Zgjerimi i BE-së ka vdekur, rroftë zgjerimi i BE-së

13 Shkurt 2020, 10:22Blog TEMA

Agon Maliqi

Metodologjia e re e zgjerimit e BE-së nuk do të mund ta ndalë tatëpjetën politike në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo e gjithë kjo në fund mund ta ketë një anë pozitive.

Bashkimi Evropian po përballet me aq shumë sfida sa është vështirë të gjesh sot njerëz në Bruksel që çajnë kokën për zgjerimin e BE-së ose për fatin e Ballkanit Perëndimor. Megjithëkëtë, miqve të mbetur të rajonit në BE duket se iu hoq një barrë javën e kaluar kur Komisioneri i BE-së për Zgjerim Oliver Varenhyi paraqiti metodologjinë e re të anëtarësimit në BE.

Vetoja e Francës për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë fillimisht dha sinjalin se politika e zgjerimit të BE-së mund të ketë vdekur. Por meqë metodologjia e re i adreson shqetësimet e Francës, në Bruksel tani ka optimizëm se Makron mund t’i heq pengesat.

Frazat që dëgjoheshin më së shpeshti në Bruksel gjatë javës së kaluar ishin se politika e zgjerimit u shpëtua, se ajo tani është bërë më e njëmendtë, dhe se—si rrjedhojë—tani ka më shumë interesim serioz dhe të sinqertë nga ana e shteteve antëtare.

Në kësi momentesh është e vështirë t’i fajësosh qytetet politike si Brukseli për dozat e tepruara të optimizmit dhe shpresës. Zatën, qytetet politike jetojnë për këtë punë – për të zgjidhur probleme që i krijojnë vetë.

Duke mos pasur ndjesi të drejtpërdretë për situatën në terren, matësi i suksesit brenda një flluske politike si Brukseli është shpeshherë vetë akti i një marrëveshjeje të fshehtë politike, pavarësisht efektit të saj.  Nëse një gjë i mundëson makinerisë politike të punojë dhe të vazhdojë lëvizjet nga pika A në pikën B, atëherë kjo gjithsesi duhet të jetë gjë e mirë, apo jo?

Por, metodologjia e re vetëm duket sikur sukses (më fort sesa është në të vërtetë) thjesht sepse i përmbush disa interesa kyçe afatshkurtëra. Komisionit Evropian i lejohet ta vazhdojë lojën burokratike; Franca tani mund të më seriozisht në përpjekjen e saj për ta reformuar BE-në dhe për të pasur më shumë kontroll në Ballkan, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të vazhdojnë për në etapën e radhës.

Megjithatë, në afat të mesëm, pengesat e zgjerimit të BE-së në Ballkan janë aq të mëdha saqë nuk mund të zgjidhen nga një ndryshim metodologjie. Për më tepër, metodologjia e re nuk e rregullon dëmin që i është shkaktuar procesit të zgjërimit në dy vitet e fundit—humbjen e besueshmërisë së BE-së si palë e cila nuk i përmbahet detyrimeve të ujdisë nga ana e saj.

Metodologjia e re godet mu në shenjë në shumë pika, sidomos me mundësinë që i jep BE-së për t’i kthyer shtetet kandidate prapa nëse shënojnë regres në reforma (“Ku ishte më herët?”). Ajo gjithashtu mund ta bëjë procesin më realist, duke i përfshirë shtetet anëtare më herët dhe në numër më të madh fazash të vlerësimit, duke i shmangur kështu befasitë dhe pritshmëritë e parealizueshme.

Por duke e bërë procesin e vlerësimit më politik, rritet gjithashtu rreziku i abuzimit prej cilitdo shteti anëtar për çështje që s’kanë fare lidhje me kriteret. Një proces “më politik” do të thotë një proces më i brishtë ndaj rrymave ksenofobike elektorale apo krizave politike të momentit në cilindo shtet anëtar, dhe këto sot duket se kurrë nuk po mungojnë në Evropë.

Vendosja e këtyre minave të shumta në fushën para nesh vetëm e thellon ndjenjën e thellë të mosbesimit mbi synimet e disa prej shteteve të mëdha anëtare. Të vetëdijshëm për trendet ksenofobike dhe paragjykimet e rënda që e kanë ulur popullaritetin e zgjerimit, shtetet me shumicë myslimane në Ballkan kanë arsye të veçantë për t’u shqetësuar. Pavarësisht premtimit se anëtarësimi është caku përfundimtar, metodologjia e re mund të dalë të jetë hyrje në një fazë të re ku BE-ja fillon ta trajtojë rajonin tonë njësoj si Turqinë.

Për dashamirët brenda BE-së që ende besojnë te themelet normative të projektit, ky mund të tingëllojë si një perceptim i dramatizuar. Por, ekzistenca e këtij perceptimi në Ballkan krijon hapësirë për narracione të reja dhe prodhon realitete të reja politike në terren.

Dështimi i Kosovës për të tërhequr vëmendje në Këshillin e BE-së për diçka aq themelore sa liberalizimi i vizave (i cili i është dhënë Kolumbisë!) është shenjë e qartë se si mund të ecin gjërat prej tash e tutje gjatë një procesi më politik të negociatave.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me gjasë do t’i çelin negociatat së shpejti në mënyrë që të mund të festohet “shpëtimi” i politikës së zgjerimit, por në fund të fundit kjo mund të mos ketë rëndësi më. Siç kanë thënë tashmë edhe disa komentues, pengesat e reja e kanë ngritur aq shumë standardin, saqë edhe shumë prej shteteve që tashmë janë anëtare të BË-së do ta kishin pasur të vështirë anëtarësimin gjatë dekadës së ardhshme.

Pra, politika afatmesme e BE-së ndaj Ballkanit duket se po largohet prej zgjerimit dhe po i ngjan më shumë asaj që në marrëdhënie ndërkombëtare njihet si “përmbajtje” (“containment”). Makron mund të ketë të drejtë në rrafshin strategjik për masat që duhen ndërmarë për ta shpëtuar BE-në në periudhën afatgjate, dhe Ballkani thjesht po i merr goditjet e shkundjes, si dëm kolateral, në një kohë fatkeqe për të.

Megjithatë, nuk ka dyshim se thjesht ekzistenca e perceptimit se anëtarësimi është cak i paaritshëm do të ketë efekte të menjëhershme destabilizuese në rajon. Ballkani Perëndimor mund të zhvendoset prej gjendjes së sotme të baraspeshës joliberale drej një spiraleje dhe tatëpjete politike.

Situata e sotme ngjan me atë që në anglisht quhet “Catch-22” (apo në shqip “hyp se të vrava, zhdryp se të vrava”). Fakti se perspektiva e anëtarësimit në BE është vënë në dyshim tashmë ka shpërfaqur shqetësime të sigurisë dhe i ka ringjallur projektet kombëtare ballkanike, sepse më herët ishte perspektiva e anëtarësimit në BE ajo që i bënte kufijtë të parëndësishëm. Kjo po ashtu e ka rritur mundësinë e destabilizimit të rajonit nga aktorë të jashtëm dashakëqij.

Shqetësimet e sigurisë ndërkohë kanë bërë që axhenda e NATO-s dhe arkitektura e sigurisë (sidomos zgjidhja e mosmarrëveshjeve bilaterale) të bëhen prioritete për partnerët perëndimorë, sidomos për ShBA-në. Kjo po i fuqizon edhe më shumë liderët autoritarë në rajon që janë të gatshëm të luajnë lojëra politike realiste në emër të ruajtjes së stabilitetit. Rezultati i gjithë kësaj do të jetë përkeqësimi i mëtutjeshëm i standardeve demokratike dhe prodhimi i shteteve ballkanike edhe më pak të kualifikuara për t’u bërë pjesë e BE-së.

E gjithë kjo do të ndodhë në një kohë kur BE-ja e ka humbur peshën politike dhe fuqinë për t’u dhënë formë zhvillimeve në këtë territor evropian. Është tronditëse ta përjetosh këto ditë shpërfilljen me të cilën priten deklaratat e zyrtarëve të BE-së në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor.

Nëse shohim drejt së ardhmes, skenarët apokaliptikë mbi shkatërrimin e BE-së janë të ekzagjeruara. BE-ja do të vazhdojë të mbetet aty dhe ndoshta mund të marrë ndonjë formë tjetër prej asaj që ka sot. Ajo gjithashtu do të mbetet partneri më i rëndësishëm i Ballkanit në aspektin ekonomik dhe tregtar, për shkak të gjeografisë, lëvizjeve të popullsisë dhe kulturës.

Por në aspektin politik, duke pasur parasysh se metodologjia e re e zgjerimit nuk tërheq më aq fort sa duhet, trajektoret e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nuk do të jenë më aq të bashkërenditura si më parë. BE-ja dhe Ballkani do të lëvizin në drejtime të pavarura, e ndoshta edhe kontradiktore.

Rrugët politike mund të na takohen sërish, por—në të ardhmen e afërt—realiteti i Ballkanit do të formësohet kryesisht nga realiteti gjeopolitik i garës së sigurisë, domethënë nga rivaliteti i fuqive të mëdha për sferat e ndikimit dhe lojërat realiste të pushtetit mes shteteve-kombe.

Mësimi kyç që duhet ta nxjerrin forcat demokratike në rajon është se, sa i përket luftës për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, jemi fill të vetëm. Duhet të mos mbështetemi në procesin e anëtarësimit në BE-së si spirancën e jashtme që do të na shndërrojë në demokraci liberale, duke na i eksportuar vlerat dhe praktikat institucionale.

Hungaria dhe Polonia duhej të na shërbenin edhe më herët si shenja paralajmëruese për faktin se —duke u përqëndruar vetëm te reformat institucionale dhe kapitujt e negociatave me BE-në — një shtet mund edhe t’i ndreqë ligjet dhe rregulloret që i mundësojnë të bëhet pjesë e BE-së, por kjo nuk e zgjidh problemin kryesor, e që është mendësia joliberale e shoqërive.

Energjia e forcave demokratike në rajon duhet të përqëndrohet te ndërtimi i qëndrueshmërisë së brendshme demokratike. Kjo mund të bëhet vetëm përmes rrijes së numrit të njerëzve dhe grupacioneve që sinqerisht shqetësohen për gjëra si institucionet e pavarura dhe të drejtat e njeriut. Në dimension afatgjatë, një proces më organik i zhvillimit demokratik është më i vështirë, por ndoshta do të ishte edhe më i dobishëm sesa procesi i deritanishëm i importimit të demokracisë përmes negociatave teknike, të largëta dhe absurde.

Nëse qasja franceze e “dashurisë së ashpër” për kurbanin ballkanik nuk na vret, atëherë mund të na bëjë më të fortë dhe më të gatshëm për t’u bërë pjesë e BE-së dikur në të ardhmen, pavarësisht se si do të duket kjo BE. Tek e fundit, Evropa është fati ynë gjeografik, por vlerat që do të mbizotërojnë këtu do të varen nga zgjedhjet tona individuale dhe kolektive.

—–

Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon.

2 komente në “Zgjerimi i BE-së ka vdekur, rroftë zgjerimi i BE-së”

  1. Plaku i mocem says:

    Cfare ke katranpsur more ditezi? As vete nuk e di cfare ke shkruar! Kaq e thjeshte eshte dhe kaq e veshtire e ke bere ceshtjen, degjo Plakun: Nuk ka Ballkan Perendimor, eshte sajese e Europes ky term per te maskuar te verteten se: Ne kete rajon ka gjashte shtete qe, ose kane shumice muslimane si Shqiperia, Kosova, Bosnje-Hercegovina, ose kane nje pakice te tille, si Maqedonia, Serbia, Mali i Zi. Per interesa kunder Ruse te BE -se do pranohen ne Union vetem Serbia dhe Mali i Z, per te cilet jane celur negociatat( para “reformes se pranimit” te Frances). Se shpejti ,do te celen negociatat edhe me Shqiperine dhe Maqedonine( kete e di dhe bufi), por celja e negociatave me keto vende, behet nen rregullat e reja, dhe sa per te lare gojen, qe do te thote, pranimi ketyre dy shteteve ne BE do te behet ne “kalendat greke”, ose atehere kur keto dzy shtete te jene shperbere, ose Europa vete te kete kaluar ne dy klasa ( klasa e pare, dhe klasa e dyte) gje qe pritet te ndodhe ne vitet e ardheshme. Kjo eshte skena e kesaj ceshtje. Tani i nderuari gazetar, lexo prapaskenen: Ne prapaskene kemi dy kryetaret e Europes, Francen dhe Gjermanine te cilet nuk merren vesh me njeri – tjetrin, vecanrisht tani me daljen e Britanise nga Unioni. I nderuar Gazetar: Tani thuaju te verteten e madhe shqiptareve: Ne qe ju kemi joshur me Europen me parrullen: ” E duam Shqiperine si gjith Europa”, e kemi bere kete per qellimet tona te vockla , sepse po te ishte per Shqiperine, me pare duhet te kishim bere pyetjen: ” Po Europa e do Shqiperine si Europa?” Ja, keshtu jane keto pune more bir, kaq te thjeshta jane qe ti u vjen verdalle kaq gjate.

  2. Eri says:

    Nuk ka zgjerim te BE hiqeni nga mendja.BE mbeshtet dhe promovon nje rindertim te ish jugosllavise me Serbine Shqiperine Kosoven Bosnje-Hercegovinen Malin e Zi dhe Maqedonine e Veriut per te pritur emigrantet.Kjo do te sherbeje si nje federate kushinete per te shpetuar vendet e BE nga presioni i emigracionit.Greqia do te spostoje emigrantet nga ishujt dhe do ti grumbulloje ne 5 qendra te medha te cilat do te sherbejne per ekpulcionin (debimin) e tyre ne drejtim te ketyre vendeve qe do te bejne minishengenin.BE do tu jape ketyre vendeve ca therrime sa per te tallur bythen.Ky eshte plani i BE dhe Rama ka rene dakord bashke me Vucicin.Ketu perfiton Serbia dhe ceshtja shqiptare varroset njehere e pergjithmone ne rajon.Rama eshte Esat Toptani i Ri qe do te na genjeje me mjekren e tij si te Ismail Qemalit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje