Renditja e Superiores / U rihap lufta për titull, kthehen në garë Partizani e Teuta

Java e 22 e Kategorisë Superiore nuk ka sjellë ndryshime të mëdha në tabelën e Superiores, por ka shërbyer për të rihapur luftën për titull.

Nëse Kukësit e Tirana më parë dukeshin të shkëputur nga ndjekësit, me barazimet e kësaj jave u kanë dhënë mundësinë ekipeve si Partizani e Teuta që të kenë më shumë shpresë për t’i arritur.

Kukësi ka marrë vetëm 1 pikë, që i mjaftoi për të ruajtur vendin e parë, me një avantazh minimal ndaj Tiranës ndjekëse e cila gjithashtu regjistroi barazim duke humbur mundësinë e parakalimit.

Verilindorët u barazuan në shtesë nga Bylisi duke shpërdoruar mundësinë që të krijonin distancë sigurie nga bardheblutë me të cilët ndeshen në javën e ardhshme në duelin direkt për vendin e parë.

Këto rezultate i mundësuan Partizanit të shkurtonte në 5 pikë diferencën nga Kukësi i vendit të parë e 4 nga Tirana e të dytit, me skuadrën e Sormanit që regjistroi 3 fitore radhazi duke mundur Laçin në një transfertë të vështirë.

Pak më e shkëputur, por në grupin e atyre që pretendojnë për kreun, është edhe Teuta e cila mundi Vllazninë dhe tani është vetëm 7 pikë larg vendit të parë.

Nëse durrsakët evitojnë luhatjet e mëdha që kanë pësuar në këto javë, miun të bëhen realisht faktor në vijimin e kampionatit.

Më pas vjen grupi i ngjeshur i skuadrave të mesit të tabelës, me Bylisin që mban vendin e 5-të, i ndjekur nga Laçi, Skënderbeu e Vllaznia, ku këto dy të fundit vazhdojnë rokadat mes tyre javë pas jave në vendin 8 që çon në play-out.

Në fund nuk ka ndryshime me Luftëtarin e parafundit dhe Flamurtarin që mbyll tabelën, edhe pse vlonjatët gjetën pas 22 javësh fitoren e parë në kampionat pikërisht përballë gjirokastritëve.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *