Drama e Bulqizës, si u katandis për 30 vite vendburimi më i rëndësishëm i Shqipërisë

28 Janar 2020, 17:03Sociale TEMA

Nga Ylli Pata

Prej kohësh Bulqiza është kthyer në fokusin e vëmendjes së opinionit public, pas disa grevave e protestave sindikale, por edhe me rastin e kryetarit të bashkisë, rast që është edhe politik, edhe gjyqësor, tani që është pjesë e hetimit.

Megjithatë thelbi është Bulqiza, një qytet i vogël në Shqipëri, që emrin e ka goxha të zëshëm si pasojë e një vendburimi shumë të rëndësishëm natyror, siç është kromi.

Një mineral jetik, i pazëvendësueshëm për industritë e vendeve të zhvilluara. Dhe këtë mineral, Bulqiza e ka pasur me shumicë, tani e ka jo aq shumë, por që për këtë “gur të zi”, si për arin e romaneve të Jack London-it, është bërë një betejë e gjatë mbi 30 vjeçare, ku janë vrarë në reaksion zinxhir dhjetëra e madje më shumë të rinj shqiptar.

Por si u katandis një nga asetet më të rëndësishme të Shqipërisë në këtë derexhe?!

E zbuluar në italianët në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore, Bulqiza u kthye me shpejtësi në një qendrër nevralgjike në vend.

Bulqiza kishte një vendburim shumë, po shumë të pasur kromi. Që siç thonë ekspertët, një gur i nxjerrë nga nëntoka mund të kishte edhe 40% mineral kromi, çka përbën një aset vital kombëtar.

Komunizmi e shfrytëzoi egërsisht këtë aset kombëtar, duke shitur kromin masivisht nëpër botë. Kina e merrte për klering dhe Europa Perëndimore, përfshirë Gjermaninë Perëndimore, Suedinë etj, e blinin me valutë, çka shteti komunist sidomos në vitet e fundit kishte nevojë jetike.

Si pasojë e kësaj kërkese, Bulqiza u shndërrua në një qytet ku të paktën 4 mijë vetë ishin punonjës të minierës.

Që paguheshin dhe jetonin nga renta e kromit, ku rritën fëmijët, u shkolluan dhe projektuan të ardhmen e tyre.

Me rënien e komunizmit dhe me daljen e partisë së parë antikomuniste që ishte PD-ja, shpresat u rritën me objektivin se një shtet demokratik do të zhvillonte edhe më tej minierën dhe do të sillte më shumë të ardhura për minatorët e punonjësit, pra më shumë mirëqenie.

Por çfarë ndodhi?

Nëse në vitin e parë përfaqësues të popullit për në Parlament do të dilnin intelektualë të njohur të fushës së miniearve. Kjo ndryshoi shpejt që nga 1992.

Partia Demokratike dërgoi në zgjedhjet e vitit 1991 një intelektual të njohur dhe profesor universiteti, por që më pas e braktisi këtë rrugë.

Dërgoi më 22 mars 1992 si përfaqësues politik të Bulqizës Safet Zhulalin, kryetarin e PD-së së Dibrës, i cili u emërua ministër i Mbrojtjes në qeverinë e parë të PD-së.

Miniera e Bulqizës pësoi një periudhë të gjatë letargjike deri në rrudhjen e madhe të sotme, ku vendburimet natyrore u copëtuan, duke i dhënë privatëve galeritë apo pjesëza të minierës së madhe.

Ndërmarrja kryesore u ruajt, por pa një strategji, në fillim ju dha austriakëve që ja dhanë disa rusëve dhe sot e ka një ndërmarrje shqiptare.

Por kjo ndërmarrje nuk është më miniera e madhe, por një kantier që zotëron e menaxhon vetëm puset vertikale.

Pasuria e Bulqizës që nxirret nga vrima, galeri, zona, e qoshe është administruar nga private që kanë ardhur nga nëntoka e krimit dhe e korrupsionit, jo vetëm të qytetit por edhe nga jashtë tij.

Madje përveç shitësve të kromit funksionojnë dhe kompanitë transportuese që nuk janë gjë tjetër veçse një mafie që kanë vepruar me gjoba, dhunë e kanosje.

Bulqiza nuk ka përfituar fare nga shtimi i prodhimit, rritja e çmimit të shitjes së kromit apo të koncentratit. Pjesa më e madhe e aktorëve të Bulqizës jetojnë jashtë saj, konkretisht në Tiranë, por nuk është vetëm ky problemi.

Gjithçka nis nga përfaqësimi, vizioni e strategjia për një zonë që është kaq e rëndësishme për vendin.

Pas të ndjerit Zhulali, përfaqësuesit Parlamentarë të Bulqizës kanë qenë: Luan Rama, Ismail Lleshi, Ardit Kaja, Roland Keta, Përparim Spahiu, Shkëlqim Cani, të cilët asnjëherë nuk bënë dot një lobim që do t’i sjellë zonës dobitë e kromit.

Edhe sot me protestat sindikale gjithçka bëhet nga qendra, kur në fakt shumicën e komapnive e zotërojnë pikërisht njerëz që nuk kanë lidhje fare me Bulqizën…

6 komente në “Drama e Bulqizës, si u katandis për 30 vite vendburimi më i rëndësishëm i Shqipërisë”

  1. Hamdi Jupe says:

    Nje artikull koti.

    Miku im, gazetari Ylli Pata, ia fut kot kur shkruan per Bulqizen dhe kromin. Ne vitet e para te demokracise Bulqiza u katandis per te qare hallin, por sot eshte ringritur. Une nuk jam prej atje dhe nuk banoj atje, por kam qene ne ato ane per shume vite dhe prandaj interesohem here pas here se cila eshte gjendja atje.

    Sot ne Bulqize punohet. Sasia e kromit qe nxirret e ka kaluar ate qe nxirrej ne kohen e komunizmit. Nxjerrja eshte ne duar te privateve te licencuar. Jane shume te tille. Por vetem njera firme ka mbi peseqind punetore. Atje punojne dhe punetore kineze, se u del me mire se ne Kine. Punetoret marrin nga 80 mije deri ne 120 mije leke (te reja) ne muaj (sipas normes qe bejne). Nuk eshet pak. Prandaj sot ne Bulqize nuk eshte problem fuqia punetore. Punetoret jane me sigurrime e me regulla.

    Jane disa fabrika pasurimi dhe jane vene ne pune dy uzinat e ferrokromit, njera ne Komsi te Matit dhe tjetra ne Elbasan, Ate te Komsise e kam pare vete kohet e fundit.

    Minerali me i pasur i kromit ne Bulqize nuk eshte 40 perqind, por 50 perqind. Duke u pasuruar ai shkon deri ne 90 perqind krom.
    Njera nga firmat po ve ne pune tranverbangune Bulqizes, nje veper e madhe, e projektuar nga komunizmi, por e lene ne rruge per arsye qe dihen.
    Doni me per Bulqizen? Edhe aksidente ka, se eshte miniere. Por me shume vrasje tek ne ka nga aksidentet autobilistike sesa nga minierat. Ne ndertimin e hidrocentrali te Fierses, sic merret vesh tani, jane vrare 40 punetore ne kohen e komunizmit.

    Prandaj kujdes kur shkruan, shoku!

    Levizja sindikale ate pune ka, te beje greva. Po edhe duhet punuar qe te rrosh. Pse nuk kishte levizje sindikale ne Bulqize para disa vitesh? Sepse nuk kishte minatore, e braktisen mineren. Tani qe ka punetore, ka edhe levizje sindikale.

    Sa per privatizmin e nxjerjes se Kromit, ky stan kete bulmet ka. Shteti e ksihte minieren dhe e falimentoi. Prap prone e shtetit eshte, por e punojne privatet.

    Atje eshte ftohte, sepse atje e ka bere zoti Bulqizen, por s’ke c’i ben, do punosh qe te jetosh,
    Tung.

  2. return of the saint says:

    Duhet te ishin te gjithe shqiptaret aksionere ne miniera dhe ne te gjitha pasurite kombetare te cilat u vodhen me porosi te vecante nga pinjollet e byrose politike

  3. Vlonjati says:

    Pse nuk shkruan asnje rresht per Saimir Mane, apo edhe ky shkrim qenka I paguan nga ana e Mane?

  4. Suka says:

    Nuk e di ne se Hamdi Jupe je vertet apo anonim.Besoj se nuk je Hamdi Jupe,se ai eshte pene e forte.Gazetari ka shkru realitetin se eshte me preardhje prej andej.Minjera eshte cfrytzu me menyre barbara nga hajduded ne pushtet qe nga Ilir Floriri e kompani.Nuk eshte e vertete eshte nxjerr krom me shum tani se ne komunizem.% e kromit nuk shkon me shume se 38-40%.Si ne komunizem dhe tani puntoret po cfrtyzohen si skllever.Nuk mbaj mend vitin,por erdhen ca specialist Suedez ,montuan ca makineri,te cilet ishin shprehur se Bulqiza duhet te ishte nje ‘Paris I Vogel’nga te ardhurat qe nxjerr dhe jo nje vend primitiv.Ne te dy sistemet,gjendja le per te deshiruar na te ardhurat we nxirren.

  5. mik says:

    Bulqiza, nuk e di si asht dukur ne kohen e komunizmit, por sot, as ma shume e as ma pak duket si nje vend INTERRNIMI.

  6. Suka says:

    Mik.Keni shume te drejt Asnje ndryshim me te kaluaren.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje