdetin turk rreth 100 kilometra në perëndim të Stambollit, pranë fshatit Kiyikoy, në 30 prill të këtij vitit. Por nuk mbaron me kaq, sepse pjesa e dytë e tubacionit përfshin edhe Europën dhe Ballkanin.

Nga Kiyikoy, do të ndërtohet një tubacion nëntokësor i cili do të vazhdojë deri në kufirin turko-evropian, për të hyrë më pas në Ballkan. Sapo të dalin në bregun turk, tubacionet mund të lidhen me Greqinë dhe pastaj me gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP) dhe mund të kalojnë nga Turqia në Greqi dhe më pas në Itali.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve për gaz natyror dhe energjisë bërthamore nga Rusia me Hungarinë, Republikën Çeke, Serbinë, Bullgarinë dhe Turqinë, duket se janë pritur me ankth nga Uashingtoni. Fakti që tani disa kombe të Ballkanit po përmirësojnë qartë marrëdhëniet e tyre ekonomike me Rusinë dhe me Turqinë nënvizon faktin se Perëndimi ka filluar të humbasë terren.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione edhe kundër gazsjellësit  “Nord Stream 2” , duke shkaktuar reagime të mëdha në Berlin dhe Moskë. Tubacioni nën Detin Baltik, i udhëhequr nga Gazpromi rus, pritet të përfundojë në vitin 2020 dhe ka një kosto prej 10 miliardë eurosh. Kur të ndërtohet plotësisht, ai do të furnizojë me 55 miliardë metra kub gaz rus në vit Gjermaninë, duke anashkaluar Poloninë dhe Ukrainën, dy shtete që kundërshtojnë fuqishëm tubacionin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë kundër Nord Stream 2, duke ngritur shqetësime edhe për sigurinë ushtarake të Europës. “Tubacioni që do të lidhë Rusinë dhe Gjermaninë do ta lejonte Moskën të vendoste teknologji të reja përgjimi dhe monitorimi në Detin Baltik”, tha më 17 maj një zyrtar i lartë amerikan. “Për më tepër, aktivitetet e Marinës Ruse në detin Balltik mund të vazhdojnë të rriten nën pretekstin e mbrojtjes së tubacionit ,një frikë që rritet dita-ditës për shkak të qëllimit të Moskës për të dominuar Detin e Zi dhe Detin Azov”, shton ai. (si)

2 komente në “ANALIZA: SHBA “luftë” për gazin në Ballkan”

  1. Nik says:

    Ja shofshi me ujè ju analistèt e Temès nqse gazetaria funksionon kèshtu atèhere dhe unè deklarohem gazetar dhe analist.Hidhu nè pulia e kemi shumè afèr ,si ka mundèsi sepse nga koha qè u prezantua projekti dhe gjer tani mbar pulia proteston pèr ndotjen e ambjentit dhe ngulmojn qè mos tè ndèrtohet asgjè qè ka tè bèj me rafinerin e naftès etj etj kurse ju gazetar tè mèdhenj kopjoni gazetat e huaja dhe shkruani pèr problemet e amerikès kur greqia qipro po pèrgatiten pèr tè ardhmen pèr ngrohje ne i qajm hallin se ku èshtè zona e ifluencès pèr atè apo kètè shtet.Duhen gazetar kopetent qè marrin vesh nga ekonomija dhe tè shprehin mendimin e tyre se shqipèria ja vlen tè pranoj investime pèr ngrohje gaz etj etj ,,,,

  2. Klimax says:

    A i kuptuat interesat e SHBA-se dhe ke mbeshtet ajo? Dhe shqiptaruket mendojne se Turqia do “bej ligjin” ne Mesdheun Lindor nen “bekimin” e SHBA-se!!!!
    SHBA-ja humbi me strategjine e saj per rezimin e Assad ne Siri. Rusia vazhdon te jete atje lojtari kryesor dhe sigurisht mbeshtetja qe i dha Putin regjimit te Assad, i jep mundesi Rusise te ket kontroll ne brigjet siriane te Mesdheut Lindor.
    SHBA-se nuk do i interesonte kurre qe Turqia, nje aleat i pabesueshem dhe i lidhur ngushte per interesa dy-paleshe me Rusine, te shantazhoi vendet e rajonit te Mesdheut Lindor (Qipro, Greqi, Egjypyt, Izrael, Liban e Libi) dhe te kontrolloi se bashku me Rusine burimet e pasura energjitike te Mesdheut dhe te dya se bashku te ngelen furnizuesit e vetem te gazit ne Europe. Ndaj dhe SHBA-ja mbeshtet marveshjen e EastMed midis Izraelit, Qipros, Greqise e Italise dhe ne te njejten kohe e ben te pa-vlefshme marveshjen qesharake te ujrave detare midis Erdoganit e Tripolit ne Mesdhe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje