Petrit Ruka, një poezi, hymn për babain

21 Mars 2020, 22:23Kulturë TEMA

Në këto momente të vështira që po kalon vendi dhe bota, njerëzit më të rrezikuar janë baballarët tanë. Ata që punuan dhe sakrifikuan gjithë jetën për ne, sot janë të dënuarit e mëdhenj nga kjo epidemi. Dhe të rrezikuar më shumë se nga kushdo, janë prej fëmijëve të tyre, nipave apo mbesave të tyre, që mund ti rrezikojnë nga papërgjegjësia dhe jo mungesa e dashurisë.

Në respekt të tyre kemi përzgjedhur një poezi hymn për babin nga poeti ynë i njohur Petrit Ruka, për të respektuar Poetin në ditën e poezisë dhe gjithë baballarët tanë.

 

NJË LETËR PRAPË PËR BABAIN.

I dashur baba,
ti e kishe emrin Novruz dhe kishe lindur në ekuinoksin pranveror. Ditën e pranverës, në 22 marsin që erdhi prapë. Në ekuilibrin e përkryer të natës dhe të ditës. “Ditën” tënde e jetuam bashkë. “Natën” tënde po e jetoj vetëm. Përmes një malli që të “ha” zemrën dhe që të bën mirë, sepse ajo do të çahej tek brinjët nga enjtja e përvitshme. Kështu shpëtoi dhe Prometeu duke ia ngrënë pak nga pak mëlçinë shkaba e zezë e Skithisë. Miti i lashtë paska të drejtë.
Sa herë vjen datëlindja jote kujtoj poezitë që kam shkruar për ty. Më vijnë (a i kërkoj vetë?) si ngushëllim shpëtimtar këtë nuk them se e di mirë. Mbaj mend që të parën e shkrova kur isha rinosh diku nëpër vitet e gjimnazit. Erdha me një frymë të ta tregoja atë revistë “Nëntori” dhe ti më the; ku është?
E hapa aty ku ajo nusëronte dhe ti nuk e lexove. U gëlltite, po nuk fole. As kërkove ta dëgjoje prej meje. Veç shtrive atë dorë të madhe prej muratori të përzbardhur nga gëlqerja dhe e vure pëllëmbën e gjerë mbi faqen e shkruar të librit. Pashë se si dora jote u drodh ato dy tri sekonda mbi të.
Kaq ishte. Po unë kam një jetë të tërë që vras mendjen se çfarë do të thoshte e gjitha ajo që bëre e nuk i jap dot shpjegim këtij misteri.
Çfarë ishte?
Do të vdes pa një përgjigje të plotë e ndoshta më mirë, Madhëria Ime!
Dhe ja, nga që e kam bërë zakon, po risjell si një mall të ri për ty një nga poezitë “e tua!”
Është botuar e ribotuar qindra herë në faqe gazetash, blogjesh, profile njerëzish të mirë e ka mijëra e mijëra komente dhembshuruese.
Sa do të doja që ti t’i lexoje, po jam sërish i bindur që nuk do ta bëje.
Sërish do të shtrije dorën e stërmadhe mbi to, muratori im dhe nuk do të flisje.
Uh, unë nga e para do bëja të njëjtën pyetje me vete: çfarë ishte?

BABA, NE IKËM

(shkruar kur nga fshati iku dhe i fundit…)

Baba, ne ikëm,… shtëpinë e braktisëm,
një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota
dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
si kyç një palë lot vendosëm tek porta…

Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë,
në metropole u mblodhëm si punë e iriqëve,
(e ke parasysh kur e vjelin një pemë
dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!…)

U ngjeshëm këtej ndër halle të reja,
e humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën,
gjithçka është gati në dyqane luksoze,
dyqan – psikologu, të të kallais dhe zemrën…

Ne ikëm dhe varrin ta futëm në një video,
të dielën të takojmë në xhamin vizual,
me mend i vëmë lulet, dy lot, një cigare,
jetojmë me simbole,… botë me manual.

Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,
tani gjithçka e mbajmë në kuti,
kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,
në xhamin e tij takon çdo njeri..

Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasmë,
puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent
dhe nënën e qan nga mijëra kilometra
tek e fusin në varr, me video – konferencë.

Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,
këtu lart u ndamë për jetë e për mot,
s’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
qëllova i dobët dhe mbytem në lot.

Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,
nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi,
një kohë arixhinjsh jeton sot tërë bota,
ah, ik edhe thur kanistra pikëllimi…

10 komente në “Petrit Ruka, një poezi, hymn për babain”

  1. Niko m says:

    E kam lexuar dhe disa muaj me parë. Eshte nje bashkëbisedim aq I sinqertë dhe I ngrohtë që të mbërthen dhe duket se e ke perpara, edhe pse Ai eshtë atje poshtë. P Ruka dallohet bukur per poezinë bashkekohore me nerv dhe qytetari. Urime Petrit Ruka!

  2. Andi says:

    Perle.Si ato te Driteroit te madh.Poeti Ruka eshte nje nga guret e gjerdanit te poeteve xhevahire te atdheut tone te dashur.Na perlote

  3. Giovanna says:

    Te gjithe e keni nga nje fshat kthehuni e keni bere Tiranen te pa jetushme me intriga e krime me shume gjera te tjera qe i dini vete.

  4. "BOHOTINA" says:

    I jashtezakonshmi tepelenasi im. Krenohem me ty. Bravo. Shume bukur trajtuar kete dalldi kombetare. ikjen…

  5. Shefi 55 says:

    Jo per te fyer ate komunitet rom , por ajo qe poeti tepelenas shkruan ne kete poezi ezhte mese nje realitet. Sot jemi bere te gjithe harixhij. Ikimnga fshati , ikim ga qyteti dhe asgje nuk na ben pershtypje. Mesazhi i poetit eshte per mua i qarte :”shpopullimi i vendit.” Urime!

  6. Petrit Ruka says:

    Faleminderit i dashur Mero! faleminderit miq per fjalet tuaja te ngrohta!

  7. F. Zaimaj says:

    Fantastike! E bukur, qe te le pa goje. Njelloj si dora e arte e babait murator, dmth ndertues, kur e vendosi mbi letren e bardhe te poezise se pare…dhe nuk foli nje fjale.
    Nderim per kete burre, per kete ndertues me doren e madhe te zbardhur nga gelqeria! Nderim per gruan e tij! Nderim per te dy sebashku, qe linden Petritin, nje shembull i mirenjohjes, i dashurise dhe i nderimit per prinderit – madhështorët me te shenjte, qe ka njeriu ne jete.
    E mrekullueshme do te ishte bota, sikur te gjithe femijet t’i adhuronin prinderit e tyre si i famshmi Petrit Ruka.
    Shendet, gezime ne jeten e gjate sebashku me familjen, te cilen ua uron me gjithe zemer nje gjiton i fshatit tuaj, Flatun Zaimaj.

  8. ILIR BoÇKA says:

    Shume e ndjere kjo poezi e poetit Ruka. Gjithkush prej nesh e gjen veten aty , ne te gjitha vargjet e saj. Faleminderit per kete trazim qe i ben shpirtit tone .

  9. Sa mall, sa dhimbje!
    Ne nuk kemi b…, qe te bejme ate qe kane bere baballaret dhe nenat tona. Mirenjohje!

  10. D. Didani says:

    “Ne xhamin e tij gjen nuse ben dasma
    Puth djemte e vellait,nga nje tjeter kontinent
    Dhe nenen e qan nga mijera kilometra
    Tek e fusin ne varr,me video- konference!!!

    ***************************************************************
    O zot sa bukur,duket sikur vetem ne nje vjershe eshte futur nje epoke e tere!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje