Skllavëria moderne e shkaktuar nga neoliberalizmi brutal: Pa punë ose me vende pune të pasigurta, me rroga të mjerueshme në rini e të varfër në pleqëri

Nga Enver Robelli

Një dokumentar i televizionit gjermano-francez ARTE, i emituar këto ditë, shpjegon arsyet e trazimit të shoqërive perëndimore, pakënaqësitë, protestat, agresivitetin, rezistencën kundër elitave dhe prirjen e shumë njerëzve për të votuar parti të ekstremit të djathtë.

Këto janë disa nga arsyet (të plotësuara me shënime dhe komente shtesë):

1. Një e treta e të punësuarve në Evropë jetojnë në pasiguri. Kanë punë, pjesërisht kanë disa vende të punës, por prapë mezi ia dalin në fund të muajit.

2. Këta njerëz e përbëjnë të ashtuquajturin «prekariat» (precarity në anglisht). Jetojnë pa vende të sigurta të punës.

3. Frika në rritje nga varfëria te njerëzit krijon ndjenjën se janë të përjashtuar nga jeta sociale. Kjo ndjenjë rrit dyshimin ndaj demokracisë. Nga kjo përfitojnë partitë populiste.

4. Në 30 vjetët e fundit në Evropë rrogat pothuaj nuk kanë lëvizur. Pasuria nuk shpërndahet nga lart-poshtë, por nga poshtë-lart. Që shtresat e pasura të bëhen edhe më të pasura, duhet të shtrydhet e shfrytëzohet sidomos pjesa e fundme e shtresës së mesme. Kjo është receta e rrezikshme e kapitalizmit në bashkëveprim me qeveritë neoliberale.

5. Madje edhe në Suedi, një shtet i quajtur si «parajsë sociale», hendeku mes të varfërve dhe të pasurve po bëhet gjithnjë e më i madh. Një grua me pension prej 1.200 eurosh, pas të gjitha pagesave të obligueshme, për të jetuar i mbesin vetëm 250 euro. Një pastruese në Francë, 56-vjeçare, po u pensionua në moshën 62-vjeçare, pensioni i saj është vetëm 270 euro. Me këtë shumë vështirë të jetohet edhe në një vend të varfër si Kosova.

6. Çdo i pesti pensionist jeton në kufi të varfërisë. Nga varfëria janë të goditura sidomos gratë. 50 për qind e grave në Austri kanë vende pune atipike, d.m.th. të pasigurta dhe të paguara keq. Në Spanjë më shumë se gjysma e personave nën moshën 30-vjeçare kanë vende pune të pasigurta. Firma që ndërmjetësojnë vende pune i dërgojnë njerëzit të punojnë një muaj apo dy diku, pastaj diku tjetër, pastaj pason një pauzë e gjatë pa punë. Mbrojtje ligjore pothuaj nuk ka. Sigurime pensionale gjithnjë e më pak, veçanërisht në vendet e Evropës Jugore. «Prekariati jeton përherë në cep të borxheve. Një gabim, një sëmundje në çastin e papërshtatshëm, një aksident apo nëse një anëtari të familjes i ndodh diçka, atëherë ky mund të jetë fundi (i vendit të punës)», thotë Guy Standing, ekspert britanik i ekonomisë.

7. Kush i ka fajet për këtë situatë? Neoliberalizmi i shfrenuar. Liberalizimi brutal i tregut të punës, ku punëdhënësi e blen fuqinë punonjëse si një çamçakëz dhe e hedh në atë çast që nuk i duhet.

8. Ky derregullim total i tregut të punës dhe toleranca e qeverive ndaj firmave dhe investitorëve që në ekonomi depërtojnë si grabitqarë dhe shkatërrojnë shtresat stabile të shoqërisë, duke i eksploatuar dhe duke u koncentruar vetëm në maksimalizim të fitimit, ka prodhuar lëvizje populiste e protestuese, si «Xhaketat e Verdha» në Francë.

9. «Nëse nuk e dimë se a do të kemi vendin e punës në fund të muajit apo sa të larta do të jenë të ardhurat tona javën që vjen, atëherë kjo ndikon në mënyrën e jetës, në ushqim, shprehitë e konsumit, por edhe në perspektivën e planifikimit», thotë sindikalistja austriake, Veronika Bohrn Mena.

10. Kjo situatë e shton depresionin në shoqëri. Njerëzit me vende të pasigurta të punës e humbin besimin në demokraci, ata marrin pjesë shumë më pak në zgjedhje se pjesëtarët e shtresave të tjera shoqërore. Partitë e etabluara mendojnë se grupet me vende të pasigurta të punës nuk dalin në zgjedhje, rrjedhimisht nuk duhet të interesohemi për to. E kur grupet me vende të pasigurta të punës dalin në zgjedhje, ato votojnë partitë ekstremiste. Kështu në Gjermani po rritet Alternativa për Gjermaninë (AfD), në Francë Rassemblement National e Marine Le Pen, në Austri me vite të tëra është rritur FPÖ, në Itali Lega e Matteo Salvinit.

11. Bashkimi Evropian i ka kushtuar pak rëndësi qëndrueshmërisë sociale të shoqërive. Tregu i punës është liberalizuar brutalisht. Një murator rumun mund të ofrojë shërbimet e tij në Gjermani. Firma gjermane e punëson rumunin, i cili punon 50 për qind më lirë se muratori gjerman. Muratori gjerman mbetet pa punë ose duhet të punojë me po atë rrogë sa e merr rumuni. Kjo është biletë për varfëri. Kjo është njëra prej arsyeve kryesore përse zviceranët hedhin poshtë hyrjen në BE. Hapja totale e tregut të punës mund të shkaktojë tensione sociale.

12. Shtresat e varfëruara reagojnë me mllef ndaj elitave, sepse e kanë përshtypjen se elitat nuk po merren me problemet e tyre dhe debatet sillen kryesisht rreth «barazisë gjinore», të «drejtave të homoseksualëve», «racizmit» etj. Këto shtresa të varfëruara dhe me vende pune të pasigurta apo pa vende pune fare, nuk janë kundër barazisë gjinore, nuk urrejnë homoseksualët, nuk mund të thuhet se janë fund e krye raciste. Mllefi i shtresave të varfëruara ka të bëjë me arrogancën e qeverive perëndimore në 30 vjetët e fundit.

Në Amerikë arroganca e Hillary Clintonit, e cila për 100 fjalime i kishte marrë 25 milionë dollarë kryesisht nga bankat dhe në disa referate ishte shprehur me përbuzje ndaj punëtorëve të thjeshtë, pra kjo arrogancë e ka sjellë Donald Trumpin në pushtet. Në Francë Emmanuel Macron ka ngjallur zemërim duke i quajtur punëtorët dembelë. Në Gjermani punëtorët e shohin ish-kancelarin Gerhard Schröder se si i mbush xhepat me para si punëtor i Gazpromit rus. Shumë ish-politikanë austriakë për një honorar të majmë nuk përtojnë të punojnë për autokratë, diktatorë e oligarkë nga hapësira ish-sovjetike.

13. Globalizimi është proces i rëndësishëm, por kur bëhet pa rregulla ose me rregulla minimale, atëherë shkatërron shoqëritë. Këtë e ka toleruar edhe Bashkimi Evropian në tri dekadat e fundit, madje duke ndërtuar një mit kinse liberal, i cili nuk është gjë tjetër veçse maskë me të cilën plaçkiten njerëzit. Pas retorikës së «tolerancës», «respektit për grupet e margjinalizuara» etj. fshihet makina gllabëruese e ndërmarrjeve të mëdha pa respekt për kohezionin social.

14. Nuk është më e majta që po u shkakton kokëçarje qeverive, por e djathta nacionaliste. Problemi është ashpërsuar viteve të fundit me ardhjen e mbi një milion refugjatëve në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore.

15. Aty ku të punësuarit marrin 3 deri në 5 euro në orë, shpërthimi social duket i paevitueshëm.

REMOTE_ADDR:[]

7 komente në “Skllavëria moderne e shkaktuar nga neoliberalizmi brutal: Pa punë ose me vende pune të pasigurta, me rroga të mjerueshme në rini e të varfër në pleqëri”

  1. Irfani says:

    Realiteti eshte me keq se kaq. Ka varferi ne keto vende qe e mbajne vete si te pasura, ka depresion, ka kriminalitet te shtuar.

  2. gloria says:

    KY ESHTE REALITET, VETEM PUSHTETARET NUK E BESOJNE….

  3. Baton DR says:

    Shumë analizë serioze

  4. Agim Anastasi says:

    Ajo nje e trete eshte nje tregues i zbutur. Me shume se gjysma e popullsise punon ne dy pune, e perseri veshtire ti pergjigjet qerase dhe konsumit. Te gjthe qytetare qe kane te ardhura nga borderoja ,paguajne 30% tatim. Ndersa ata qe kane te ardhura nga procesi P-M-P , nuk paguajne tatim ose dikush paguan 0.002%. Spekullimi eshte i pranishem kudo, ne emer te ekonomise se tregut, apo liberalizmit. Ne se Qazim Mulleti ne kohen e tij arestoi dike qe e pa strembet ne rruge , sot shefat e rinj te firmave te „ekzekutojne „ me largim nga puna, qe eshte dhe denimi me i rende ne sistemin e parase. Dhe qeveria qe perfaqeson shoqerine, sepse te mere dhe tatimin, nuk nderhyne, dhe te thote se keto jane probleme private. E pabesueshme. Perse shteti nuk taton ata qe risin cdo dite kapitalin? Perse shteti percakton kufirin e minimumit per nje ore pune dhe per ata qe perdorin kembimin jo per konsum por per fitim, kufiri per nje ore eshte one kufi !? Perse kapitali i ketyre individeve i takon vetem atyre, kur dihet se ne procesin e kembimit qe ata realizojne , mere pjese dhe shoqeria . Cfare mere kjo e fundit ? Ku eshte shteti demokratik. Per cfare demokracie flete Makron. A e di ai se dhe ne kohen Qazim Mulletit folej per demokraci, jo vetem ,por dhe ne diktaturen e Enver Hoxhes folej per demokraci me te madhe. Po keshtu sot ne Globalizmin e ri cirren per demokraci. Perse ekonomisti Milton nuk e kuptoi se demokracia qe mendonte ishte nje mall, qe ta konsumoje duhej paraja, mall te cilin jo te gjithe e kishin. Ne kohen kur jetoi autori i Kapitalit , nuk mundej te mendohej qe vetem nga qarkullimi i mallit do te mbijetojne shtete, pa realizuar prodhim, sic eshte rasti i Shqiperise. Si eshte demokratike sot ne Globalizem kur ekzistojne dy lloj bankash, ato normalet dhe oazet fiskale. Qytetare sot duhet te paguaj per bankat qe pa perjashtim jane ne agoni dhe konkurrentet e tyre oazet po lulzojne, ne nje kohe qe diferencimi eshte ne ekstrem. Perse shume ekonomiste te njohur sote jane vuvosur. A nuk e dine vertet ata se Globalizmi eshte nje metodologji ekonomike e diktatures. A nuk e pane globalizmin ekonomik ne diktaturen e proletariatit te realizuar qysh ne kohen e Stalinit.

  5. Politikane kurva + oligarke katunare idiot says:

    Uroje qe te kete sadopak ndikim te hienat qe drejtojne shqiperine prej 30 vjetesh. BASHKE ME OLIKARKET.
    SUPER ANALIZE. 👏👏👏👏👏

  6. Plaku says:

    Atehere cfare na propzon autori i artikullit? Ti kthehemi teorise se cifutit Marks dhe english man Engels. Ti kthehemi revolucionit proletar dhe utopise komuniste tashme me atomic bombs dhe te detyrojme “klasen e te pasurve” te dorezojne pushtetin dhe kompanite e tyre ti shperndajne ne menyre te barabarte me “klasen punetore”. Autori nuk e propozon kete si zgjidhje ose se nuk ja mban ose se ka idene e arkitektures mendore dhe psiqike te natyres njerezore. Ose autori me hipokrizi dhe djallezi tipike “made in albania” na pershkruan nje analize shume naive dhe fshatarake te situates global te botes dhe kerkon te na e shese kete si zbulim interesant te shekullit. Good loock

  7. Shnjestra says:

    Te lumt Enver Robelli,e ke thar kete artikull,eshte brilant. Te gjitha ato qe thua qendrojne dhe eshte punetori dhe i varferi qe po e vuajn.Po i vjen koha qe popujt e botes,duke pare padrejtesine qe po i behet nga te pasurit, qe po tallen e po pasurohen nga puna e punetorit,te kerkojne ardhjen e sistemit TE SOCIALIZMIT.Socializmi nuk i ka keto padrejtesi qe ka sot kapitalizmi.Sot,ne kapitalizem,femijet tane ne vendet e zhvilluara,mezi gjejne nje pune dhe ate e kane te pasigurt se, pronari si i pa shpirt qe eshte, neser te hedh ne mes te rruges si pa gje te keq.Por me e kqeja eshte se edhe kur punetori punon per pronarin,ai ne fund te muajit nuk ja jep pagen dhe i thon nuk kame te paguaj se nuk po me ecen puna,prandaj po deshe rri po deshe ik.Keto gjera ne SOCIALIZEM nuk jane,por e ke punen te siguruar,shtepine falas te garantuar,shendetesin dhe arsimin falas,sigurine e punes dhe te jetes e ke te siguruar pasi ne socializem jeta e njeriut eshte e çmuar dhe kujdeset vete shteti.Ne kapitalizem,mjere populli i varfer pasi kapitalizmi mendon vetem per vehte, si e si te pasuro ne kurriz te te varferve dhe ai te beje nje jete mondane.Njeriu per njeriun eshte ujk.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *