Masakra në Hanau të Gjermanisë, motivi racist dhe rreziku nga neonazistët: Çfarë dihet deri më tani

Nga Enver Robelli

1.

Në qytetin Hanau në landin e Hessenit në Gjermani të mërkurën, pas një akti të dhunshëm, kanë humbur jetën 11 njerëz.

2.

Në dy sulme në dy shisha-bare u vranë 9 persona. Së paku 4 u plagosën.

3.

Disa orë pas kësaj masakre policia gjermane zbuloi kufomën e vrasësit të supozuar. Kufoma e gjet në banesën e tij. Dyshohet për vetëvrasje. Në banesë u gjet edhe kufoma e nënës 72-vjeçare të vrasësit të supozuar.

4.

Vrasësi i supozuar Tobias R. është 43-vjeçar. Gjerman. Jetonte në Hanau. Ekonomist. Punonte bankier.

5.

Kush janë viktimat? Nuk ka ende informacion. Shisha-baret konsiderohen si pikëtakime të njerëzve me origjinë të jogjermane. Agjencia gjermane e lajmeve i referohet autoriteteve të sigurisë dhe njofton se në mesin e viktimave janë shumë njerëz me prejardhje të huaj.

6.

Në Hanau jeton edhe një komunitet shqiptar. Ky qytet është vendlindja e futbollistit Mërgim Mavraj.

7.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit hetimet i ka marrë përsipër Prokurori i Përgjithshëm i Gjermanisë.

8.

Ministri i landit të Hessenit Peter Beuth deklaroi: “Në bazë të njohurive tona të deritanishme gjithsesi ekziston një motiv ksenofob”. Sipas mediave gjermane, motivi racist mund të nënkuptohet nga një letër që ka lënë pas dorasi i mundshëm. Letra është gjetur në banesën e tij. Motivi racist nënkuptohet edhe nga webfaqja e Tobias R.

9.

Në banesën e Tobias R. hetuesit gjetën edhe një videoincizim, të cilin ai e kishte publikuar disa ditë para veprës në Hanau. Aty Tobias R. u drejtohet amerikanëve me një anglishte me akcent gjerman. Videoja përmban shumë teori komploti të Tobias R. Ai thotë se në SHBA ekzistojnë baza nëntokësore ushtarake, ku keqtrajtohen dhe vriten fëmijë.

10.

Eksperti i terrorizmit Peter R. Neumann ka lexuar letrën prej 24 faqesh që ka lënë pas dorasi i supozuar. Neumann shkruan në Twitter se me gjasë bëhet fjalë për një ekstremist të djathtë, i cili kishte një problem të madh psikik. Shkresa, sipas Neumann, tregon qartë se dorasi i mundshëm i urrente të huajt. Ai kërkonte zhbërjen e disa shteteve myslimane në Afrikën veriore, në Lindjen e Afërt dhe në Azinë qendrore. Tobias R. shkruan se në 18 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë lidhje me ndonjë grua.

Eksperti i terrorizmit Peter R. Neumann e përshkruan atë si “Incel”. Bëhet fjalë për burra të frustruar seksualisht, të cilët kultivojnë një subkulturë të tyre në internet. Sipas personave që e konsiderojnë veten “Incel”, gratë e keqpërdorin trupin e tyre si instrument pushteti dhe ua mohojnë burrave seksin. Duket se Tobias R. jetonte brenda një paranoje. Ai thotë se gjatë gjithë jetës ka qenë i mbikëqyrur. Po ashtu shkruan se idetë e tij i kanë vjedhur Donald Trumpi dhe Jürgen Klopp, trajner i Liverpoolit.

11.

Gjermania ka një problem serioz me dhunën nga qarqet e djathta ekstremiste. Që nga ribashkimi i Gjermanisë para 30 vitesh nga e djathta ekstreme janë vrarë 198 njerëz. Këtë shifër e ka publikuar Fondacioni Amadeu Antonio. Fondacioni e bart emrin e Amadeu António Kiowa, i cili vdiq nga pasojat e një sulmi të neonazistëve gjermanë në qytetin Eberswalde. Mes janarit dhe gushtit 2019 në Gjermani janë regjistruar 542 raste të dhunës me prapavijë të ekstremit të djathtë. Së paku 240 njerëz janë lënduar apo plagosur.

12.

Në vitin 1992 ekstremistët e djathtë ia vunë zjarrin një objekti në Mölln të landit Schleswig-Holstein, aty vdiqën tre veta, mes tyre dy fëmijë. Po atë vit në Solingen në landin Nordrhein-Westfalen ekstremistët e djathtë ia vunë zjarrin një shtëpie, vdiqën pesë gra dhe vajza turke.

13.

Në vitin 2000 filloi një seri e vrasjeve nga organizata NSU (Nationalsozialistischer Untergrund, në shqip: Nëntoka Nacionalsocialiste). Treshja e përbërë nga Uwe Mundlos, Uwe Böhnhardt dhe Beate Zschäpe brenda 7 viteve vranë 10 njerëz në shumë pjesë të Gjermanisë, 9 prej tyre me origjinë të huaj.

14.

Në tetor 2015 një ekstremist i djathtë goditi me thikë politikanen Henriette Reker, e cila ishte kandidate jopartiake për postin e kryetares së qytetit të Kölnit. Reker mbijetoi.

15.

Në vitin 2017 një sulmues i proviniencës së djathtë qëlloi me thikë politikanin Andreas Hollstein nga partia koservatore CDU. Sulmuesi brohoriti parulla kundër të huajve.

16.

Viktimë prominente e dhunës së ekstremit të djathtë është Walter Lübcke, edhe ky politikan i CDU-së. Ai u vra më 2 qershor 2019. Lübcke ishte angazhuar për të drejtat e refugjatëve dhe kishte ngjallur mllefin e ekstremistëve.

17.

Politikanët gjermanë kanë reaguar të tronditur pas masakrës në Hanau. Kancelarja Angela Merkel ka anuluar aktivitet dhe pritet t’i drejtohet opinionit së shpejti gjatë ditës. Kanë reaguar të tronditur edhe politikanët gjermanë që punojnë në institucionet e BE-së si presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, dhe Manfred Weber, shef i grupit parlamentar të partive konservatore në Parlamentin Europian.

18.

Sipas informacioneve të “Der Spiegel” javën që shkoi policia arrestoi 12 persona, të cilët kishin themeluar organizatën e djathtë terroriste “Teutonico”. Qëllimi i organizatës ishte të kryejë sulme kundër njerëzve të besimit mysliman, politikanëve dhe institucioneve.

19.

Shërbimet sekrete gjermane numërojnë 13 mijë ekstremistë të djathtë, të cilët janë të gatshëm të kryejnë sulme.

20.

Shërbimet sekrete gjermane numërojnë 11 mijë islamistë radikalë në Gjermani, por vetëm një e katërta e tyre konsiderohen si të gatshëm për të ushtruar dhunë.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *