Përgjegjëshmëri, maturi dhe unitet

Nga Ditmir Bushati

Shumë prej miqve më kanë shkruar e bërë pyetje me të drejtë lidhur me vendimin e BE-së për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Pyetje, të cilat vijnë për shkak të konfuzionit që është krijuar ndër vite me këtë proces, procedurave të koklavitura të vetë BE-së dhe leximit bardh e zi të politikës shqiptare, duke lënë në harresë interesin e qytetarëve.

Siç po dëshmon edhe lufta me virusin, një popullsi e informuar dhe vet-motivuar është arma më e fuqishme dhe efektive për ta mposhtur atë. E njëjta gjë vlen për proceset madhore siç janë reformat e domosdoshme që burojnë nga procesi i integrimit europian.

I.Vendimi i sotëm konfirmon në thelb vendimin e 26 qershorit të vitit 2018, ku Vendet Anëtare të BE-së iu përgjigjen pozitivisht rekomandimit të Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Asokohe, Vendet Anëtare skicuan rrugën drejt zyrtarizimit të bisedimeve, përmes një procesi përgatitor dhe afatizimin e tij, duke përcaktuar Qershorin e 2019-ës si periudhën e zyrtarizimit të bisedimeve dhe fundin e 2019-ës për organizimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon nisjen e bisedimeve.

Për arsye që lidhen me debatet brenda BE-së rreth të ardhmes së projektit europian (sidomos pas BREXIT), kalendari i mësipërm nuk u respektua. Madje, vitin e kaluar, përjetuam momente dramatike kur për një çast u mendua se procesi i zgjerimit do të ndalonte deri ne reformimin e kërkuar për BE-në, sidomos nga Franca. Vështruar në këtë kontekst, vendimi i sotëm dëshmon gadishmërinë e BE-së për të filluar bisedimet për anëtarësim. Në kulmin e krizës së paprecedentë që po kalon njerëzimi, për shkak të virusit, vendimi i BE-së ka një vlerë politike të pamohueshme, pasi mban hapur derën e Bashkimit Europian, e për rrjedhojë mban “gjallë” procesin e zgjerimit.

II.Vendet Anëtare sot përcaktuan edhe disa kushte që duhen përmbushur para mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Për përmbushjen e kushteve, Komisioni Europian do të raportojë sërish para Vendeve Anëtare. Në të vërtetë, një pjesë e këtyre kushteve që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, funksionimin e gjykatës kushtetuese, gjykatës së lartë dhe funksionimin e strukturave të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk janë të panjohura. Ato, ne i kemi kthyer në “detyra shtëpie” në Rezolutën që miratuam në Kuvend “Për mbështetjen e procesit të fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, më 3 Tetor 2019. Na duhet t’i rikthehemi pikërisht angazhimeve që kemi ndërmarrë në këtë dokument, të përfitojmë nga ekspertiza e çmuar e Komisionit të Venecias dhe përmes bashkëpunimit politik dhe mirëkuptimit institucional të adresojmë qoftë çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e gjykatës kushtetuese dhe asaj të lartë, ashtu dhe të përmirësojmë ligjin për median.

III.Konferencës së Parë Ndërqeveritare i paraprin përgatitja nga ana e Komisionit Europian dhe miratimi nga Vendet Anëtare të BE-së të dokumentit të “Kuadrit Negociues”. Ky dokument përcakton parimet, thelbin dhe procedurat mbi të cilat do të zhvillohet negociimi. Pra, jo thjesht për Konferencën e Parë Ndërqeveritare apo negociimin e kapitujve të grupuar (clusters). Si ta kuptojmë këtë? Meqë jetojmë në kohë pandemie edhe shembullin po e marr nga shëndetësia. Në mënyrë simbolike, nëse BE-në do ta krahasonim me një trupë vendimmarrëse mjekësore, Komisionin Europian me mjekun specialist dhe Shqipërinë me pacientin, në dokumentin e “Kuadrit Negociues” përvijohet protokolli i shërimit që duhet të ndiqet nga pacienti në mënyrë që të shërohet. Edhe këtu Vendet Anëtare kanë përcaktuar një listë me çështje, adresimi i të cilave nga ana e Shqipërisë duhet të reflektohet në dokumentin e “Kuadrit Negociues” që Komisioni do të paraqesë para Vendeve Anëtare. Këto çështje duhen konsideruar si detajim i përmbushjes së 5 prioriteteve, të cilat në një mënyrë a tjetër do ta shoqërojnë Shqipërinë për gjatë gjithë procesit të anëtarësimit në BE. Për të trajtuar këto çështje nevojitet bashkëpunim politik dhe mirëkuptim institucional.

IV.Vendet Anëtare të BE-së nuk kanë përcaktuar një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, por kanë preferuar formulimin se një gjë e tillë do të ndodhë “sa më shpejt që të jetë e mundur, pas miratimit të Kuadrit Negociues nga Këshilli”. Një formulim i tillë pa datë dhe precedenti i vendosur nga BE-ja që shoqëron miratimin e Kuadrit Negociues dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me përmbushjen e një liste me detyra apo kushte nuk është fundi i botës. Përkundrazi është motivim për më shumë reforma të qëndrueshme.

V.Nuk është në interesin tonë të analizojmë shqetësimet, paragjykimet apo precedentet e rinj që vendosën në këtë proces, në disa raste padrejtësisht e në kurriz të pritshmërive dhe ëndrrave tona për ta bërë një orë e më parë Shqipërinë vend anëtar të BE-së. Por, duhet ta nisim nga vetja. Sepse që nga viti 1991 e deri më sot, mungesa e bashkëpunimit politik dhe mirëkuptimit institucional është një fakt kokëfortë pengues për çlirimin e potencialit të Shqipërisë në këtë proces. Sot më shumë se kurrë, duhet të dëshmojmë PËRGJEGJSHMËRI, MATURI, UNITET!

#PaktpërEuropën

REMOTE_ADDR:[]

4 komente në “Përgjegjëshmëri, maturi dhe unitet”

  1. zhaku i pamposhtur says:

    Bushati vetëm ti nuk ke fytyrë për të bërë deklarata sepse ty të futi në xhep homologu grek Koxhias apo jo? nuk e kemi harruar akoma. ..ti dhe edi rama duhet të sqaroni njëherë përpara shqiptarëve se si ishte ajo puna e fondeve greke për segmente të politikës shqiptare të medias dhe të koash. .ish ministri grek Koxhias dha dorëheqjen mbas përplasjes në parlamentin grek me ish ministrin e mbrojtjes Kamenos nga ku deklaroi se shuma prej 50 mln € ishte një fond për të kapur segmente të politikës shqiptare medias dhe kishës. .politika e Tiranës bëri sikur nuk i dëgjoi këto deklarata prandaj mirë do të ishte përpara se të festoni ‘arritjet’ tuaja bëni pak transparencë …dhe jeni të lutur ta zbardhni pak këtë çështje. .

  2. Alban Borshi says:

    e sakte analiza politike e akademike, por nuk mund te vijohet me retorike politikeze.
    Mjaft me!
    Ka qene dhe mbetet prej kohesh imperativ hapja dhe fokusimi i plote ne nje proces juridik si ai ndaj Sanader ne Kroaci,
    i cili vijon edhe sot te gjurmoje, nxjerre dhe provoje fakte penale ndaj tij dhe bashkepuntoreve publike e private,
    pra te regjistroje rezultate dhe te jete shembull konseguence te veprimit penal.
    Ndersa ne Shqiperi,
    – Rjedho-lucionari President kembengul per mledhje fikisht te Keshillit te Sigurise (asnje shetet ne bote nuk e ka bere),
    – duke ftuar edhe Pampersin Muzin te parave ruse, me objektiva qe dalin nga kopetencat e tij,
    – KLGJ e KLP vetekarantinohen per te bllokuar ecurine e reformes ne drejtesi,
    – Kryeprokurori i ri Cela komandon Drejtorin e Pergjithshem qe ne padine penale per sjellje e deklarata ne rrethanat e covod-19, te mos e konsideroje ish-Presidentin nje Zyrtar te Larte te shtetit, kur pikerisht ky shtet i paguan me Ligj, Zyren, dy sekretare, makine, shofer, bodigard e shpenzime te tjera.

  3. ppa says:

    Bushati flet si katolik i mirefillte, harron qe Bibla se pari dhe Kurani me pas , kane 2000 apo 1500 vite qe predikojne , dhe bota mbetet po ajo. Fare mire po ben analistin , ndersa politiken duhet ta harroje.

  4. Buda says:

    Sa te rroje Sali Berisha me milionat dhe gangsteret e tij,
    ne Shqiperi nuk do te kete as bashkesi as qetesi!
    Dhe ti Bushat e di fare mire kete, pse flet ne pergjithesi?!

Lini një Përgjigje te zhaku i pamposhtur Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *