Ligji i Sportit, mbledhja e FSHF-së injorohet nga presidentët e klubeve, Pashk Laska: Në vend të jemi këtu, këta ikin të gjithë

24 Janar 2020, 17:00Sport TEMA

Ditën e sotme në ambientet e “Air Albania Stadium” një grup i vogël presidentësh nga Kategoria Superiore u mblodhën nga zv. Presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, për të diskutuar në lidhje me Ligjin e Sportit që ende nuk është miratuar nga qeveria.

Në mbledhja e organizuar nga drejtuesi i FSHF-së, ajo që binte në sy ishte se vetëm dy presidentë klubesh ishin të pranishëm, Ardjan Takaj i Skënderbeut dhe Pashk Laska i Laçit.

Tirana, Teuta dhe Luftëtari përfaqësoheshin nga zyrtarë të klubit, ndërsa pjesa tjetër e klubeve të Superiores e kishin injoruar këtë mbledhje të Edvin Libohovës.

Pas mbledhjes Libohova u shpreh:

“Ne tani kemi një takim në Këshillin e Ministrave për këtë punë, kështu që nuk tërhiqemi nga asnjë prej kërkesave që kemi bërë. U qëndrojmë të gjitha kërkesave që nuk janë plotësuar. Do të rinegociojmë tani me qeverinë dhe me Ministritë e Sportit dhe Financave. Në bazë të diskutimeve që do të zhvillojmë aty, do rishikojmë vendimet për të përshkallëzuar dhe qëndrimin tonë për vazhdimin e kampionatit apo masat e tjera”, tha Libohova.

Pashk Laska presidenti i Laçit u shpreh i pakënaqur nga mos prezenca e klubeve të tjera në këtë mbledhje.

“Nëse zoti Libohova përfaqëson këtë ligë, mund të marrë vendime bashkë me ne që të shkojmë drejt një bojkoti se nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Të gjithë duhet të jemi këtu, këta ikin të gjithë. Unë nuk imponoj askënd. Jam njeri që i kam paguar të gjitha taksat shtetit dhe shteti duhet të vendosë dorë te sport”, u shpreh Laska.

Ndërsa, drejtori i ekipit të Teutës Artan Shyti, theksoi se “Propozimi që ka ardhur nuk plotëson kushtet e futbollit, ndërsa për paratë që jep privati në formë donacioni duhej gjetur forma ligjore që të mos tatohen. Këtu duhet të ulemi të gjithë dhe të vendosim. Bojkoti i kampionatit nuk është një vendim që merret nga një pjesë. Ndalimi i kampionatit është një rast jo i pamundur, por duhet të merret në fund të përpjekjeve tona institucionale dhe konstruktive”, përfundoi Shyti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje