Giovanni Vale: Trashëgimia e Venedikut ende pjesë e Ballkanit

19 Shkurt 2020, 17:56Rajoni TEMA
Giovanni Vale: Trashëgimia e Venedikut ende pjesë e Ballkanit

Fortesa e Shën Nikollës, Sibenik, Kroaci.

Ndërsa po punon me një projekt të titullua “Vende të zhdukura”, i cili eksploron trashëgiminë e ish-shteteve në rajon, gazetari italian Giovanni Vale tregon për BIRN se përse ai e nisi ne Venedikun dhe pse ia vlen të kujtohet trashëgimia e këtij qyteti-shtet në Ballkanin Perëndimor.

Nga Anja Vladisavljevic

Ndërsa të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor, sidomos ato që lulëzojnë nga turizmi, janë të mbushur me libra udhërrëfyes, të plotësuar me një listë të gjatë restorantesh dhe vendesh tërheqëse, tani po realizohet edhe një “guidë” më pak tipike si rezultat i një projekt i quajtur “Vende të zhdukura”.

Projekti “nuk ndjek kufijtë e sotëm”, ​​thonë autorët e tij, por ofron “një udhëtim në kohë dhe hapësirë nëpër mbretëri, republika dhe perandori të humbura, duke kërkuar atë që na bashkon në vend të asaj që na ndan”.

Guida e parë kushtuar një shteti që nuk ekziston më do të dalë në treg në mars dhe tregon për Republikën e Venedikut të humbur prej kohësh.

Ky qytet-shtet i mrekullueshëm lulëzoi për rreth një mijëvjeçar përpara se të pushtohej përfundimisht nga Napoleoni dhe më pas Austria, para se të bëhej pjesë e Italisë moderne.

Një nga nismëtarët e projektit, Giovanni Vale, një gazetar italian me qendër në Zagreb, tha për BIRN se libri i vendosur diku “midis fakteve argëtuese dhe pak historie”.

Ai përmban rreth 40 qytete dhe qyteza në shtatë vende – Itali, Slloveni, Kroaci, Mali i Zi, Shqipëri, Greqi dhe Qipro – të cilat dikur qeveriseshin pjesërisht nga Republika e Venedikut.

Vale thotë se edhe pse ai nuk ekziston më që prej vitit 1797, ai ka lënë pas saj një trashëgimi të fuqishme përsa i përket kulturës, arkitekturës, gastronomisë dhe gjuhës, gjë të cilën ai kërkon ta eksplorojë.

Botimi i librit është në proces e sipër. Për të mbledhur fonde për printimin e tij, ata së shpejti do të nisin një fushatë mbledhjesh fondesh.

Kultura venedikase mbetet në ADN-në e rajonit

“Kudo në botë, por sidomos në Europë, vendet dhe format e kufijve kanë ndryshuar shumë herë dhe nëse shohim këto vende të zhdukura ose përvojat e kaluara, ekzistojnë disa gjëra kulturore – referenca që qarkullonin në atë moment – që janë ende pjesë e identitetit tonë sot”, thotë Vale.

Ai shikon ushqimin si një shembull, duke vënë në dukje se një pjatë tipike Dalmate, e quajtur “pasticada” – mish viçi i gatuar në salcë – daton që nga koha e Republikës së Venedikut dhe gatuhet ende në Itali, në Greqi, si dhe në Dalmaci, me një pjatë tjetër shoqëruese ose një tjetër lloj mishi.

“Këto janë gjëra të vogla. Le të themi se ndërsa gjeografia e shteteve ndryshon, keni akoma gjëra të përbashkëta me fqinjin tuaj që nuk i prisni”, vëren ai.

Duke eksploruar trashëgiminë e shekujve të sundimit venedikas në Mesdhe dhe Adriatik, Vale hasi gjëra interesante.

Për shembull, qyteti i Rovinjit, i cili tani është në Kroaci, vëren ai, gjeti shumë mënyra për të mos iu bindur rregullave dhe për të mos paguar taksat e autoriteteve të Venedikut. “Në kohën e Republikës së Venedikut, Rovinji jetonte duke shfrytëzuar peshkimin, ishte një qytet relativisht i pasur dhe kontrabandonte peshq – shpesh duke mos i paguar taksa Venedikut”, thotë ai.

Por më poshtë përgjatë bregdetit, komunitetet e tjera treguan më shumë besnikëri ndaj Venedikut. Këtu mund të përmendim Pereastin, një qytet i vogël në Gjirin e Kotorrit, i cili tani është në Mal të Zi.

Kur Napoleoni pushtoi Venedikun në vitin 1797, kujton ai, i fundit që e mori këtë lajm ishte populli i Perastit.

Historia tregon se pasi një kapiten vendas mbajti një fjalim emocional lamtumire me sundimin venedikas, disa prej vendasve qanë. Ekziston edhe një legjendë sipas të cilës kur u hoq flamuri i Republikës së Venedikut, ai u fsheh në Perast është ende i fshehur atje, diku.

Libri për Venedikun ka edhe më shumë se 400 intervista me vendas, si guida turistike, zejtarë, kuzhinierë, ekspertë, studiues, historianë, gjuhëtarë, antropologë dhe arkitektë.

Vale vëren se historianët shpesh marrin qëndrime të ndryshme kur hulumtojnë historinë e kësaj perandorie detare dikur të fuqishme dhe ai dëshironte të tregonte atë diversitet.

Ndër të tjerë, ai ka intervistuar Benjamin Arbel, një historian nga Izraeli i cili ka një teori që Republika e Venedikut ishte një lloj force proto-koloniale dhe se sundimi i saj mbi Qipron frymëzoi kolonializmin e Perandorisë Britanike.

Rindërton ura lidhëse mes popujve

Vale, i cili ka lindur në Itali, por ka lidhje familjare në Kroaci dhe është i martuar me një kroate, ka qenë prej kohësh i interesuar për rajonin, kryesisht përmes punës së tij gazetareske.

Por ajo që e shtyu të niste këtë projekt ishte se, ashtu si edhe gazetaria, ai punonte edhe me guidat turistike dhe u habit nga ngjashmëria e tyre.

“Ato janë gjithmonë pak a shumë njësoj. Ke një vend, Kroacinë, Italinë, Slloveninë dhe pastaj ke përshkrimin e këtij vendi e kështu me radhë. Ndonjëherë s’më pëlqente lista e gjatë e restoranteve dhe hoteleve, të cilat duhet t’i përditësojmë kur, siç e dini, të gjithë tani kanë Airbnb ose Trip Advisor. Këto informacione mund të gjesh”, thotë ai.

Por ai gjithashtu vuri re se guidat turistike po evoluojnë. Disa tani kanë intervista, portrete dhe përshkrime të njerëzve vendas, që është ajo që po bën edhe vetë Vale tani në projekt.

Ai pranon se e filloi projektin për shtetet që nuk ekzistojnë më me Venedikun, sepse Venecia është “ndoshta ajo që unë njoh më mirë”, por thotë se shembuj të tjerë të ardhshëm shtetesh të zhdukura mund të përfshijnë Perandorinë Osmane, Perandorinë Austro-Hungareze apo edhe Jugosllavinë Socialiste.

“Jugosllavia mund të jetë një opsion tjetër, por nuk doja të filloja me këtë sepse është e afërt dhe mendova se mund të etiketohesha si “jugo-nostalgjik”, ndërsa qëllimi i projektit nuk është të shkruash me nostalgji për ndonjë vend”, thotë ai.

I pyetur nëse ishte i shqetësuar për idenë se njerëzit mund të thonë se libri po pretendon që territori kroat dhe slloven është italian, ai thotë se ishte në dijeni të këtij problemi të mundshëm.

“Sigurisht, e kam menduar edhe këtë. Nëse projekti “Vende të zhdukura” do të trajtojnë Perandorinë Austro-Hungareze, mendoj se ky problem s’do të ngrihej”, vëren ai.

Por, shton ai, guida kërkon në mënyrë aktive urat midis njerëzve dhe kulturave dhe qëllimi nuk është të inkurajojë pretendime territoriale, por të tregojë një histori të përbashkët.

“Kam analizuar pikëpamjet të ndryshme dhe jam përpjekur t’i tregoj ato”, thotë ai.

“Kur bëhet fjalë për nacionalizmin, mendoj se me parullën “Ne po kërkojmë atë që na bashkon, jo atë që na ndan”, e kam përqafuar atë problem në një farë mënyre”, përfundon ai.

1 komente në “Giovanni Vale: Trashëgimia e Venedikut ende pjesë e Ballkanit”

  1. Klimax says:

    Artikull interesant. Republika e Venedikut ishte nje nga fuqite me te medha ekonomike dhe ushtarake te kohes se saj qe mbijetoj qe nga fillimi i vitit 800 e deri ne fund te viteve 1700, pra, per plot 1000 vjet. Kontrollonte Mesdheun dhe ne vecanti brigjet dhe ishujt e Adriatikut, te Jonit dhe te Egjeut. Disa historiane arsyetojne se shkaqet e renies se Venedikut ishte zgjerimi dhe fitoret e Perandorise Otomane ne Mesdheun Lindor. Disa te tjere konkurences portugeze e spanjolle me zbulimet e tyre dhe sundimin ne tokave te reja matan Atllantikut.
    Duke pare historine e Ballkanit, te pakten ne rreth 3000 vitet e fundit qe bazohet ne zbulimet arkeologjike e fakteve historike te peridhes antike greke, romake, sllave, venedikase, osmane, etj vertetojne se popullsite ne kete rajon kan qene dhe vazhdojne te jene ne nje nderthurje e perzierje te vazhdueshme. Komb apo race e “paster” ne Ballkan eshte nje mithos. Dhe ndoshta ketu eshte dhe cudia se pse popujt e Ballkanit jane me armiqesoret midis njeri tjetrit. Te gjithe deklarojne “identitet te tyre”, civilizimin, kulturen, historine dhe te gjithe ndihen viktima te te tjereve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje