Ishujt Kajman futen në listën e zezë të BE

13 Shkurt 2020, 19:08Ekonomia TEMA

Ishujt Kajman, një territor pjesë e Britanisë së Madhe, do të futet në listën e zezë të Bashkimit Europian për parajsat fiskale, më pak se dy javë nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga unioni.

Mediat britanike raportojnë se ministrat e financave të bllokut që tashmë ka mbetur me 27 vende anëtare do ta firmosin hyrjen në fuqi të vendimit javën e ardhshme. Vendimi është pjesë e një serie masash të ndërmarra nga BE për të pakësuar humbjet nga evazioni fiskal, që në vit llogaritet të jenë rreth 608 miliardë euro.

Për shkak të rregullit që shtetet anëtare nuk kalojnë përmes një procesi kontrolli, Ishujt Kajman deri tani kishin “shpëtuar” duke qenë pjesë e territoreve britanike, falë edhe lobimit të fortë të shtetit “mëmë”.

“Financial Times” raportoi se të mërkurën, ambasadorët e BE vendosën se ishujt në perëndim të Karaibeve nuk po bashkëpunojnë si duhet me Brukselin për transparencën fiskale.

Në këtë mënyrë, Ishujt Kajman futen në listën e vendeve “jo bashkëpunuese”, ku janë gjithashtu Ishujt Fixhi, Omani, Samoa, Trinidad dhe Tobago, Vanuatu dhe tre territore amerikane si Samoa Amerikane, Guami dhe Ishujt e Virgjër Amerikanë.

Vitin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dhe “rrjeti i parajsave fiskale” që i përkisnin asaj, u vlerësuan si lehtësuesit më të mëdhenj të shmangies së taksave nga Rrjeti i Drejtësisë Fiskale, duke plotësuar listën e 10 vendeve që kanë ndihmuar më tepër në shmangien e pagesës së taksës së korporatës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje